VERI-JUG
Xhamia e Delvinës ka qenë ndërtuar në shekullin XVI, u mbyll në vitin 1967, iu shemb çatia në mes të viteve ‘70 dhe tani i kanë mbetur vetëm muret e mbuluara nga ferrat.
Tani duan ta rindërtojnë. Asgjë e keqe deri këtu. Flet në ekran Kryetari i Bashkisë dhe thotë se janë lidhur me një Universitet në Venecia që paskësh marrë përsipër t’ua rindërtojë. Pastaj thotë se kur të rindërtohet xhamia do kthehet në atraksion turistik se do vijnë turistët ta shohin. Pra do e rindërtojnë italianët dhe do vijnë ta vizitojnë po italianët. Po ju delvinjotët ç’do bëni? Hiç, do vrasim miza dhe do mbledhim paratë e turistëve që do vërshojnë lumë.
Tempujt fetarë, jetë e mot, veç të qënit shtëpi të Zotit në Tokë, kanë shërbyer edhe si qendra të jetës sociale, si vende të takimit të njerëzve, të përpjekjeve të tyre për të qëndruar bashkë dhe për të vepruar bashkë. Madje këto funksione nuk i luajnë vetëm pas ndërtimit, por që më parë. Në shumë vende ato ndërtohen nga vetë komunitetet si shenja të devocionit të njeriut e përpjekjeve të tij që, pasi ndërton vetë shtëpinë e vet, i organizuar në bashkësi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.
Sot, studionjësit kanë hequr dorë nga varianti i vjetër, sipas së cilit Piramidat janë ngritur nga turma skllevërish nën ritmin e kamxhikut. Ky imazh sot gjendet vetëm në filmat e Hollywood-it, ndërsa arkeologët thonë se ato janë ngritur nga njerëz të lirë, zanatçinj, bujq e blegtorë, tregtarë e zyrtarë, të cilët punonin me vullnet të lirë për një periudhë, si shenjë devocioni ndaj faraonit dhe perëndive. Kështu janë ngritur që atëherë e në vijim shumica e tempujve fetarë anekënd planetit. Kështu janë ngritur edhe shumica e tempujve fetarë në këto trojet tona, kisha e xhami, teqe e faltore, jetë e mot. Ndërsa tani presim të na vijë universiteti i Venecias të na bëjë xhaminë e fshatit. Le të tjerat, po merrni me mend se sa mirë do ndjehet Perëndia e myslimanëve në atë tempull që ia kanë ngritur të krishterët! Xhamia nuk do as kompjutera e as teknologjinë e NASA-s për t’u ngritur. Gurë, dru e djersë vetëm do. Gurë kemi sa të hajë dreqi në këtë vënd, edhe dru kemi sa po i djegim sa mundemi çdo behar, krahë pune në një qytet ku gjysmat janë të papunë ka pa hesap. Atëhere ç’presim?
Dhe si të mos mjaftojë kjo, pasi të na i ngrenë të huajt xhaminë, do presim të bëjmë pará me të huajt që do vijnë ta shohin. Duke lënë mënjanë faktin se ç’ndreqin do dojë një evropian të bëjë qindra kilometra udhë e pa udhë e nëpër ferra, për të parë një xhami të ngrehur rishtazi, por këtu po harrojmë kryesoren. Tempujt e Zotit nuk ngrihen për të bërë pará, por për t’ju falur Zotit, apo jo! Xhamia shërben si qendër ku njerëzit falen e gjejnë paqen me veten, lehtësohen nga gjynahet dhe mblidhen e takojnë njëri-tjetrin, krenohen me punën e bërë së bashku dhe ndihmojnë shoqi-shoqnë. Ndërsa këta thonë se do e bëjnë xhaminë për të bërë pará! Dhe pastaj vrasim mëndjen e themi pse dreqin Zoti na ka marrë me sy të keq!
URA E MUHURIT
Para ca kohësh shkruaja për urën e Tepelenës në të cilën rrezikohej kalimi për shkak të vjedhjes dhe kalbjes së dërrasave. Ishte një fshat i tërë që mbetej i izoluar nga ajo urë dhe asokohe thoja se si është e mundur që një fshat i tërë pret që dërrasat e urës të vijë e t’ua ndreqë tjetër kush.
Këto ditë u vendos një rekord i ri. Ura metalike e Muhurit ka të njëjtat probleme. I janë kalbur dhe hequr dërrasat, por kësaj rradhe izolohet jo një fshat, por plot 6 Komuna! Kjo urë lidh fshatrat e gjashtë komunave me Peshkopinë dhe me botën e madhe dhe, përmes saj, mijëra banorë plotësojnë nevojat e tyre. Shkojnë e vijnë në shkolla, japin e marrin nëpër tregje e pazare, venë në spital, e furnizohen me gjithë ç’u duhet. Të thotë mëndja se një urë kaq të rëndësishme, e gjithë ajo zonë do ta ketë bërë të florinjtë për sa të rëndësishme dhe të nevojshme e ka. Por jo.
Në një kronikë të shfaqur për punë të kësaj ure, intervistoheshin banorë që ankoheshin se po u binin fëmija në ujë tek shkonin në shkollë, apo se u rrezikoheshin të sëmurët kur provonin t’i kalonin përmes të çarave. Shfaqeshin pamje ku njerëzit bënin cirk teksa kërcenin sa në një cep në tjetrin për t’ju shmangur fluturimit tatëpjetë ujrave të lumit.
Në televizor dilnin njëri pas tjetrit hallexhinj, pushtetarë e këshilltarë dhe ankoheshin për dërrasat e urës që s’vjen kush t’ua ndreqë. Gjashtë komuna kanë mbi 2000 familje. Vetë ura është 200 metra e gjatë, kështu që i bie që çdo familje të vërë dërrasat e 20 cm të saj, më pak se një pëllëmbë pra. Kaq e vështirë qënka që të merren vesh, jo për të zgjidhur hallin e botës, të Luftës në Siri apo të Uraganit në Amerikë, por atë të urës së fshatit të tyre. Burra me nga një pëllëmbë mustaqe për të cilët kemi mësuar në libra se mblidheshin qëmoti e merreshin vesh nëpër kuvende, tani s’u bëkan dot bashkë për urën ku kalojnë kalamanët e tyre!
Shëmbullin e parë e solla nga Juga e të dytin nga Veriu. Qeveria ka faje sa s’ka më, por në ka gjë për të cilën jemi akuzuar brez pas brezi ne shqiptarët, është pikërisht paaftësia për jetë e veprim përbashkët, për organizim shoqëror e punë në bashkësi. Pa ndrequr këtë huq të madh tonin, pa mësuar të ngremë organizimin e punës së përbashkët, pa ia dalë të mblidhemi për të zgjidhur vetë hallin e fshatit që pastaj të zgjidhim edhe të Shqipërisë, as që kemi për t’i bërë derman dot vetes. Atë që një këngë e vjetër e quan “kena nis me u ba milet”. Ndryshe do mbetemi ashtu si përfundoi ajo kronika e urës së Muhurit, me njerëz të dëshpëruar që psherëtinin duke thënë se i ka rrejt qeveria duke iu premtuar se do t’ju bëjë urën kur i duheshin votat.