Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Behari i dy kurbaneve

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Behari i dy kurbaneve

Ky behar u la shqiptarëve në prehër dy kurbanë, njëri me satër, gjak e lesh qingji në derë të Bashkisë; ndërsa tjetri me letër, kopertinë e kod ISBN-je në një Panair Libri. Për të parin po u sjell këtu veç një foto të të ngjajshmit të vet të para 100 vjetëve, ndërsa për të dytin po hedh në letër edhe unë dy fjalë.

KËSHILLË. Çfarë i tha Rama Nanos; pse Meta mendoi ashtu; çfarë bisedoi Rama me atë kundër këtij; si e dëgjoi Rama atë që i tha Berisha atij; e plot të tjera si këto më the të thashë, janë bërë sigla gërmëmëdha nëpër gazetat e Tiranës këto ditë. Gazetarë që qëmtojnë batuta dhe emra të Kurbanit të Ramës për t’i bërë kurban nëpër faqet e para të tyre. Nëse nga gjithë ai libër do të mbeteshin nëpër koka e mëndje vetëm këto, më mirë të mos ish lodhur fare ta shkruante, ndaj besoj të mos ngjasë kështu.

Ka një kategori librash që, ose lexohen me një frymë që t’ia dalësh të kapësh hapësirën që mbulojnë, ose përndryshe të lexuar nga 10 faqe çdo mbrëmje në krevat para gjumit, kthehen thjesht në “pasatempo”. Unë e lexova me një frymë. Kështu kam lexuar shumë vjet më parë vetëm Oliver Twist-in dhe të nesërmen në klasë më binte koka mbi banga nga pagjumësia. Të njëjtën gjë i këshilloj kujtdo që do t’i hyjë këtij leximi.

EMRAT. Në institucionin shqiptar të Kafehanes, këto ditë bëhet vërejtja se Kurbani përmban shumë pak emra e personazhe, krahasuar me lumin e madh të atyre që detyra, posti, njohja, tërheqja, interesi apo kurioziteti i vendosi në kontakt Edi Ramën në këtë dekadë. Analizohet duke konkluduar që kjo duhet të jetë mënyra e tij hilanjose për të qenë dhe mbetur në qendër të vëmendjes.
Unë them të kundërtën, që në libër janë shumë personazhe me emër. Një libër si ky, më shumë se me persona realë, duhet dhe merret me fenomenet dhe fenomenet nuk kanë emra. Madje emrat e deformojnë qëllimin. Ka më shumë vlerë për të treguar fenomenin e degjenerimit rreshtor të partive, ngjarja e asaj zëdhënëses së paemër të PD-së që flet për “m... që duhet të hajë për të bërë karrierë”, sesa thënia e emrit të saj. Emrat do të bënin që vëmendja të përqendrohej tek njerëz realë, me mish e kocka, ndërsa e keqja e këtij vendi nuk janë ata por sistemi i shpartalluar e pervers, që i deformon ata dhe i kthen në mekanizma pa fytyrë e identitet.

INTERMEXO. Si për të vërtetuar këtë që thashë më sipër, dje a pardje ish-ministri i mbërtheckave, kishte një kundërpërgjigje një faqe gazete për Ramën, ku pasi e shante me ç’i vinte për goje, mbushte kolona të tëra me lëvdata për veten dhe punët e shumta që paskësh bërë në Ministri, punë të cilat ia la në mes komploti i mbërtheckave. Nuk është punë e imja t’i dal për zot Ramës, por aty mbërtheckalliu, nuk e kuptoj pse, më zbërthente edhe mua gjerë e gjatë.

Më ndjeni, por një rresht ia kam borxh t’ia them. Mund të gjesh sa të duash njerëz që flasin keq për mua, por do gjesh edhe po aq të tjerë që flasin mirë. Mund të gjesh sa të duash njerëz që flasin keq për Ramën, por do gjesh edhe po aq të tjerë që flasin mirë. Kështu edhe për më të shumtit e njerëzve publikë. Por si puna jote, që të detyrohesh të lëvdosh vetë veten, se nuk e gjen dot as me qiri dikë që të thojë një fjalë të mirë për ty, ti qofsh si flet akoma! Mënyrë më e trishtë për të mbyllur një karrierë publike, s’bëhet dot.

FRYMA. A ka të pavërteta e pasaktësi Kurbani? Natyrisht që ka, kur ka të tilla edhe Bibla që e kanë shkrojtur më nge dhe e kanë korrigjuar edhe më me nge e sa herë kanë dashur. Në fund të fundit, Rama nuk po lë një dëshmi për në gjykatë, por impresionet e tij për 10 vjetët e Bashkisë siç i jetoi ai. Nëse perceptimi i tij është i ndryshëm nga ai i të tjerëve, kjo as do të thotë që gabon ai me domosdo, as që gabojmë ne, e as që gabojmë të dyja palët. Edi Rama është në mes të karrierës politike, u ka premtuar socialistëve t’i çojë në pushtet pas një viti e ca, ndaj nuk ka si të presim që të rrëfejë gjërat si ai plaku 90-vjeçar në ditën e Gjyqit të Fundit.

Gati njëzëri pranohet se libri më i mirë që përshkruan thelbin e jetës në Shqipërinë e vonë Otomane, janë Kujtimet e Eqerem bej Vlorës. Dhe, nga ana tjetër, po nga të njëjtët njerëz, pranohet se Kujtimet e tij janë të mbushura me pasaktësi dhe deformime. Arsyeja është e thjeshtë. Në atë libër të jashtëzakonshëm, nuk duhet humbur nëpër gjethet e veçanta, por duhet parë pylli në përgjithësi. Atij libri nuk i do qëmtuar elementi, por fryma e përgjithshme dhe, më mirë se beu i Vlorës deri më sot askush nuk ia ka dalë ta japë këtë frymë. Që kurse dolën Kujtimet e Eqerem beut, kush kërkon të kuptojë frymën e epokës mjaftohet me to, kush kërkon saktësinë e gjërave, shkon pastaj në arkiv të shfletojë letrat.

E njëjta gjë mendoj se vlen edhe me Kurbanin e Ramës. Kush kërkon të kuptojë frymën e asaj që ndodhi në Tiranë në këtë dekadë, mjafton të lexojë Kurbanin e tij; kush pastaj do të futet nëpër meandre hollësirash, le të shkojë në arkiv.

DALLIMI. E dini cili është dallimi mes fjalëve osmane “ashik” dhe “jaran”? Ashiku është dashnor i mendjes, i pasionit intelektual, ndërsa jarani është dashnor i trupit, i dëshirës mishtore. Shqipja, me atë vrazhdësinë e saj pasionante, as që e ka vrarë mendjen për të bërë dallim mes këtyre dy koncepteve, me pasojën që sot të përdorim të njëjtën fjalë edhe për dashnorin e lirisë, të natyrës apo të poezisë, edhe kur flasim për dashnorin e vajzës së bukur.

Tirana është një qytet sqimatar që e rriti sqimën edhe më shumë qëkurse nga qytet u bë kryeqytet. Që kurse vendosën t’i thonë Kryeqytet, ata që e kanë qeverisur janë gjendur përpara vështirësisë për t’u pranuar prej saj dhe kjo nuk ka qenë e lehtë. Me atë sqimën e femrës që nuk vuan për bukën e gojës, por për dashuri, ajo ka pranuar më kollaj ata që e kanë dashur sesa ata që kanë patur para, pushtet apo soj. Tirana e mban mend edhe sot për mirë Xhemal Tafajn, një ministër pa ndonjë shkollë të veçantë, për të vetmen arsye se ai me baballëkun e tij e dashuronte vërtet qytetin. Dhe qyteti e ka atë ende në kujtesë për mirë, ndërsa ka lënë në harresë një sojlli me shkollë e emër që ishte kryebashkiak në vitet ‘30, por që mbahet mend që nuk firmoste Planin Rregullues pa i bërë si bakshish një vilë (që më në fund ia bënë). E kuptoni sa buzëhollë është kjo sqimatare që i thonë Tiranë?

Edi Rama ishte një tjetër ashik i këtij qyteti, ndoshta i vrazhdë e nopran, por sidoqoftë qyteti e pranoi me qejf, sepse ai e dashuronte vërtet qytetin. Në fund ndodhi ajo që u ndodh të gjithë të dashuruarve: Ajo kërkonte gjithnjë e më shumë, ai ishte lodhur nga dashuria. Dhe u ndanë. Nuk ishte më punë votash, 10 më pak a 100 më shumë, këto janë cic-mice burokratësh e llogaritarësh, këto nuk mbeten në librin e madh të historisë.

E rëndësishme është që sqimatarja Tiranë do ta rreshtojë Ramën tek ashikët e vërtetë të saj, aty ku midis tridhjetë e cave ajo mban mend vetëm Zyber Hallullin, një plak të urtë që qe kryetari-urë, i fundmi i kohës së Perandorisë së Osmanëve dhe njëkohësisht i pari i Shtetit të Shqiptarëve; apo Qemal Butkën, një piktor e arkitekt i fisëm, që e kalonte kohën duke bërë piktura dhe plane rregulluese për qytetin; apo Qazim Mulletin, fillimisht si Kryebashkiak e më pas si Prefekt; apo Ndue Marashin, një katolik i rreptë që vrau veten më 1975-n për një gabim të vetëm ndaj qytetit. Të tjerët, kush më pak e kush më shumë, janë thjesht kronologji, njerëz që i vunë apo që i emëruan, por që mbetën të huaj për dashnoren e vështirë Tiranë.

RROKULLIMA. Nuk kam kohë të shkruaj shkurt, thoshte Marksi, duke na thënë kështu me pesë fjalë se sa e vështirë është t’i përmbledhësh mendimet në pak fjalë. Aty diku nga fundi i Kurbanit, ka nja tri faqe që përshkruajnë si me një rrapëllimë trumbetash, gjithë rrjedhën e kohërave të qytet-shtetit të shqiptarëve, në të cilat Rama ia ka dalë ta bëjë një përmbledhje-rrokullimë të historisë tragjikomike së Shqipërisë dhe për më tepër të ngjeshur në atë batutën e vet, që vitet e gjata politike ia kishin zbehur disi, ndërsa muajt e këtij behari e bënë ta rigjente sërish po aq të goditur.

MISIONI. Një nga akuzat e kohëve të fundit, është se e djathta qeveris ndërsa e majta shkruan libra. Me thënë të drejtën, si batutë është bukur e hidhur, por jo me domosdo edhe e saktë. E kam thënë edhe herë tjetër se detyrë e politikanëve dhe partive nuk është vetëm të qeverisin, por edhe të edukojnë shoqëritë që u kanë dhënë këtë rol. Dhe nuk ka mënyrë më të mirë për të edukuar një shoqëri sesa librat. Nëse këto shoqëri pas qeverisjeve të këqija dhe librave të mirë dalin më të zhvilluara, atëherë të dyja palët ia paskan arritur në misionin e tyre.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama