Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shqipni tavolinash

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 17 vite më parë

Artan Lame
Shqipni tavolinash

METODA E DEKURAJIMIT

Para ndonjë viti, kam shkrojtur për vëllanë e një shokut tim, i cili i ishte nënshtruar kokulur regjimit të ikjes së dritave. Kur ato ndërpriteshin, ai pa bërë zë ndizte qirinjtë, mbulohej me batanije dhe fillonte të luante me një lojë elektronike me bateri. Kjo, çdo ditë nga ora 17:00 deri më 19:00, kur dritat vinin prapë. Asokohe atë e sillnja si shembull të fitores së shtetit mbi njeriun që nuk rebelohej më. Mirëpo dalëngadalë shteti filloi ta humbasë prapë davanë me njeriun. Pas një farë kohe shteti kuptoi që nuk kursente më nga ky sistem i prerjes së dritave, pasi njerëzit filluan të përshtaten me regjimin e ikjes së dritave dhe t‘i spostonin punët e tyre në oraret kur vinin dritat, duke e kthyer periudhën e ikjes së dritave në kohë gjumi po të qe pasdite, apo xhiroje po të qe paradite.

Shteti bëri mbledhje dhe vendosi të marrë masa. Nga diskutimet u arrit në përfundimin se nëse do të zgjatej orari i prerjes së dritave, nuk do të kishte prapë asnjë përfitim, pasi sidoqoftë njerëzit do t‘i grumbullonin punët e tyre në ato orë që do të kishte drita. Madje, edhe sikur t‘i prisnin dritat për gjithë ditën, prapë nuk do kishin përfitim, pasi njerëzit do të ktheheshin në krijesa nate, duke i transferuar të gjitha punët e tyre natën, kur do të kishte drita.

Pasi u diskutua gjatë, zgjidhja u gjet, u vu në funksionim dhe sot po e heqim në kurriz të gjithë. Tani dritat priten pa një orar të përcaktuar. Një ditë ikin në orën 11:30, një ditë në orën 13:10, një ditë tjetër nuk ikin fare, pastaj ditën tjetër në 10:20, e kështu me radhë. Duke mos e ditur se kur ikin dritat, shumë njerëz as që i futen një pune që mund t‘ua ndërpresë apo çojë dëm ikja e dritave pa asnjë paralajmërim. Në një farë mënyre, kjo është një lloj lufte e shtetit me popullin e vet. Njerëzit që duan të punojnë dhe shteti që përpiqet t‘jua presë punën në mes, t‘jua shkatërrojë, t‘i shkurajojë. Nëse metoda e vjetër mund të quhej "metoda e orarit", kjo e sivjetmja mund të marrë emrin shkencor "metoda e dekurajimit". Edhe kësaj radhe shteti ja doli të fitojë kundër popullit të vet.

EPOKA

Te revista "MAPO" shkoj çdo të mërkurë për të çuar shkrimin e javës. Si çdo radhë, ngjita shkallët edhe atë ditë dhe ju drejtova njërit prej kompjuterave, për të lënë aty shkrimin e gatshëm. Sa po filloja të shtypja në tastierë, vura re që përsipër monitorit ishte ngjitur një qiri i fikur, nga i cili kishin rrjedhur edhe nëpër ekran vija parafine të shkrirë, të cilat më pas ishin përpjekur t‘i kruanin, megjithëse ende shquheshin mbi xhamin e ekranit. Pyes faqosësin se ç‘donte ai qiri mbi kompjuter dhe shpjegimi qe i thjeshtë. Revista kishte një gjenerator që funksiononte kur iknin dritat por, meqenëse ai nuk ishte shumë i fuqishëm, e kishin lidhur vetëm me kompjuterët. Dhe, për të mos ndenjur vetë në errësirë, përdornin qirinj.

Nuk besoj të ketë rast tjetër në faqe të globit, ku të vazhdojnë të funksionojnë bashkërisht kompjuteri dhe qiriri. Nuk them "të qëndrojnë bashkë", pasi bashkë mund të qëndrojnë ngado, edhe në Nju Jork apo Paris, ku mbi kompjuter apo pranë tij mund të vendosin për dekor një shandan me qirinj që nuk ndizen kurrë. Po them "të funksionojnë bashkë", domethënë të ndizen bashkë, kompjuteri për të radhitur një revistë të shekullit XXI dhe qiriri që i bën dritë radhitësit si në kohë të Gutenbergut në shekullin XV.

PERVOJA

Të dielave zakonisht jam bujtës për drekë në shtëpinë e prindërve të mi. Ndërsa unë shfletoja ca revista të vjetra, dëgjoj tim atë që, ndërsa ndiqte emisionin e lajmeve, psherëtinte nga dhoma tjetër: "Jalla, mos gjeçi derman!" Ç‘ka ndodhur, e pyes, ndërsa po mbaronte transmetimi i një lajmi, ku ministri i Energjetikës deklaronte se gjendja e rezervave ishte përmirësuar dhe se qeveria ndjehej optimiste për sezonin e dimrit. Babai më përgjigjet: "Kam vënë re se, sa herë qeveria deklaron se janë mirë, domethënë se do ikin dritat, ose që po fillon një tjetër fushatë kufizimesh". Ka përvojën e jetës im atë, të krijuar duke dëgjuar të paktën gjysmë shekulli dëngla qeverish. E nesërmja i dha të drejtë babait tim.

RINGJALLJA

Shumë vjet më parë, mbaj mënt të kem lexuar një libër për folklorin dhe për transmetimin e kujtesës orale nga njëri brez në tjetrin. Atje, autori argumentonte se në kohët e shkuara, përrallat, ngjarjet, poemat e ndodhitë, transmetoheshin nga njëri brez në tjetrin, nëpërmjet rrëfimit dhe përsëritjes pranë vatrës së zjarrit. Mbrëmjeve njerëzit, në mungesë të argëtimeve të tjera, tregonin e ritregonin ndodhi e ngjarje që kështu fiksoheshin mirë në kujtesë dhe që, duke u ritreguar transmetoheshin edhe nga të rriturit e pleqtë te brezat e rinj. Pak a shumë, ky ka qenë për mbi tri mijë vjet mekanizmi i transmetimit të kujtesës orale, në mungesë të librit të shkruar. Epoka moderne, me argëtimet dhe aktivitetet mbrëmësore, me radion fillimisht dhe më pas edhe me televizorin, e ndërpreu këtë traditë mijëvjeçare. Askush, edhe në fshatin më të humbur, nuk mblidhet më mbrëmjeve të tregojë historira e të recitojë poema. Askund fëmijët nuk rrinë më në mbrëmje pranë etërve e gjyshërve të dëgjojnë diskutimet e tyre dhe kështu të fiksojnë edhe kujtesën e brezit të mëparshëm. Dukej si një epokë e mbyllur njëherë e përgjithmonë, por...

Para pak ditësh, pashë se si po ringjallej ky mekanizëm i lashtë i kohëve homerike. Gjendesha në shtëpinë e një mikut tim dhe, meqë kishin ikur dritat, prindërit e tij të moshuar po tregonin ca historira me kurbetllij Stambolli. Miku im, i kthehet të atit dhe i thotë: "Lëreni k‘të muhabet, se na çmëndët". Pastaj, duke u kthyer nga unë: "Po kto histori kanë ç‘do darkë kur ikin dritat. Le të tjerat, po ngaqë i përsërisin ç‘do natë, i kanë mësuar edhe kalamajtë dhe i tregojnë edhe në kopsht".

Miku im ishte i mërzitur që fëmijët po mësonin histori të vjetra dhe jo më nga këto modernet me Simpson e Sailor Moon, ndërsa unë ndjehesha i lumturuar në sedrën e studiuesit. Kisha parë të ringjallur një mekanizëm transmetimi të kohës së Mujit dhe Halilit dhe kjo, jo në shekullin XIII, por bash në shekullin XXI. I lumturuar siç do të ndjehej zoologu që do të shihte të ringjallur një dinozaur. Ngazëlleja nga kënaqësia intelektuale, që po më dhuronte shteti im, duke më kthyer njëherësh 7 shekuj pas. Faleminderit o shtet i shqiptarëve!

DRITAT E BURGUT

Më 30 prill 1943, në zonën e Tiranës përreth Burgut ikën dritat. As nuk ikën vetë, e as i hoqën italianët për të kursyer. Ikën sipas një plani të përcaktuar mirë, që parashikonte ndërprerjen e dritave, për të lehtësuar arratisjen e një grupi të burgosurish politikë. Kabllin e furnizimit të lagjes e preu Myslym Keta, i cili në kujtimet e veta shkruan: "U përpoqëm dy orë për ta prerë atë kabëll, pasi ishte shumë i trashë dhe s‘këputej për qamet". Lym Keta ka hyrë në histori si atentator dhe sabotator i famshëm, në këtë rast për një kabëll. Kushedi se sa heronj të heshtur fshihen midis nesh që kemi tash 15 vjet që hedhim në erë shtylla të tensionit të lartë, djegim transformatorë e vjedhim kabllo për bakër!

Si për ta bërë edhe më sureal krahasimin, Lym Keta shton: "Italianët kishin vënë kabllo të trasha, që të mos kishin dëmtime linjat, për të mos i dhënë shkas popullit të ankohej ndaj pushtuesit". Fatkeqësia jonë sot është se duke jetuar në ditët e ndritura të demokracisë, nuk kemi më pushtues ndaj të cilit të ankohemi për ikjen e dritave, kështu që qeveria mund të na i presë pa qeder sa herë të dojë.

Nga ana tjetër, kujton Sotir Karapanço, një nga të arratisurit e asaj nate: "Italianët u alarmuan menjëherë nga prerja e dritave, pasi ishte një gjë që ndodhte shumë rrallë". Atëherë pushtonjësi kujdesej të mos iknin dritat, ndërsa sot, prerja e dritave është gjëja më e rëndomtë që na shoqëron gjatë ditës. Në kujtim të asaj dite, në murin rrethues të Arkivit të Shtetit, është vendosur një pllakë përkujtimore. 60 e kusur vjet më parë, një e ikur dritash shkaktonte aq telashe, sa të përkujtohej me pllakë mermeri. Sot nuk do na mjaftonte mermeri i gjithë botës për këtë punë.

Kujt i duken të pabesueshme këto radhë, le të lexojë kujtimet e dy heronjve që përmenda më sipër, apo le të marrë udhën te rruga e Burgut të shohë pllakën e mermerit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama