Nuk di në e kini vënë re, por ka nja dy muaj që gati çdo javë policia po arreston njerëz për llogari të drejtësisë italiane. Diku një këshilltar bashkie, diku një biznesmen, diku një grua biznesmeni, pastaj kryetarë komune, e të tjerë të kësaj sëre. Ajo që marrim vesh, është se të gjithë këta qenkëshin të dënuar në Itali për vepra penale nga më të ndryshmet dhe tani, falë procedurave të ekstradimit, Italia po i kërkon t’ia çojmë në tepsi për të bërë burgun atje.
Kur s’i futëm brenda kur zinin rrugët me çorape në kokë e kallash në dorë, ç’kuptim ka t’i çojmë tani që janë shtruar e urtuar e bërë burra të nderuar?!
Nuk di të them se ç’ka ndodhur që Italia u kujtua papritur për ta dhe ç’defterë të vjetër ka hapur që po i mbledh të gjithë njëherësh, se këta këtu ishin prej shumë vjetësh, edhe dënimet e tyre në shumicën e rasteve janë dhënë që vite më parë, por kjo në fund të fundit është punë e Italisë. Tjetër gjë është ajo që më bën përshtypje.
Shqiptarët e zgjidhur nga zinxhirët pas viteve ’90, u lëshuan rrugëve të Evropës dhe u morën e bënë gjithë të zezat e botës. Bënë e ç’nuk bënë, u morën me vrasje e prerje, me vjedhje, mafie, drogë e prostitucion, me falsifikime, rrëmbime e dhunime, me kontrabandë e me grabitje, me një fjalë me gjithë gjërat që, që prej kohëve të Krishtit, quhen punë të liga. U dukej punë e lehtë dhe, të zhveshur nga skrupujt e parimet morale, ia dolën në shumë raste t’ua kalojnë e të lënë prapa edhe botën e krimit të vendeve ku shkuan e ku zunë vend. Nuk them se ishin të gjithë kështu, por në këto radhë e kam punën me të këtillët.
Javash, javash bënë pará e mbushën xhepat, filluan të zbuten e të shijojnë të mirat e jetës dhe t’i tremben ndëshkimit të ligjeve atje ku ishin. Shumë syresh zunë burgjet e botës me kohë, ndërsa shumë të tjerë filluan t’i dërgojnë paratë e fituara pisët në Shqipëri te familjet e të afërmit dhe të blejnë prona e të zënë aktivitete në fshatrat e qytetet prej nga ishin nisur vite më parë. Pastaj një ditë filluan të rikthehen në dheun e tyre, me makina të shtrenjta e me pamje të ndryshuar. Vazhduan bizneset e nisura, hapën dyqane e punishte, blenë shtëpi e apartamente të shtrenjta, u martuan e bënë fëmijë.
Natyrisht, duke u përpjekur të lënë pas krahëve të shkuarën e errët që kish qenë bazë e mirëqenies së tyre të sotme. Ndërtuan shtëpi të bollshme me paratë e shtëpive të bollshme që kishin grabitur dikur; u martuan me vajza të bukura me paratë e mbledhura duke shitur të tjera vajza të bukura dikur; bënë fëmijë që i duan shumë dhe i çojnë në shkolla të shtrenjta, me paratë e nxjerra duke grabitur fëmijët e të tjerëve dikur. Shumë syresh i hynë edhe politikës, kandiduan nëpër komuna, bashki e në Parlament.
Shqipëria, vend që nuk ka as kujtesë e as ligje, por që edhe kur i ka nuk i përdor, as që i pyeti se nga erdhën e se nga i bënë paratë ku mbështetej suksesi i tyre. Por nëse ne s’kemi a na ka lënë kujtesa dhe e fillojmë ç’do brez nga fillimi, nuk është kështu për botën që nuk harron asgjë. Gjithë të bërat e të pabërat e tyre nëpër udhët e Evropës, kishin mbushur dosje e fashikuj të pafund policie, të cilat pastaj përfunduan gjyqeve e që andej dolën me dënime, ku me 2 me 5 me 10 a me 20 vjet burg në mungesë. Që këtej vendimet u kaluan policive përkatëse e prej këtyre policisë së Mëmëdheut për ekzekutim dhe tani, njëri pas tjetrit, biznesmenët e suksesshëm po i shohim ditë pas dite të arrestohen për hyneret e bëra një apo dy dekada më parë. Krime si ato që ata kishin bërë nëpër Evropë, janë bërë me mijëra edhe këtu, por këtu njeriu i suksesshëm ia del t’i mbyllë duke paguar. Në fakt, me logjikën tonë, ç’kuptim ka që të çosh në burg një milioner vetëm se shkeli një vajzë fukareshë në rrugë nën rrotat e makinës së shtrenjtë. Apo ç’kuptim ka të çosh pas hekurave një politikan apo një biznesmen, vetëm sepse ka plaçkitur, ka vjedhur apo ka falsifikuar. Këtu të gjithë ata që kanë mundur, i kanë bërë këto dhe u kanë thënë bravo, djalë i shkathët! Ja e çuam në burg, se mos do të rregullohet e do të dalë më i mirë e më i ndershëm që atje? As që bëhet fjalë! Atëherë, kur s’i futëm brenda kur zinin rrugët me çorape në kokë e kallash në dorë, ç’kuptim ka t’i çojmë pas hekurave tani që janë shtruar e urtuar e bërë burra të nderuar?!
Mirëpo Evropa e ligjeve qindravjeçare, që ka parë e hequr shumë mbi kurriz, ka të tjera rregulla. Atje po shkele ligjin shkon në burg edhe ministër apo kryetar bashkie qofsh dhe shembujt e këtillë s’janë të paktë, por i shohim përditë të ndodhin.
Bash këtu ndodh konflikti. Nga Europa tani arrin vetëm një vendim gjyqi që as blihet e as shitet dhe policia e këtushme, pa dëshirë, detyrohet ta zbatojë. Natyrisht duke e ndihmuar me sa mundet fatkeqin e radhës. Diku bëjnë sikur s’e gjejnë në shtëpi, diku e rikthejnë në arrest shtëpie që t’i japin mundësi të ikë. Këtu të bësh para do të thotë të jesh i zoti dhe të zotët nuk ka kuptim të shkojnë në burg, por në Parlament. Këtu paraja është i vetmi ekuivalent për çdo gjë e për çdo vlerë dhe ai që ka bërë pará, natyrshëm që me to mund të blejë çdo gjë, policë, gjyqtarë e prokurorë.
Në fakt, edhe në themel të shumicës së zotnive të botës është krimi, vrasja e plaçkitja. Të parët e tyre 200, 400 a 600 vjet të shkuara, kanë qenë thjesht banditë, por këto kanë ndodhur në kohë të kryqëzatave apo në kohë të Skënderbeut. Më pas bijtë e nipërit e tyre iu shtruan ligjeve dhe bënë shtetet e tyre, që janë ato që shohim edhe ne sot. Ndoshta edhe këta kaçakët tanë të sotëm, janë njësoj me ata të dikurshmit e Evropës mesjetare, por me një ndryshim, kanë gabuar epokë. Dhe nëse i falim e i nderojmë ne, nuk i fal Evropa e ligjeve e rregullave. Mos më pyesni qysh e kam bërë milionin e parë, thosh Rokfeleri dikur, por e thosh një shekull e ca më parë dhe për epokën e Amerikës pa ligje, se po ta thosh sot do të përfundonte direkt në arrest, më e pakta për moskallëzim krimi.
Ndaj ka disa muaj që i shohim njëri pas tjetrit, biznesmenë e gra biznesmenësh, politikanë, këshilltarë bashkish e kryetarë komunash, njëri pas tjetrit të thirren t’i kthehen burgut për të larë gjynahet e vjetra.
Ndoshta edhe këta kaçakët tanë të sotëm, janë njësoj me ata të dikurshmit e Evropës mesjetare, por me një ndryshim, kanë ngatërruar epokë