Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Viti i Mbrapshtë 97’–(4) Individi përballë elitave.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 17 vite më parë

Gjergj Xexo
Viti i Mbrapshtë 97’–(4) Individi përballë elitave.

Çekuilibri mes pushtetit ligjor dhe real – mes Shtetit si bartës teorik i pushtetit politik dhe karizmatikut Berisha, vullneti personal i të cilit fillimisht u njësua me atë të instrumentit të tij PD dhe më pas me vullnetin e vetë Shtetit, shënon me damkën e saj të gjithë periudhën e tranzicionit. Ky faktor u shëndrrua gradualisht në gjenerator paqëndrueshmërie dhe frenoi zhvillimin e ekonomisë nëpërmjet rrugëve institucionale. Në një vend që kish nevojë të madhe për një mjedis ekonomik stabël dhe dinamik, kjo gjë u perceptua si një mangësi serioze nga ana e qarqeve afariste. Këta të fundit atëhere u orientuan në mënyrë krejt të natyrshme drejt aktiviteteve jo formale të cilat, nëpërmjet kapacitetit të tyre për të prodhuar përfitime tejet të mëdha, u shëndrruan në burim korrupsioni. Ky qark vicioz i dyfishtë : çekuilibër politik – gjenerator konfliktesh, dhe çrregullim ekonomik – akumulator përfitimi, shërbeu për të afruar qarqet politike dhe financiare të cilat patën tendencë të shkrihen me njeri tjetrin, duke krijuar në këtë mënyrë një « Mafia » të pushtetit nën mbulimin e demokracisë.
 
 E parë nën këtë kënd vështrimi, as egzistenca e « piramidave » as edhe përdorimi i kallashnikovëve nuk janë frut i rastësisë ose një ndëshkim hyjnor që goditi këtë qoshe idilike mesdhetare por praktika, të frymëzuara, të përpunuara dhe të instaluara nga ana e strukturave politike sipas një qëllimi të caktuar. Të parat zëvendësojnë ekonominë kombëtare dhe i shërbejnë pozitës për të frytëzuar, për të zbardhur shuma të konsiderueshme parash me origjina të ndryshme ndërkohë që të dytët zëvendësojnë shprehjen e lirë si edhe të drejtat e tjera qenësore politike dhe ndihmojnë opozitën për të realizuar strategjinë e marrjes së pushtetit. Dhe sigurisht, mes këtyre poleve të strukturuara dhe strukturues gjendet peng shoqëria – ajo turmë shumëfytyrëshe dhe e paemër pasi :
 « pensionista, tregëtarë, policë, studentë, rrogëtarë dhe të papunë ; që të gjithë ishin njëlloj, kishin të njejtat interesa, vetëm funksioni që sejcili ushtronte në shoqëri ndryshonte…. një ushtri kreditorësh e gatshme të përleshet për të ardhurat e saj dhe të transformohet në një njësi ushtarake kryengritësish (1) ».
 
Zaten, të gjitha instrumentat « gati për përdorim » duket se kanë gjetur vendin e tyre të parashkruar me qëllim që ajo gjëmë e paralajmëruar (2) të mund të ndodhë, me qëllim që – duke parafrazuar Tokëvilin - « mekanizmi i vjetër të japë prodhimin e tij të ri » : ilegalizmi që vepron në gjirin e shoqërisë, egzistenca e rrjeteve – ato të partisë komuniste ose më mirë socialiste, të ish ushtarakëve të liruar, të keqbërësve dhe të trafikantëve dhe së fundi, amalgama e interesave të njerëzve – që të gjithë kreditorë-viktima-kryengritës. Megjithatë, asgjë nuk na pengon që të shtrojmë pyetjen e mëposhtme : përse ky « serializëm i grupit në shkrirje » sartrian që i vuri zjarrin dhe përgjaku Shqipërinë berishjane, nuk ndezi në Rumani në momentin e shëmbjes së Karitas-it (5 milionë rumunë të mashtruar) ose në Rusi gjatë rrëzimit të perandorisë Mavrodis (3 milionë rusë të plaçkitur) ? Cili nga instrumentat e treshes eksplozive – ilegalizëm, rrjeta, amalgamë interesash – u njom nga uji i Karpateve apo i Uralit në momentin e prodhimit të shkëndijës ? Përfundimisht, ky « përjashtim shqiptar » i pashmangshëm i reziston të gjitha analizave të natyrës esencialiste ose trajtimeve të llojit pragmatik.
Destrukturimi i « homo albanicus » shërben si një nga drejtimet për të thelluar kërkimin e së vërtetës. Kështu, mësojmë se ai paskish zhvilluar
 « një jetë shoqërore të mbushur me mangësi dhe padrejtësi… shekuj të tërë nën sisteme politike dhe ekonomike autoritare, me zakone sociale ku mashkulli mban vendin mbizotërues, që shpurris energjinë violente në sensin e një revolte e cila vjen pas një periudhe të gjatë poshtërimi dhe servilizmi. Poshtërimi dhe violenca bashkëjetojnë shpesh nëpërmjet raportesh jo fort të kuptueshme.. »
 
Nga momenti që sensi i bashkësisë mbetet ende tepër i fuqishëm, duke bërë në këtë mënyrë të vështirë shqyerjen e trupit shoqëror, s’na mbetet gjë tjetër veçse të pranojmë se violenca përplaset mbi objektet, mbi sendet. Shkurt, kemi të bëjmë me një qënie e cila përdor violencën shkatërruese si një mjet presioni politik dhe, meqënëse për fat të keq, i përket ende një « shoqërie agrare në tranzicion, të rrënuar nga shëndrrimet sociale të vështira » i vetmi mjet që ai gjen për të ngritur zërin, për t’u dëgjuar në mes të kakofonisë politike është të verë zjarrin. Digj që të bëhesh i njohur !
Sidoqoftë, fshatari ynë zjarrvënës nuk i ngjan gjëkundi stërgjyshit të tij piroman, Erostratit nga Efesi, pasi :
 
 - Primo, është e pamundur të sintetizohet një profil përfaqsues individual – një portret të tij « robot » - ndërkohë që të gjitha dëshmitë nga terreni flasin për turma, masa, grupime, banda, komitete që manifestojnë, grumbullohen, marrshojnë, sulmojnë, luftojnë dhe sipas rastit thyejnë, plaçkisin dhe së fundi djegin. Objekti ku shkarkohet urrejtja e tyre janë godinat që kanë një lidhje të drejpërdrejtë me pushtetin : bashki, prefektura, komisariate policie, gjykata, seli të partive politike dhe herë herë arshiva, kadastra apo të tjera biblioteka që shpesh gjenden brenda të parave. Në qoftë se zjarrvënësi antik kish nevojë të ndriçonte sadopak gjestin e tij të errët, me ndihmën e tempullit të Artemisit në flakë, turma e Lushnjës ose e Vlorës nuk ishte e frymëzuar nga ndonjë shqetësim i brendshëm pavdekësie apo ndonjë nevojë për të lidhur dialogun me pushtetin, përfaqësuesit e të cilit rrihen bile edhe masakrohen disa metra më tutje. Ç’ka të bëjë shoqëria agrare me turmën qytetëse të pushtuar nga zemërimi që shkallmon bashkinë, verbëria e të cilës bëhet edhe më e plotë kur brenda saj ngrihen zëra « anonimë » që kërkojnë hakmarrje ndërkohë që duar « të padukshme » ndezin pishtarët ?
 
- Secundo, grupi ynë i inatosur plaçkit dhe për më tepër di të zgjedhë objektin e tiij të plaçkitjes : banka, magazina, depo dhe kazerma, bile pa përbuzur edhe pasurinë e privatëve. Ai rrëmben çdo gjë që përfaqëson një farë vlere malli ose përdorimi, qoftë dhe shfarosëse si puna e armëve dhe e municioneve. Në krahasim me të paharruarin « vit zero » të demokracisë gjatë të cilit turma ish mjaftuar të rrënonte trashëgiminë kombëtare të epokës komuniste, kësaj rradhe ajo diti të pajisej me mjetin më të mirë të presionit që mund të egzistojë, me anë të të cilit mund të shëndrrohej një bashkëbisedues i vërtetë në dialogun politik – forcën e armëve.
 
- Tertio, edhe trupi social, sado i mirëformuar qoftë, nuk shpëton pa u lagur dhe numëron në rradhët e tij disa mijra të vrarë, mes të fajshmëve brutalë dhe viktimave të rastit – një « shpikje » tjetër madhore në krahasim me 1991. Pas humbjes së parave individuale, të gëlltitura në operacione të dyshimta krediti, i erdhi rradha trashëgimisë së përbashkët, mobilimit urban dhe pasurisë së patundëshme për të përfunduar me kapitalin më të paçmueshëm, jetën njerëzore. Të mbërthyer kështu në një spirale djallëzore mes përpjekjes ndërtuese dhe misterit të shkatërrimit (3), njerëzit ndoshta kishin harruar filozofinë e vjetër ballkanike e cila, për të pavdekësuar veprën, mundohej të shtinte shpirtin në përpjekjen njerëzore. E vërteta është se shoqëria « parademokratike » e kohës së Berishës ishte tepër e zënë me problemet e veta financiare për t’u marrë me filozofi ose me shqyrtimin e shpirtit.
Kjo mënyrë filozofike për të shkoqitur fenomenin, e bazuar mbi psikanalizën e qënies shoqërore, ndoshta është më tërheqësja por s’është e vetmja që kërkon të zbulojë një shpjegim racional të ngjarjeve të vitit 1997. Zaten, në qoftë se përmbledhja që ajo ofron është e saktë, ajo mbetet sidoqoftë e pjesshme në atë masën që kjo qënie « e vënë në lëvizje nga një ontologji individualiste, bile egoiste, që njeh dhe mbivlerëson unin e vet », ky person « që është ai vetë dhe, njëkohësisht, sipas mentalitetit autoritar të vazhdueshëm, është gjithçka » s’është gjë tjetër veçse pasqyrimi i një shëndrrimi të thellë që prek gjithë shoqërinë. Megjithë vështrimin kritik mbi tipologjinë dypërmasore të botës politike – demokratë kundër socialistëve, çjerrje pompoze antikomuniste kundër thirrjeve inatçore antikorrupsion, kriza e thellë identitare reduktohet në një lloj mospajtimi fatal ndërmjet « fjalimit ideologjizues, ndërtues i projekteve politike si dhe institucioneve që kërkojnë emergjencën e një debati të domosdoshëm social dhe politik ». Si shpjegohet që forcat kryesore politike mbeten kaq të polarizuara dhe të largëta ndaj njera tjetrës, të gatshme të bllokojnë mekanizmin e këmbimit dhe të bashkëjetesës ? Nga vjen kjo përbuzje e thellë për të mos thënë urrejtje e cila i veçon këto forca – të dala nga e njejta baltë, si dhe këta udhëheqës – të dalë nga e njejta shkollë, ajo e rregjimit komunist ?
 
Drejtimi tjetër i thellimit të është ai i tjetërsimit dhe i armiqësisë të elitave. Mund të jemi të sigurt se :
 " Elitat e sotme shqiptare jo vetëm janë një produkt hibrid me qëllime institucionale të dyshimta por njëkohësisht ato karakterizohen nga një e kaluar mediokre si një inteligentsia thjesht aplikuese dhe jo krijuese. Elitat shqiptare vuajnë nga një kompleks inferioriteti të pashërueshëm. Sidoqoftë, ato janë treguar të paafta të çlirohen nga difektet themelore që shoqërojnë mentalitetin e një elite autoritare : paaftësia për të vepruar në kushtet e paqarta dhe marrjë vendimesh në mungesë të një praktike rutinore, të dekretuar nga një autoritet karizmatik. Duke qenë kryesisht një prodhim burokratik, tarafet e saj drejtohen një kontrolli total të institucioneve shtetërore, duke e justifikuar këtë mënyrë të vepruari me argumenta ideologjikë tërheqës për momentin.. (4) »
Nën një shtresë të tillë të tillë acidi, e ardhmja e intelektualit tonë duket fort e komprometuar dhe diagnostika paraqitet si e pashpresë. Por syri vritet edhe më tepër në qoftë se krahasojmë sjelljen e tij të papërgjegjshme me sensin e vërtetë dhe vetëkontrollin e admirueshëm që duket se karakterizon popullin shqiptar. Kjo dikotomi përbën edhe gurin e themelit të kqyrjes së qënies politike : tashmë kontradikta egzistencialiste mes forcës brute dhe veprës njerëzore i le vendin antitezës esencialiste mes paaftësisë intelektuale dhe gjenisë popullore. Përsa i përket argumentave, le t’i drejtohemi periudhës në fjalë.
Kundër çdo tundimi aq shumë të përfolur, populli nuk ju dorëzua demonëve të vjetër të luftës. Imazhet e ardhura nga pranvera e vitit 1997 flasin për një buçitje të beftë dhe të thellë qytetare, e keqadministruar nga autoritetet, e cila shëndrrohet shpejt në një çmenduri vrastare nga ana e njerëzve, të pushtuar nga gëzimi i zotërimit të armëve në sasi të panumurt. Jemi tepër larg nga fantazmat e llahtarshme etnike dhe fetare që ndërkohë kishin bërë kërdinë në viset ballkanike fqinje. Në mungesë të elementëve të domosdoshëm të analizës dhe pas hezitimeve të gjata për t’i pagëzuar ngjarjet, një numër i madh gazetarësh të ngutur si dhe të tjerë analistë evropianë menduan se kishin zbuluar stigmatët e « urrejtjes të brendshme » që ziente mes jugorëve ndaj « rregjimit të urryer malok të Berishës ». Në të vërtetë, rrebelimi ishte i zhveshur nga çdo përmbajtje etnike. Në mes të rrugës që lidh një Greqi « etnikisht të pastër » me « mozaikun e kombësive » jugosllave, vendi përmbante një pakicë të shëndoshë helene, një përbërëse të papërfillshme maqedone, një popullatë të papërcaktuar rome dhe së fundi, një element të pavendosur vlleh protorumun. E çmuar me diçka më pak se sa një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme, kjo bashkësi e shpërndarë nga pikpamja territoriale as nuk u linçua as edhe nuk u vu përpara ndonjë përgjegjësie nga ana e turmave të armatosura. Rastësi e lumtur, bile edhe llogaria e atyre mijra viktimave të konfliktit nuk vuri në dukje përkatësinë e tyre etnike.
 
Në vazhdim, askush nuk mundi të vërejë as edhe hijen e kallëpit fetar. Sigurisht, që prej rënies së komunizmit, faktori fetar kish fituar të drejtën e qytetarisë ndërkohë që vetë qytetarët e kishin ende diçka të vështirë të mund të identifikoheshin në larminë e besimeve : myslimane dhe të krishterë, sejcili i shprehur në variantet e tij tradicionale (sunite dhe shiite-bektashi për të parin apo ortodokse dhe katolike për të dytin). Që prej disa vitesh tashmë, ndërgjegja fetare kish kaluar nga faza e saj e parë rizbulimit të një identiteti të thërmuar një proces ristrukturimi shpirtëror, me Islamin si « violinë e parë ». Përpara vitit 1997, praktikisht ky proces s’kish peshuar fort mbi jetën politike të vendit : duke respektuar një traditë të gjatë laike, Presidenti demokrat Berisha me origjinë myslimane kish zgjedhur Kryeministrin e tij Meksi mes të krishterëve ortodoksë dhe Kryetarin e Kuvendit Popullor Arbnori mes katolikëve. Megjithëse në pamje të parë, kjo mund të interpretohej si një manovër e shkathët politike me thekse populiste, duhet të pranojmë se në gjirin e një Ballkani ku urrejtja fetare vazhdon të shkaktojë viktima të përditshme ja vlen barra qiranë. Si rastësisht, përvoja përsëritet me ardhjen e socialistëve në fuqi, pas trazirave të vitit 1997. Legjislatura e re i beson rolin e Kryeministrit të krishterit Nano dhe zgjedh myslimanin Mejdani si President të Republikës. Po qe se kujtohemi që kjo përzierje çeshitesh fetare të përfaqsuesve të pushtetit ishte inauguruar që në kohën e Kongresit të Lushnjës në atë vit të largët 1920, që ndërkohë ajo ishte një praktikë e zakonshme gjatë Republikës së Parë dhe më pas, e Monarkisë së Zogut – e ndjekur nga qeveritë në pushtimin e huaj gjatë Luftës së Dytë, hipoteza e lojës ose e llogarisë politike s’qëndron më këmbë. Ajo pasqyron një realitet të padiskutueshëm, atë të një shoqërie gjithëfetare e cila përshkon dhjetëvjeçarët dhe që përjetësohet në një pandjeshmëri të vazhdueshme dhe të qëndrueshme ndaj dallimeve fetare, pavarësisht nga natyra e pushtetit politik. Kjo shoqëri sigurisht ka njohur çekuilibre të thella strukturore, nuk i ka bërë ballë tundimit të karizmave të diktatorëve dhe është përçarë deri edhe shqyer për arsye ideologjike ; sidoqoftë, asnjëherë ajo nuk ka rënë pre e « gëzimit » të larjes së hesapeve të natyrës fetare.
 
Elementi i fundit – por jo më i pakti, edhe ajo hipoteza aq ndjellëse e ndarjes tradicionale rajonale (Gegë – Toskë) u shëmb, si për inat të partizanëve të saj të flaktë. Përtej atyre dallimeve për të mos thënë pabarazive kulturore të padiskutueshme mes Jugut dhe Veriut, skenari katastrofë që mundohej të dallonte « repartet besnike gegë » që derdheshin nga malet në mbrojtje të Berishës së rrethuar nga « bandat rrebele toskë » ishte më tepër një manovër politikane se sa një realitet i prekshëm. Megjithë një mbështetje dhe shtrirje rajonale mjaft të spikatur të dy formacioneve politike kryesore të vendit – Partia Socialiste në zonat jugore dhe Partia Demokrate në zonat e veriut – ja vlen të përmendet se, ndërkohë që Vlora festonte disfatën e Berishës në korrik të vitit 1997 dhe që Shkodra e pranonte pa e prishur zemrën – i gjithë vendi kishte votuar masivisht për një qeveri, të përbërë kryesisht nga socialistët jugorë. Elementët e fundit që mbështesnin pak a shumë tezën e mësipërme u fshinë gjatë ndrrimit të dorës së pushtetit : bëhet fjalë për ata burra dhe gra, me origjinë nga viset veriore – mes të cilëve Tropoja zinte vendin e nderit – që kishin mundur të ngjiteshin në shkallët më të larta të pushtetit qëndror, sigurisht për t’i sjellë Presidentit flladin e freskët të maleve të tij. E vetmja shenjë e rregjimit tashmë të vjetër ishte ai numri i papërcaktuar – por sidoqoftë mjaft i madh – i familjeve malësore që kishin braktisur viset e tyre tepër mikpritëse por fort të ashpra për t’u vendosur në tokat e reja jo fort mikpritëse por tepër komode të rrethinave të kryeqytetit. Duke pushtuar në mënyrë ilegale terrenet bujqësore djerrë ose zonat industriale të shëndrruara në djerrina, ata kishin kontribuar në dyfishimin e numrit të banorëve të metropolit, në mospërfillje të plotë të rregullave të urbanizmit, të normave të higjenës ose të standardeve të shërbimeve publike.
 
 
 
 
 ----------------------------------------------------------------- .
 
(1) Artan FUGA –Albanie, pourquoi les murs tombent-ils chaque soir ? në : Transeuropéennes n° 10 – Mouvements de Rue 1996 – 1997.
 
(2) Shprehja është e K. Barjabës sipas të cilit «që nga Ilirët deri tek Bizantinët, nga Bullgarët deri tek Otomanët, nga revoltat turke deri tek luftrat ballkanike, nga Mbreti Zog tek Enver Hoxha, nga Ramiz Alia tek Sali Berisha, historia e Shqipërisë s’është gjë tjetër veçse historia e një gjëme të paralajmëruar ». Shih : Kosta BARJABA – Albania in Transition : Elite’s Role and Perspective, Final Report, NATO Research Fellowship Programme 1996 – 1998, Tirana 1998.
 
(3) Ideja vjen prej A. FUGËS i cili e përshkruan si « sindroma e Rozafës ». Bëhet fjalë për atë legjendën e vjetër shqiptare sipas të cilës, tre vëllezër mundohen pa sukses të ngrenë çdo ditë muret e një fortese – atë të Rozafës, që ngrihet mbi qytetin e Shkodrës – të cilat mure shëmben çdo natë, për shkak të një force të keqe që prish natën atë çka është ndërtuar ditën. Mesazhi që çlirohet është ai i mospërputhjes mes reales, forcave të gjalla të historisë – puna e ditës, dhe rezultatit të ngurtësuar, të shkruajtur në realitetin rrethues – institucionet, këto mure të fuqishme. Në këtë mënyrë sindroma përmbledh atë kontradiktë mes përpjekjes së tashme – kësaj force të pakryer, dhe punës të materializuar – kësaj përmbajtjeje të institucionalizuar ; ajo shpreh atë shqetësim të thellë që prek njeriun, i cili « dëshiron të njohë vetvehten në rezultatin përfundimtar të punës së tij ndërkohë që ai identifikohet vetëm dhe nëpërmjet punës së tij ». Shih : Artan FUGA –ibidem. Përse filozofi kufizohet vetëm në dallimin e një sindrome në këtë legjendë e cila, në tërësinë e saj përçon një mesazh universal, dhe jep njëkohësisht edhe zgjidhjen e dilemës të « mureve që shëmben çdo natë » ? Le të gjykojmë vetë, nëpërmjet kësaj mënyre tjetër të lexuari : në një Vëllazëri – Shoqëri klanike, e cila nuk njeh gjëkundi babain – Autoritetin, gjërat shkojnë keq e më keq – Sindroma e Rozafës, deri në momentin e çfaqjes të gruas – Bindjes. Kjo e fundit pranon që t’a murosin për së gjalli për t’i dhënë fund mallkimit – me kusht, që njëri nga gjinjët e saj të mbetet jashtë murit për të vazhduar të ushqejë fëmijën e saj. Pas kryerjes së sakrificës, muret tashmë qëndrojnë më këmbë dhe fortesa ndërtohet pak nga pak. I shprehur në këtë mënyrë mesazhi është fare i qartë : forca brute dhe efemere sublimohet dhe fisnikërohet në punën e qëndrueshme vetëm nëpërmjet shpirtit. E thënë ndryshe, me qëllim që vepra njerëzore të mund t’i rezistojë kohës që rrjedh dhe shkon, duhet sakrifikuar një pjesë e vetvehtes me qëllim që të shtihet, të shkrihet brenda rezultatit. Vetëm nëpërmjet këtij dhurimi të vetvehtes, të këtij automishërimi, ky rezultat mund të përjetësohet dhe të frymëzojë brezat e mëpastajmë.
 
(4) Formula është e Shinasi A. RAMËS të cilit i përket njëhohësisht edhe shprehja « tranzicion i dështuar » Për detaje të tjera, shih : Shinasi A. RAMA – ibidem.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama