Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

Mentor Kikia u bë nismëtar i një gjëje të madhe, që besoj se as atij vetë nuk ia kish marrë mëndja se do gjente aq shumë ndjekës. Përhapi një e-mail ndër njerëz për t‘u mbledhur në një diskutim për çështjet e mjedisit. Kur u mblodhëm në sallën e Institutit të Arteve, na u duk çudi pastaj që u bëmë aq shumë. Kish aty profesorë e studentë, dashamirë e analistë, të gjithë të mbledhur me preokupimin e trefishtë: Asnjëherë më parë natyra shqiptare nuk ka qenë e masakruar më keq se sot. Asnjëherë më parë politika shqiptare nuk ka qenë më e papërgjegjshme se sot për mjedisin që duhet të qeverisë. Asnjëherë në histori, mjedisi shqiptar nuk ka qenë më pranë se sot afër pikës së moskthimit.

Siç e do zakoni i Shqipërisë, kur bëhet fjalë për gjëra që i takojnë botës së qytetëruar që nuk para mbijnë kollaj në shkëmbin e kokave tona, edhe në lindjen e kësaj nisme kishin gisht amerikanët, domethënë nja dy punonjës të ambasadës së tyre që ishin edhe në sallë. Por me ç‘më panë sytë, sa shumë qemë ne shqiptarët e mbledhur atje, them se kjo mund të jetë e para herë që të huajt mund të shërbejnë vetëm si të ftuar të mirëpritur dhe jo si nxitës të domosdoshmë.

Krijuam në atë sallë një organizmë që i vumë emrin "Korpusi i Vullnetarëve". Të mos u duket çudi ky term gjysmë ushtarak. Si e kemi katandisur këtë vënd, vetëm me vullnet ushtrie e me helmetë në kokë, mund t‘i bëhet dermani. Do thoni ju, se ç‘do të bëjmë ne, sado shumë të jemi, në një vënt ku qeverisnin barbarët. Se ç‘do bëjnë të tjerët unë se di, po radhën e parë që do mblidhemi të protestojmë për katrahurën e mjedisit, unë do vij të zë me gurë Xhuvel e xhuvelërinë.

HALLI I HALLEXHIUT

Bie shi dhe është mbrëmje vonë, ndërsa po shkoj në Rinas për punë të miat. Në të hyrë të parkimit të Aeroportit, siç e ka parë kushdo që ka qenë atje, është një nga ata trarët elektronikë që bllokojnë rrugën dhe t‘i duhet të tërheqësh biletën pa të hysh. Hap xhamin dhe teksa bëj të zgjas krahun, nga mesi i shiut të ftohtë, afrohet me nxit një figurë njerëzore rreth të 50-ave, që bën punën e rojës aty. Ai shtyp butonin, nxjerr biletën dhe nxiton të ma japë. Teksa e falënderoj, më njeh si fytyrë dhe nxiton të më thojë gati me të lutur: "Mirmrama shefo. Po ça keni me Salën që i bini aq fort? Lejeni i çik. A morët ju gjith ato vite, lejeni t‘mori dhe ai tashti. Pastaj do ju vij radha prap juve". I buzëqesh, mbyll xhamin dhe shkoj.

Ky mavri me bojë, heq e vuan në shi, erë e errësirë, për 200 mijë lekë në muaj dhe, në vënd të shohë hall‘ e tija, ka hall që s‘po lenë Salinë të vjedhë!!! Saliu as i ka bërë derman, e as ka për t‘i bërë as për 100 vjet, e prapë ai s‘luan nga e tija. Me ç‘duket, ende shumë prej shqiptarëve, shohin të zgjidhin vetë e t‘u pëllcasë buza me hallet e tyre, pa pritur t‘u bëjë derman njeri a qeveri dhe pa dashur të kuptojnë që qeveria ekziston bash për këtë punë: të merret me hallet e tyre. Ndërsa këto, politika e qeveria, mbeten për ta thjesht çështje tifozllëku, që nuk lidhen gjëkund me gjendjen reale të tyre. Pastaj vazhdojnë të vuajnë njësoj kokulur, duke patur si argëtim të vetëm ndeshjen sportive të skuadrës së tyre politike. Lus Perëndinë që shqipëtarët e këtillë të vazhdojnë të rrallohen, siç edhe po ngjet.

PAKICAT SEKSUALE

Ca ditë më parë, u mblodh në Tiranë një Konferencë për të drejtat e Pakicave Seksuale. Për ata që nuk e kanë mësuar ende shqipen e asocim-stabilizimit, jua them në shqipen që dimë të gjithë, se bëhej fjalë për të drejtat e homoseksualëve femra e meshkuj, pasivë e aktivë, lesbike, heteroseksualëve, kriptoseksualëve, e ku di unë ç‘tjetër. Deri këtu, dukemi bajagi evropianë.

Kish në konferencë shumë të ftuar, kishte edhe përfaqësonjës të lartë të shtetit shqiptar, drejtorë e zëvendësministra, kishin ardhur edhe plot të huaj që, pas konferencës, u nisën për Bruksel të raportojnë se edhe në fushën e mbrojtjes të të drejtave të pakicave seksuale, Shqipëria jua mbërriti standardeve evropiane. Mirë edhe kjo.

Po për të drejtat e fëmijëve që lypin te semafori, për 10-vjeçarët që nxjerrin mineral në Rrëshen, për 7-vjeçarët që nuk shkojnë në shkollë se janë në gjak, po për të drejtat e kalamajve te kopshti i time bije që lozin brenda dhomës se i ka dalë pronari oborrit, për të drejtat e fëmijëve që shkojnë në shkollë duke kapërcyer lumin varur në tel, për të drejtat e të gjithë këtyre kur do vijnë xhaxhat nga Brukseli të bëjnë konferencë? Jam dakord ta bëjnë Konferencën edhe te "Sheratoni", se nuk pretendoj ta bëjnë as te kopshti i sime bije, se atje kalamajtë janë kapicë dhe, as te shkolla matanë lumit, se ju lagen kostumet kur të kalojnë lumin me tel.

Ndërsa pres në shkretëtirë që dikush të më përgjigjet, më vijnë zërat e seksual-pakicë-mbrojtësve që më thonë: Është detyrë e shtetit të merret me këta të tjerët, detyra jonë është kjo e seksualëve. Jo zotërinj, nuk më kuadron kjo llogjikë. Pakica seksuale ka patur jetë e mot Evropa. Por as më 1700-ën as më 1800-ën e as më 1900-ën, askush nuk merakosej me të drejtat e tyre. Dhe kjo, jo se nuk e dinin që ekzistonin, por se shoqëria kishte emergjenca të tjera, kishte urinë, kishte shkollimin, kishte ditën tetëorëshe, kishte sëmundjet, e plot të tjera. Vetëm pasi shoqëritë evropiane zgjidhën këto probleme të mëdha - dhe u deshën nja 2 a 3 qind vjet t‘i vënë në udhë, vetëm pas kësaj filluan ta kthejnë kokën nga problemet jo më ekzistencialiste, por të dinjitetit, ku bëjnë pjesë edhe këto të të drejtave të pakicave seksuale.

Duam a s‘duam, na pëlqen a s‘na pëlqen, jemi aq mbrapa Trenit të Evropës, sa vetëm me dylbi arrijmë të shquajmë vagonin e fundit të tij që shkon përpara me nxitim. Madje edhe dylbia nuk është e jona, por na e jep Evropa hua, sa për të parë trenin. Gënjejmë veten duke menduar se do mbërrijmë trenin me të tilla akrobacira që, përveçse nuk jua zgjidhim hallin shumicës së hallexhinjve, fëmijë e të rritur, të këtij vëndi, por edhe jua rëndojmë ca më shumë, kur në vend që të merremi me hallin e tyre, merremi me atë të ca të paktëve që as e di njeri sa janë.

E kini vënë re që prej shumë vjetësh në Shqipëri nuk duken më shoqata e donatorë të huaj për gjëra që kemi vërtet nevojë, por vijnë plot të tjerë për gjëra që ne as emrin u kemi mësuar. Vijnë plot të na flasin për të drejtat e të burgosurve, për të drejtat e kafshëve, për të drejtat e të gjitha llojeve të pakicave, por nuk vjen askush për gjëra që i takojnë të drejtave të shumicës. Arësyeja është e thjeshtë. Jo se nuk duan, por se në vëndet nga ata vijnë, problemet që kemi ne nuk ekzistojnë më dhe strukturat private a publike që duhej të merreshin me to, nuk ekzistojnë më. Nuk besoj se ka më në Holandë shoqatë për mbrojtjen nga ngujimi të fëmijëve, siç nuk besoj se ka në Gjermani shoqatë për ushqimin e fëmijëve të braktisur.

Kjo që bëjmë ne, është sikur astronautit të anijes kozmike që po niset në Mars, t‘i kërkojmë ndihmë e t‘i themi: "Usta, a ke një copë lëkurë e ca spango, se më është grisur samari i mushkës". Ai i shkreti, për të mos na fyer, do na përgjigjet me ato që i ndodhen: "Lëkurë s‘kam, po na këtë procesorin dhe këtë kompjuterin, se mos të bëjnë punë!".

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama