Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Putinizimi i Serbisë

Shkruar nga: Franko Egro  
Botuar më: 17 vite më parë

Franko Egro
Putinizimi i Serbisë

Është e superkonfirmuar tashmë teza se sfida më madhore e administratës së re të Kosovës mbetet shtrirja e autoritetit të saj në gjithë hapësirën e vendit; ose thënë më saktë në pjesët e banuara nga komuniteti serb. E ndërsa, për komunat që ndodhen në brendësi të vendit është, thjeshtë dhe vetëm çështje kohe, krejtësisht konfuze dhe mjaft komplekse paraqitet perspektiva dhe jo vetëm ajo afatshkurtër në Mitrovicën e Veriut. Qyteti është aq i ndarë, saqë është krejtësisht e pamundur t'i referohesh asaj si pjesë integrale e Kosovës. Vetëm në flamur, ajo figuron si territor i saj. Kjo ndjesi që më ishte krijuar prej kohësh m'u shndërrua në bindje pak orë përpara shpalljes së pavarësisë, më datën 16 shkurt në mbrëmje, teksa kalova Urën e Ibrit dhe qëndrova në shoqërinë e liderit të komunitetit serb në Kosovë, zotit Oliver Ivanoviç.

Më qartë dhe më prerë se askush tjetër, ai e argumentoi këtë realitet të trishtë vetëm në tre fjali: "Ne, serbët e Kosovës, nuk do ta njohim kurrë pavarësinë e shtetit të ri. Ne jemi qytetarë serbë, me pasaporta serbe dhe nuk të jemi kurrë qytetarë të saj." Vështirë të kesh më dyshime pas të tilla deklaratash.

U binda se jo vetëm vartësia e këtij komuniteti është katërcipërore, por edhe se ai do të ndihet pjesë përbërëse e shtetit të ri, vetëm kur Serbia ta pranojë dhe njohë realitetin e ri, siç po e bën e gjithë bota e qytetëruar dhe realiste. Teorikisht duhet dhe do të ndodhë, por praktikisht duket tejet e vështirë nëse analizon zhvillimet politike komplekse në Beograd, ku momentalisht është e rrezikshme të jesh qytetar me bindje liberale, aq më shumë politikan i këtyre përmasave. Kolegë gazetarë serbë këtë realitet të ri e kanë përkufizuar si " të njëjtë me frymën e politikës së ish-Presidentit Sllobodan Millosheviç". Drejtuesit e partive pro perëndimore kanë marrë kërcënime me vdekje dhe jo pak zyra janë vandalizuar.

Klima politike nuk ka qenë asnjëherë aspak e shëndetshme edhe më parë, por ajo u përkeqësua ndjeshëm me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky zhvillim rinxori në sipërfaqe problemet më të ndjeshme të shoqërisë serbe. Nacionalizmi ekstrem u rishfaq me të gjithë lakuriqësinë dhe agresivitetin e tij primitiv. Djegia e ambasadave, tërheqja e diplomatëve dhe aktet e dhunës kundër simboleve të demokracisë është e frikshme, duke e kompromentuar rëndë perspektivën e zhvillimit të natyrshëm të vendit dhe ecurinë e tij drejt Evropës demokratike. Me një urrejtje anakronike ndaj çdo gjëje perëndimore dhe me një aleancë kaq të fortë, tërësisht artificiale e momentale me Rusinë, vetë e ardhmja e Serbisë është në udhëkryq; dhe madje tejet kritik.

Edhe Çedomir Jovanoviç, kryetari i Partisë Liberale, ndoshta kritiku më agresiv dhe më autoritar i qëndrimit të autoriteteve zyrtare ndaj Kosovës, mori kërcënime me vdekje dhe jo vetëm në ditën e çmendurisë kolektive, atëherë kur protestues-vandalë ju vërsulën ambasadave dhe shtëpisë së tij. Po ashtu, gjithkush që konsiderohet jashtë linjës konservatore ka marrë pafund kërcënime dhe mjaft serioze.

Është fakt i pamohueshëm se procesi i demokratizimit të Serbisë u frenua me vrasjen e ish-Kryeministrit reformator, Zoran Xhinxhiç. Ky akt e plagosi rëndë ecurinë e saj të natyrshme drejt Evropës. Një prej vëzhguesve më të njohur ndërkombëtarë, e përmblodhi kështu atë çka po ndodh aktualisht në Serbi: "Vrasja e tij simbolizon rrezikun me të cilin ballafaqohen liberalët dhe demokratët në një vend të shpartalluar ekonomikisht, me një nacionalizëm të sëmurë dhe konfuz, si dhe në një vend që vuan ende emocionalisht pasojat e luftërave të viteve '90. Kosova ishte gozhda e fundit në qivurin nacionalist. Tani ata po shijojnë frytet e asaj që mbollën, por jo për shumë kohë…".

Strategjia e nacionalistëve ekstremistë është të frikësojnë në maksimum çdo kritikë ndaj qeverisë dhe ndaj asaj klase politike, që nuk është aspak dakord me linjën ekstremiste nacionaliste dhe izolacioniste që po ulet këmbëkryq në vendimmarrjen në Beograd. Është fatkeqësi që edhe politikani, i cili aktualisht mund të quhet si simboli i modernizimit të politikës dhe i demokratizimit, Presidenti Boris Tadiç është izoluar tërësisht. Pavarësia e Kosovës e vendosi atë në pozita mbrojtëse, ndërkohë që humbësi i madh, Kryeministri Vojisllav Koshtunica ka marrë sërish iniciativën, duke e shfrytëzuar në maksimum për të konsoliduar pushtetin e tij.

Realiteti është i trishtë; e ardhmja konfuze. Në të tilla momente, inkurajimi i elementëve realisto-liberalë është i vështirë, por jo e pamundur. Këtë kanë parasysh edhe politikbërësit evropianë teksa nuk i rreshtin përpjekjet për t'i afruar ata. Askush nuk e ushqen iluzionin se vetëm demokratizimi i plotë i Serbisë do të mund ta qetësonte përfundimisht Ballkanin. Serbia është shtet kyç dhe me ndikim të rëndësishëm, dhe pa qetësimin e saj, stabiliteti rajonal do të mbetej gjithnjë i kompromentuar. Strategjia aktuale pro ruse, duket se është momentale, mbi të gjitha nëse kuptohet se ajo ushqen vetëm emocionet e përkohshme nacionaliste; e ardhmja i përket integrimit në Evropë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama