Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vetëm pavarësi

Shkruar nga: Franko Egro  
Botuar më: 18 vite më parë

Franko Egro
Vetëm pavarësi

Një shtet me dy sisteme është termi që përdoret rëndom në terminologjinë ndërkombëtare teksa ju referohen raporteve mes Kinës dhe Hong Kongut. Ndër kolonitë e fundit të Britanisë së Madhe, ajo u dorëzua plot një dekadë më parë dhe më konkretisht në 30 qershor 1997, duke shënuar njëkohësisht edhe fillimin e një realiteti të ri, që ngriti jo pak shqetësime dhe pikëpyetje. Britanikët morën siguri nga autoritetet e Pekinit, se jeta tejet vibrante dhe multidimensionale e ish-kolonisë së tyre nuk do të shpartallohej, por do të ruhej pavarësisht prej dallimeve të jashtëzakonshme dhe mjaft thelbësore, kryesisht politike, por jo vetëm, që kishte mes saj dhe Republikës Popullore të Kinës nën ombrellën e së cilës do të futej. E ndërsa kjo e fundit ka një sistem të mirëfilltë e mjaft të centralizuar njëpartiak, në Hong Kong ndodh krejt ndryshe; kapitalizmi klasik aty është shtruar prej dekadash këmbëkryq.


“Kosova, si Hong Kongu” është “shpikja” më e fundit që po qarkullon tani përsa i përket zgjidhjes së statusit final të Kosovës, ose thënë më saktë, alternativës më të fundit të qarqeve dhe lobeve pro-serbe që përpiqen që Beogradi të mund të ruajë sovranitetin ndaj Kosovës. Një prej gazetave më të mëdha serbe u shpreh se ky propozim u mirëprit nga qeveria dhe të gjithë protagonistët serbë që u shprehën se shihnin tek ajo një zgjidhje mëse të mundshme. Shkaku i këtij reagimi është mjaft i thjeshtë për t’u kuptuar. Autoritetet dhe politikanët në Beograd, janë shprehur vazhdimisht se janë të gatshëm t’u ofrojnë shqiptarëve të Kosovës autonomi të plotë; me të drejtën që administrata në Prishtinë të ketë të drejta maksimale mbi territorin e saj, t’i ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të hyjë në marrëdhënie të gjithfarshme me këdo që e sheh të arsyeshme. I vetmi kusht i panegociueshëm nga ana e tyre, është një dhe vetëm një: ai, sipas të cilit Kosova nuk duhet të ketë vend të sajën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara; thënë me fjalë të tjera, është krejtësisht e papranueshme që Kosova të jetë vend sovran dhe i pavarur.

Nga ana tjetër, po aq i prerë dhe i pa ekuivok ishte edhe reagimi i palës kosovare. Një sistem i tillë i ngjashëm i raporteve Prishtinë-Beograd, si ai i Pekinit me Hong Kongun, është krejtësisht i papranueshëm. Përfaqësuesit e popullit janë shprehur se nuk mund dhe nuk do të pranojnë asnjëherë, asnjë zgjidhje tjetër, me përjashtim të pavarësisë së plotë dhe të të mos pasurit e kurrfarë vartësie nga Serbia. Si për ta plotësuar këtë kuadër, kohët e fundit, ndërkohë që zhvillohet një tjetër raund bisedimesh, por edhe si për t’i paraprirë provokimeve, nëpërmjet propozimesh të tilla ata hartuan manualin e Traktatit të Fqinjësisë me Serbinë. Nëpërmjet tij, ata angazhohen se Kosova do të jetë një fqinj që do ketë marrëdhënie të mira me Serbinë; por asgjë më shumë se kaq. Për politikanët shqiptarë dhe për të gjithë opinionin Kosova u shkëput përfundimisht nga Serbia në vitin 1999, nëpërmjet rezistencës së armatosur dhe ndërhyrjes së trupave ushtarake të NATO-s, për të mos u bërë më kurrë pjesë e saj.

Pikërisht këtu qëndron edhe ngërçi tërësisht i pazgjidhshëm. E nëse Serbia kërkon me ngulm çdo lloj zgjidhjeje “demokratike”, duke i ofruar çdo lloj hapësire Kosovës, me përjashtim të shkëputjes së plotë, shqiptarët insistojnë pikërisht në të kundërtën: ata duan çdo lloj zgjidhjeje me bazë pavarësinë dhe asnjë lloj ndërvarjeje, apo lidhjeje administrative e juridike nga Serbia. Konceptet janë diametralisht të kundërta. Pavarësisht prej një pafundësie raundesh negociatash, bisedimesh, ecejakesh dhe vizitash të niveleve nga më të lartat, të dyja palët jo vetëm që nuk janë lëkundur prej qëndrimeve të tyre, por i kanë konsoliduar ndjeshëm ato; apo thënë më saktë i kanë skalitur ato përfundimisht. Asgjë më nuk mund t’i bëjë palët të ndryshojnë mendim dhe qëndrim.

Janë këto qëndrime antagoniste ato që e shpjegojnë më qartë këndvështrimin sipas të cilit, si këto negociata 120 ditore, apo edhe të tjera të mundshme, nuk do të mund të ofrojnë asgjë konkrete; ato do të dështojnë. Tashmë ka ardhur koha që komuniteti ndërkombëtar të bëjë zgjedhjen e vet, e cila sigurisht nuk mund t’i kënaqë të dyja palët, por vetëm njërën prej tyre. Vendimi nuk do të jetë i lehtë, dhe sigurisht që do të ketë jehonën dhe rezonancën e saj të konsiderueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare jo vetëm në Ballkan dhe në Evropë, por në mbarë botën, por gjithsesi ai është jetik dhe i domosdoshëm. Kjo status-quo është e dëmshme dhe e panevojshme. Të mbajturit peng e Kosovës për hir të gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike, e cila është tërësisht e pamundur, nuk ka asnjë perspektivë.

Nëse do të vazhdohet të mbetet e tillë, gjendja e rënduar ekonomike dhe mbi të gjitha aspirata për pavarësi të plotë e të njohur ndërkombëtarisht e ndryshuar prej vitesh rrezikon të shpërthejë. Kjo është një tezë mëse reale, por që fatkeqësisht deri tani nuk i është kushtuar vëmendja e duhur. Ajo i ka të gjitha gjasat të shndërrohet në akute. E drejta e merituar e popullit të Kosovës për vetëvendosje është e patjetërsueshme. Ajo përbën rast unikal në gjithë historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe madje se do të mbetet e tillë, janë dhënë të gjitha garancitë maksimale, edhe nga shtetet me peshën më të madhe në vendimmarrjen e politikës globale, me përjashtim të Rusisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama