Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bashkëjetesat

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Bashkëjetesat

Diku në një lagje të Tiranës, një grup njerëzish janë mbyllur në një grevë urie. Shumica pleq, të tjerët në moshë të mesme, por po aq të vojtur. Kanë hequr e kanë parë keq në jetë, por tani në pleqëri po shohin edhe më zi, të shtruar përtokë midis batanijeve të pista në një qoshe ku nuk i zënë rrugën askujt.

Mbi kokë të mbërthyer me tela dhe lecka, përpiqen të mbrohen nga shiu me copa plastmasi të kaltër nga ai që rëndom përdoret për serat. Të blejnë një tendë të gatshme as që bëhet fjalë se duhen pará (edhe për të vdekur me dinjitet duhen pará) dhe ata për ato të shkreta pará kanë privuar veten nga buka.

Afër tyre vijnë e ikin familjarë, të afërm e miq, që i takojnë në heshtje, u ndërrojnë ndonjë rrobë të pistë e u çojnë ujë. Familjarët duken të stërvitur me këtë punë që në kohë të Komandantit dhe u duket thjesht përsëritja e një rituali me të cilin ishin mësuar kur u çonin bohçen njerëzve të tyre të burgosur në Burrel a Spaç. E mira e demokracisë është se nuk duhet të shkojnë aq larg tani.

Vetëm pak dhjetëra metra larg ngujimit të tyre, jeta rrjedh e qetë. Klubet gëlojnë nga njerëzit, pihet kafe e bëhen thashetheme. Lexohen gazetat, plotësohen fjalëkryqet dhe skedinat e lotarive. Baret buçasin nga muzika, e cila vetëm këto ditët e fundit që po bie shi, dëgjohet më pak, pasi u detyruan të mbyllin dyer e dritare se u ftoh moti. Kjo puna e shiut u prishi punë të dy palëve se, edhe klubet i detyroi të heqin tavolinat që mbanin jashtë, por edhe grevistët i detyroi të mblidhen kruspull ndën copat e plastmasit kaltërem të serave.

Në ditët e para, midis një rrufisje kafeje dhe tjetrës, njerëzit, kur përpiqeshin t’i tregonin bashkëbiseduesit se ku bëhej greva, thoshin, ja atje diku pranë studios së Kristaq Ramës. Ashtu sikundër kur përpiqen të tregojnë se ku banon Kryeministri, të thonë, ja aty përballë Ambasadës Iraniane; gjë kjo që nuk bën aspak me faj as iranianët – për t’u akuzuar si mbështetës të Saliut – e as Saliun – për t’u akuzuar për taleban. Por kjo gjë nuk i shpëtoi vetë Kryeministrit, që nxitoi të thoshte “grevistët e studios së Kristaq Ramës”. I ndjeri Kristaq Rama e ka studion atje për dy arsye të vetme. E para se ishte skulptor dhe e dyta se me dekret të vetë Sali Berishës (aso kohe President) i është dhënë si e tillë. Tani nga vetë Saliu kjo tregohet me gisht si faj për të dy palët.

Dikur shkohej te karburanti për të kërkuar pak benzinë sa për të mbushur çakmakun. Pak ditë më parë, dikush shkoi te karburanti dhe mbushi një shishe plastike pa treguar se për çfarë e donte. Po të tregonte s’do e besonte njeri. E dua se ma ka kërkuar një shok për të djegur veten! Ky shoku, që pastaj e dogji veten vërtet, u quajt nga Kryeministri me gjithë të zezat që edhe mendja më perverse do mendohej dy herë para se t’i nxirrte nga goja.

Saliu ia ka dalë gjithmonë të na lërë me gojë hapur, të na bëjë sot të kundërtën e asaj që na ka thënë dje, të na i ndërrojë kartat në tavolinë siç i thotë mendja, apo të na bëjë të besojmë edhe të kundërtën e asaj që na thotë edhe logjika më e thjeshtë. Tani po rreh të na bëjë të besojmë se grevistët janë ca trafikantë femrash imoralë që po i komandon Edi Rama. E pra, vetëm në mendjen e Berishës mund të bëjë vaki që kurvarët djegin veten për t’i bërë qejfin Edi Ramës. Po rreh të besojmë edhe se ata janë kriminelë ordinerë. E pra, vetëm në mendjen e Berishës mund të ekzistojnë kriminelë që janë të tillë jo se vrasin dikënd, por se po përpiqen të vrasin veten.

Grevistët kanë një zëdhënës që, herë pas here me një zë që i sa vjen e i shuhet, del e flet para kamerave. Në sfond të tij qëndron një mur me tulla të kuqe të pasuvatuara i një pallati tip 5-katësh socialist. Në murin e pasuvatuar, shquhet vetëm një drejtkëndësh i lyer me të bardhë të dalë boje, ku dallohen ende disa prej germave të kuqe të dikurshme të një parulle nga ato të kohës së Komandantit. Qoshe më e mjerë zor se gjendej. Natyrisht që nuk mund ta bënin grevën para kullave të xhamta te Blloku, jo se nuk do i linte policia, por se do i flaknin tej bodigardët qafëtrashë, si të ishin thasë me patate të kalbura.

I telefonova Fatos Lubonjës për të folur për marrëzinë e radhës që po planifikohet, shkatërrimi i stadiumit “Qemal Stafa”. I telefonova dhe u pendova. Fatosi ishte i zhytur në fatkeqësinë e bashkëvuajtësve të tij. Nuk mund të merresh njëkohësisht edhe me tragjedi të mjerimit – si kjo e vetëflijimit të Tiranës – edhe me çështje të luksit të kulturës – siç është kjo e Stadiumit. Popujt i zgjidhin problemet një nga një. Zgjidhin hallet e mëdha dhe pastaj, të stabilizuar e të qetuar, zënë e zgjidhin edhe ato të voglat. Veç këtu ndër ne mund të ndodhë që të na ngatërrohen të gjitha hallet më një ditë, bash se s’ia dalim që të rreshtojmë prioritetet tona.

Fatosi ka bërë burg të gjatë. Aq sa tashmë më shumë se njeri është simbol. Por prapë, kur shkon të takojë ata mjeranët që po japin shpirt mes indiferencës atje në cep të Tiranës, nuk e bën dot pa i kërkuar leje një polici po aq mjeran që e ndalon dhe i thotë “prit t’i marr leje shefit”. Pret Fatosi, se burgu i dikurshëm e ka regjur me pritjen para policit. Miguel Angel Martínez është nënkryetar i Parlamentit Europian. E nderojnë dhe respektojnë si të jetë guru. Në fakt është. Gjithë parlamentarët e tjerë të Europës flasin për diktaturat e për të dënuarit e ndërgjegjes, për torturat e për dhunën, si për gjëra të historisë e të dëgjuara nga librat. Ndërsa Martinez është vetë ish i dënuar politik i kohës së Frankos në Spanjë dhe duket si i dalë nga librat e historisë. Dhe kjo e ka bërë simbol. Ndërsa Fatosin e ndalon me dorë edhe një polic me jakë të palarë dhe uniformë zhubravitur (punë tenderi kjo), i cili edhe ai ka hallin e bukës së kalamajve të vet. Dhe unë shkoj e i flas për Stadiumin!

Ndërsa era e mishit të djegur filloi të përhapej në të gjithë zonën, kalamajtë e lagjeve vazhdonin lojën e tyre midis rrugicave shtremba-shtremba aty pranë. Mishi i djegur ka një erë të tmerrshme që pakkush e ka ndjerë. Mjaft të lexosh përshkrimet e gjermanëve që banonin në fshatrat pranë furrave të krematoriumeve, për ta kuptuar. Dhe ndërsa kjo erë e harruar nëpër Europë prej më se 60 vjetësh, u përhap nëpër rrugicat e Tiranës ku lozin edhe kalamajtë, të cilët vrapuan në shtëpi t’ia tregojnë mamit dhe të nesërmen t’ua tregojnë edhe shokëve në klasë. Në shkollë nga shokët e tyre ata do jenë parë si heronjtë e ditës, ashtu sikundër shihej Tom Sojeri që kishte parë të vdekur indianin Xho. Por edhe indiani Xho është punë e 150 vjetëve të shkuar, ndërsa këtu po flasim për sot.

Edhe në Paris njësoj do vinte erë mishi i djegur, sikur kjo të ndodhte atje. Edhe në Champ Elysee njësoj do kudërbonin flokët e përcëlluara, sikur zjarrvënia të bëhej atje. Po, e vërtetë është, por pas zjarrvënies dhe erës së keqe të saj, asgjë nuk do ishte më njësoj. Parisienët nuk do vazhdonin të rrinin më nëpër klube, e as kalamajtë nuk do vazhdonin të luanin. Në Paris do ndodhte revolucioni me Gavroshët e vet, ndërsa në Tiranë bashkëjetesa e turpit vazhdon e qetë. Ky është ndryshimi dhe bash për këtë arsye Tirana do vazhdojë të mbetet Tiranë e pisët dhe e vjedhur, e nuk bëhet dot Paris i ndritur.

Deri tani e kam thënë gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht një batutë që kam pasur drojë ta shkruaj në gazetë, duke besuar se është e vështirë t’i bëj të tjerët të më kuptojnë se ç’dua të them. Sot po e them me zë të lartë “Nuk duhet të ndryshojmë qeverinë, por urgjentisht duhet të ndryshojmë popullin”. Atë ditë që do ja kemi dalë të bëjmë këtë, qeveria as do dijë se ku ta mbajë vrapin e të fshihet.


Shqip

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama