Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Klubi i Selanikut

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 16 vite më parë

Artan Lame
Klubi i Selanikut

Dje nuk e humba kohën kot, po shkova drejt e në gazetë të LSI-së të shoh fjalimin e Metës për punë të Gërdecit. Më thosh mëndja që, meqë edhe LSI-ja kish mbledhur capak njerëz para Kryeministrisë, Meta do i kish zbrazur të gjitha bateritë kundër Saliut, se zaten edhe parullën e kishin patur "Berisha ik". E marr në dorë gazetën, e hap anë e më anë, po sefte thashë se mos më kishin gabuar e më kishin dhënë ndonjë gazetë të Fahri Balliut. Po si ia pashë edhe një herë titullin në faqe të parë, ju vura ta këndoj prapë. Mirëpo lexova e lexova, po vetëm Sali nuk gjeta aty. Fund e krye halli ishte tjetërkush: "Rama kështu e Rama ashtu. Rama i këtillë e Rama i atillë. Rama ka bërë këtë e Rama s‘ka bërë atë". Po Saliu mor aman, Saliu s‘ka bërë gjë? Si e mbaron njeriu atë gazetë, po ta kenë lënë mëntë e t‘i zërë besë, nuk i mbetet gjë tjetër për të bërë, po të shkojë para Kryeministrisë e të thërrasë "Rama ik", paçka se aty brënda binasë është Saliu.

Shakatë e fatit janë të çuditçme. Se ja, për sa duket e pabesueshme, pas tri muajsh, mbushen plot 100 vjet nga korriku i 1909-ës, kur Çajupi shkrojti Klubin e Selanikut. Edhe Andon Zakoja një shekull më parë, ashtu si unë njëqind vjet më pas, kish mbetur gojëhapur kur dëgjonte Mehdi benë mbledhur në Klubt, që nuk merrësh të lëvdonte Shqipërinë po Turqinë. Edhe i përmblidhësh Çajupi beut me fjalë e mallkime: "T‘u thaftë goja more beu ynë. Të plastë koka more beu ynë. Të paskan lënë mëntë more beu ynë. Po qënke më turk se turqit more beu ynë. Po si s‘the një fjalë për Shqipërinë more beu ynë. Hiq dorë nga fanatizma e mirr qytetërinë e Evropit që ndriçon botën, zbukuron mëndjet, zbut zakonet. Ndërroni mëndjet të mejtohi dhe të silli si evropasit, në doni të rroni në mes të Evropësë".

Eh Çajup ç‘më bëre! M‘i more llafet të gjitha që para një shekulli, e s‘kam ç‘them unë sot, paçka se për një çast u gjënda me të njëjtin hall tëndin.

SISTEMI

Atë mbrëmje vonë, gazetarja doli gjithë gëzim nga shtëpia e Ministrit, duke shtrënguar në xhep kasetën e inçizimit. Po nuk qe e thënë që çdo gjë të shkonte mbarë. Rrugës për në zyrë, kaseta e vogël i kish rënë nga xhepi dhe çdo mund e përpjekje i vajti dëm. Pa kasetën, ministri mbeti prapë ministër. Vazhdoi të mburrej për sukseset e Ministrisë, vazhdoi të punësonte vajza të tjera për në panaire, vazhdoi të fitonte projekte publike në institutin privat, vazhdoi të mburrej si anëtar i KOP-it, vazhdoi të kandidonte në zgjedhjet e ardhshme si deputet i suksesshëm, vazhdoi të jepte leksione dhe të merrte në provim, vazhdoi të plotësonte deklaratën e pasurisë, vazhdoi e ç‘nuk vazhdoi. Të gjitha këto gjëra të paligjshme, u ndërprenë jo se funksionoi shteti dhe mekanizmat e veta, por se gazetares nuk i humbi kaseta e incizimit rrugës për në punë. Dhe ca kanë kurajën të merren me gazetaren se ku e shkeli e ku e teproi.

Po, e ka shkelur dhe e ka tepruar gazetarja, por më zgjidhni këtë hallin e madh më përpara dhe pastaj hajt të merremi edhe me të shkelurën e saj. Nuk më thoni dot që ai e pagoi atë që bëri, se halli im nuk është ai dhe ministërllëku i tij, halli im është i gjithë shteti dhe sistemi që nuk funksionuan, e as që ka funksionuar ndonjëherë. Halli im është te Komisioni i Shërbimit Civil, te Komisioni i Kontrollit të Pasurive, te Drejtoria e Auditit të Brendshëm e të Jashtëm, te ligji i konfliktit të interesit, te ligji i rekrutimeve, te ligji e stërligji, që nuk funksionuan.

Kur të kemi dënuar edhe të gjithë këta të tjerët që paguhen, majmen e nuk bëjnë punën, atëherë le t‘i vijë radha edhe gazetares që bën punën pa u paguar nga paratë tona. Nëse ministri nuk do ishte filmuar, sot do e kishim prapë ministër, ndërsa po të funksiononte sistemi, nuk do qe e nevojshme të filmonim mbërtheckat fshehuriçkazi, se as do ish bërë dot ministër. Hajt të ndreqim sistemin, se po t‘ia dalim ta ndreqim, ndoshta gazetarja do ta ketë të vështirë të gjejë kë të filmojë.

SORKADHJA

Lum ata që nuk i panë nëpër gazeta fotografitë e atyre dy sorkadheve të plagosura që gjahtarët u kishin lëshuar qentë t‘i mbysnin. Ca më të lumtur, ata që nuk e panë në televizor videon e këtij akti barbarësh të egjër. Dy gjahtarët me çifte krahut dhe me celular në dorë që, pasi i kishin plagosur dhe thyer këmbët dy sorkadheve, u kishin lëshuar qentë dhe i filmonin ndërsa qentë u hidheshin kafshëve të gjora, derisa i mbytën mes gjakut që u rridhte, kockave të thyera, blegërimave të tmerrit dhe përpëlitjeve të agonisë. Dhe ata dy burrave kjo u dukesh argëtim aq i madh, sa ta regjistronin dhe ta shpërndanin.

Sorkadhet, që ishin në këngët e shqiptarëve në kohët e vjetra, ndërsa nuk u mbijetuan dot shqiptarëve të kohëve moderne. Sorkadhet, që janë kafshë e rrallë e vendosur nën mbrojtje të shtetit që në vitet ‘60, atëhere kur rregjimi nuk kish mëshirë për njerëzit, por mbronte sorkadhet ama. Ai çift sorkadhesh ndoshta ishte i fundmi i mbetur gjallë pas shkatërrimit të pyjeve ku ato kanë rrojtur për mijëra vjet. Kishin gjetur strehë diku atje majë gërxheve të maleve të Librazhdit, të tmerruara nga avancimi i njeriut dhe, zemërtrembur në të ftohtin e malit, përpiqeshin të mbijetonin dhe të nxirrnin në jetë këlyshët e fundëm. Që tani që ju vranë prindërit, do kenë pritur më kot duke blegërirë në vetminë e malit, gjithnjë e më dobët, derisa do kenë ngordhur urie e së ftohti. Dhe atyre burrave e gjitha kjo u dukej argëtim. Që mos e hëngshin atë mish, e u zëntë fytin sa t‘u dalin sytë e t‘u bien përdhe, e mos i gjeçin më!

Futa fjalën "sorkadhe" në internet, për ta shoqëruar shkrimin me një foto. Në miliarda zëra dhe foto që përmban rrjeti, gjeta vetëm një fotografi sorkadheje në Shqipëri, njëzë të vetme. Provojeni, nëse ju duket se e ekzagjeroj. Për më tepër, edhe kjo sorkadhja që gjeta, është në Shqipëri, por nuk është shqiptare. Gjendet në një restorant në Llogora ku, i zoti i lokalit, i ka blerë që të vogla në Greqi dhe i ka sjellë e i rrit në Llogora. Në Shqipëri, sorkadhet nuk i gjen më, ose kanë mbetur vetëm në përralla dhe në këngë, ah po, edhe duke u dalë shpirti në atë videon e atyre dy burrave. Mos kujtoni se fituam ne njerëzit, jo. Natyra e merr hakën ndaj çdo krimi që i bëjmë ne.

I kam mallkuar me shpirt ata palo gjahtarë dhe u lus edhe juve t‘i bashkoheni mallkimit tim, se kështu do t‘i zërë me siguri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama