Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash - Pa leje - Me Leje

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash - Pa leje - Me Leje

Prej nesh, që na kanë quajtur "popull folklorik", nuk mund të dalë gjë tjetër veçse një qeveri folklorike, si kjo që kemi e që e meritojmë. E keqja është se kohët moderne folklorin e kanë lënë në muze dhe kanë ngritur shtetin modern, se përndryshe bën zarar dhe prodhon vdekje


PA LEJE

Barka me motor që u përmbys, ishte e palicencuar. Ka tri ditë që gjysma e qeverisë luan basketboll me faktin se kush duhej ta jepte licencën. Ministria e Transporteve thotë e ka Kapitaneria. Kapitaneria thotë "jo, ne licencojmë mjetet që ankorohen në porte, ndërsa këto i ka Ministria e Mjedisit". Ministria e Mjedisit thotë se nuk e ka ajo, pasi ajo licencon vetëm varkat e peshkimit, ndaj shifni një herë andej nga Ministria e Turizmit. Ministria e Turizmit thotë "ç‘ne unë, Farka nuk është zonë turistike, ndaj Policia dhe Ministria e Brendshme duhej të mos e lejonin të operonte". Ministria e Brendshme hidhet përpjetë dhe thotë se si mund ta ndalonim ne, kur s‘ka asnjë ligj që e ndalonte? Pastaj, në një moment shihen të gjithë në sy dhe kthehen e ia hedhin fajin komunës. Po, po, komuna duhej ta licenconte. Ajo e ka fajin. Komuna kërcen përpjetë e tmerruar dhe thotë: Ç‘ne komuna të japë licenca lundrimi? Këto janë çështje ministrish. Këtu rrethi mbyllet dhe basketbolli rifillon nga e para.

Pastaj, vetë barka me gjithë motor, ishte blerë me lekë në dorë, ishte e paregjistruar gjëkundi dhe nuk ekzistonte në asnjë defter të republikës.

Pastaj, barka drejtohej nga persona, edhe këta të palicencuar. Patentë drejtimi, jo. A dinë not, a kanë bërë kurse të shpëtimit të jetës në ujë, a janë në moshë madhore etj. Meqë ra llafi, barka drejtohej sipas rastit, përveç të ndjerit, edhe nga vajza e tij dhe nga një djalë, të dy këta të mitur. Madje edhe pas tragjedisë, barka tjetër vazhdon të përdoret nga ky djali për të çuar gazetarët, policinë, hetuesit, kamerat dhe birrat drejt lokalit (!!!).

Pastaj, lokali qenkësh i ndërtuar pa leje. Kryetari i komunës thotë se ka një vendim prishje që në vitin 2003, por nuk zbatohej se nuk hynte dot fadroma. Fadroma me rrota një metër, nuk hynte dot atje ku hynin veturat që shkonin për drekë!!!

Pastaj, lokali le që ishte pa leje, po ishte edhe në tokë të tjetërkujt dhe për këtë na qenkan bërë dhjetëra sherre. Policia në gjithë këto vite herë pas here shkonte atje me barkën e tragjedisë, për të mbyllur sherret apo për të ngrënë drekë pasi mbyllte sherret. Për këtë paska edhe një proces të hapur në Gjykatën e Tiranës.

Pastaj, si të gjitha lokalet, baret dhe restorantet e ndërtuara paleje, edhe çdo gjë që servirej brenda tij ishte pa leje. Mishi apo peshku i pakontrolluar, kamerierë e kuzhinierë të palicencuar nga Ministria e Turizmit, të pakontrolluar nga Ministria e Punës nëse janë të siguruar, të pakontrolluar nga Inspektorati i Shëndetit Publik nëse mund të ushtrojnë profesionin, pa libreza pune, pa, pa, pa...

Pra, që t‘i mbledhim të tëra, për të qenë në rregull me këtë aktivitet, u dashkan nxjerrë një vandak me licenca, leje, regjistrime, kontrolle, vizita, kurse, patenta, certifikata e libreza. Të gjitha këto janë shpikje moderne, për t‘u përdorur në një botë moderne. Ndërsa këtu në republikën tonë folklorike, këto duhej t‘i bënte një njeri që besoj se, si shumica e shqiptarëve, i urrente letrat, nuk ka asnjë kontakt normal me botën moderne, i izoluar atje mes kodrave në Farkë. Jo, për njëmijë vjet jo.


ME LEJE

Edhe sikur i ndjeri të kish qëlluar aq i ngeshëm sa të harxhonte një vit kohë dhe një thes me pará për t‘i bërë të tëra letrat, ato nuk do të vlenin për asgjë. Në një shtet ku 60% e ekonomisë është informale, ku indeksi i zbatimit të ligjit është 15%, ku çdo 4-5 vjet digjen hipotekat, ku falsifikohet pa problem çdo lloj dokumenti, më thoni ç‘vlerë do të kishte pasur t‘i hynte belasë së letrave?

Të gjithë pallatet që ndërtohen, ndër të tjera duhet të marrin leje nga Shërbimi Zjarrfikës. Të gjithë e marrin, po në shumicën e tyre zjarrfikësja mund të arrijë vetëm me helikopter. Atëherë ç‘vlerë ka leja? Thjesht që, ata që do të digjen, vërtet do digjen si minjtë, por me licencë ama.

Ligji i miratuar për legalizimet, ndër të tjera, përmban edhe një dispozitë kriminale. Të gjithë kryefamiljarët duhet të nënshkruajnë një deklaratë noteriale, sipas së cilës shteti nuk mban asnjë përgjegjësi për cilësinë e ndërtimit. Vetëm pas kësaj bëhet legalizimi. Pra nëse sot rrëzohet një shtëpi e palegalizuar, banorët do vdesin dhe përgjegjësia është e tyrja, por me fjalë. Nëse po, kjo shtëpi do të bjerë pas legalizimit, banorët e saj, me burra, gra e kalamaj, do të vdesin njëlloj, por me lejen e legalizimit të shtrënguar në gji.

Në lumin e Matit, para ca ditësh u evidentuan nja 50 subjekte që merrnin zhavorr pa leje. Kur gazetarja pyeti inspektorin e mjedisit se ç‘masa do të merreshin, ai u përgjigj me një krenari idiote: Do marrim masa urgjente dhe të rrepta për licencimin e tyre. Pra lumin do ta marrë lumi njëlloj, do shkatërrohet e grabitet pa ndryshim, por me licencë ama.

Kjo është vlera e letrave në Shqipëri. Për t‘u kthyer te fatzinjtë e Farkës, them se edhe sikur pronari i ndjerë t‘i kishte të gjitha lejet në rregull, tragjedia do të ndodhte njëlloj, por vetëm me një dallim të vogël formal: do të ishte një tragjedi e licencuar.


PRAPE PA LEJE

Ndiqja në një TV intervistat rreth tragjedisë. Televizioni që po transmetonte është një prej atyre rrjeteve me licencë të parregullt. Edhe vetë gazetarja është e punësuar pa kontratë dhe natyrisht që nuk paguan as sigurimet. Intervistonte atje në fshat një grua brenda një dyqani (natyrisht pa leje e licencë). Mbrapa folëses ngrihej një pyll shtëpish e kolonash betoni, natyrisht edhe këto të gjitha pa leje. Do legalizohen, ma mbyllni ju gojën. Po pra, kjo është e keqja, që do legalizohen.

Për të shkuar atje, nuk duhen më shumë se 10 minuta nga qendra e Tiranës, por zor se mund të të zërë syri ndonjë gjë me leje. Në këto 10 minuta rrugë do shohësh vetëm shtëpi pa leje, lokale pa leje, veprimtari prodhuese gati të gjitha pa leje (muratorë, karpentierë, dyqanxhinj, karburante, pa leje). Do kalosh nën linja tensioni që mbajnë me qindra e qindra lidhje të paligjshme, që në çdo çast mund të marrin jetë të tjera, do shohësh qindra tuba që marrin ujë pa leje nga trungu i ujësjellësit. Do shohësh Senatoriumin të rrethuar nga gropa e pellgje dhe me oborrin të pushtuar përgjysmë nga ndërtime pa leje, derisa e detyruan të spostonte gardhin e rrethimit. Do kalosh pastaj pranë traktorësh e mjetesh motorike që, meqenëse blihen, punojnë e prishen, brenda zonës, e as që marrin mundimin të regjistrohen e të vendosin targa. Do shohësh fshatarë të vuajtur që zvarriten drejt qytetit me bidonë qumështi të pakontrolluar dhe pa asnjë lloj licencimi.

E vetmja gjë me dokumente të rregullta që të zënë sytë atyre anëve, janë Varrezat e Dëshmorëve, të cilat kanë mbetur si ishull mes detit të palejes dhe që e kanë paguar me jetë këtë të drejtë. Të drejtë që e kanë fituar para 60 e kusur vjetësh, por që për pak jua dhunuan viktimave të tragjedisë së fundit. Gazetat shkruan se midis varreve të dy foshnjave, varrmihësit kishin filluar të hapnin të nesërmen një varr tjetër (kushedi me kë qenë marrë vesh për "të bo noi ner") dhe që pas insistimit të familjarëve të të parëve e mbyllën. Kësaj radhe s‘ju doli gjë, do shkojnë ta provojnë te ndonjë varr më i vjetër.


LEJA E MADHE

Meqë punët rrinë kështu, qeverinë tonë folklorike natyrisht që nuk e la mendja t‘i hyjë belasë e të zgjidhë punëra të këtilla. Të zgjidhësh këto halle, do vullnet, do punë, do mend. Duke mos pasur asnjërën, i biem shkurt, bëjmë folklor: shpallim zi kombëtare, bëjmë ngushëllime para kamerave dhe u japim pará familjarëve.

Nga anë e tija, populli ynë folklorik as që e do një qeveri që vë rregulla e ligje, që do kërkojë licenca e taksa, që nuk do lërë ndërtime pa leje e që do prishë shtëpitë që s‘bëjnë.

Ikën 16 jetë dhe nuk dha hesap njeri. Detyrohem të them se qe një tragjedi që nuk shërbeu për asgjë, përderisa u trajtua me folklor dhe jo me ligje. Është e sigurt si buka që hamë se, sa herë që diçka do shkojë ters, të tjera jetë do humben pa kuptim.

Më mbetet vetëm një shpresë. Shpresa e defterit të madh të Zotit në qiell, që do kërkojë hesap deri më një për çdo jetë të ndërprerë nga injoranca, paaftësia dhe makutëria e kujtdo që këto jetë i qenë besuar t‘i mbronte.

 

E vetmja gjë me dokumente të rregullta që të zënë sytë atyre anëve janë Varrezat e Dëshmorëve, të cilët kanë mbetur si ishull mes detit të palejes dhe që e kanë paguar me jetë këtë të drejtë

 

Siç bëhen letrat në Shqipëri, edhe sikur pronari i ndjerë t‘i kishte të gjitha licencat në rregull, tragjedia do të ndodhte njëlloj, por vetëm me një dallim të vogël formal: do të ishte një tragjedi e licencuar

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama