Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nje zgjidhje e thjeshte per 'nje pergjigje shume te thjeshte'

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Nje zgjidhje e thjeshte per 'nje pergjigje shume te thjeshte'

Para disa ditësh, ambasadori amerikan botoi një shkrim për punët tona, të cilave ne s’po u japim dot udhë vetë. Besoj se kushdo prej neve të letrave e kemi për detyrë morale që ta mbajmë të tërhequr vëmendjen e publikut në të tilla raste. Këtu më poshtë unë po bëj pjesën time në këtë drejtim.

Ç’prej kur kam filluar të studioj historinë e këtij vendi, kam vënë re një gjë të veçantë midis të huajve që, detyra, rasti apo funksioni, i ka bërë të kenë kontakt me të. Të huajt që kanë të bëjnë me Shqipërinë, shpejt ndahen në dy kategori, në ata që e dashurojnë këtë vend dhe bëjnë të pamundurën ta ndihin; dhe në ata që pas një jave zënë ta urrejnë e s’shohin ditën të ikin e ta harrojnë. Kategori të mesme nuk më ka zënë rasti të njoh jo vetëm në historinë e 100, 70 a 50 vjetëve të shkuara, por edhe ndër të huajt e këtyre 20 vjetëve të fundmë. Indiferentë nuk kam parë kurrë. Ndoshta një vend si ky i yni, plot ngjarje e pasione të forta, plot bukuri e kundërshti, nuk e lë dot indiferent njerinë.

Megjithatë, shpjegimi i kësaj gjëje është tjetër punë që s’ka vend këtu. Këtë shpjegim e bëra për të futur ambasadorin Arvizu në një prej kategorive dhe, për nder të tij, më rezulton të jetë ndër ata që e ka ngrënë grepin, është dashuruar me këtë vend dhe tani ka ngecur brenda e s’ia del dot të dalë. Kur zbriti sefte në tokën tonë, rrinte rëndë-rëndë, përpiqej t’u mbahej rregullave të ngrira të diplomacisë dhe i bënte këto ndoshta edhe për të ndryshuar imazhin që na kish lënë paraardhësi i tij, Withers, një tjetër amerikan që u dashurua me këtë vend, e që iku duke psherëtirë se s’ia doli të gjente mekanizmin si dreqin ndreqet ky vend.

Por nuk zgjati shumë, pak e nga pak edhe Arvizuja e la mënjanë ftohtësinë dhe u hyri në themel punëve tona, u përzje me to, diku edhe përveshi mëngët, diku lëvdoi njërin e shau tjetrin, aq sa erdhi dita tani që aq shumë është përzierë në punët tona, sa ç’do gjë e presim prej tij. Arvizuja tha kështu për këtë punë, Arvizuja takoi ministrin, Arvizuja shkoi në Shkodër të vizitojë ujësjellësin, Arvizuja inspektoi policinë, Arvizuja mblodhi prokurorët. E mira e kësaj pune është se ai tashmë e njeh në majë të gishtave vendin dhe politikën tonë dhe e di se si bëhet ky vend. E keqja është se nuk e bën dot. Nuk e bën dot, sepse ia tërheqin kapistallin nga Amerika dhe i thonë: bëj ambasadorin dhe jo guvernatorin. Po ka edhe më keq, ndoshta mund edhe t’i thonë: bëj ambasadorin siç të themi ne dhe jo siç është e vërteta atje ku të kemi çuar. Dhe kur vjen ky moment, është më i keqi për çdo njeri që ka shpirt, dhe ambasadorit i mbetet vetëm një rrugëdalje, t’i lërë të gjitha, t’i kthehet kullës së ambasadës dhe të flasë që andej me shkrime moralizuese, ku e mira dhe e keqja janë thjesht kategori teorike, ku i miri dhe i ligu ekzistojnë, por s’kanë emër.

Pak a shumë kështu i takon të flasë vetëm Papa. Ai e ka humbur pushtetin në Tokë dhe ka vetëm një fuqi: përmes fjalës t’u kujtojë vdekatarëve se kush është e mira e kush e keqja; t’u bëjë moral të duan njëri-tjetrin dhe vendin e tyre se, edhe përmes dashurisë zgjidhen të gjitha. Ky është morali, moral sublim madje, por që ka vlerë vetëm në gojën e një njeriu që nuk i ka më mjetet për ta imponuar atë mbi grigjën e njerëzve.

Mirëpo Papës vërtet i takon të flasë kështu, se nuk është më pjesë e sherreve të njerëzve që gëlojnë poshtë, ndërsa ambasadori e ka humbur këtë shans që ditën kur, i dashuruar me këtë vend, përveshi mëngët dhe hyn në çdo hall e problem tonin. Tani ai nuk bën dot më ambasadorin e paanshëm, e të na thotë se po ju flas vetëm për parimin, pasi jam aq lart sa nuk i shquaj dot hollësitë e ndodhive tuaja atje poshtë. Si çdo dashuri që kalon përmes prekjes, edhe dashuria e tij për këtë vend kaloi përmes prekjes së njerëzve dhe halleve të tyre dhe tani ai e di shumë mirë se pse nuk bëhet ky vend. Por s’e thotë dot.

Por ja ta zëmë se, ashtu sikundër ndodh me dashnorët që një ditë i lë mendja, edhe ambasadorin Arvizu e lë mendja dhe ulet e i thotë një për një me emër e mbiemër kush është i miri e kush i ligu, ç’duhet bërë e ç’nuk duhet bërë në këtë vend. Mos kujtoni se do shërbejë për gjë kjo? Asfare. Natyrisht që do t’i vijë një telegram nga Amerika, ku i thonë bëj valixhet e kthehu në shtëpi.

Po ja ta zëmë se edhe ata të Washingtonin lojtën nga mendtë dhe e lejuan t’i thotë gjërat troç. Mos kujtoni se do shërbejë për gjë kjo? Prapë, asfare them. Nëse sot të gjithë ata që i kanë gjërat në dorë, bëjnë sikur e dëgjojnë e “nxjerrin mësime të vlefshme nga këshillat e tij”, nesër kur ai t’u bjerë në kokë, do i kthehen e do ta bëjnë për një lek. Do i thonë se ne jemi vend sovran dhe nuk pranojmë këshilla nga askush, do i nxjerrin të bëra e të pabëra deri sa, o t’i mbyllin gojën, o ta zhvleftësojnë aq sa fjala e tij të vlejë për njërin krah ndërsa për krahun tjetër ai do trajtohet si i shitur.

Bash për këtë kategori, mbreti gjerman, Oto, i Greqisë, një shekull e gjysmë më parë, kur ia sollën në majë të hundës gjithë dallkaukët ballkanikë që e rrethonin, krijoi maksimën që është po aq aktuale edhe sot e gjithë ditën: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Njësoj siç bëmë ne me mbretin tjetër gjithaq gjerman, Vidin, që e përzumë në krye të gjashtë muajve se demek na preku në din e në vatan, pastaj ia bëmë vetë varrin vatanit. Apo ashtu sikundër bënë meksikanët me perandorin austriak, Maksimilian, para një shekulli që deshi t’i qytetërojë dhe që ata e pushkatuan për tradhti (!!!) dhe pastaj u grinë e hëngrën njëri-tjetrin. Historia është plot me shembuj të tillë të huajsh mirëdashës, që kanë dashur me të mirë të ndreqin vende të prapambetura, por që nuk ia kanë dalë dot. Ashtu sikundër është plot edhe me shembuj të kundërt, kur të huajt ia kanë dalë të ndreqin vende si ky i yni, por për këtë është dashur që të përdorin dhunën kundër zulmës së dallkaukëve që zënë për gryke popullin e vet. Anglezët qëmoti kanë qenë mjeshtër të kësaj pune dhe, jo më kot vendet që kanë dalë nga Perandoria e tyre Koloniale, sot kanë zënë udhën e qytetarisë të sigurta.

I nderuar ambasador, vjen dot të bësh guvernatorin fuqiplotë në këtë vend, por me dajak në dorë ama? Unë i pari do ngrija dorën për këtë punë, duke kujtuar edhe vjershën e vjetër të një tjetër shqiptari të mirë e pro-amerikani të fortë, imzot Nolit, që këndonte “Mbahu nënë mos ki frikë/se ke djemtë në Amerikë”. Pa me letra e këshilla, historia nuk njeh që ndonjë tiran të ketë lënë pushtetin. Nuk po kërkoj ndonjë çudi, thjesht po përsëris atë që shqiptarët e thjeshtë kërkuan më 1918-n, të ishin yll i shtuar në flamurin e Amerikës, kërkesë që aq shumë e çuditi Presidentin Willson; apo ashtu sikundër e kërkuan sërish 70 vjet më pas, më ‘97-n; dhe siç do vazhdojnë ta kërkojnë sa herë që një satrap i paudhë do i ketë vënë poshtë e ata s’ia dalin dot ta zbresin vetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama