Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Instituti i medias i Kosovës një shkollë e re e gazetarisë

Shkruar nga: Mendimi i lirë  
Botuar më: 16 vite më parë

Mendimi i lirë
Instituti i medias i Kosovës një shkollë e re e gazetarisë

Instituti i Medias i Kosovës (IMK), i mbështetur nga Komisioni Evropian, në fillim të këtij viti ka lansuar kursin e parë të gazetarisë me diplomë. Ky institut është themeluar nga përfaqësuesit e mediave të Kosovës dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë dhe gëzon mbështetje nga Instituti për Shoqëri të Hapur. Kursi ka zgjatur tre muaj, me nga katër orë në ditë. Të gjitha ligjëratat janë mbajtur në qendrën e këtij instituti në Prishtinë, e pajisur me radio dhe TV studio, një dhomë montazhi dhe një dhomë kompjuteri. Instituti Medias nisi para dy vjetësh, si një përpjekje për t'i ndihmuar mediat dhe gazetarët. Sot, nga shumëkush, cilësohet si "një shkollë" e gazetarisë. IMK-ja (http://imk-ks.org/) ka një strukturë multietnike të trajnuesve duke qenë gjithëpërfshirëse, ku janë të anëtarësuar më se 42 media vendore. Instituti në fjalë shihet si një shtyllë mbështetëse për mediat, tashmë kur gjendja e tyre në Kosovë është e vështirë. Sepse, shpeshherë, mungon pavarësia dhe nuk ka një konkurrencë të ndershme. Shumë segmente të ndryshme janë të interesuar të kenë interesa politike e partiake. Ka edhe media për të cilat nuk dihet se nga financohen dhe se si mbijetojnë. Disa media të tjera nuk u përmbahen standardeve etike.

 Atyre u mungon gazetaria profesionale. Dhe për këtë që nga paslufta disa institucione ndërkombëtare kanë financuar kurse dhe trajnime gazetarësh. Kursi i fundit i organizuar nga IMK ka qenë i fokusuar në prodhim (produksion) dhe në disa sektorë medial. Gazetaria Televizive. Është thënë se zemra e televizionit publik është informacioni. Ndërkaq kursistët e IMK-së kanë pasur rastin që nga ligjëruesit Ilire Zajmi- Rugova (RTK) dhe Biroll Urgjan (KTV) të mësojnë praktikisht si funksionon një studio televizive, cila është puna e reporterit "Live" a e korrespondentit virtual, tendenca gazetareske këto që praktikohen në gjigandet televizive CNN dhe BBC etj. Struktura e lajmit dhe hulumtimet vizuale kanë qenë thelbi i ligjëratave.

Gjithashtu,janë shpjeguar elementët bazë të gazetarit dhe bashkëpunimi i ndërsjellë me montazherin dhe kameramanin, që bashkërisht përbëjnë një ekip televiziv. Gjatë ligjëratave praktikisht është parë se si bëhet hyrja e një lajmi në televizion (Intro) dhe si duhet shmangur stereotipat dhe zhargonet gjuhësore Apo, përse duhet përdorur folja e tashme dhe fjalët e thjeshta. Ndërsa, materiali bruto (xhirimet bruto), materiali që nuk lëviz (steelframe), përgatitja e storjeve televizive, kronikës, lajmit, prezantimi në TV, qëndrimi para kamerës, kanë qenë tema që janë zbërthyer veçanërisht në këto ligjërata. Leksionet kanë përfshirë mënyrat e qëndrimit para kamerës Stand Up, telepromterin, inskrajperin, si shkruhet me pamje për televizion dhe si duhet përdorur në fillim të storjes shembujt njerëzorë (Human Example). Përkthimet nga gjuha e huaj dhe voice over-i, set up- pamja përgatitore, dinamika, mimika, pakoja e gazetarisë, janë ushtruar nga vetë kursistët etj. Po ashtu, në ligjërata janë dhënë instruksione për magnetoskopin - pjesën që lëshon raportin të regjisori i lajmeve, kufjet dhe mikrofonin e vogël (Bubëmikrofoni).

Puna e gazetarit është të ndjekë jetën e lajmit (Follow up story). Gjatë mësimeve janë dhënë shpjegime për dallimet në mes të prezantuesit (news caster) dhe folësit (news reader). Të gjitha këto, kursistët kanë pasur rastin të shohin praktikisht në studio të TV-së në IMK, të pajisur me teknologji moderne, kamerë "Sony" DV Cam, miksetë, ekrane kompjuterësh, mikrofon, etj. Njashtu ata kanë mësuar për programet kompjuterike të montazhit Avix Express etj. Kamera. Kameramani Fatmir Bajrami (RTK) ka dhënë leksione mbi TV xhirimet, si funksionon kamera, kuadrimet, sekuencat, fokusimi, DV Cam, etj. Ai ka folur edhe për Irisi-n, Neë Finder-in, Gro-Planin dhe planet e tjera, për Schvenkun, Zoom In dhe Zoom Out. ENG kamera është ajo e terrenit.

Kursistët kanë mësuar për kohëzgjatjen e kuadrimeve. Janë dhënë sqarime për Schvenkun, Frame-n, për pamjet e brendshme enterier dhe ato të jashtme exterier. Njëra nga temat e rëndësishme ka qenë renditja logjike e kuadrove filmike. Sepse gjithnjë duhet pasur kujdes për ta zgjuar kureshtjen e shikuesit me pamje dinamike. Set up short (hyrja), pamja e ngushtë (zoom), dhe si duhet marrë sa më shumë pamje filmike nga vendngjarja, kanë qenë shpjegimet e gjerësishme të ligjëruesit. Shkathtësia në radio. Shaban Arifaj (RTK), Sebiha Ramaxhiku (Radio Dukagjini), Rabisha Muhaxhiri (RTK) janë tre nga ligjëruesit që kanë dhënë leksione për radio produksionet.

 Kursistët kanë mësuar si punohet në një redaksi të radios, cila është historia e radios dhe për format bazike të gazetarisë: shtypin, agjencitë e lajmeve, TV dhe Radiot. Është thënë se Promo-ja të jetë esenciale për një emision special dhe shpesh duhet përmendur sigla e radios. Gjatë ligjëratave ka pasur improvizim të një konference për shtyp, ku kanë qenë pjesëmarrës dy zëdhënësit e Policisë së Kosovës, Veton Elshani dhe Arbër Beka. Bazuar në leksionet, normalisht një emision informativ në radio do të zgjaste 15 minuta, ose dhe më shumë. Praktikisht janë bërë ushtrime për leximin profesional në radio, dallimet në mes TV-së dhe radios, informacionet për kategoritë gazetareske (lajm i thjeshtë, i zgjeruar, raporti, kronika, kronika e zgjeruar, analiza, komenti, shënimi, reportazhi).

 Në ligjërata janë shtjelluar zhanret e gazetarisë (informative, analitike, dokumentare). Respekti për mikrofonin dhe "kriza e vëmendjes" kanë qenë tema që janë dhënë shpjegime. Në leksione janë praktikuar edhe llojet e emisioneve në radio: emisionet e kombinuara dhe ato klasike etj. Të gjitha këto ushtrime janë kryer në studio të radios në IMK, e cila është e izoluar që të mos dëgjohet zhurma e jashtme, e pajisur me pajisje të teknologjisë "Sony", mikseta, mikrofona, programe kompjuterike të montazhit: Edit Cool, Sound Forge etj.

 TV redaktimet dhe Montazhi. Ligjëruesi Abelard Begu (Radio "Ylberi") ka dhënë leksione për pjesën e montazhit, atëherë kur gazetarët kthehen nga terreni. Si radhitën filmimet dhe kohëzgjatja e Timecodeve dhe përzgjedhja e pamjeve filmike, deklaratave dhe citateve, kanë qenë tema që janë shpjeguar. Gjatë ligjëratave janë bërë ushtrime për montazh, grafikë, titra, sfondin e zërit, dinamikën e fotografisë, në video miksetë, audio miksetë etj. Në leksione është thënë se në modelin e TV BBC-së pamjet filmike montohen me Lips steak. Leximi i tekstit mbi fotografi dhe bartja e video materialit në kompjuter (Capture) etj., janë ushtruar praktikisht nga kursistët. Po ashtu, janë përdorur programe kompjuterike të montazhit për TV Avid Liquid, TV Avix X Press etj. Duhet theksuar se janë dhënë praktikisht leksione edhe për montazhin në radio, që realizohet përmes programeve kompjuterike Edit Cool Pro, Sound Forge etj.

Të shkruarit në gazetari. Zenun Çelaj (Zëri) dhe Kelmend Hapçiu (IMK dhe Kosovalive) kanë shpjeguar për artin e të shkruarit. Janë dhënë pyetjet, të cilat duhet të kenë përgjigjen: Çka? Kush? Përse? Kur? Ku? Ani çka? Gazetari duhet praktikuar teknikat përkatëse të shkrimit dhe piramidën e përmbysur, sepse kështu do të joshte lexuesin. Kursistët kanë mësuar rreth përdorimit të diktafonit, radhitjes së shkrimit, për kreun e lajmit etj. Janë bërë ushtrime praktike në dhomën e kompjuterëve të IMK-së për të shkruarit në seri (Update) në agjencitë elektronike të lajmeve. Gazetaria hulumtuese dhe etika në media. Etikë e gazetarisë dhe gazetaria hulumtuese janë ligjëruar nga Ardian Arifaj, ish- redaktor në "Koha ditore" dhe këshilltar politik në ICO.

Gjatë leksioneve është konstatuar se etika është shpirti i gazetarisë dhe gazetari duhet të ketë edukatë profesionale që të mos bëjë gabime. Tematika të tjera, që janë sqaruar hollësisht, kanë qenë burimet e informimit se pse duhet përmbajtur etikës gazetareske. Gazetaria është në shërbim të qytetarit dhe gazetarët duhet të distancohen nga gazetaria e dobët, joprofesionale. Në raste shkrimesh hulumtuese, patjetër duhet balancuar palët dhe burimet. Gjatë ligjëratave për gazetarinë hulumtuese janë dhënë shpjegimet për burimet e hapura dhe ato të mbyllura etj.

 Të gjitha këto ushtrime janë bërë në dhomën e kompjuterëve të IMK-së. Fotogazetaria. Ligjëruesi Afrim Spahiu (profesor universitar) ka dhënë sqarimet për llojet e fotografive që përfshijnë: modën, martesën, reklamën, pejsazhin, kafshët e egra, arkitektura, fotografitë e studios, portretin etj. Gjatë ligjëratave ka pasur leksione si funksionojnë llojet e objektivëve dhe përse shërben ISO-ja e kamerës. Leksionet kanë shtjelluar tema të tjera lidhur me matjen e dritës, historinë e fotografisë, përfshirë këtu edhe emrat emblematikë të historisë së fotografisë shqiptare, si Pjetro Marubi, Gjon Mili etj. Të dhënat për fotografitë digjitale dhe analoge, diçiturat, fotokromakia etj, kanë qenë pjesë e shpjegimeve të hollësishme. Kursistët kanë mësuar praktikisht për aparaturën fotografike, për Çip-in, Senzorin, Fotosenzorët CCD, për kamerën Mavika që është para e prodhuar në Japoni, për Irisin, Blendin e diafragmën etj. Kursistët kanë punuar praktikisht me objektiv (Vizir), flakërues (Blic), ekran, thjerrëzat e fotografimit etj.

Në ligjërata është folur për objektivët e veçantë, sikurse syri i peshkut (fisheye). Postproduksioni i fotografisë në kompjuter, laboratori, printeri, kartela grafike, kanë qenë tema që janë shtjelluar hollësisht në kurs. Është konstatuar se në mediat shqiptare, shpeshherë, nuk tregohet autorësia e fotografisë dhe se në Kosovë ende nuk është e zhvilluar në nivel të kënaqshëm fotogazetaria. Intervistimi. Teknikat e intervistimit janë ligjëruar nga Mustafa Balje (RTK) , i cili ka dhënë leksionet si realizohet një intervistë që nga kontakti i parë me bashkëbiseduesin deri te publikimi i saj. Në leksione është folur për format që aplikohen në gazetarinë moderne. Para kursistëve janë bërë improvizime praktike të të intervistuarit. Përgatitja e pyetjeve për intervistë dhe "Plani B" i gazetarit, si dhe leksionet e tjera, kursistët i kanë mësuar praktikisht nga ligjëruesi në një sallë konferencash të IMK-së, të mobiluar dhe me pajisje përkatëse. Raportimi mbi ekonominë.

Ligjëruesit Ibrahim Rexhepi ("Express") dhe Naim Gashi ("Kosovalive") kanë dhënë leksione rreth fjalorit ekonomik dhe si gazetarët duhet të bashkëpunojnë me sindikatat e punëtorëve, shoqatat e bankave, shoqatat hoteliere etj. Fokusi i ligjëratave është vënë në shkrimin e lajmeve ekonomike, në dallimin në mes të reklamës dhe shkrimit të mirëfilltë gazetaresk për ekonomi. Po ashtu, është folur për elementet për Bussines Reporting dhe Economic Reporting. Leksionet kanë vazhduar në përgatitjen e kokës së lajmit (Headline), duke vazhduar në paragrafët pasues. Nuk kanë munguar as sqarimet bazike për GDP (Produkti i Brendshëm Bruto) ose informacionet për kamatat bankare etj. Privatizimi i ndërmarrjeve ka qenë temë e veçantë e ligjëratave. Ligji mbi mediat. Cees van Zweeden (KE) ka dhënë sqarimet bazike për ligjin e autorësisë (Copyright-in), si thyhet ligji në internet etj. Sipas z. Zweeden në Kosovë mbrohen me ligj vetëm fotografitë artistike, personale, digjitale etj. Temë themelore e ligjëratave ka qenë Ligji kundër Shpifjes dhe konceptet e ligjit për shpifjen, fyerjen, mendimin. Gjatë leksioneve janë përmendur rastet që kishin bërë jehonë në botë, kur gjigantët mediatikë, sikurse BBC-ja, kishin thyer rregullat edhe në vendet e Evropës perëndimore. Për një kohë të shkurtër, ishte krijuar një "Turizëm shpifës" në media. Sepse në disa media ishin publikuar thashetheme, duke u bazuar në thënien se aty ku ka tym, ka dhe flakë. Në ligjërata është rishpjeguar skandali i agjentit amerikan të FBI-së, Mark Felt, dhe përgjimi, që më 1974 kishte shkaktuar aferën "Watergate", e që kishte detyruar Presidentin Richard Nikson (SHBA) të jepte dorëheqjen. Së fundi, Instituti i Medias së Kosovës synon mbështetjen e mediave të pavarura dhe të lira.

Ky institut po bëhet shumë atraktiv për të gjithë të interesuarit dhe meriton një dekoratë për kontributin e dhënë në edukimin dhe trajnimin e gazetarëve të rinj. Në të ardhmen pritet të vazhdojë organizimi i kurseve profesionale në gazetari dhe të interesuarit të pajisen me diploma dhe certifikata përkatëse. Megjithëse në Kosovë ekzistojnë disa shoqata gazetarësh, asnjëra nga to nuk mbron konkretisht interesat e gazetarëve, ose nuk e nxit etikën profesionale. IMK, së shpejti, pritet të fillojë "avokimin" për media, përgatitjen dhe botimin e disa publikimeve, hulumtimin e audiencës për mediat etj. Lobimi, argumentimi dhe mbrojtja e interesave të përbashkëta të mediave para zyrtarëve do të jetë njëra nga detyrat. Duke ndihmuar mediat, do të kultivohen vlerat e demokracisë. Dhe, për këtë, IMK vetëm se ka hedhur farën. Më vonë, pritet që ta korrë rendimentin jo vetëm ky institut, por e tërë shoqëria dhe demokracia e Kosovës.



Nga Gani Tërshnjaku



Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama