Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pas humbjes më 2013, beteja për largimin e Ramës…

Shkruar nga: Kastriot Islami  
Botuar më: 13 vite më parë

Kastriot Islami
Pas humbjes më 2013, beteja për largimin e Ramës…

PS nuk ka gjasa të fitojë në vitin 2013 nëse Rama vazhdon në rrugën që ka nisur. Shumica e socialistëve nuk durojnë dot më në opozitë, por janë të bindur se me Ramën nuk fitohet. Bile socialistët e ndershëm janë të bindur se nëse një ditë do të fitohej, Rama do të ushqente me korrupsionin e qeverisjes vetëm klientelën e tij dhe do ta përdorte fitoren për të vazhduar spastrimin e socialistëve të ndershëm.  Pas 2013-s Rama ka menduar, madje, t’i ndërrojë edhe emrin PS, sepse gjykon se partia e tij e re nuk ka asnjë lidhje me PS që uzurpoi në vitin 2005.

Rama, në një intervistë te ABC, u detyrua të deklaronte se “nuk largohem nga drejtimi i PS pa u bërë Kryeministër”. Nga një numër shumë i madh socialistësh kam marrë mesazhin se pas humbjes më 2013-n, të gjithë të larguarit së bashku me qëndrestarët, do të organizohen për të zhvilluar betejën e madhe për largimin e Ramës nga drejtimi i PS. Të gjithë janë të bindur se kjo është rruga e vetme për të shpëtuar PS të marrë peng nga një klientelë që po e keqpërdor në mënyrë të rrezikshme partinë e idealeve të tyre dhe votat e socialistëve të ndershëm…. Sipas tyre, kjo e keqe e madhe ka nisur kur Rama me “Mjaft” luftoi për të larguar socialistët nga pushteti në zgjedhjet e 2005-s.

I. Në vend të hyrjes…

1. Rama, ndonëse tha se do të largohet nga PS vetëm si fitimtar, atë e mundon mendimi se nuk ka më shanse pas 2013-s të bëhet Kryeministër. Nëse Rama nuk largohet, PS do të rrudhet ose do të çahet. Pra Rama s’qëndron dot në krye të PS pas humbjes në vitin 2013, por edhe nëse qëndron, ai s’mund të bëhet më Kryeministër.
2. Rama e ka të qartë se nuk mund të sajojë më alibi për manipulim të zgjedhjeve, sepse në rastin më të mirë ai do të konsiderohej minimalisht i paaftë për të garantuar mbrojtjen e votës. Ndërkombëtarët do ta stigmatizonin qartas si përgjegjësin e vetëm të veprimeve ekstremiste radikale dhe bllokuese.
3. Rama, pas humbjes së zgjedhjeve më 2013-n, me siguri do të largohet ose do ta largojnë, dhe këtë gjë nuk do të mund ta pengojë as klientela e tij, as forumet e paralizuara klienteliste, dhe as grupi kuvendor, sado të përpiqet Rama ta pastrojë nga socialistët.

II. Zgjedhjet 2005, Rama me “Mjaft” punuan për humbjen e PS…

4. Rama “punoi” kundër që PS të kalonte në opozitë në vitin 2005 i) duke bërë një fushatë kundër qeverisë socialiste dhe ii) duke nxitur përçarjen midis PS e LSI. Organizata “Mjaft”, nën drejtimin e Ramës e me sponsorizimin e Berishës, punuan për humbjen e zgjedhjeve në vitin 2005 dhe e konsideruan sukses që PS kaloi në opozitë, sepse vetëm kështu bëhej e mundur që Rama, mjaftistët e klientela e ardhshme të merrnin drejtimin e PS.

5. Rama, në një intervistë në vitin 2005 i kërkonte Nanos të mos përdorte asnjë lloj alibie për manipulim të zgjedhjeve, të cilat i klasifikonte si “marifete komuniste” dhe të “mos sillej si politikan i prapambetur i trevës ballkanike”, por të largohej. Bile i kujtonte Nanos “të mos kopjonte modelin e qëndresës së Berishës nga viti 1997 në 2005-n”. Rama gjykonte në 2005-n se “gabimi më i madh i PS ishte përçarja dhe lufta me LSI-në”.

6. Rama do të shtonte lidhur me përgjegjësinë e Nanos se “humbja është vetëm e të parit mes të barabartëve, i cili e merr mbi supe përgjegjësinë morale në emër të të gjithëve”.

7. Rama nuk veproi asnjëherë si Nano, i cili jo vetëm nuk e futi veten dhe PS në qerthullin e mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve e të veprimeve radikale, por dha dorëheqjen nga drejtimi i PS, siç kishte premtuar, dhe u largua nga drejtimi i saj duke garantuar kalimin e butë të pushtetit te fituesi.

8. Rama, për të larguar Nanon nga drejtimi i PS, “luftoi” kundër alibive eventuale për humbjen e 2005-s dhe artikuloi me të drejtë si arsyen e vetme të humbjes përçarjen e së majtës, duke qenë realisht nxitësi kryesor i përçarjes midis PS e LSI. Kur PS humbi zgjedhjet në vitin 2005, Rama doli kundër alibive së manipulimeve dhe radikalizmit sepse kështu mund të uzurponte PS, kurse në vitin 2009 dhe 2011, në themel të sjelljes së tij do të jenë vetëm alibitë e manipulimeve, thjesht për të mos u larguar nga drejtimi i PS…

III. Zgjedhjet 2007, Rama e fitoi Tiranën me votat e LSI…

9. Rama fitoi në vitin 2007 Bashkinë e Tiranës në  koalicion me Ilir Metën, pra se kishte një projekt politik minimal. Berisha ishte Kryeministër dhe “regjimi i tij” tentoi ta largonte Ramën nga Bashkia e Tiranës, por s’mundi, se votat e së majtës së bashkuar mjaftonin për të mundur kandidatin e djathtë. Rama nuk u ankua për manipulime nga “regjimi i Berishës”, sepse fitoi Bashkinë, pra sajesat për manipulime Rama i nxjerr sa herë humbet zgjedhjet e duhet të largohet nga drejtimi i PS.
IV. Zgjedhjet 2009, Rama me G99-n tenton eliminimin e LSI dhe akuzon për humbjen komisionerët socialistë…

10. Rama s’kishte projekt politik, nuk ndërtoi ekip e koalicion fitues, nuk e bashkoi të majtën dhe nuk tregoi lidership, por u “fsheh” në Bashki, prandaj PS humbi në vitin 2009. Para zgjedhjeve Rama premtoi se do t’i mbronte votat, se kishte ngritur “ushtrinë e milingonave për të mundur elefantin-shtet të Saliut”, por kjo skemë dështoi dhe “si i pari midis të barabartëve” duhet të largohej.

11. Rama tha te ABC News se “…unë u bëra Kryeministër në vitin 2009, por ma mori postin Saliu”, por socialistët mbetën në opozitë dhe Rama kryetar i PS, e për më tepër, kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke vazhduar të ndajë përfitime e favore me klientelën e tij bashkaksionere. Rama nuk u largua nga PS sipas statutit, por qëndroi në krye të PS duke i shpërndarë të gjitha përgjegjësitë te të tjerët. Fajin kryesor, sipas tij, ia kishte Saliu që manipuloi. Meta që tradhtoi, ndonëse LSI tentoi ta eliminonte politikisht me G99-n. Sistemi zgjedhor që s’e kuptoi. Sajoi të gjitha alibitë e mundshme për humbjen dhe shpërndau përgjegjësitë kundër kujtdo që e quante atë përgjegjës të humbjes.

12. Rama fillimisht deklaroi se më vodhën votat në katër qarqet, Berat, Tiranë, Fier e Shkodër, pa thënë konkretisht se ku e vodhën më shumë, në fshat apo në qytet, dhe pa pasur asnjë indikacion konkret. Ndërkohë, në katër qarqe të tjera, në Kukës, Shkodër, Dibër dhe Lezhë, PS kishte një rezultat zgjedhor madje shumë më të dobët se në vitin 2005. Më rëndë ishte që në 7 qarqe (Berat, Shkodër, Dibër, Kukës, Fier, Elbasan e Vlorë) nuk u plotësuan objektivat elektoralë të firmosur nga Rama, gjë që demaskonte sajesën e manipulimeve dhe shpjegonte humbjen e zgjedhjeve.

13. Rama tha më vonë se më vodhën në total 100 mijë vota në fshat. Dhe e mbylli të gjithë sajesën për manipulime se iu shitën 15 mijë komisionerët socialistë. Tani thotë se i janë shitur kryetarët e PS e s’do të lejohen më të caktojnë komisionerët.

14. Rama për katër vjet e futi PS në veprime radikale, bojkot, bllokim rrugësh, manifestime, grevë urie, demonstratë më 21 janar, vetëm e vetëm për të justifikuar alibitë e humbjes, sajesën e manipulimeve thjesht për interesin e tij personal. Por e gjithë kjo alibi rrëzohet, se votat e PS, plus LSI më 2009-n, janë të njëjta me ato në vitin 2005 e 2007. Rama pati vetëm një “sukses”, forcoi pozitat individuale dhe të klientelës së tij në PS, mekanizëm që i dha mundësi të hidhte në erë edhe marrjen e statusit të vendit kandidat në BE e të rrezikonte lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

V. Zgjedhjet 2011, Rama akuzon për humbjen juristët socialistë…

15. Rama humbi Bashkinë në vitin 2011 dhe rezultoi nga të gjitha bashkitë kryesore kandidati socialist më i dobët, sepse vetëm ai humbi e të gjithë të tjerët fituan, bile kandidatët në Durrës e Elbasan arritën një rezultat shumë më të lartë se në vitin 2007, kur PS ishte në koalicion me LSI. Arsyeja ishte e thjeshtë: Ramës nuk i mjaftonte vetëm të bëhej Kryeministër, por donte të qëndronte në kolltukun e kryetarit të Bashkisë dhe prej andej të “fluturonte” në kolltukun e Kryeministrit. Rama, kundër shumicës që mendonte ndryshe, përfshi edhe ndonjë nga klientela e tij, rikandidoi për herë të katërt për Bashkinë e Tiranës. Dhe humbi se s’e votuan një pjesë e socialistëve, meqë luftonte vetëm për interesin e tij.

16. Rama përsëri nuk mbajti asnjë përgjegjësi, fajin ua hodhi të tjerëve dhe hodhi përsëri në treg alibinë e manipulimeve. Natyrisht, në krye të listës së fajtorëve ishte prapë Saliu, i cili ndryshe nga viti 2009, që “vodhi” në fshat, këtë radhë “vodhi” vetëm në kryeqytet dhe s’vodhi asnjë votë në fshat. Dy ditë para zgjedhjeve kishte deklaruar se me “ushtrinë e mbrojtjes së votave” nuk do të lejonte asnjë manipulim, por prapë dështoi.

17. Rama sajoi prapë, por këtë radhë kjo skemë sajesash u zhvlerësua në sytë e publikut, se nga momenti i mbylljes së votimeve e deri në daljen e rezultatit përfundimtar ishte inkoherent. Fillimisht pranoi se zgjedhjet ishin të rregullta. Pastaj tha se sipas numërimit të pjesshëm, ishte fitues dhe priste të dilte fitues me 5 mijë vota. Kur mori vesh rezultatin përfundimtar, tha se nuk humbi, por ia vodhën fitoren, se votuan 10 mijë votues nga Kosova. Kur mbaroi procesi i ankimimit, tha se fajin për humbjen e kishin juristët e PS që nuk ia mbrojtën fitoren në Kolegjin Zgjedhor. Në fund, në mbledhjet për analizën e zgjedhjeve në Tiranë, i akuzoi të gjithë deputetët e Tiranës që nuk punuan siç duhet, përveç njërit.

VI. Rama pranon në darkën me “ngjalat e Lalzit” se “videoja e korrupsionit” ishte sajesë dhe harron 4 viktimat 21 janarit…

18. Rama, në vitin 2005 sulmoi Nanon duke artikuluar tezën se socialistët ishin në opozitë vetëm se e majta u përça, dhe për këtë përgjegjësinë kryesore e kishte vetëm Nano. Rama premtoi në vitin 2005 se do ta bashkonte të majtën, por ka dështuar. Në vitin 2007 ai ndërtoi një koalicion, se i duhej për t’u rizgjedhur për herë të tretë kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe për të forcuar pozitat në PS. Më 2009-n e majta u paraqitet e përçarë dhe PS mbeti në opozitë.

19. Rama gjatë kësaj kohe tentoi të eliminonte LSI. Në zgjedhjet e 2009-s përdori për këtë qëllim G99-n. Kurse më tej u përpoq të rrëzonte qeverinë “Berisha” përmes “eliminimit” politik të Metës, që arriti kulmin me demonstratën e 21 janarit, që kishte në themel “videon e korrupsionit”. Por zgjedhjet e 2011-s penalizuan Ramën dhe PS: Rama u largua nga Bashkia e Tiranës, kurse koalicioni i PS mori 140 mijë vota më pak se koalicioni qeveritar.

20. Rama, pa kaluar shumë kohë, vajti në një “darkë me ngjala” për t’i kërkuar ndjesë Metës për gjithçka kishte sajuar kundër tij, duke i kërkuar të bashkohen më 2013-n. Ai pranoi se pa u bashkuar e majta, PS mbetet në opozitë dhe se “videoja e korrupsionit” i përkiste së kaluarës dhe nuk e pengonte për t’u bashkuar në të ardhmen. Pra pranoi se çështja e videos ishte një sajesë.

21. Rama u zhvleftësua në sytë e socialistëve të ndershëm e të publikut në tërësi sepse ata kuptuan se demonstratën e 21 janarit Rama e kishte konceptuar vetëm për të eliminuar LSI dhe më tej ishte gati të harronte gjithçka, mjaft që LSI të bashkohej me PS për të rrëzuar qeverinë “Berisha”, kërkesë të cilën nxitoi ta artikulonte vetëm pak ditë pas darkës në Gjirin e Lalzit. Viktimat dhe socialistët nuk mund ta gëlltitnin këtë darkë që ata e konsideronin të turpshme e ofenduese për inteligjencën e tyre. Nga brenda PS e akuzuan për imoralitet politik.

VII. Zgjedhjet 2013, Rama në “koalicion me qytetarët” pa LSI…

22. Rama, i paaftë për bashkimin e së majtës, artikuloi më së fundi tezën naive të “bashkimit me qytetarin”, si tezën kryesore të fitores në vitin 2013. Pra tezën e bashkimit të së majtës dhe të koalicionit me aleatët e ka abandonuar. Kjo tezë do të rezultojë argumenti kryesor i humbjes në vitin 2013. Sepse nëse teza e bashkimit me qytetarin do të ishte “veza e Kolombit” për të fituar zgjedhjet 2013, me të drejtë shtrohet pyetja: Përse e kritikoi Nanon në 2005, përse nuk e aplikoi këtë tezë as më 2007-n, kur fitoi, dhe as më 2009-n e 2011-n, kur humbi?

23. Rama, krahas kësaj teze, ka paraqitur si shpikje të tij personale një detyrë që e kanë pasur vazhdimisht prej shumë kohësh organizatat socialiste (OS) (detyrat e OS përcaktohen në Manualin e OS). Konkretisht, Rama propozoi që çdo OS të grumbullojë në QV e saj 20 vota më shumë nga zgjedhësit që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit. Dhe pastaj, me një aritmetikë të shkollës fillore, Rama llogariti se 20 herë 5 mijë QV bëjnë 100 mijë vota, të cilat mjaftojnë për të zëvendësuar koalicionin me LSI. Do të dëshiroja që Rama t’i qëndronte kësaj teze deri në fund.

VIII.    Zgjedhjet 2013, Rama: “Kam marrë masat për mbrojtjen e votës…”?!

24. Rama thotë se do të fitojë më 2013-n dhe nuk do të lejojë t’ia marrin fitoren, pa treguar se çfarë do të bëjë konkretisht dhe pa thënë përse dështoi ta bënte të njëjtën gjë më 2009 e 2011.
25. Rama do t’i shkaktojë PS humbjen e radhës në vitin 2013. A do të mundet Rama pas humbjes më 2013-n të qëndrojë në krye të PS? A mundet Rama të sajojë alibi dhe pretekste të tjera për të justifikuar humbjen e radhës? Rama ka vetëm një shpresë: ta spastrojë grupin kuvendor në limitet që të mos krijohet një masë kritike që do të mund t’i kërkonte të largohej në vitin 2013, bile klientela ta luste prapë të qëndronte në krye të PS, duke tentuar t’i ndryshonte edhe emrin PS, sepse e konsideron tersndjellës.

26. Rama do të largohet, përndryshe do ta largojnë nga drejtimi i PS, ose PS do të çahet. Kështu Rama nuk do të ketë më asnjë shans që të ëndërrojë të bëhet Kryeministër par humbjes më 2013-n.

27. Rama me deklarata e tij te ABC tregon se nuk ka ndër mend të mbajë asnjë përgjegjësi për humbjen e PS në vitin 2013 dhe nuk shqetësohet që socialistët po qëndrojnë gjatë në opozitë. Ai ndihet rehat edhe në opozitë, sepse me klientelën e tij kontrollon partinë e tij të re, që nuk është as socialiste, as demokratike, por vetëm një mekanizëm me të cilin ai mendon se mund të bëhet Kryeministër. Ai ndihet rehat në opozitë përderisa listën e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive/komunave e bën vetë. Ai ndihet rehat në opozitë përderisa me klientelën agresive kontrollon vendimmarrjet e forumeve të partisë. Ai ndihet rehat në opozitë sepse, me sa duket, është aksioner me klientelën e tij që vazhdon të pasurohet.

28. Rama nuk nxitohet për të fituar zgjedhjet për socialistët. Ai ka deklaruar se do të presë gjatë sepse sa më gjatë të presë, aq më gjatë do të qëndrojë në postin e Kryeministrit. Bile tha se i duhen dy mandate si Kryeministër, tezë naive dhe e rrezikshme.

29. Rama konsiderohet përgjegjësi kryesor që “socialistët për 16 vjet (2001-2017) do të duhet të robtohen në opozitë…”, vetëm që “… Rama të bëhet Kryeministër…”. Një brez i tërë socialistësh destinohet të presë në opozitë se Rama largohet vetëm Kryeministër. Sepse pret pushtetin i vetëm. Sepse nuk mban përgjegjësi për asnjë nga humbjet, se ai vetëm fiton, por fitoren ia marrin. Sepse është i bindur se sa më gjatë të rrijë në pritje, aq më gjatë do ta mbajë postin e Kryeministrit. Shpresoj që socialistët të zgjohen e të mos ushqejnë ëndrrën e Ramës për t’u bërë Kryeministër.

30. Rama, pas 2013-s do të kritikohet rëndë për humbjet e PS dhe për sakrificat që u ka shkaktuar socialistëve. Të gjithë të larguarit së bashku me qëndrestarët po organizohen për të zhvilluar betejën e madhe për largimin e Ramës nga drejtimi i PS. Të gjithë janë të bindur se kjo është rruga për të shpëtuar PS, e cila është marrë peng nga një klientelë që po e keqpërdor dhe që mund ta përdorte në mënyrë të rrezikshme partinë e idealeve të tyre dhe votat e socialistëve të ndershëm….

IX.    PS me Ramën në krye mbetet në opozitë; më 2013-n nis beteja për largimin e Ramës…

31. Rama erdhi në krye të PS duke kontribuar së bashku me “Mjaft” për largimin e socialistëve më 2005-n nga pushteti si e vetmja rrugë për të uzurpuar kreun e saj dhe spastruar PS nga të gjithë njerëzit me eksperiencë dhe kapacitete.

32. Rama i ka humbur të gjitha betejat elektorale që u japin mundësi socialistëve të qeverisin vendin. E vetmja fitore në 8 vjet është ajo personale e Bashkisë së Tiranës në vitin 2007. Ky është edhe i vetmi rast kur Rama nuk ka sajuar asnjë alibi për manipulim të zgjedhjeve, ndonëse kishte përballë “regjimin e Berishës”.

33. Rama duhej të largohej më 2009-n nga drejtimi i PS, por sajoi alibinë e vjedhjes së 100 mijë votave në fshat dhe për këtë “vjedhje masive” akuzoi komisionerët e drejtuesit e PS për shitje te “regjimi i Berishës”. Më tej Rama e futi Grupin Kuvendor dhe PS në një seri veprimesh radikale.

34. Rama përsëri humbi në vitin 2011, këtë radhë humbjet e mëdha ishin: i) aleanca opozitare mori 140 mijë vota më pak sesa aleanca qeverisëse dhe ii) Rama vetë humbi Bashkinë e Tiranës duke rezultuar kandidati më i “keq” dhe i vetmi humbës nga 9 bashkitë e mëdha të vendit që ishin socialiste. Këtë radhë Rama sajoi “vjedhjen e votave në kryeqytet” me ndihmën e 10 mijë kosovarëve. Më vonë akuzoi për paaftësi përballë “regjimit të Berishës” juristët e PS. Kjo shërbeu për të vazhduar në mënyrë të kamufluar bojkotin e vendimeve të rëndësishme nga Kuvendi deri në bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.

35. Rama, i frikësuar nga humbja në vitin 2013, ka artikuluar se “do të largohet nga PS vetëm pasi të bëhet Kryeministër” dhe se i duhen dy mandate që të “rilindë Shqipëria”. Pra Rama nuk ka ndër mend të japë në mënyrë të civilizuar dorëheqjen më 2013-n nëse PS humbet. Përkundrazi, Rama “…mendon të sajojë alibi të reja manipulimesh dhe t’ua shpërndajë përgjegjësinë të tjerëve…”. E ndoshta “të fusë PS prapë në një seri veprimesh radikale…”.

36. Me Ramën në krye socialistët do të mbeten në opozitë. Prandaj Rama nuk do të mund të qëndrojë më në krye të PS pas humbjes më 2013-n. Të gjithë socialistët e vërtetë e të ndershëm po organizohen për të zhvilluar betejën e madhe për largimin e Ramës nga drejtimi i PS në rast humbjeje. Të gjithë janë të bindur se do t’ia dalin dhe se kjo është rruga e vetme për të shpëtuar PS nga shkatërrimi. Nuk mund Rama me klientelën e tij të realizojnë “Rilindjen” e Shqipërisë, ndërkohë që po shkatërron PS

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama