Erion Braçe mund të ngjasë në shumë gjëra me Ismail Qemalin, po këtu do t‘u shpjegoj vetëm se ku ndryshon nga ai. Eqerem bej Vlora shkruan se një herë, ca barinj të maleve të Vlorës, që ziheshin për punë bagëtish që ja kishin vjedhur njëri-tjetrit, zbritën e shkuan tek Ismail Qemali, aso kohe Kryeministër, dhe i thanë gjithë seriozitet: "Ismail bej, ç‘thotë Evropi për bariun tonë?". Ç‘t‘u thosh Plaku i Vlorës, t‘u thosh që kini rrjedhur nga mëntë, apo të vinte duart në kokë e të qante me kuje? I ra shkurt dhe heshti, duke e mbajtur dëshpërimin brënda. Dhe barinjtë u kthyen në male te bagëtitë e vjedhura, të qetë që Evropi nuk kish thënë gjë për ta.
Kështu edhe këta barinjtë tanë të shekullit XXI, dolën të qetë në televizor e thanë se "Banka Botërore nuk tha gjë për ne, kështu që jemi në rregull". Po pse ore, ç‘priste Saliu me Olldashin, mos prisnin që Presidenti i Bankës Botërore, që është mes 5 a 6 njerëzve më të fuqishmë të Globit, të ngrihej e të thosh "Shikoni, se Saliu është hajdut, se ka një dhëndër që është si i vjehrri dhe e ka emrin Jamarbër dhe që është burri i Argitës dhe ka edhe një ministër që është edhe gënjeshtar edhe i paburrë, se nuk pranon të dalë në debat në Tiranë?!" Pse ore, këtë prisnit ju të thosh Presidenti i Bankës Botërore, pa të thonit se, aha e paskan pasur me ne! Po pse ore, ç‘e di Olldashi Presidentin e BB-së, çapaçul si veten? Mjaft që ky burri i Bankës, që flet vetëm me presidentë e mbretër, që takon a s‘takon nja 5 veta në javë, u ngre e doli në konferencë shtypi mes Uashingtonit dhe përmëndi bashkë fjalët "Shqipëri" dhe "skandal", që pas kësaj çdo shqiptari t‘i vijë turp nga vetja, ndërsa ne rrimë e dëgjojmë edhe Salinë kur thotë se nuk e kishte me ne!
Por, do thoni ju, s‘na the ku ndryshon Erioni i Beratit nga Ismail beu i Vlorës. Po ja pra, Ismail beu nuk bëzajti nga budallallëku i barinjve të vet, ndërsa Erioni po përpiqet me letra e dokumente t‘u mbushë edhe mëndjen barinjve të sotmë se Banka Botërore e kishte me ta. Ndoshta ka të drejtë Erioni që mundohet, se ndryshimi i vetmë mes barinjve të 1913-ës dhe barinjve të sotmë, është se ata të atëhershmit nuk i prishnin dot shumë punë vëndit se rronin në male, ndërsa këta të sotmit i kemi deputetë e ministra, madje njërin syresh e kemi edhe Kryeministër. E kuptoni se sa kemi hecur së prapi midis fillimit të shekullit XX dhe fillimit të XXI-tit?!
FTESE
Vite më parë, kur me Projektin e Jugut merreshin socialistët, Saliu zuri një avaz nga ata që i thotë thjesht për të thënë edhe ai të tijën: "Ky është projekti i kryemafiozit Fatos Nano". Kohët ndryshuan, Nano shkoi në punë të vet, Saliun e akuzuan me gisht dhe ai, pa ndërruar dyfekun, u mjaftua të ndërronte vetëm tabelën e qitjes. Hoqi Nanon dhe vuri Ramën: "Projekti është i Ramës, që ka 40% të tokave të Jalës". Sipas të njëjtës hierarki, edhe Olldashi ndërroi tabelën dhe deklaroi se projektin e anulluam se kishte vjedhur tokat Artan Lame. Unë isha në shtëpi në hallet e mia dhe papritur, mësova se qënkësha hajdut i Jalës.
Që Olldashi lëpin sahanët e Saliut është punë e tija, që është i paburrë se nuk ja mbajti asnjëherë të zinte në gojë Nanon siç bënte dikur, edhe kjo është punë e tija, por nuk e kisha menduar aq të paburrë sa të më përmendëte emrin, o nga tribuna e Kuvendit ku unë nuk i përgjigjem dot, o nga tribuna e ministrisë së vet, ku edhe atje s‘i përgjigjem dot. E kanë provuar tre televizione që ta bindin të vijë në debat e të përballemi, po s‘ka pranuar. Po e ftoj prapë këtu faqe botës, të vijë se s‘ja kam borxh. Ky Olldashi në këta katër vjet, u zhyt në bajga deri në fyt. Tani, që era e asaj ç‘ka bërë, qelbi dynjanë e s‘mbante më, shkoi Banka Botërore, e pa ku qe zhytur dhe bëri raport për këtë. Për ata që si puna e tij, janë zhytur deri në fyt, ka vetëm një mënyrë për të shpëtuar: të zënë e t‘u hedhin bajga të tërë atyre që janë rrotull dhe kështu të duken të gjithë të lyer si ata. Dhe kështu ka zënë e më bie mua.
KRIMINELLEN
Ndërsa shkruaja këto radhë, mu desh të shihja një hollësi në internet. Për shpejtësi futa emrin tim në "Google" dhe po kontrolloja rezultatet, kur papritur më ngriu gjaku. Diku shkruhej gjermanisht: "Die tourismus... des kriminellen Artan Lame, der für ...". Unë gjermanisht nuk di, po nuk besoj se do ditur gjermanishtja për të kuptuar ç‘thuhej aty. Natyrisht, gjermani merr lajmet tona, i kthen në gjuhë të vet dhe kështu emri im po lundronte tani anekënd botës. Hej mor Sokol Olldashi ç‘më bëre, thashë me vete dhe i futa një të sharë vënçe. Duke qenë mirë e bukur dhe papritur e gjen veten "kriminellen", vetëm e vetëm se një palo olldash do të shpëtojë kokën e vet.
T‘i hyj e ta kthej shkrimin tim edhe unë në gjermanisht, më duket pa vënt dhe s‘ja kam ngenë, le pastaj që gjermanët do mjaftohen të thonë "hë mo, punë albanezësh", dhe mua më rroftë që u përpoqa 40 vjet që ta mbaj fytyrën të pastër.
PROJEKTI I MUSTAFA KRUJES
Në të njëjtën ditë që po e harxhonja me olldashërira si këto që ju përshkrova më sipër, më vjen një lajm nga Roma. Atje ka dalë në shitje në ankand një majë prej bronzi të larë në ar, që mban një shqiponjë dykrerëshe të kurorëzuar me Përkrenaren e Skënderbeut, nga ato që shërbenin për t‘u montuar në majë të shtizës së flamurëve, siç mund ta shihni edhe në foton që më dërguan nga Roma. Eshtë e prillit 1943, pikërisht e momentit kur italianët, nën presionin e autoriteteve shqiptare, u detyruan të hiqnin nga simbolet kombëtare shqiptare të gjitha referencat fashiste dhe mbretërore të Savojave. Kështu u hoqën fashot, sëpatat, si edhe kurora e Savojave, duke mbetur vetëm shqiponja me përkrenaren. Kishte qenë kurorëzimi i përpjekjeve gati njëvjeçare të punës së Mustafa Krujës, asokohe Kryeministër. Në foton tjetër, paraqitet pikërisht momenti i atij prilli të largët të ‘43-shit, kur flamujt e rinj po merren në dorëzim nga ushtria shqiptare, të pastruar nga simbolet fashiste dhe, majë shtizës së flamurit, shihet maja prej bronzi që tani po del në ankand në Romë.
Dhe tani pas 65 vjetësh, kushedi se si, kjo shenjë kombëtare me zhgabë e përkrenare, del në dritë nga ndonjë raft i vjetër në Romë dhe përfundon në ankand. Kushton 650 euro. Kujtimi i kohëve të shkuara dhe i përpjekjeve të atyre që kanë qenë para nesh, e meriton që kjo relikë Shqipërie të kthehet në vend të vet. Po kush ta sjellë se? Apo të shes ndonjë copë nga pronat që, sipas Olldashit, kam në Jalë dhe të futem në ankand? U ndjeva bosh së brendi, i zhytur në pafuqinë e këtij vëndi që s‘ja doli asnjëherë të mos qeveriset nga barinjtë e maleve! Kjo pafuqi më mërziti më shumë se të gjitha llafet e odashërinjve të marrë bashkë.
Megjithatë, harrojini të gjitha llafet e sotme dhe, nëse mund të më ndihë kush për ta kthyer në Shqipëri atë shqipen e bronztë, le të më thojë sa ka ende kohë atje në ankand.
Ndryshimi i vetmë mes barinjve të 1913-ës dhe barinjve të sotmë, është se ata të atëhershmit nuk i prishnin dot shumë punë vëndit se rronin në male, ndërsa këta të sotmit i kemi deputetë e ministra, madje njërin syresh e kemi edhe Kryeministër
Mjafton që Presidenti i Bankës, që flet vetëm me presidentë e mbretër, që takon a s‘takon nja 5 veta në javë, u ngre e doli në konferencë shtypi mes Uashingtonit dhe përmëndi bashkë fjalët "Shqipëri" dhe "skandal", që pas kësaj çdo shqiptari t‘i vijë turp nga vetja