Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si i flitet murit?

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 12 vite më parë

Artan Lame
Si i flitet murit?

Vjet, kur Bashkia e Tiranës i hyri me sëpatë Parkut të Liqenit për të zgjeruar Rrugën e Elbasanit, u mobilizua një qytet i tërë për të kërkuar llogari për këtë marrëzi. Bashkia u mjaftua të deklaronte se ata që ishin kundër projektit ishin komunistë të pandreqshëm(!). Kërkuam me ngulm që, përpos të tjerave, të bënim edhe një debat televiziv për këtë çështje, ku të dyja vizionet të përplaseshin, por ishte e pamundur. Asnjëherë bashkia nuk pranoi të çonte përfaqësues të vetët në një tryezë mediatike, me gjithë përpjekjet e bëra nga gati të gjithë drejtuesit e emisioneve të debatit. E vetmja që ia doli, megjithëse jo plotësisht, ishte Rudina Xhunga. Në tryezën e “Shqipit” të saj, pranuan të vijnë dy përfaqësues publikë që mbronin projektin e bashkisë, por edhe këta nuk ishin punonjës të brendshëm të bashkisë. Si të tillë, flisnin në përgjithësi dhe tirrnin llafe në erë dhe, sa herë gjendeshin ngushtë shkisnin duke thënë se këto janë pyetje për bashkinë dhe ne s’jemi punonjës të saj. Pra, sidoqoftë, edhe ai debat mbeti i mangët me gjithë përpjekjet e Rudinës.

Kaloi një vit dhe jemi sërish në të njëjtën situatë. U miratua Plani Rregullues i Tiranës dhe po bëhen dy muaj që atëherë dhe asnjë debat televiziv nuk është bërë për këtë çështje që do të ndikojë në jetën e çdo tiranasi për dy dekadat në vijim. Sërish të gjithë drejtuesit e televizioneve – të paktën deri tani – kanë dështuar të detyrojnë përfaqësues të Bashkisë Tiranë të ulen në një debat televiziv për çështjet e debatueshme të Planit. Këtu nuk bëhet fjalë për të dalë burrë i bukur në televizor unë apo kushdo tjetër që e konteston atë marrëzi që i kanë vënë emrin Plan, por për të përmbushur një detyrim minimal ndaj publikut: të kenë kurajën të mbrojnë publikisht atë që kanë bërë.



Bën vaki dhe nuk e përjashtoj se, për pika të veçanta edhe ne që e kundërshtojmë Planin mund ta kemi gabim, ndaj në një debat publik vlen të sqarohemi edhe ne për këto pika. Nga krahu tjetër ka vetëm heshtje, heshtje e plotë, e zezë dhe absolute, e cila prishet vetëm për të bërë nga një deklaratë bajate sa herë ne deklarojmë të tjera hynere të Planit.

Së fundmi, një javë, ditë të shkuara, zoti Basha “u përball” në studion e “Opinionit” me Blendi Fevziun. Vetëm për vetëm, pa askënd kundër, po sidoqoftë edhe kjo duhet zënë si goxha kurajë për Bashën. Ja qaj hallin Fevziut teksa do të jetë përpjekur t’i nxjerrë frikën Bashës për të shkuar në studio vetëm për vetëm.

Edhe në atë emision pa palë, gjysmën e kohës Basha e kaloi duke më përmendur apo cituar pjesë sipas midesë nga shkrimet e mia. Ia di për faleminderit Fevziut që, për korrektesë gazetareske, u detyrua të bënte avokatin tim disa herë në atë emision, por kjo prapë nuk e çliron atë nga detyrimi që në tryezën e emisionit të tij të them edhe unë fjalën time. Po nejse, halli im nuk është ky, por Plani, ai që Lavdosh Ferruni në një shkrim të tijin e quante jo “Plani Rregullues”, por “Plani Çrregullues”.

As unë dhe askush nga kundërshtarët e Planit Rregullues, as nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, nuk kërkojmë të vijë në një studio vetë kryetari i bashkisë, megjithëse edhe kjo në një vend normal do të ishte një detyrim normal i një të zgjedhuri publik. Le ta zgjedhin vetë studion që duan dhe nivelin e përfaqësimit që duan, nënkryetari i bashkisë, drejtori i urbanistikës, shefi i sektorit, apo qoftë edhe roja i derës së bashkisë, nuk kemi asnjë pretendim, mjaft që të jetë dikush nga bashkia dhe që flet me përgjegjësinë e institucionit që përfaqëson.

Mirëpo ka ardhur një kohë kur ti thuaj ç’të duash, ku të duash dhe sa të duash, një ditë do të lodhesh dhe do ta lësh këtë punë. Ka kohë që po vihet re ky fenomen ku, në rastin e çështjeve ku pushteti e ndien veten të zbuluar, i bie shkurt, nuk paraqitet fare nëpër debate publike, duke i vënë të gjithë përpara faktit të kryer. Kjo është një shpikje e re e pushtetit për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe përballjes me publikun, mos shko fare dhe lëri të grijnë sallatë sa të lodhen. Dhe e gjitha kjo nuk është as çështje paaftësie, demek nuk dinë të flasin para kamerave, as se njerëzit e debateve janë ndonjë specie e zgjedhur që s’u dilet dot përpara. Puna është shumë e thjeshtë. Duke mos pranuar të përballesh, duke mos pasur palë, debati shuhet vetvetiu dhe, sado që gazetat e televizorët të përpiqen ta mbajnë ndezur një çështje, kjo, vjen një ditë, dhe bëhet e pamundur.

Kësaj udhe i janë futur edhe në këtë rast, duke harruar se zullumi që kanë bërë me atë Plan është aq i madh, sa nuk mund ta hedhin lumin duke u fshehur prapa mureve të bashkisë dhe duke u lutur që të harrohen.

Sa për kujtesë. Po mbushet viti nga barbaria ndaj Parkut në rrugën e Elbasanit dhe sot atje gjithçka është braktisur. U prenë rreth 800 pemë dhjetëravjeçare, u shkatërrua mbi një hektar nga Parku, u shkatërrua rrethimi dhe një pjesë e Parkut Historik të Pallatit të Brigadave, u rrënuan dy fortinot-kulla në skajet e këtij rrethimi, edhe ato monument kulture dhe atje tani mbizotëron vetëm braktisja. Ka mbi 6 muaj që kantieri është braktisur pa zot dhe nuk punon njeri. I gjithë ai shkatërrim është nën sytë e të gjithëve, çdo ditë si një dallgë barbarie e pakuptimtë ndaj qytetit.

Ndodh që e keqja, pasi na kalon përsipër si dallgë, na bën të harrojmë sesi kanë qenë gjërat më parë dhe ambientohemi me të. Ndaj për të mos harruar, po ju sjell këtu një foto sesi ishte ajo rrugë kur për të nuk kujdesej njeri dhe sesa na kushtoi shurdhëria dhe mosreagimi kur për të “u kujdesën” barbarët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama