Në shumë studime të kryera nga institucione të huaja për administrimin e plehrave qytetëse në vendin tonë dhe të miratuara zyrtarisht nga qeveria shqiptare, është përcaktuar se strategjia e trajtimit të fundëm të plehrave në Shqipëri, bazohet në mënyrën e mbulimit të plehrave në tokë. Edhe dokumentet kryesore zyrtare ku pasqyrohet politika e qeverisë shqiptare në fushën e mjedisit, ku më kryesori dhe më i rëndësishmi është Plani Kombëtar i Veprimeve për Mjedisin, në lidhje me trajtimin e plehrave urbane, bazohen mbi mënyrën e mbulimit të plehrave në tokë. Në këtë plan të miratuar nga qeveria më 2002, në pikën lidhur me investimet përparësore parashikohet, ndërtimi i vendmbulimeve sanitare të hedhurinave, në radhë të parë, për ato qytete, për të cilat tashmë janë përgatitur studimet dhe projektet përkatëse (Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier, Pogradec, Korçë) si dhe për qytetet Tiranë-Durrës. Në lidhje me teknologjinë e djegies së plehrave në temperaturë të lartë (djegia/shkrumbimi) theksohet se ajo zbatohet në vende me të ardhura të larta dhe ku dherat për depozitimin e plehrave në tokë janë të pakta. Në raste të tillë, hiri nga djegia duhet të depozitohet në vendmbulime higjienike. Shkrumbuesit janë shumë të kushtueshëm dhe është shumë e vështirë për t'i mbajtur në punë e për t'i mirëmbajtur dhe shumë të vështirë për t'u mbajtur të punojnë sipas projektit. Gjithashtu, shpërndarja e plehrave sipas llojeve, pothuaj nuk bëhet në vendet në zhvillim ose të pazhvilluara. Arsyet që e bëjnë më të pakët mundësinë e djegies së plehrave në vendet në zhvillim, janë këto: 1) Përmbajtja më e lartë e lagështisë 40-70%, kundrejt 20-25% në vendet e industrializuara; 2) Pjesa e lëndëve inerte është 20-40% (në rastet kur plehrat hidhen në dhera të hapura), kurse në vendet e industrializuara kjo përmbajtje luhatet zakonisht midis 10-15%; 3) Përmbajnë më pak letër dhe materiale ambalazhimi, ndaj digjen më me vështirësi. 4) Kimikate shumë të rrezikshme të tilla, si Dioksina (duke nënkuptuar dibenzodioksinat në 75 forma të ndryshme molekulare) dhe Furani (duke nënkuptuar dibenzofuranet në 135 forma molekulare) çlirohen gjatë djegies së plehrave. Kufiri i lejuar i shkarkimeve të këtyre kimikateve i përcaktuar nga rregulloret suedeze është 0.1 ng/Nm3 (ose e thënë ndryshe, një gjilpërë e fshehur në një tren të ngarkuar me kashtë mëse 100 000 km të gjatë). 5) Meqenëse plehrat kimikisht nuk përbëhen vetëm nga Karboni dhe Hidrogjeni, edhe në rastet e djegies shumë të mirë, në tymrat e djegies do të ketë avuj, tymra dhe gazra kimike shumë reagues dhe shumë helmues, ku përfshihen: NOx, oksidet e kimikateve mbushës të plastikave (më të zakonshmit janë kripërat e plumbit), oksidet e metaleve të lehta dhe të rënda që kanë qenë pjesë e hedhurinave, substanca organike dhe joorganike pjesërisht të oksiduara, etj. Sipas Raportit të Agjencisë Evropiane (EEA 1996; Eurostat 2002a), në Evropën Perëndimore, më 1995 u dogjën 17% e mbeturinave bashkiake dhe 18% më 1999; kurse në Evropën Qendrore e Lindore, përkatësisht 2.3% dhe 6%. Mbulimi i plehrave në tokë mbetet metoda më e përdorur në Evropë. Në Evropën Perëndimore, më 1999 u mbuluan në tokë 57% e mbeturinave bashkiake dhe 83.7% në Evropën Qendrore dhe Lindore. Sipas një projekt-marrëveshjeje famëkeqe në Shqipëri, pritet të vijnë >4500 ton plehra/ditë, sepse pikëmbledhja e madhe "Malagrota" e plehrave afër Romës do të mbyllet dhe bashkë me plehrat e Jugut të Italisë mendohen të dërgohen në Shqipëri. Këtij synimi i shërben zgjerimi i pikëgrumbullimit të tanishëm të plehrave në Sharrë, afër Tiranës dhe ngritja e shkrumbuesit në Kashar, sipas projekt-marrëveshjes ogurzezë që qeveria shqiptare ka nënshkruar me konsorciumin "CoLaRi" dhe grupin "Cecchini". Akoma, për t'i shërbyer këtij qëllimi u krijua në Dhjetor 2003 në Shqipëri edhe sipërmarrja "Albania Beg Ambienti sh.p.k." që do të mbulonte këtë ndërmarrje helmuese. Në emër të qeverisë shqiptare, tre ministra nënshkruan projekt-marrëveshjen mëkatare: Ministri i Ambientit, ministri i Turizmit dhe i Rregullimit të Territorit dhe ministri i Pushtetit Vendor e Decentralizimit. Ndonëse i lënë në harresë, problemi i plehrave vazhdon sepse qeveria shqiptare nuk është e hapur, ç'ka ka nënshkruar për këtë projekt që duhet ndaluar plotësisht dhe biles nuk ka thënë hapur kundërshtinë ndaj kësaj (projekt)-marrëveshje. Gjithashtu ambasadori italian në Shqipëri, ndërhyri jashtë çdo norme protokollare dhe në mënyrë të këmbëngulëse, që ky projekt kundra-shqiptar dhe kundra-njerëzor të zbatohej në Shqipëri. Plehrat që mendohet të vijnë në Shqipëri do të jenë plotësisht të pandara, sepse të paktën pikëmbledhja "Malagrota" e plehrave afër Romës do të mbyllet vitin që vjen, ngaqë atje nuk po arrihet të bëhet nënndarja e hedhurinave të grumbulluara. Madje, asnjë bashki e Italisë nuk pranon të marrë plehrat e Romës dhe të lejojë ndërtimin e shkrumbuesve për to. Ndërkohë, në pikëmbledhjen e plehrave dhe mbetjeve spitalore në Sharrë afër Tiranës, nuk merret ndonjë masë për trajtimin e tyre, gjë që sjell që atje të ketë djegie të qëllimshme ose natyrale të tyre dhe tymrat e ngritur nga ajo zonë, janë tashmë një kërcënim për banuesit në Tiranë e rrethinë. Tymrat shihen qartë e frikshëm të mbulojnë tokën, sidomos herët në mëngjes, sepse Tirana është një zonë me përmbysje temperature të theksuar. Përfundimisht, kushdo qoftë "arsyetimi", uzina të djegies së plehrave NUK DUHET të lejohen të ngrihen në Shqipëri. Në lidhje me Tiranën, të NDALOHET me çdo mënyrë djegia e tanishme (me dashje apo pa dashje) e plehrave në Sharrë. Duke përfshirë edhe mbeturinat spitalore, urgjentisht ato DUHEN mbuluar me dhe` aty ku janë dhe në qytet të fillojë mbledhja e përzgjedhur e tyre.