SHBA, më datë 1 shkurt 2014, ka dërguar dy mesazhe, të qarta, të sakta dhe tepër të dobishme, e në momentin e duhur për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mesazhet kryesore amerikane janë: i) aspiratat e qytetarëve përsëri po nëpërkëmben nga korrupsioni, nga interesat e oligarkëve, të cilët përdorin paratë për ti marrë frymën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanë dhe median, si dhe për të dobësuar pavarësinë e Gjyqësorit e të shoqërisë civile, dhe ii) qeveria e opozita duhet të bashkëpunojnë realisht për integrimin europian se është tepër vonë. Natyrisht ka edhe disa mesazhe të tjera, të thëna qartas apo që nënkuptohen… Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Mynih, në një Konferencë për Sigurinë, të dominuar nga një "përplasje" midis SHBA-EU dhe Rusisë për situatën në Ukrainë, duke folur jo pa qëllim për Ballkanin, në mënyrë indirekte, por shumë të qartë, ka folur edhe për Shqipërinë. Zoti Kerry ka folur për një dukuri që ka prekur edhe Ukrainën edhe Shqipërinë, ndonëse dallimet midis tyre janë të konsiderueshme, por për sa u përket "interesave të oligarkëve" dhe veprimeve të tyre klienteliste e antiopozitare, Ukraina në Europën Lindore dhe Shqipëria në Ballkan, janë të ngjashme si dy pika uji. Kurse Jonathan Moore, kreu i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin e Shtetit, në një diskutim për Ballkanin ka folur në Uashington në trajtë eksplicite dhe konkrete për Shqipërinë(http://www.zeriamerikes.com/content/moore-kostreci-shqiperia-kosova-ballkani/1842482.html). Kurse Morton Abramowitz, diplomat i shquar dhe ish-zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit, në një artikull për Turqinë, (http://www.washingtonpost.com/opinions/the-united-states-needs-to-tell-turkey-to-change-course/2014/01/23/3525bf52-7eda-11e3-93c1-0e888170b723_story.html) jep këtë mesazh: "…Erdogan është duke i bërë dëm të madh demokracisë turke. Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë të qartë, edhe privatisht, edhe publikisht, se veprimet e tij ekstreme janë duke shkatërruar institucionet politike dhe vlerat e Turqisë, si dhe duke rrezikuar marrëdhëniet SHBA-Turqi…". Nuk është e vështirë të evidentohen edhe ngjashmëri për sa u përket "veprimeve ekstreme" ndaj opozitës, institucioneve, e të tjera midis Turqisë e Shqipërisë, ndonëse dallimet midis këtyre vendeve janë po ashtu të qarta.
1. Mesazhet e SHBA janë jetike dhe në momentin e duhur…
Në Shqipëri është shqetësuese prezenca e interesave oligarkikë, politikë e ekonomikë, në drejtimin e shtetit të cilat kanë përdorur paratë i) për të blerë votat e qytetarëve (shiko raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe videon për zgjedhjet e pjesshme në Korçë); ii) për ti marrë frymën opozitës (reduktimi i opozitës përmes kalimit të deputetëve nga opozita drejt maxhorancës, me qëllim krijimin e maxhorancës së cilësuar); iii) për goditjen dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë (eliminimi i të gjithë figurave të PS nga Ekzekutivi dhe goditja/margjinalizimi i figurave me integritet e eksperiencë politike në PS; iv) për blerjen e medias (promovimi i shumë drejtuesve të medias në poste të rëndësishme të shtetit e institucioneve kushtetuese); v) për të dobësuar pavarësinë e Gjyqësorit e kontrolluar të gjithë vendimmarrjet e saj dhe vi) për të blerë shoqërinë civile. Sipas Njësisë së Inteligjencës së "The Economist", Shqipëria është një "demokraci hibride" dhe që gjatë 2014-s rrezikohet nga "turbullira sociale", ndërkohë që në qershor të këtij viti përgatitet të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Nëse ky shqetësim i SHBA nuk merr një përgjigje të qartë e nuk ndryshon rrjedha e kësaj tendence, shanset janë që hibridodemokracia shqiptare e institucionet e saj të brishta, shumë shpejt të vihen në rrezik dhe të rrezikohen marrëdhëniet me partnerët tanë kryesorë. Njëlloj si në Ukrainë, në Turqi apo gjetiu…
2. Shqipëria dhe Turqia…
Turqia është partnere strategjike e Shqipërisë. Marrëdhëniet e SHBA me Turqinë janë shumë të rëndësishme, madje strategjike. Ish- diplomati i shquar, Abramowitz, duke analizuar situatën e fundit në Turqi dhe rolin e Kryeministrit Erdogan, ndër të tjera shkruan se "…Erdogan ka përshkruar si komplot kundër tij protestat antiqeveritare… Ai ka implikuar partitë opozitare dhe qeveritë e huaja; madje, ka kërcënuar se do të dëbojë edhe ambasadorin amerikan…. Erdogan shfrytëzon akuzat për të shtypur kundërshtarët dhe për të forcuar kontrollin e tij mbi Turqinë…"; këto janë "veprime ekstreme"..sipas Abramowitz. Dhe ish-diplomati amerikan përfundon se "…veprimet e tij ekstreme janë duke shkatërruar institucionet politike dhe vlerat e Turqisë, si dhe duke rrezikuar marrëdhëniet SHBA-Turqi…" Pa dashur të vendos një ngjashmëri apo paralele midis Turqisë e Shqipërisë, nuk mund të mos evokoj jo vetëm retorikën tepër agresive të Kryeministrit shqiptar të sintetizuar në deklarimin e tij të parë publik në kuvend, agresivisht kundër opozitës "prisni, prisni se ende nuk keni parë asgjë…" por edhe një seri veprimesh kërcënuese antiopozitare të tilla i) "ndëshkimi" (term i përdorur prej Kryeministrit) me çdo kusht i ish-ministrit të Mbrojtjes; ii) shkarkimi i kryetares së ILDKP; iii) veprimet për të shkarkuar drejtuesin e SHISH; iv) shkarkimi i drejtuesit të entit rregullator audivizual AMA; v) shkarkimi i menjëhershëm i 12 drejtorëve të Policisë, i të gjithë policisë antikriminale dhe shumë policëve, deri te v) kërcënimet për të shkarkuar Presidentin e Republikës. Ndërkohë që Abramowitz shkruan për Turqinë se "Erdogan ka shkarkuar prokurorë të lartë dhe rreth 3,000 policë në gjithë vendin, duke bërë përpjekje që të rrisë kontrollin e qeverisë mbi një Gjyqësor të dobët, e tjerë e tjerë. Nuk ka asnjë dyshim se në këtë aspekt ngjashmëritë janë evidente.
3. Shqipëria dhe Ukraina…
Fjala e Sekretarit Kerry stigmatizon jo vetëm Europën Lindore, ku bën pjesë Ukraina, për të cilën referimi në Konferencën e Mynihut ka qenë i qartë dhe direkt, por edhe Ballkanin, ku bën pjesë Shqipëria. Nuk ka asnjë dyshim se dallimet midis Shqipërisë dhe Ukrainës janë të konsiderueshme dhe nuk kam asnjë synim të bëj të ngjashme situatat aktuale në të dyja vendet. Por, për sa i përket prezencës dhe "interesave të oligarkisë", si dhe veprimeve të tyre ndaj opozitës, medias, kundërshtarëve politikë, pavarësisë së Gjyqësorit dhe shoqërisë civile, ngjashmëria është e plotë, për të mos thënë se situatat janë identike. Situatat janë aq të ngjashme, sa do ta konsideroja "historik" për fatin e demokracisë në Shqipëri vlerësimin dhe mesazhin e Z.Kerry, që unë e konsideroj të drejtuar qartësisht edhe për Shqipërinë. Shumë nga elementet e përmendura në fjalën e zotit Kerry janë të pranishme në formë më konkrete edhe në fjalën e zyrtarit të lartë, Jonathan Moore. Lidhur me gjuetinë e shtrigave ndaj opozitës, z.Moore deklaron qartas se "Të luftosh korrupsionin, nuk do të thotë që ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. …Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve", duke i hequr, për shembull, çdo lloj alibie ministres së Mbrojtjes, Kodheli, që ka lënë të kuptohet në media se për dosjen e ish-ministrit Imami ka marrë miratimin në Uashington. Dhe z. Moore shton se lufta ndaj korrupsionit duhet ti lihet në dorë Prokurorisë dhe institucioneve të Drejtësisë, kur thotë se "Në Shqipëri ka shumë prokurorë e gjykatës të zotë dhe ata mund të merren me rastet që u parashtrohen atyre, apo kur i ngre organi i akuzës..". Ky qëndrim është në rezonancë të plotë me shqetësimin e z. Kerry se "paratë e oligarkëve po përdoren për ti marrë frymën opozitës e kundërshtarëve dhe për të dobësuar pavarësinë e Gjyqësorit…"
4. Refuzimi i shkatërrimit të armëve kimike, sjellje prej oligarku…
Rasti i vendimmarrjes për shkatërrimin e armëve kimike siriane nga Kryeministri Rama është tipik i një sjelljeje autoritare, të papërgjegjshme, përjashtuese, jotransparente, antidemokratike, thënë shkurt prej oligarku. Propozimi i SHBA për shkatërrimin e armëve kimike nuk arriti të merrte përgjigjen adekuate nga Shqipëria vetëm për shkak të qasjes së gabuar të Kryeministrit, krejtësisht tipike për një vend që dominohet nga interesa oligarkësh. Mungesa e një procesi gjithëpërfshirës me institucionet kryesore të vendit (President, Akademi e Shkencave, universitet e të tjera) dhe faktorët kryesorë politikë (opozita, aleatët kryesorë e të tjera) e jo politikë (shoqëria civile) e vendosi Kryeministrin klientelist të vetmuar përballë publikut. Mungesa e transparencës nxiti negativisht emocionet dhe frikën e qytetarëve që reaguan jo kundër SHBA, por kundër papërgjegjshmërisë e paaftësisë së Kryeministrit për ti shpjeguar avantazhet, përfitimet dhe rreziqet e këtij operacioni. Përballë presionit të publikut, Kryeministri mori gjithashtu i vetmuar vendimin për ti thënë JO propozimit të SHBA, duke fajësuar njëkohësisht SHBA që "nuk arriti ti gjente një vend tjetër, sepse vetëm kështu së bashku do të kishte pranuar propozimin e tyre ???!!!. Me këtë argument cinik ai i jepte njëkohësisht përgjigje edhe publikut se "unë nuk zmbrapsem nga presioni juaj"… ndërkohë që realisht e gjithë vendimmarrja e tij lidhej me frikën e reagimit qytetar. Qasja e gabuar, autoritare dhe antidemokratike e Kryeministrit, bazuar në papërgjegjshmëri, mungesë transparence, gjithëpërfshirje e konsultimi, ka vetëm një shpjegim: qëllimin e Kryeministrit për të akaparuar i vetëm të gjitha meritat e kryerjes së këtij procesi e siguruar më tej marrëdhënie preferenciale me SHBA e personale me Presidentin Obama, në funksion të forcimit të pozitave të tij personale pushtetmbajtëse. Njëlloj siç Abromowitz analizon se "…Erdogan ka shfrytëzuar partneritetin e Turqisë me Shtetet e Bashkuara dhe marrëdhëniet e tij të ngushta personale me Presidentin Obama që ti japë shkëlqim legjitimitetit të tij". Jam plotësisht i sigurt se propozimi për shkatërrimin e armëve kimike siriane do të kishte marrë përgjigjen adekuate, nëse në mendjen e Kryeministrit nuk do të kishte ekzistuar ky synim prej oligarku, që ka dominuar të gjithë sjelljen e qasjen e tij…
5. Interesat oligarke nuk mund të luftojnë korrupsionin e krimin e organizuar…
Kryeministri shqiptar e konsideron luftën ndaj korrupsionit i) ose si gjueti shtrigash ndaj kundërshtareve politike apo për dobësimin e opozitës; ii) ose si një mundësi për të uzurpuar dhe/ose vënë nën kontroll Gjyqësorin; iii) ose si një show për tu hedhur hi syve partnerëve ndërkombëtarë. Kjo është një qasje tipike për një qeverisje, që përfaqëson interesat e oligarkëve. Konkretisht prishja e Policisë anti-krim është bërë vetëm për të marrë në kontroll pajisjen e përgjimeve me të cilën argëtohet Kryeministri, duke dëgjuar se çfarë thonë të gjithë kundërshtarët politikë. Dy ligjet "anti Mafia", të kritikuara ashpërsisht nga SHBA, BE dhe OSBE janë hartuar për të pasur në dorë mekanizma antikushtetues, për të akuzuar kundërshtarët politikë dhe shmangur veprimet e institucioneve përgjegjëse të akuzës. Ngritja e Byrosë Hetimore do të ishte një synim tjetër i mbrapshtë për të paralizuar veprimet e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe zotëruar mekanizmat e përgjimit, frikësimit dhe demaskimit publik të të gjithë kundërshtarëve politikë e opozitës… Kthimi i dy propozimeve të Presidentit për Gjykatën e Lartë janë tentativa të qarta për të blerë apo vënë nën kontroll sistemin gjyqësor. Ndërhyrja në serverin e Tatimeve është një tentativë evidente për të vënë në kontroll bizneset private dhe kontrolluar jetën private të kundërshtareve politikë. Dhe gjithë ky angazhim për interesat oligarke ka bërë të pamundur vendosjen e rendit e të sigurisë dhe luftën kundër dukurive negative; konkretisht z. Moore i kërkon qeverisë që të merret me çështje prioritare, kur ai përmend si shqetësim për shqiptarët e komunitetin ndërkombëtar, Lazaratin, duke thënë se "shteti duhet të vërë të gjithë territorin nën kontroll…".
6. Integrimi europian; jeni vonë për bashkëpunimin real maxhorancë-opozitë…
Shqipëria ka një shans gjeografik, ndodhet në Europë. Është tanimë anëtare e NATO-s dhe mendohet të jetë anëtare e BE në periudhën afatmesme. Klima, burimet natyrore dhe vendndodhja e favorizojnë. Por, për arsye të mosbashkëpunimit politik, procesi i anëtarësimit në BE rezulton i vonuar. Në 2013-n ishte hera e tretë që Shqipëria humbi shansin e fitimit të statusit të vendit kandidat. Para mbledhjes së Këshillit Europian në dhjetor 2013, z. Moore ishte në Tiranë e dha mesazhin "kujdes, mos jepni mesazhe konfuze në Bruksel..". Ky ishte dhe argumenti kryesor që vendet kryesore të BE, Gjermani, Francë, Angli, Danimarkë e Holandë artikuluan me fjalë të ndryshme për mosdhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë. Kryeministri shqiptar në mënyrë të gabuar tha se "statusin e penguan i) ekstremistët që kontrollojnë maxhorancat në disa vende europiane dhe ii) perceptimi se Shqipëria është vend mysliman. Gabim fatal sepse, nëse këto dy argumente do të ishin të vërteta, atëherë statusi nuk do të merret as në qershor 2014. Z. Moore lidhur me këtë çështje, së pari, në mënyrë shumë diplomatike ngarkon me përgjegjësi maxhorancën aktuale kur thotë se "thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Europian mori vendimin". Së dyti, përgjegjësinë në të kaluarën për këtë çështje e ka PS në opozitë dje; z. Moore, konkretisht thotë se "… qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, jo gjithmonë i ka mbështetur hapat që duheshin marrë nga Parlamenti..". Së treti, Z. Moore kërkon që të ndërtohet bashkëpunimi i vërtetë midis maxhorancës e opozitës, sepse është shumë vonë, kur thotë se "…Qeveria duhet të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën, të forcojë mesazhin, që të mos shihet si një parti ose koalicion kundër tjetrit. Dhe ka një farë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo edhe aq. Pra, duhet vepruar sa më shpejt".
7. Në vend të përfundimit; "Zoti Kerry dhe Z. Moore na shpëtoni nga oligarkët…"
Në 1991-shin, kur kërkohej dënimi i përgjegjësve të regjimit komunist, dikush me gjysmë shaka tha se "ish-drejtuesit e regjimit komunist duhet të dënohen jo se ndërtuan komunizmin, siç e predikonin, por se ndërtuan oligarkinë e interesave të tyre të perandorisë komuniste". Para dy ditësh, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, me shumë të drejtë tha në Mynih se "…Aspiratat e qytetarëve janë nëpërkëmbur përsëri nga interesat korruptive të oligarkëve…"; duhet evidentuar fakti që z. Kerry thotë "përsëri" për këto vende ish-komuniste. E përkthyer ndryshe, kjo do të thotë se pas rreth 24 vjetësh nga rënia e Murit të Berlinit, "oligarkia komuniste" në vendet e Europës Lindore e Qendrore, por edhe në Ballkan, është zëvendësuar nga "interesat e oligarkive të krijuara në 24 vjet", nën petkun e ndërtimit të demokracisë dhe integrimit në Europë. Kjo është katërçipërisht e vërtetë, në Shqipëri dhe pa asnjë dyshim askush nuk mundet ta kundërshtojë… Pa asnjë çudi, vura re se kjo fjalë shumë e rëndësishme e njërit prej zyrtarëve më të lartë të SHBA, zotit Kerry në Mynih, me urdhër, jam i sigurt, u pengua të publikohej në median e kontrolluar nga Kryeministri shqiptar, duke dhënë argumentin se në Shqipëri media kontrollohet nga "interesat e oligarkëve". Më tej e vendosa në facebook këtë lajm dhe i kërkova të gjithë miqve ta përhapnin me shpejtësi përmes komandës "share"… Një djalë i ri, që kishte mbaruar Master në Ekonomi në një vend perëndimor, pasi lexoi në anglisht fjalën e John Kerry në site të BBC (Clashes on Ukraine at Munich summit (http://www.bbc.co.uk/news/world-europe-25996453)më dërgoi këtë mesazh në inbox "Ju lutem u kërkoni amerikanëve ta shpëtojnë këtë vend nga interesat e oligarkëve, se përndryshe të gjithë të rinjtë do të largohen nga ky vend…". Mbetem shumë optimist se kjo situatë do të ndryshojë… me pjesëmarrjen, angazhimin dhe reagimin e vetë publikut…