Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash - HALLALL E PAÇ SABIT!

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash - HALLALL E PAÇ SABIT!

HALLALL E PAÇ SABIT!

Më vijnë ndër mënt raste shtetarësh a burrash të politikës në botë që, kur kanë ndërruar jetë, e kanë lënë me shkrim që nuk duan t‘u vijnë në varrim gjithë lukunia e politikanëve gjoja kolegë që, edhe me vdekjen duan të përfitojnë e ta kthejnë në kapital. Ka qenë e është një formë proteste e përtejme, ndaj gjithë maskarallëkut të politikës dhe asaj ç‘ka nuk kanë honepsur dot në të gjallë. Sabiti e kapërceu edhe këtë limit. U tërhoq që në të gjallë, duke ja plasur në surrat gjithë politikës e duke i thënë se ka dështuar.

Them se e bëri për t‘u thënë se nuk duronte dot më mes asaj kënete. Them se e bëri edhe për t‘i dhënë një shtymë të rrëzuarit të këtij sistemi të qelbur e plot erë. Them se bëri edhe se kishte aq cipë në faqe sa t‘i skuqej sa herë i duhej të rrinte mes njerëzish e të mos i përgjigjej dot pyetjes "Pse s‘bëhet ky vend?" Nuk dua të shtie fall për arsyet e Sabitit, po zemra m‘i do edhe këto që thashë.

Mos nxitoni të më thoni se nuk është i vetmi, se ja të njëjtën ditë me Sabitin dha dorëheqjen edhe kryegjyqtari i Elbasanit. Pa dashur t‘i bie në qafë, nuk e mbaj dot pa thënë se, është për të ardhur turp që një kryegjykatës të japë dorëheqjen se i ka dalë llotaria për Amerikë. Pra, ky njeri, ndërsa drejtonte (mirë a keq se di) një goxha gjykatë, hidhte zaret për të ikur në Amerikë. Goxha përgjegjshmëri për detyrën, e goxha dinjitet, apo jo. Ja pra që nuk u krahasuaka dot me Sabitin.

Me tri fjali Sabiti përmblodhi njëzet vjet të politikës së këtij vendi, politikë e tredhur, që si ç‘do qenie e tredhur nuk prodhon asgjë dhe si ç‘do krijesë e tredhur veç trashet e dhjamoset në kurriz të të tjerëve.

Hallall e paç Sabit!

NERONËT E KULTURËS

Shkoi janari dhe bashkë me të shkoi edhe një copë tjetër e jona. Shkuan 18 ikonat që u vodhën në Labovë të Kryqit, shkoi një shtëpi monument që u dogj në Gjirokastër, shkoi edhe një tjetër shtëpi që u dogj në Shkodër. Shkoi një monument antik që u shkatërrua në Durrës për t‘u ndërtuar një pallat. Shkoi një shtëpi e mbrojtur me ligj që u dogj në Tiranë, pastaj edhe një tjetër as 10 ditë më pas.

Këto vetëm në atë anë të kulturës që shihet me sy, se na lanë shëndenë edhe ca të tjera copa kulture që na nxijnë faqen para botës. Kështu ikën të lemerisur nga Shqipëria dy dirigjentët austriakë që do vinin në skenë një opera dhe pas një viti përpjekje, ikën duke vënë kujën për ç‘u panë sytë këtu. Po ikën nga Shqipëria me sa i hanë këmbët atletja Klodiana Shala, se më mirë të stërvitet në një palestër dinjitoze me flamurin e Greqisë mbi kokë, sesa në bodrumet pa dritë e me lagështirë të stadiumit të Tiranës, por me flamur me shqiponjë, ama. Shkoi janari me një tjetër sherr me UEFA-n e Platininë, pasi zyrtarët tanë, dhi të krimbura, duan ta mbajnë bishtin përpjetë e ta fusin ku nuk u takon. Dolli në dritë edhe një raport i zi si nata, që UNESCO bën për situatën në Butrint dhe që prapë dhitë tona të zgjebosura u përpoqën ta fshehin. Të gjitha këto vetëm në Janar, vetëm në 30 ditë.

Ajo që bën të më zërë tmerri, është që mësuam se edhe në rastin e Shkodrës, të Gjirokastrës, edhe të dyja rastet e Tiranës, kemi të bëjmë me monumente që zhduken nga zjarri dhe të paktën ai i Shkodrës dhe ata të Tiranës është e qartë që janë djegur me qëllim që të ndërtohen pallate në vend të monumenteve. Nuk e dinim këtë zanatin e zjarrit, ja e mësuam edhe këtë.

Historianët bëjnë akoma debate mbi arsyet që e shtynë Neronin të digjte Romën para 2000 vjetësh. Shkrimet e vjetra thonë se ai ja vuri zjarrin Romës që, duke ndjekur nga pallati i tij djegien, të frymëzohej për të shkruar poezi. Kjo teori fut ujë, por sidoqoftë Neroni e kapi vendin e tij në histori, paçka se jo për poezitë që shkroi, po si zjarrvënës monumentesh.

Të vijmë tani te këto zjarret tona. Mos u trëmbni për mua, se nuk kam lojtur nga fiqiri aq sa të krahasoj Pangon me Neronin. E vetmja gjë ku përngjasin këta të dy është mjekra, se sa për të tjerat, ehu, hane Shan hane Bagdat. Mirëpo po ngjasin edhe nga zjarri, se me ç‘duket ky Neroni ynë do hyjë në histori vetëm si ministri që ja doli të shpartallonte ç‘u kishte mbetur shqiptarëve nga e shkuara. E lakmoi shumë këtë titull Leskaj para tij, po nuk ja arriti, ndërsa Pango po ja del dhe me sukses. Sa me merak e ka këtë punën e të shkatërruarit, mjaft t‘u kujtoj fatin e asaj shtëpisë-muze në Gjirokastër, që vërtet u dogj po muret i mbetën në këmbë. Atëhere cili ishte vendimi i Institutit të Monumenteve? Mos vallë vendosën ta rindërtojnë? Apo mos të paktën të nxirrnin ca para sa për të përforcuar muret, që pastaj kur të gjendeshin fonde, qoftë edhe pas shumë vitesh, të rindërtohej? Jo, or jo. Instituti vendosi t‘i rrëzonte muret e mbetura dhe i rrafshoi brenda natës që të mos mbetej shenjë. Vërtet për të luajtur mënç.

Ekziston një nen në Ligjin e Trashëgimisë Kulturore, neni 14 e thonë, që e shkruan e zeza në të bardhë që, kur digjet a rrëzohet një monument kulture, ai ndërtohet po siç ka qenë dhe me po atë volum. Ky nen nuk është bërë ashtu kot, po pikërisht për t‘u prerë hovin gjithë kazmaxhinjve dhe zjarrvënësve të këtij vendi. Pra, shiko, edhe po e shëmbe, edhe po e dogje, ajo do rindërtohet siç qe, kështu që të del më mirë të mbash e të restaurosh, edhe me ndihmën e shtetit, atë që ke. Mirëpo tani po qeveris zjarrvënësi i math dhe të gjithë zjarrvënësit e veckël shohin se ka ardhur koha e zjarrit dhe e pishës.

Mos doli gjë ministri dhe i shqetësuar të lexonte nenin e ligjit që të mos vazhdojnë edhe të tjerët t‘i bien Shqipërisë me pishë të ndezur në dorë? Apo mos doli gjë Drejtori i Institutit të Monumenteve, të bënte atë që nuk e bëri ministri i vet. Jo mor zot, as që bëhet llaf ajo punë, as që e vunë ujët në zjarr. Atëhere po dal ta them unë dhe t‘u kujtoj ligjën. Gjithaq dua tua kujtoj këtë ligjë edhe gjithë bashkive të Shqipërisë se sakën se e shkelin këtë ligjë, e japin leje pallatesh e betoni mbi rrënojat e kujtesës sonë të djegur, se sidoqoftë ligja është ligjë. E një ditë dikush do t‘ua kujtojë krimin.

HALEJA (ME NDER JUSH)

Seç kanë një lidhje politikanjtë e këtij vendi me halenë (me nder jush), E kam vrarë mëndjen boll, po nuk ja kam gjetur dot anën. Më ‘23-në, kur Beqir Valteri i bëri atentatin e dështuar Zogut, pastaj, kur e ndoqën xhandarët, vajti e u mbyll në hale të Parlamentit ku, duke shtënë në ajër, këndonte "Për Mëmëdhenë". Vite më pas, ka qenë një komandant i Ballit më ‘43-në, që ja hoqi vetes i mbyllur në banjë dhe i nxorën edhe këngë për këtë punë: "Safet o Safet / vrave veten në halet". Nuk më del nga mëndja para nja dy vjetësh, një drejtor financash nga ata të Bodes, që, për të mos i dhënë intervistë "Fiksit", u mbyll në halenë e Drejtorisë, ku vërtet nuk këndoi për mëmëdhenë, po nuk nxori as sekretet e ndërmarrjes amá.

Dhe ja, tash së fundi, i vjen radha edhe ndënëministrorit të Financave shqiptare, një farë Hysamedin a Shemshedin a Sheremedin, që i vjedhin telefonin në hale të kazinosë. Në këtë mes ka vetëm një të keqe se, ndërsa ata të parët lidhjen me halenë e kishin sidoqoftë njëfarësoji heroike, këta të fundit aha, janë gjithnjë e më prozaikë. Se ky Sherefedini, po ta kishin vjedhur, ta zëmë në hale të llogores me grekun a sërbin, hajde de se po i bënim këngë, po e zunë në hale të kazinosë, ta hajë dreqi ta hajë. Kjo punë nuk më ka rënë në sy mua të parit, se shumë kohë para meje populli, që edhe ai diç ka kuptuar, ka nxjerrë llafin "s‘bie rrufeja në hale".

Eh sa ka rënë pazari i qeverisë! Më shumë u mbeti në mënt shqiptarëve ky Sherefedini për punë të halesë, se sa për gjithë çka bërë në zyrë të ministrisë për tre vjet rresht. Po mos pastë fatin e atij Hasanit, që i shpëtoi një nga ato të prapmet dhe i mbeti emri edhe pas njëzet vjetësh "Hasan p...".

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama