Gazeta Korrieri
Pa dyshim një protagonist kryesor, që kontribuoi për mirë në imazhin e banorëve të “Big Brother”, ishte edhe analisti Arjan Konomi. Tanimë që çdo gjë ka mbaruar, nuk ngutet të “kallëzojë” gjer në detaje evoluimin e tyre, por edhe strategjinë që ka ndjekur për të nxjerrë tërheqësen nga njerëz të thjeshtë, duke dashur të zhbirojë interesanten edhe atje ku dukej mision i pamundur.
Dhe bilanci i analistit për këtë eksperiencë, më shumë sesa kënaqësi, mbart vështirësi që nuk i kishte hasur as në kohën kur punonte si këshilltar i presidentit Moisiu, aq më pak në analizat gjeopolitike në televizionet italiane. Sa ia ka arritur qëllimit që i kishte vënë vetes dhe cilat janë komentet e fundit në “kolltukun” e analistit, mund t’i zbuloni në rrëfimin e mëposhtëm, ku për herë të parë Arjan Konomi i thotë të gjitha...
-Detyra juaj si analist tashmë ka përfunduar, ashtu sikurse edhe vetë spektakli. Sigurisht një status i tillë duhet të ketë qenë një përgjegjësi e madhe. Si “ka evoluar” roli juaj përgjatë 100 ditëve?
“Ka qenë me të vërtetë një përgjegjësi e madhe, shumë më të tepër sesa e kisha menduar në fillim. Unë kam pasur eksperienca të shumta në jetë si drejtues mediash, analist në televizionin italian për gjeopolitikën. Gjithashtu edhe këshilltar i presidentit Moisiu e zëdhënës i tij, një punë me shumë ngarkesë dhe me shumë përgjegjësi, sepse matej edhe çdo lidhës gjuhësore në njoftimet që unë shkruaja, sidomos kur ishte fjala për çështje të politikës së jashtme, por më besoni, që të qenit opinionist në “BB” është edhe më e vështirë.
Kjo për arsyen se ke të bësh më njerëz të zakonshëm, që jetojnë në mënyrë të zakonshme e të thuash gjëra interesante në lidhje me to, është me të vërtetë e vështirë. Aq më tepër kur mendon se të ndjekin të gjithë shqiptarët kudo që janë, të hipën një emocion që harron edhe të thuash edhe emrin tënd po të të pyesin. Jam përpjekur ta evoluoj rolin tim aty nga fillimi, duke përdorur një strategji. Në fillim nuk doja të flisja hapur për karakteret e banorëve, por për atë çfarë ata përfaqësonin, të shpjegoja marrëdhëniet apo situatat e krijuara, si dhe qëndrimet e tyre për çështje apo debate të veçanta, jo duke u nisur nga personi, sesa nga formimi shoqëror e kulturor i tyre, i ndikuar shumë edhe nga eksperienca e tyre jetësore, por edhe nga mentalitetet që ata vinin, të kushtëzuara këto dhe nga zona ku ata kishin jetuar.
Më vonë fillova të nxirrja në pah karakteret, sidomos anët e mira të tyre, kjo ekzaktësish kur ata nuk ishin në gjendje ta bënin mirë këtë gjë, e akoma më pas edhe duke i kritikuar apo korrigjuar, por pa dashur t’i ofendoj apo t’i lëndoj. Kjo, sepse në fund të fundit unë mendoj që nuk do të kishte njeri në botë që po ta vëzhgoje 24 orë për 100 ditë, të mos gjeje diçka për të bërë vërejtje”.
-Përtej kënaqësisë që ju ka dhuruar kjo eksperiencë, a ka pasur momente që jeni lodhur duke analizuar karaktere të ndryshme, syresh të vështira për t’u pranuar?
“Nuk ka qenë aspak analiza e personave që më ka lodhur, përkundrazi më tërhiqte aq shumë, saqë në momente të ndryshme kisha frikë me veten time se mos e ekzagjeroja në ato çfarë mendoja dhe kaloja në rolin e një psikologu me pacientët, gjë që nuk doja ta bëja kurrë, ashtu siç nuk doja t’i shikoja ata si një laborator personalitetesh e karakteresh mbi të cilët eksperimentohet. Ka pasur edhe të vështirë, por janë pikërisht këta që e bëjnë më interesante qoftë diskutimin mbi ta, por edhe më karizmatik për publikun. Ajo që më “ka lodhur” janë ndoshta njerëzit jashtë, që për muaj të tërë të bëjnë pyetje pafund dhe kanë një kureshtje morboze për çfarë ndodhte aty brenda”.
-Prej ditës së parë u ulët në kolltukun e bardhë, duke nxjerrë cilësitë pozitive të banorëve nga java në javë, kësisoj duke ndikuar edhe tek teleshikuesit. Nuk kanë munguar edhe kritikat për gabime e tyre. Nëse do të bënit një rezyme të analizës suaj, ju vetë keni gabuar në ndonjë moment ndaj banorët?
“Unë i kam vlerësuar, por edhe kritikuar. Gabimet nuk duhen parë si problem. Është normale që njeriu mund të gabojë, problemi është që të mos e bëjë të njëjtin gabim dy herë, ndaj dhe kur kam folur për gabime, nuk e kam parë këtë si një problem. Nëse unë kam gabuar, ka njerëz që më thonë nga më të ndryshmet, por impakti i këtij emisioni është aq i madh, sa është normale që edhe mendimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Kam dëgjuar nga miq të mi interpretime të fjalëve të mia, që as më kishin kaluar nëpër mendje. Pastaj edhe fjala ime nuk ishte në asnjë mënyrë absolute, ishte thjesht mendimi apo opinioni im, pa pasur kurrë pretendimin që është i vetmi dhe i sakti”.
-Të kthehemi pak prapa, lidhur me debatin e ashpër që patët me Junidën. Çfarë ju shtyu të uleshit në “kolltukun e zi”?
“E kritikova, pa e pasur qëllim në vetvete. Më erdhi aty për aty, patjetër ndikuar nga reagimi i saj dhe atëherë vazhdova sërish, duke u përpjekur t’i bëja gjërat më të qarta, jo vetëm për të. Dhe meqenëse debati vazhdoi vetëm duke replikuar, për ta zhdramatizuar dhe për t’i thënë një sens humori shkova dhe u ula në kolltukun e zi. Në njëfarë mënyre, “për të ndëshkuar” edhe veten time”.
-Po tani që keni mbaruar misionin, a do të uleshit sërish në kolltukun për të komentuar disa persona që ju kanë acaruar vërtet?
“Do të doja të ulesha, por jo për këtë që thoni ju. Do të doja që të ndiqja debatet e tyre dhe pasi t’i dëgjoja me vëmendje, të thosha se çfarë mendoja. Ata kanë diskutuar për tema që trajtohen ende në shumë vende të zhvilluara, që ndoshta të flasësh për to në realitetin shqiptar, e aq më tepër në një show argëtues, është me të vërtetë interesante. E në shumë raste, më interesante sesa t’i dëgjosh të diskutohen nga politikanë apo intelektualë.
Ata kanë qenë shumë të emancipuar në këtë drejtim, pavarësisht mendimeve apo opinioneve që jepnin. Ndonjëherë është e rëndësishme të diskutosh, pavarësisht nëse ke të drejtë apo gabon. Shumë herë kur janë tema të vështira, si klonimi, dënimi me vdekje, mjedisi, shkenca etj., dhe kishte, është normale këtu, mendime të ndryshme. Do të doja të isha prezent në to dhe të thosha edhe unë atë çfarë mendoja apo t’i orientoja më mirë”.
-Të paktën një kritikë apo një koment për lukun e tyre, duke qenë se është për t’u theksuar që performanca juaj ka qenë e kuruar gjer në detaje?
“Luku i banorëve ka qenë shumë për t’u admiruar. Edhe tek ata që mund të vihej ndonjë defekt në fillim të edicionit, por nga ndikimi i të tjerëve pati shumë përmirësime. Kanë qenë vërtet për t’u marrë shembull nga shqiptarët. Ajo që vlerësoja shumë tek ata, ishte fakti se edhe pse ishin brenda një shtëpie gjatë gjithë kohës, ndërronin shpesh veshjet e tyre sipas situatës, sidomos në mbrëmje ata rregulloheshin dhe visheshin elegantë, për të qëndruar në sallon e për të biseduar. Kanë dhënë për mendimin tim, një “kulturë salloni”, që në Shqipëri mungon e që është shumë aristokrate. Për sa më pyesni për veshjen time, jam përpjekur të jem në lartësinë e programit në të cilën isha pjesë. Mendoj se kujdesi ndaj pamjes është respekt për vendin ku ti ndodhesh. Jam përpjekur të kem gjithnjë veshje elegante, por të ndryshme. Dhe ne, opinionistëve, nuk na kuronte asnjë nga produksioni për sa u përket veshjeve, kështu që siç mund ta imagjinoni, ka qenë edhe kjo një stres më vete”.
-Modeli që duhet të prodhojnë kësi lloj programesh, duhet të mëshojnë më shumë nga argëtimi, apo një reflektim rreth shoqërisë. Si do të ishte idealja?
“Mendoj se ka dhënë shumë për disa arsye. E para, ky program ka dhënë një spektakël të mbushur me shumë emocione dhe shumë të papritura, të cilat kanë krijuar atë atmosferë ankthi, të nevojshme për t’u ndjekur me shumë interes nga njerëzit. Ka pasur atmosferë me humor, me biseda, debate e të papritura që janë të domosdoshme për të realizuar një show të vërtetë. Po t’i shtojmë edhe elementet e spektaklit të organizuar me shumë profesionalizëm, prezantimin dinjitoz të Arbanës, krijohen tërë elementet e nevojshëm që e bëjnë një reality show të suksesshëm, pra një format argëtues të nivelit të lartë. Por shoqërisë nuk i ka dhënë vetëm argëtimin. Jam i bindur që ka dhënë më shumë. E ka bërë të vrasë mendjen.
Gjatë spektaklit, në këto tre muaj janë prekur probleme sociale të shoqërisë shqiptare, janë zhvilluar debate nga banorët për shumë çështje, që janë tema që ende diskutohen në shumë vende të zhvilluara të Perëndimit e që kërkojnë një mendje të emancipuar. Janë ndeshur po ashtu mentalitete që ne i quajmë të vjetërsuara, por që në shoqërinë tonë ato janë të përhapura dhe të prekshme, dhe madje fare pranë nesh, pengje të një trashëgimie të prapambetur kulturore. Duke u shfaqur e duke diskutuar për to, besoj që shoqëria e zënë nga stresi apo rutina e përditshme, është ngacmuar mbi ekzistencën e tyre, duke e bërë atë të reflektojë. Nuk ka rëndësi opinioni i tyre pro apo kundra. Padyshim që kjo është meritë e madhe e autorëve të programit”.
-Në përgjithësi, si ju është dukur niveli i të gjithë banorëve?
“Kanë qenë një pasqyrë e mirë e shoqërisë shqiptare. Të gjithë me cilësitë pozitive, edhe pse të ndryshme nga njëri-tjetri. Theksoj fjalën “cilësi” e jo “vlera”, sepse vlera është një e mirë individuale, që i duhet njeriut për të qenë i suksesshëm në jetë, kurse cilësitë lidhen me anët e karakterit dhe me jetesën e njeriut në shoqëri. E thënë ndryshe, nëse një person është talent në muzikë, ajo është një vlerë e madhe e tij, por nëse do të ishte fodull, arrogant apo cinik, nuk do të pranohej lehtë nga shoqëria, apo të paktën nuk do të pëlqehej”.
-A e ka merituar Qetësori fitoren e “BB 2”, apo ai nuk përputhet aspak me modelin që duhet të fitojë në këtë lloj programacioni?
“Besoj që e ka merituar, sepse ka qenë shumë i drejtpërdrejtë edhe kur donte të ishte “negativ”, i sinqertë dhe nuk dinte të ishte fals. Për më tepër që ishte edhe një familjar i përkushtuar dhe jo vetëm me sensin e familjes, por edhe të shoqërisë e të jetesës në kolektivitet”.
-Siç ndodhi edhe edicionin e kaluar, jo gjithë banorët mundën të ruajnë famën. Çfarë aftësish duhet të kenë banorët për të ruajtur jetëgjatësinë dhe mirëmenaxhimin e famës jashtë shtëpisë?
“Kjo është e vështirë ta thuash. Jo të gjithëve do t’u shërbejë për famë, por e rëndësishme është t’u shërbejë për diçka. Për atë çfarë ata kanë qëllim në jetë, jo të gjithë duan famën, por edhe një vend pune i mirë, besoj se do të ishte një sukses i tyre”.
-Si e komentoni faktin që tre prej banorëve me të dalë jashtë shtëpisë, “u peshkuan” nga partitë? Është një mënyrë kjo për të ruajtur famën?
“Masiviteti i këtij formati televiziv dhe impakti i jashtëzakonshëm që ai ka pasur te njerëzit, kanë bërë që edhe politika të mos e anashkalojë si fenomen dhe natyrisht që partitë përpiqen të shfrytëzojnë popullaritetin e tyre, duke ditur ndikimin që ka një fytyrë mediatike. Aq më tepër që nuk ke se çfarë të prezantosh te personi, derisa ky ka qenë “nën vëzhgim” për muaj të tërë nga të gjithë. Pra, është një “grep” që peshkon lehtë”.
-Çfarë do të ndodhë me jetën tuaj profesionale tashmë që aventura “BB” përfundoi? Cilat janë planet tuaja më të afërta?
“Do të më mungojë sigurisht. Do të merrem me revistën “Shqip”, që më duket sikur e kam lënë pak pas dore. Të drejtoj një revistë, është një punë që e adhuroj dhe nuk do ta ndërroja me asgjë tjetër. Kur pasioni dhe hobi bëhen puna jote e përditshme, mendoj se është një fat i madh në jetë, e kjo është arsyeja”.