Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rikthimi

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Rikthimi

Ka vite që zor të gjesh film policesk italian, ku midis të këqijve të mos ketë shqiptarë. Së fundmi, motivi i kriminelëve shqiptarë apo i mafies shqiptare, ka zënë t’i hyjë në qejf edhe Hollivudit. Vërtet na u deshën përpjekje kombëtare, por më në fund ia dolëm t’u hyjmë në zemër. Dje u shfaq një film i muajve të fundit nga po përtej oqeanit ku, e gjithë drama rrotullohej rreth bandave shqiptare të seksit, apo për të qenë më preciz rreth një bande tutorësh shqiptarë nga Tropoja (albanians of Tropoja). Rritje në cilësi kjo, pasi kemi kaluar nga raportet e policive evropiane në celuloidin e filmit amerikan.

Nga ana e tyre, policitë e mbarë Evropës vazhdojnë ta rëndojnë penën në kurrizin tonë. Po atë ditë që pashë këtë filmin, u publikua një raport i policisë britanike që fliste për pushtimin e Skocisë nga bandat shqiptare. Flitet për mafien tonë si një nga më të pamëshirshmet, flitet për egërsinë e shqiptarëve, për sadizmin e tyre, thuhet se atyre u hapin udhë jo vetëm bandat vendase, por edhe bandat e rusëve, që deri pak më parë mbanin vendin e parë. Flitet aq shumë dhe me terma aq ekstremë, sa gati-gati të vjen të krenohesh me ta. Se çdo popull e ka të domosdoshme të krenohet me diçka. Dikush me artin a me piktorët, dikush me shkencën a me zbulimet, një i tretë me shenjtorë a me strategë, ndërsa neve me ç’duket meqë zanatet e tjera u zunë, na mbetet të krenohemi me bandat.

Nja 5 shekuj të shkuar, me të njëjtën mënyrë hymë në fjalorin evropian përmes stratiotëve arbër. Stratiotët ishin mercenarë nga trojet tona që viheshin në shërbim të princërve europianë dhe që, edhe ata, kanë hyrë në histori thjesht për egërsinë e tyre. Nuk kishin as atdhe e as ideale. Kishin vetëm shpatën. Ishin reparte pa ndonjë disiplinë të veçantë a ndonjë art ushtarak të shquar. Thjesht ishin mizorë, të llahtarshëm, luftonin pa rregulla dhe linin pas vetes veç shkatërrim. Nuk janë terma të mitë këto, por të nxjerra nga kronikanët e kohës. Një tjetër kronikan shkruan për ta se “sjellin më shumë dëm se përfitim”.

Pastaj dalëngadalë Evropa, që zuri të hynte në epokën e Rilindjes e të shteteve të rregulluara me ligje, hoqi dorë syresh. Kështu që për stratiotët tanë nuk kishte më vend nëpër fushat e kontinentit dhe, pak e nga pak, ata i mbuloi pluhuri i harresës, që prishej vetëm herë pas here nga ndonjë piktor romantik që, duke mos pas hequr mbi kurriz mizoritë e tyre, u kujtonte vetëm bëmat duke i paraqitur nëpër piktura e grafika si luftëtarë të fortë. Në fakt, stratiotët tanë nuk u zhdukën, ata thjesht u tërhoqën midis mjegullave të maleve të tyre të pakalueshme. Tani, katër shekuj më pas, stratiotët tanë, me instinktin e pagabueshëm të të mbijetuarit, panë se ka ardhur koha të zbresin sërish udhëve të kontinentit dhe kështu po i rikthehen Evropës, e cila po detyrohet të rikujtojë tmerrin mesjetar të tyre.

Askush që i thotë vetes shqiptar nuk e lan dot ndërgjegjen e vet, me argumentin bajat se vërtet kemi bandat, por kemi edhe Invën apo Tedin apo Nënë Terezën. Të pazotë për organizim shoqëror që të ndreqim veten, ia lëshojmë të keqen tonë në kurriz botës dhe pastaj qahemi pse na shohin si të tillë. Europa mund të na flakë tej, se bën edhe pa Invën dhe Tedin, mjaft të shpëtojë nga llahtara e bandave tona; ndërsa ne nuk bëjmë dot pa Evropën. Por po na mbyllën edhe një herë në kafaz, zor të dalim dot më, dhe do na duhet ta shkojmë jetën duke ruajtur shtëpitë me pushkë për faqe siç po ngjet këto ditë nëpër fshatrat e Kavajës, apo duke kënduar si qëmoti: “Mal më mal këndon bilbili / rroft e qoft Haxhi Qamili”.
RILINDJE

Atë ditë që PS-ja festonte 20-vjetorin e forumit të vet rinor, unë nuk kisha drita në shtëpi. Për saktësi, nga ora 11.00 deri në orën 15.00. E nisëm këtë histori 22 vjet më parë në Qytetin Studenti për punë dritash dhe ja ku jemi dy dekada më pas, prapë pa drita. Aso kohe në pushtet ishin komunistët, ndërsa sot situata është ndryshe, sepse në pushtet janë antikomunistët, ose të paktën ata që thonë se janë të tillë. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është problemi, dritat pra.

Tomas Edisoni, ai që shpiku llambën elektrike, thosh se llamba e tij do përhapej atëherë kur kostoja e prodhimit të energjisë do të bëhej më e vogël se kostoja e qirinjve. Edisoni ishte amerikan dhe, si të gjithë amerikanët, ishte racional dhe nuk fluturonte me fantazira në hava, por bënte llogari. Llogaritë dolën dhe llamba e mundi qiriun përmes kostos, duke u përhapur anekënd globit. Këtu në vendin e shqiptarëve, ky moment nuk ka ardhur ende.

Qirinjtë vazhdojnë të mbeten pjesë e pandarë e shpenzimeve mujore në familjen shqiptare. I bie të jemi i vetmi vend në Evropë ku objekte të tilla si qirinjtë apo shandanët, ende në fillim të shekullit XXI, vazhdojnë të kryejnë funksionin primar për të cilin janë shpikur në mesjetë. Shandanët këtu nuk shërbejnë si objekte zbukurimi për t’u vendosur sipër bufesë. As qirinjtë nuk shërbejnë për të krijuar ambient romantik, në restorante për shembull. Jo, shërbejnë thjesht dhe vetëm për të ndriçuar. Ashtu si në kohë të stër-stër-gjyshërve tanë.

Në çdo supermarket a qendër tregtare nëpër kontinent shiten qirinj të gjithfarë llojesh të gjatë e të shkurtër, me aroma e me ngjyra nga më fantaziozet. Shërbejnë për t’i vendosur nëpër mobilie për bukuri a nëpër tavolina në rast darkash të veçanta. Ky mall ka hyrë edhe në qendrat tregtare tonat, gjithnjë e më të mëdha e gjithnjë e më moderne. Por me situatën absurde se këtu qirinjtë në Qendrën Tregtare Moderne, blihen për të bërë dritë, funksion që edhe vetë qirinjtë duhet ta kenë harruar.

Ndërsa Edisoni shpikte llambën dhe bënte hesapet e veta, në vilajetet shqiptare Naimi shkruante “Fjalët e qiririt”. Për breza e breza me radhë, e kemi mësuar e recituar ndër shkolla dhe, vargjet e tij na rrotullohen ende në kokë: jam duke u përvëluar, do të tretem të kullohem, t’u bëj pakëz dritë, e më the të thashë. Llamba elektrike e Edisonit shkoi përpara, ndërsa ne s’po shkulemi e s’po shkulemi dot nga qirinjtë e Naimit. Dhe pastaj na vjen keq kur Edi Rama flet për Rilindje Shqiptare, por harrojmë se nuk jemi as sa për kohën e rilindësve!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama