Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Njolla mbi emra

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Njolla mbi emra

Të shtunën që shkoi, me një gjest nga ata që të lënë shije plehu, Sali Berisha dhe Lulzim Basha i hoqën emrin rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”. U shkrua dhe u fol për këtë punë dhe për masakrën që i kish dhënë emrin, por këtu në vijim dua ta shoh ngjarjen nga një pikë tjetër vështrimi, nga ajo e shtetit, i mirë a i lik qoftë ai. Në vitin 1944, kosovari Xhaferr Deva ishte ministër i Brendshëm i Shtetit Shqiptar, kishte bërë betim mbi flamurin kombëtar për t’i shërbyer shtetit të shqiptarëve dhe jo bindjeve dhe tekave të veta. Në atë pozicion, qytetarët shqiptarë dhe ata tiranas, prisnin që ai, me aq sa mundej dhe në kushtet e luftës, të ruante rendin dhe qetësinë, të siguronte jetën dhe pasurinë, si kudo gjetkë.

Po ç’bëri ministri i Brendshëm i shtetit shqiptar? Bash të kundërtën e kësaj. Lëshoi rrugëve të Tiranës në mes të natës trupat aspak të rregullta të Regjimentit Kosovar, arrestoi disa qindra vetë dhe me gjakftohtësi, pa asnjë proces, pa asnjë akuzë, pa asnjë gjyq, 80 e ca syresh i vrau dhe i la rrugëve deri në mbrëmjen e ditës tjetër. Si të mos mjaftonte kjo, njerëzit e tij u lëshuan edhe në plaçkitje të dyqaneve, shtëpive dhe tregut të qytetit. Dhe më tej akoma, njerëzit e tij filluan të vrasin e të plaçkitin edhe një numër punëtorësh italianë të mbetur në Tiranë që nga kapitullimi i Italisë dhe që kishin gjetur shpëtim nëpër qytet në pritje të riatdhesimit (edhe këta për antikomunizëm i vranë vallë?). Dhe turpi i turpeve që na bie në kurriz të gjithëve, është se gjermanët nuk u përzjenë fare në të gjithë këtë zallamahi e batërdi. Ata ishin vënë në dijeni nga Kryeministri, kosovari tjetër Rexhep Mitrovica, që do të bëhej një reprezalje kundër mbështetësve të Lëvizjes Nacional- Çlirimtare dhe natyrisht që do kenë thënë: “Bujrum, bëjeni. Është çështje e brendshme e juaja. Ku ta gjejmë që shqiptarët, siç e kanë zakon, t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit dhe ne të rrimë e të shohim!”.

Në fakt, dhe për të na i bërë turpin edhe më të rëndë, gjermanët ndërhynë gjatë ditës së 4 shkurtit, por për të ndaluar masakrën dhe plaçkitjet, veçanërisht pasi kishin marrë një numër ankesash nga të huajt me qëndrim në Tiranë (italianë dhe të tjerë) të cilët kërkuan mbrojtjen e tyre ndaj banditëve të Xhaferr Devës. Ndaj atyre që ishin demek ruajtësit e zakoneve më të mira shqiptare, të mikpritjes dhe të mos prekjes të të huajve. huajve. Kujtimet e bashkëkohësve janë plot me raste kur familjarët e të arrestuarve u përpoqën të kontaktonin me autoritetet për të shpëtuar të afërmit e tyre, por u gjendën përpara faktit që, bash ministri i Brendshëm ishte organizatori i batërdisë. Kujtimet janë plot me raste kur, më pas, oficerë të xhandarmërisë dhe xhandarë shqiptarë u përpoqën të shpëtonin ndokënd prej të arrestuarve. Si kudo e kurdo, ku do përplaseshit ju, nëse vinin në mes të natës e ju merrnin djalin, babanë apo vëllanë, përveçse tek policia? Dhe atje të shihnit pastaj se urdhërues i plaçkitjes ishte bash ministri i Brendshëm!

Të bukur figurë e të bukur kujtim u la shqiptarëve ky kosovar gjakprishur. Nëse midis shqiptarëve ka egzistuar kohë pas kohe një hije mosdashjeje ndaj kosovarëve, Xhaferr Deva dhe shumë Xhaferrë të tjerë kanë një pjesë të madhe të fajit e përgjegjësisë. Kujtimi që i lanë Shqipërisë ata qe shumë i rëndë. Kudo që shkeli këmba e tyre, që nga Vlora e deri në Veri, la pas vetëm dhunë, plaçkitje dhe të vrarë. Ca më keq pastaj kur, për politikë të ditës që e kërkon me zor konfliktin, kërkohet që krimet e së shkuarës të mbulohen e të fshihen me shfaqje shpifarake si ajo që pamë, duke i hequr emrat rrugëve. Nuk vihet në diskutim që Xhaferr Deva ishte antikomunist, ishte edhe nacionalist, por antikomunizmi dhe nacionalizmi nuk përbëjnë certifikatë pastërtie ndaj krimeve, nuk përbëjnë as justifikim për të përdorur për qëllime politike, shtetin që të është besuar. Se edhe sot, nuk është se bëjnë ndonjë gjë më shumë ata që kemi mbi krye, sesa përdorimi i shtetit për politikë të ditës dhe pastaj u duket vetja të bukur. Kur ia dalin ta bëjnë këtë pa derdhur gjak, e bëjnë pa gjak, kur pastaj u del përpara vrasja, as atë nuk ia përtojnë ta bëjnë, paçka se nuk i kemi votuar për të bërë politikë, por për të bërë shtetin.

Pa mendoni sikur sot të ndodhte e njëjta gjë në mes të natës, çdo bënit? Në fakt do bënit të njëjtën gjë si atëherë, nëse do kishit mundësi do kontaktonit një ambasadë të huaj, amerikanen a anglezen në radhë të parë, ashtu si atëherë që kush mundi u përpoq të ankohej tek gjermanët për të shpëtuar të afërmit. Nëse nuk do e kishit këtë mundësi, do vraponit në polici apo tek ministri Brendshëm për të kërkuar mbrojtjen e ligjit dhe të rendit. Dhe atje do kuptonit se organizator i masakrës ishte vetë ministri! Pak a shumë si më 21 janar, kur ne prisnim që policia të ndërhynte për të shpëtuar qytetarët e vet nga plumbat e banditëve me e pa uniformë brenda Kryeministrisë dhe pastaj morëm vesh se në krye të kësaj pune ishte vetë ministri i Brendshëm që ne prisnim të na mbronte jetën e pasurinë. Bash ai ministër, i cili tani po përpiqet t’i fshehë gjurmët e gjakut paraardhësit të vet të 70 vjetëve të shkuara. Ndoshta termi “dëshmorë” i përdorur deri sot për të vrarët e 4 shkurtit, ishte disi i ekzagjeruar, pasi dëshmor është ai që vdes me armë në dorë, ndoshta mund të quheshin të rënë apo viktima. Ndoshta nuk ishin 84 por 82, 78 apo 74, siç ka qenë i vetmi argument i turpshëm që kam dëgjuar këto ditë kundër kujtimit të tyre. Ndoshta midis tyre kishte edhe shumë veprimtarë mbështetës apo simpatizantë të Lëvizjes NacionalÇlirimtare, por edhe kjo është vlerë siç është vlerë antikomunizmi.

Por asnjë nga këto “ndoshta” nuk u heq të drejtën bashkëqytetarëve ta kujtonin rënien e tyre me një emër rruge. Por të gjitha këto janë hollësira e delikatesa, ndërsa gjendemi përpara brutalitetit dhe vrazhdësisë së dy ministrave tanë të Brendshëm. Të njërit që i vrau tiranasit 70 vjet më parë dhe të tjetrit që u fshin kujtimin 70 vjet më pas. Pa bëni hesap tani sikur të afërmit e të vrarëve të 4 shkurtit 1944 të duan të hapin gjyq (krimi i vrasjes juridikisht nuk bie në parashkrim) për të dënuar të paktën moralisht ekzekutorët. Ç’do t’u thotë atyre zoti Basha, më falni se nuk e dija historinë, apo se e dija por të afërmit tuaj ishin komunistë, apo se Deva ishte antikomunist, apo se nuk di unë nga këto punë i di Saliu? Xhaferr Devën, ministër i Brendshëm i vitit 1944, krimi i bërë në Tiranë në 4 shkurt të atij viti, do ta ndjekë pas në jetë të jetëve dhe s’ka ideologji që ia lan, pasi shteti mbështetet mbi ligje e rregulla dhe jo mbi ideologji dhe dëshira; ashtu sikundër Lulzim Bashën e Sali Berishën, krimi i 21 janarit do t’u mbetet në kurriz ngado që ta kthejnë e ta rrotullojnë. Shqiptarët i kishin vënë në ato karrige si përfaqësues të shtetit dhe prisnin që ata t’u mbronin jetën e pasurinë, rendin dhe qetësinë, ndërsa ata i vranë në emër të ideologjive. Tashmë nëpër letra emri i rrugës “4 Shkurti” është zëvendësuar me emrin e ri që i vunë. Është emri i një kosovari të ndritur, të cilit ne vdekatarët nuk e dimë se ç’mendon që atje së Larti prej nga ndjek punët e kësaj Bote, për këtë shpërdorje që i bënë emrit të tij të nderuar, por sidoqoftë mirë nuk ndjehet dhe s’ka sesi. Të bukur belá i lanë mbi emër Deva dhe Basha!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama