Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Autostop për në “Big Brother”

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 16 vite më parë

Arjan Konomi
Autostop për në “Big Brother”

Intervistë

Flet Arjan Konomi, opinionisti i “Big Brother Albania 2”. Eksperti i gjeopolitikës që sapo ka fituar një çmim për gazetarinë në Vjenë rrëfen veten dhe karakteret e banorëve që po i ndjek prej 3 muajsh
Gazeta Ballkan

Që nga koha kur u shfaq si opinionist në ekranin e “Big Brother Albania” ishte krijuar ideja se ishte mision i (pa)mundur të “kapësh” Arjan Konomin, por nuk ishte gjë tjetër veçse një slogan skeptikësh. E kërkuam në qiell, e gjetëm në tokë. E thirrëm nëpër Europë, u përgjigj në qendër të Tiranës. E ftuam për një takim, na ofroi një pije... Të jetë vallë ky Arjan Konomi?

I sapokthyer nga Austria ku ka fituar një çmim gazetarie duke u përzgjedhur në mes 150 konkurrentëve, ka kaluar një aventurë “në ajër”. Në Vjenë ka humbur avionin, ndërkohë që i duhej të merrte pjesë në spektaklin e së shtunës në Tiranë. Dikush tjetër në vend të tij do të shante “dreq o punë!”, por Arjani është lutur “engjëll o Big Brother”. Rezultati? Ka përfunduar duke bërë edhe autostope në mes të rrugës, por siç e pamë, ai ishte prezent në spektakël. Tashmë e ka të pashmangshme që të rrijë larg “Big Brother” jo për faktin pse është opinionisti dhe duhet të bëjë detyrën, por, sepse, pas kaq kohësh duke ndjekur banorët i ka ndodhur diçka krejt e çuditshme: Ndjehet si prind për herë të parë në jetë! Dhe, të mendosh që ka qenë shumë skeptik kur ia kanë propozuar që të jetë ai njëri nga dy opinionistët…

E si të mos ishte, kur Arjani për shumë vite i është përkushtuar vetëm gjeopolitikës. Problemet e rajonit të Ballkanit e sidomos ato të shqiptarëve në të gjitha trojet ku ata ndodhen, kanë qenë objekti i shkrimeve të tij në Itali, por edhe në Shqipëri. Më pas eksperienca si Këshilltar i presidentit Moisiu dhe aktualisht drejtor i revistës “Shqip”. Mbase është një eksperiencë që duket krejt pa lidhje në pamje të parë me pjesëmarrjen e tij si opinionist në “Big Brother”, por askush nuk do të mund të thotë më të njëjtën gjë sikur minimalisht të lexohet kjo intervistë… Me mendimet e tij Arjan Konomi mund të lidhë më shumë se sa dy fusha, profile apo spektakle; connection people!    

Arjan, ju sapo jeni kthyer nga Vjena, ku keni fituar një çmim gazetarie. Si arrinit të ndiqnit që atje “Big Brother”?

Natyrisht që nuk kisha mundësinë që ta ndiqja që këtu, por arrija të shikoja përmbledhjet në internet. Nuk mund ta shmangia Vjenën, për faktin se kisha fituar në një përzgjedhje prej afro 150 gazetarësh nga vende të ndryshme dhe për mua kjo ishte një arritje e madhe profesionale, aq më tepër që tema e artikullit ishte nga gjeopolitika. U detyrova ta lija takimet në Vjenë për të ardhur ditën e shtunë për spektaklin, por pata një ditë aventurë. Humba avionin për Tiranë dhe u detyrova të marr një avion për në Mal të Zi. Pastaj, me taksi deri në Han të Hotit. Aty bëra autostop për të shkuar deri në Shkodër dhe që andej me disa miq të mi erdha direkt para se të niste spektakli. Kur isha ulur në kolltuk dhe kujtoja se sa kisha kaluar atë ditë, më dukej e pabesueshme që kisha mbërritur.

Në fakt ju keni shkruar fillimisht si analist gjeopolitik nga Italia dhe tani jeni opinionist në “Big Brother”. Çfarë e josh Arjanin në dy profile kaq të ndryshëm?

Gjeopolitika ka qenë fusha me të cilën jam marrë për shumë vite në Itali. Problemet e rajonit të Ballkanit e sidomos ato të shqiptarëve në të gjitha trojet ku ata ndodhen, kanë qenë objekti i shkrimeve të mia në Itali. Pas shumë vitesh që publikoja në Itali, nisa të shkruaj edhe për mediat shqiptare që andej e më pas u vendosa në Tiranë. Ende vazhdoj të publikoj shkrime në Itali për çështje gjeopolitike dhe së fundmi kam patur dy analiza. Aktualisht po punoj për një tjetër. Është diçka krejt tjetër të jesh opinionist në “Big Brother”. Në fillim, kur ma propozuan isha pak skeptik, por më beso, nuk ka gjë më interesante sesa të mendosh e të flasësh për karakteret e njerëzve dhe të shpjegosh apo justifikosh marrëdhëniet e tyre më njëri - tjetrin. 

Arjan, së bashku me Virusin ngjani si “ëngjëlli” dhe “djalli”. Na tregoni pak, si e shikoni ju në të vërtetë të bardhën dhe të zezën në Big Brother?

Ashtu dukemi (qesh)? Është menduar nga autorët e programit që të ishim dy dhe të bënim analizë për ta. “I miri dhe i keqi”, duhej dhe “i shëmtuari” për të bërë filmin e Sergio Leone (qesh). Roli i të mirit është që të përpiqesh të nxjerrësh në pah cilësitë pozitive të banorëve e për t’ia bërë më të qarta publikut, apo për të shpjeguar ndonjë mosmarrëveshje që lind midis tyre. Por kjo nuk do të thotë që nuk mund t’i kritikoj. Ajo që dua unë është të bëj pyetje të tilla, nëpërmjet të cilave ata të vihen në vështirësi, si nga pyetja, ashtu edhe nga përgjigja. Kështu,  publiku mëson diçka më shumë.

Jeni dy meshkuj opinionistë në “Big Brother” dhe asnjë femër. Mendoni se ka një arsye të fortë për këtë përjashtim?

Po se ndoshta është “Vëllai i madh”. Besoj do të ketë në versionin “Motra e Madhe” (qesh).

Sa e lehtë apo e vështirë është të bësh analizën e karaktereve të disa personave të rinj në moshë? 

Nuk mund të them asnjë nga këto dy fjalë. Varet shumë nga karakteret. Disa janë thjeshtësisht të lexueshëm, disa janë më me komplekse dhe shfaqen në mënyra të ndryshme, sipas momentit. Por është me të vërtetë interesante t’i shikosh njerëzit për ata çfarë përfaqsojnë, për formimin e tyre, mendimet që japin apo mentalitetet që shprehin. Është edhe tej mase e bukur. Natyrisht që janë cilësitë e mira ato që duhet të vështrojmë dhe ata kanë të tilla, sepse për këtë arsye jaë përzgjedhur.

Ballafaqoheni me vështirësi, për faktin se kur flisni, qoftë mirë apo edhe keq, ndonjëherë keni prindërit apo familjarët përballë?

Jo. Studio është e madhe dhe unë për veten time nuk ndikohem aspak nga kjo. 

Si e shikoni një reality-show të tillë?

 Unë e shikoj si një format të sukseshëm për një arsye kryesore. Para se të isha opinionist aty, unë mnedoja si shumica e intelektualëve, që është Vuajerismi ose dëshira për të “spiunuar të tjerët”, që e bën këtë format të ndiqet shumë. Por nuk është në të vërtetë kështu. Arsyeja është shumë e thjeshtë edhe pse asnjë nuk e thotë. Është një komoditet ta shohësh atë. Çdo të thotë kjo? Është një shfaqje televizive që nuk ka as fillim e as fund. Nëse ti e sheh në një moment të caktuar nuk ke humbur diçka më parë. Nuk ndodh kështu me asnjë format argëtues. Edhe filmin po nuk e pe nga fillimi nuk ke dëshirë ta shohësh më tej. Edhe te një telenovelë, po të humbën disa seri, nuk arrin ta ndjekësh më. Në një debat televiziv, po mos të të interesojë tema, ndërron kanal. Aty nuk ka asgjë që dihet, ndaj dhe kurioziteti është më i madh. Mund të trasformohen situatat papritmas në një debat të ashpër, apo të ndryshojnë marrëdhëniet krejt papritur. Dhe një arsye tjetër që e bën të suksesshëm është edhe fakti se mund ta ndjekësh duke bërë edhe gjera të tjera në shtëpi. Nuk të bezdis, nuk ka muzikë dhe ka një kolonë zanore që të duket sikur po ndodh normalisht në ambjentin ku je ti.

Është i edukuar apo e ka kulturën e duhur opinioni publik, për të kuptuar apo më saktë për të mos keqkuptuar këtë reality show dhe karakteret që paraqet ai? 

Patjetër që publiku e ka kulturën për të kuptuar një reality show të tillë. Kuptohet që gjithkush, duke më përfshirë këtu edhe mua, e kupton sipas mentalitetit, formimit dhe kulturës së tij. Prandaj, shpesh publiku edhe kur është fjala për të njëjtin person, ndahet në dy pjesë. Këtu luan rol të rëndësishëm edhe opinionisti, i cili është aty për të bërë më të dallueshme cilësi, që ndoshta banori nuk ka patur aftësinë t’i shprehë qartë apo për të shpjeguar sjellje të veçanta të tyre, duke patur parasysh edhe bagazhin kulturor që ata mbartin të kondicionuar nga edukata, familja, vendi ku janë rritur, etj.

Mendoni se ndikohet publiku nga opinioni juaj?

 Nuk e di. Duhet ta thonë të tjerët. Në përgjithësi shumica e njerëzve mendojnë që flet mirë, kur thua pikërisht atë gjë që ata e mendojnë. Unë shpresoj që kur thuhet diçka, ndryshe nga c’e mendojnë duhet të vrasin mendjen, duke thënë, a mund të jet edhe kështu?

Cili ka qenë apo është karakteri më i veçantë, që ju nuk keni arritur ta “zbërtheni” deri në fund?

Nuk mund të them se ka një karakter që nuk kam arritur ta zbërthej, sepse ka qenë qëllimi im ta bëj këtë. Mos harroni që ata janë aty brenda prej tre muajsh dhe pas kaq kohësh mbyllur në një shtëpi, me të njëjtit njerëz dhe pa kontakte me jashtë, në mungesë të çfarëdolloj informacioni “zbërthehen” vetë.

A bëjnë realisht lojë banorët dhe nëse po, cilët e bëjnë më mirë?

E kemi dëgjuar edhe nga banorët e shtëpisë të përmendim shpesh fjalën lojë dhe unë nuk jam dakort për këtë. Aty nuk është një lojë, pavarësisht se ka një çmim. Ata duhet të kuptojnë që votohen nga publiku dhe publiku do ata persona që i bëjnë më shumë për vete. Dhe mund të bësh për vete dikë në një bisedë, në një program të vetëm, pra të “luash” apo të interpretosh për pak kohë, por nuk mund ta bësh këtë për tre muaj me radhë natë e ditë. Edhe aktorët që kanë fituar çmimin “Oscar” nuk do t’ia kishin arritur dot. Publiku vlerëson ata që janë më shumë interesantë dhe me këtë fjalë dua të përfshij shumë. Pra, që jo vetëm të ketë karizëm, por edhe t’i bëjë për vete. Ose më mirë mos ta bëj kundër, po të kemi parasysh mënyrën e votimit që është e tilla që t’i voton për atë që do të eleminohet; për atë që të shkakton më shumë antipati, për një arsye apo një tjetër.
 
Bjordi-Adela, nga pikëpamja juaj duket një lidhje e vërtetë apo lojë? Nëse është lojë, e kujt prej tyre?

Bjordi dhe Adela po jetojnë moshën e pafajësisë dhe çdo gjë e tyre, përfshirë edhe ndjenjën, është e pafajshme për gjykimin tim.

Arjoni - Anjeza, a ishte një imitim i Bjordi – Adela, dy partnerë që u dashuruar në shtëpi, apo një marrëveshje në heshtje për të bërë një garë në çift?

Për këtë duhet të pyesni ata.

Mimoza po shkon drejt finales me gjumin dhe qetësinë e saj. A ju duket e drejtë që edhe pse nuk është aktive sa të tjerët (dhe ata që kanë dalë), vazhdon të jetë pjesë e lojës?

Natyrisht që Mimoza është një natyrë e qetë, por nuk mendoj aspak që ajo ka fjetur gjumë. Biles, po ta shohësh hollë, ajo ka qenë më ‘strategia’ aty brenda. Gjatë javëve normale ajo përpiqet të mos bjerë shumë në sy, ta ketë mirë me të gjithë e mos të përfshihet në debatet. Ndoshta për të mos të dalë në nominim. Dhe kur del në nominim ato pak herë, ajo shkathtësohet dhe bëhet aktive që t’i pëlqejë publikut jashtë. Pra, unë mendoj se ajo është i vetmi person aty brenda që dallon se kur duhet t’u pëlqejë banorëve dhe kur duhet t’i pëlqejë publikut. E bën këtë me një saktësi të tillë, që unë mendoj se e ka instiktive, më shumë sesa “lojë”. Pastaj edhe banorët që thonë po të njëjtën gjë me ju, kur vjen puna nuk e nominonin, sepse e kishin merakun tek më të fortët, siç thoshin vetë ata.

Qetsori pretendon se bën lojë, edhe kur nominon thotë se “kjo është loja”, banorët brenda pohojnë të njëjtën gjë… Ju, çfarë do të pohonit apo mohonit? 

 Nuk mendoj se Qetsori pavarësisht se e thotë dhe vetë ai, po bën lojë aty brenda. Përkundrazi më duket si një banorët më të drejpërdrejtë. Ajo që mund të thuhet për të është një lloj strategjie e menduar, e cila e bën atë të rregulojë apo të ndryshojë aleancat e tij.

Po Adi?

Duket sikur i shkon për shtat shprehja “mirë me vjehrrën, mirë me burrin”…
Është një person i sinqertë, por pak oportunist, duke u tërhequr nga debate të forta dhe njëkohësisht përpiqet ta mbajë mirë me të gjithë. Nuk është aq naiv sa duket.

Të kalojmë pak te Ari. Të gjithë në shtëpi e shajnë dhe “ia kishin bërë benë” për nominim, por askush nuk e nominoi. Çfarë mendoni ju se i bëri banorët që të ndryshojnë mendje për të?

Ndoshta, sepse kanë kuptuar që ai vetë është ashtu si person, që nuk shfaq keqdashësi mbas asaj, por është pjesë e natyrës së tij. Dhe se ka një cilësi që ne shqiptarët pak e kemi, që edhe po të grindesh, pas pak kohe e kalon dhe e harron. Pra, sillet sikur mos të kishte ndodhur gjë. Dhe kjo është një mënyrë sjelljeje që duhet të mësojmë të gjithë.

A ju duket se djemtë kanë krijuar një “komplot” kundër vajzave, pasi ata shfaqen gjithnjë në aleancë mes tyre dhe kanë humor me njëri-tjetrin, ndërsa vajzat vetëm grinden dyshe-dyshe.

Nuk mund të them se kam parë komplot ndaj vajzave, por është e vërtetë që djemtë janë shumë më të harmoni. Do të thoja jo aleancë. Kjo vjen ndoshta edhe pse djemtë këtë edicion kanë qenë më të përparuar se vajzat dhe shumë të emancipuar. E keni vënë re që aty, që kur janë futur në shtëpi, janë ata në shumicën e rasteve që gatuajnë, që lajnë enët, që pastrojnë e që kanë një sens kolektiviteti më të madh sesa vajzat.

Pse ka ka shumë diasporë në Big Brother, të rinj që kanë jetuar jashtë shqipërisë për shumë kohë? 

Mendoj që kjo është një nga çelësat e suksesit të “Big Brother”. Dhe për mendimin tim ka bërë gjënë më të mirë. Duke sjellë të rinj nga emigracioni në këtë format televiziv është sjellë edhe një frymë perëndimore, një kulturë europiane nga e cila është menduar që të mësojnë diçka të paktën moshatarët e tyre. Duke sjellë një numër jo të vogël të rinjsh që kanë jetuar në Europë, “BB” ka realizuar atë që mund ta quajmë si “përplasje” e dy kulturave, e dy mentaliteteve dhe gërshetimin e tyre. Banorët të cilët kanë jetuar në Shqipëri, mbartin me vete edhe probleme të ndryshme sociale e për të cilat ata diskutojnë e japin edhe shpjegimin e tyre. Eksperiencat janë gjithnjë për t’u marrë në konsideratë e për të mësuar prej tyre.

Nga veriu nuk ka patur thuajse fare banorë, ose ata që kanë qenë janë rritur jashtë, apo në vende të tjera. Pse? 

Nuk di të të them, sepse nuk kam qenë pjesë e stafit përzgjedhës, por ka patur edhe nga veriu, Paulini. Mos harroni se dhe Kosova është veriu ynë dhe kjo, jo vetëm gjeografikisht.

Si e mendoni modelin që krijon “Big Brother”?

Padyshim një model pozitiv. Një model emancipimi dhe respekti të vetvetes. Dy gjëra që ne shqiptarët kemi aq shumë nevojë. Aq më tepër një “BB” si ky shqiptari, ku dalin në pah e trajtohen shumë probleme sociale, mentalitete të prapambetura, paragjykime etj, çështje për të cilat ne duhet të diskutojmë e të flasim shumë.

Të famshëm pa bërë asgjë. Është diskutuar shpesh herë kjo tezë, jo vetëm këtu, por edhe në botë. Ju si mendoni?

Si, pa bërë asgjë? A nuk është diçka të rrish mbyllur për 100 ditë brenda një shtëpie, sado komode të jetë ajo? Problemi është se tani flitet shumë, por kur të kalojnë disa muaj nga fama e tanishme, pak do të mbetet nëse banorët nuk do të dinë apo nuk do të jenë të aftë për ta shfrytëzuar në të mirë të tyre. Pastaj, pse mos t’ua japim këtë këtë kënaqësi disa të rinjve, edhe pse kanë qenë të panjohur? Nuk shoh asgjë të keqe, derisa kjo eksperiencë i bën të lumtur disa njerëz. Përkundrazi, a ka mundësira të tjera që t’i bëjmë njerëzit e lumtur? 

Cili është banori juaj i preferuar. Nëse do të votonit kë edhe pse?

Pas kaq kohësh të gjithë i kam të preferuar. Është si t’i thuash një prindi kë fëmijë do më shumë. Çfarë thashë? Një prindi? O zot! Ja, e shikon një të keqe që më ka bërë “Big Brother”?! Më duket vetja si prind, për të parën herë në jetë...

 
Gjeopolitik deri në detaj…
Karriera e Arjan Konomit ka nisur në Itali ku atje ka filluar ta ushtrojë gazetarinë për herë të parë e pas disa vitesh publikimesh atje krijoi kontaktet edhe me shtypin shqiptar. Publikime ta shumta në revistën gjeopolitike “Limes” (botimi intelektual i së përditshmes "La Repubblica"), ku prej vitesh është edhe anëtar i Këshillit Redaksional të saj, krahas intelektualëve më me emër në Itali.
Arjanin e kemi parë në televizionin italian “Rai” në një panelin e emisionit “Pinoçhio”, të drejtuar nga gazetari i famshëm italian Gad Lerner, ku debatonte për çështjen e Kosovës me politikanët më të lartë të Italisë, ku ndër to mbahet mend debati me kryetarin e Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi. Këtë të fundit Arjani e vuri me “shpatulla pas muri” dhe e detyroi të kërkonte falje para miliona teleshikuesve, kur ai (Bossi) shtrembëroi historinë e Kosovës në favor të serbëve.
Me Kosovën ka një lidhje të veçantë, duke qenë se në kohën e represionit serb ka qenë pikërisht në Drenicë, në zonën më të nxehtë dhe ka qenë gazetari i vetëm shqiptar që ka shkelur territorin e Kosovës, para se të fillonte sulmi i Nato-s, duke rrezikuar jetën prej milicisë serbe. Shkrimi tij mbi UÇK-në do të ishte i parë në Europë që hidhte dritë mbi ushtrinë çlirimtare, duke analizuar edhe se si do të ishte e ardhmja e saj politike, e mbi të gjitha, që nuk do të përdorte terrorimin si mjet për arritjen e qëllimit; çlirimit të Kosovës. Ka qenë referues në dhjetra konferenca në mbarë Italinë, në nivele të larta pjesëmarrjeje, ku ka mbrojtur me forcë çështjen e shqiptarëve në Ballkan. Në Shqipëri, Arjani ka punuar si këshilltar i Presidentit Moisiu për Marrëdhëniet Publike dhe mediat. Aktualisht është drejtor i revistës “Shqip” dhe ka bërë dy publikime në Itali me titull “Nga Shqipëria e dytë tek Panalbania” dhe “Lufta sekrete e kapove të Tiranës dhe Prishtinës”.
 
Gazeta Ballkan

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama