Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shkaperdaret e Atdheut!

Shkruar nga: Sokol Lleshi  
Botuar më: 17 vite më parë

Sokol Lleshi
Shkaperdaret e Atdheut!

Nëse më parë, gjuha e bjerrur dhe njëherësh e ngurtë totalitare përdorte njëherazi Atdheun, që nuk mund të ishte vecse i begatë, përherë në zhvillim të pandaltë dhe popullin, tashmë përkrah qytetarit është rikthyer Atdheu. Individi do te duhet të gjejë lirinë e tij, vetëplotërinë e tij tek ky nocion abstrakt përherë e më pak i prekshëm gjithnjë e më tepër i rrejshëm. Eshtë një mënyrë komunikimi dhe ligjërimi politik krejt i ri në truallin e Shqipërisë së sotme, mpleksja mes Atdheut dhe Qytetarit.

Nëse ka ndonjë risi Politika e Re e Partisë Socialiste lidhet me këtë kundërvënie të sikletshme mes Atdheut, që bën bashkë tërë qytetarët pa kurrfarë ndasie, ca mund të jenë tradicionalë, fetarë, pronarë tokash, e ndoca laike, moderne, ushtrues profesionesh të lira që përcmojnë hierarkinë apo privilegjet, socialistë, liberalë, konservatorë, apo anarkistë, dhe Individit duke i thënë se më së pari je Qytetar i Atdheut, në te kundërt do të mbetesh një shkapërdar i kësaj toke. Pikërisht për këtë arsye deviza e Partisë Socialiste, që mbase do të duhet të rishikojë emrin e vet meqënëse mëton të përfaqësojë jo vetëm socialistët por qytetarët e Atdheut, është përtej të majtës dhe të djathtës drejt një bashkimi të ri të gjithë shqiptarëve. Pervecse një trajtë e populizmit më ngjan të jetë dhe një rrugë e menduar jo fort mirë, herë- herë kontradiktore, për të ndryshuar mënyrën e të bërit politikë në vend. Në një kohë kur duhet të rritet përfaqësimi politik, kur duhet të përvijohen më drejtë cfarë shtresash perfaqësojnë partitë që më së shumti janë ngatërruar në personalizmin e politikës sesa kanë ndërmarrë politika, bëhet thirrje për një bashkim të ri, ku në vend që të rritet demokracia pjesëmarrëse që të kthehen mirëfilli partitë në instrumenta të qytetarëve por dhe të ideve kërkohen lista të mbyllura, në vend të parlamentarizmit mbizotëron partitokracia. E pra, Atdheu zë e flet dhe qytetarët heshtin. Sakrilegj të mos bashkohesh për një të Ardhme më te mirë të Atdheut!

Përballë një ligjërimi të tillë politik, që nuk përmban asnjë doktrine apo grimë ideologjie përvecse ca fjalë dhe ndjenja të bëra bashkë si trajtë e politikës Anti-Politikë, të shprehur që në krye të herës prej Partisë Socialiste të pas 3 korrikut 2005, po shfaqet së fundmi përpjekja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përfaqësuar atë cka ajo e cilëson si e Majta e vërtetë duke këmbëngulur të bëjë dallimin midis socialistëve dhe udhëheqësve të tyre. Madje më teper se kaq, në Konventën e tyre të fundjavës u shpreh haptazi mëtimi për të marrë udhëheqjen e të majtës shqiptare. Pavarësisht arsyeve të hamendësuara, të vërteta, të pathëna apo jo për këtë ndarje mes dy partive kryesore të së majtës, apo retorikës së mirëkuptuar për të mos patur asnjë mëdyshje për suksesin e kësaj nisme të re, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon të mbarte e vetme memorien historike të së majtës shqiptare, duke vepruar në rrafshin e politikës së simboleve dhe miteve themeluese apo shenjuesve kohore të identitetit të majtë përkundër dyzimit identitar të Partisë Socialiste dhe rendjes së saj drejt tërë qytetarëve të Atdheut.

Ndonëse deri para pak kohe të folurit publik i Ilir Metës apo përfaqësuesve të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim sillej rreth praktikes së zakonshme të personalizmit të konfliktit apo etiketimit të kundërshtarëve, që megjithatë nuk është zbehur ende, tashmë po përvijohet deri diku një identitet i dallueshëm i majtë i kësaj force politike në krahasim me Partinë Socialiste. Filloi të flitet për shembje të privilegjeve të një grushti njerëzish, për mundësi dhe mirëqenie për të tërë, për pensionistë, për të rinj, për politika mjedisore, për rritje të nivelit të arsimimit, dhe pak ose aspak për sipërmarrjen, për pronarët apo për të përndjekurit. Ndryshe nga qytetari të cilit i drejtohet Partia Socialiste, i cili mjafton të jetë nënshtetas shqiptar i zhgënjyer nga politika dhe shpresëshumë për të ardhmen, qytetari të cilit i drejtohet Lëvizja Socialiste për Integrim përvecse shqiptar do të duhet të jetë dhe ca i majtë. Mbetet për t'u parë nëse do të ndryshojë apo jo sjellja politike e Partisë Socialiste pas pretendimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të përfaqësuar ajo të majten apo thirrjet për një Bashkim të Ri përtej të Majtës dhe të Djathtës do të dëgjohen deri në zgjedhjet e vitit 2009. Sikurse do të duhet të presim për të kuptuar nëse qytetarët shqiptarë opozitarë do të zgjedhin mes politikës Anti-politikë të ngritur kundër shkapërdarëve të Politikës që Përbaltën Atdheun apo Përfaqësimit politik të interesave të tyre. Mes iluzionit të gënjeshtërt dhe reales.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama