Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur shteti 'vret'

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 13 vite më parë

Arjan Konomi
Kur shteti 'vret'

Para dy vitesh kam shkruar një editorial që titullohej “Sa kushton jeta e një shqiptari?” nisur nga disa tragjedi të rënda me numër të lartë viktimash. E përbashkëta e tyre fatkeqësive ishte se mund të ishin lehtësisht të evitueshme, por pakujdesi, shpërfillje, mungesë vëmendjeje e përgjegjësie kishin bërë që jetët e njërzve të humbisnin për shkaqe aq çuditërisht të kota, sa në vendet perëndimore do të kishin shkaktuar alarm shumë herë më të madh edhe sikur të ishin kafshë shtëpiake.

 Aksidentë rrugorë që në të shumtën e rasteve bëhen për shkak të mungesës së sinjalistikës sidomos në ato raste kur kryhen punime apo ndërtohen rrugë të reja; njerëz që shtypen nga makinat si të ishin insekte; familje që humbin jetën në një varkë pas një feste të gëzueshme; pushues që shtypen nga adoleshentë që ngasin motorat e ujit; punëtorë që rrëzohen nga skeleritë e ndërtimit; të tjerë që vrasin njeri tjetrin për kanun apo nga gjaknxehtësia e një sherri banal në klub nate apo për një gërvishje makine; të tjerë që vdesin nëpër urgjencat e spitaleve sepse nuk u jepet ndihma e shpejtë dhe po nuk paguan rryshfet asnjë nga personeli mjekësor nuk i prek me dorë. Rastet janë të shumta e nuk mbarojnë së numëruari për të mbushur faqet e një libri.

Po pse jeta jonë ka kaq pak vlerë? Është një pyetje që duhet ta bëjmë më shpesh dhe të reflektojmë mbi të.

Rasti i gjyqtarit Skerdilajd Konomi që u vra në mënyrën më mafioze në qendër të qytetit të Vlorës dëshmon sesa e lehtë është të vrasësh në mes të ditës me shpërthime të telekomanduara edhe kur është fjala për një gjyqtar me imunitet. Vrasje të tjera të shumta të realizuara në mënyrat nga më të ndryshmet edhe nëpër rrugët e Bllokut vërtetojnë sesa e lehtë është jo vetëm të vdesësh aksidentalisht por edhe të vrasësh në vendin tonë.

Mjafton të kesh një mendje kriminale dhe pak guxim. Të tjerat nuk kanë rëndësi. Sepse, eksperienca tregon se duke përjashtuar një numër të papërfillshëm, asnjë autor nuk kapet nga organet shtetërore dhe të shkojë përpara drejtësisë.

Kemi diçka të përbashkët me shoqëritë primitive ku jeta e njeriut nuk kishte vlerë. Njëfarë barbarizmi social që vjen nga shkalla e ulët e emancipimit dhe e urbanizimit në sensin civil të fjalës.Por kjo mund të jetë vetëm një aspekt i kësaj çështjeje.

Arsyeja tjetër dhe më thelbësore është mungesa e madhe e dorës së shtetit. Në një shtet të fortë dhe të mirëorganizuar nuk do të ndodhnin vdekje të kota si ato që përmenda më lart. Asnjë shtet serioz nuk do të lejonte  që pakujdesi qesharake dhe paradoksale të shkaktonin kaq lehtësisht humbje jetësh.

Mungon një sens kontrolli ndaj çdogjëje, qofshin firma ndërtimi apo rrugësh, qofshin ambulanca dhe spitale, etj. Përgjegjësit nuk shkojnë përpara drejtësisë dhe asnjë alarm nuk shkaktohet.

Gjithçka shoqërohet me një indiferentizëm sikur shteti kërkon nga të gjithë që të pajtohemi me faktin e ndodhur dhe se jeta e gjithkujt është vetëm një çështje fati. Por fatin le ta lemë në dorë të Zotit dhe jo të shtetit, i cili ka përgjegjësinë kryesore në përcaktimin e fatit të jetës sonë.

Por ka edhe një aspekt tjetër të rëndësishëm të mungesës së shtetit. Në shumë vrasje të realizuara në mënyrë mafioze nuk janë gjetur e as kapur autorët. Me një polici jo profesionale, e cila ndryshon sipas ndërrimit të pushteteve apo drejtorëve, e për pasojë bëhet një vend punësimi për ndere e miqësi e jo për eksperiencë dhe profesionalizëm, krimi i ka dyert e hapura të veprojë lirisht.

Sa më shumë vrasje pa autor të ndodhin, aq më shumë rriten premisat për të patur vrasje dhe viktima të tjera. Nëse përqindja e arrestimeve nga organet e rendit të shkaktarëve të vrasjeve është shumë e ulët, po aq e ulët është edhe frika në psiko-patologjinë e kriminelit se do të identifikohet pas kryerjes së krimit.

Ndërkohë që përgjohen, arrestohen dhe jepen dënime tepër të rënda e absurde për disa gramë marihuanë, autorë vrasjesh vazhdojnë jetën normalisht, përveç rasteve kur dorëzohen vetë në organet e rendit.

Të dyja arsyet e përgjegjësisë së shtetit, ajo e mungesës së kontrollit mbi fenomene që shkaktojnë vdekje lehtësisht të shmangshme, si dhe mungesa e indentifikimit të autorëve të krimit, të nxjerrin në deduksionin së është pikërisht shteti apo mungesa e funksionalitetit normal të tij, shkaktari kryesor i vdekjes së shumë jetëve njerëzore.

Pra, edhe pse në mënyrë indirekte, mund të themi se është vetë Shteti ai që ‘vret’.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama