Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Si eshte moti andej nga ju?

Shkruar nga: Agim Isaku  
Botuar më: 16 vite më parë

Agim Isaku
Si eshte moti andej nga ju?

Ndërsa kryeja detyrën e ambasadorit në Spanjë, konform "mësimeve" dhe normave demokratike, e gjykoja që në të gjitha takimet të thosha fjalë të mira për Kryeministrin e asaj kohe, Aznarin (tani mendoj se, përveç respektimit të etikës diplomatike, ai e ka merituar). Një nga drejtorët e Ministrisë së Jashtme, pas ndoca kohëve, kur krijuam një lloj afiniteti, më pyet në mirëbesim:

Vërtet mendon mirë për Aznarin?

I thashë se mendoja që ishte një Kryeministër i suksesshëm, ashtu sikundër mendonin shumë të tjerë.

-Për mua ai është thjesht një fashist i ri, - më tha drejtori në fjalë.

Meqë në bisedë nuk ishim vetëm, nuk e shtyva më tej, por disa kohë më vonë, e pyeta në konfidencë:

-Nuk ke frikë që flet ashtu për Aznarin? Ai është Kryeministri yt…

-Aspak. Të gjithë e dinë që unë jam militant i PSOE-së. Unë punoj në këtë zyrë duke zbatuar ligjin spanjoll të shërbimit të jashtëm, jo ligjin apo shijet e Aznarit. Unë e respektoj ligjin deri në çdo detaj dhe ai ligj nuk më ndalon të kem as jetën time politike, as aktivitetin tim publik…

Tani miku im i dikurshëm, në vijim të karrierës normale diplomatike, është ambasador i Mbretërisë së Spanjës në një shtet të rëndësishëm, pavarësisht se si janë ndërruar kryeministrat dhe ministrat e Jashtëm. Dhe jam i bindur se sërish e kryen me devocion dhe korrektesë ligjore detyrën e tij…

Ulesh në një tavolinë miqsh. Tema e bisedës e këtyre ditëve? Dihet: zgjedhjet. Listat e deputetëve. Sa merr PD-ja në Fier? Po PS-ja? Mitingjet. Listat emërore të kandidatëve për deputetë të partive... Si do shkojë fati i partive të vogla kësaj radhe? Pastaj emrat… S‘kishim parë lista si këto. Asnjëherë. Pastaj tensionet parazgjedhore. Vrasja në Qerret. Politike apo jo? Kishte apo nuk kishte lidhje me fushatën? Ec e gjeje. Heqja e flamujve dhe e pankartave.

Shqyerja e portretit prej hallexhiu - do të ngjallë keqardhje, -më thoshte nën zë, para ca ditësh një mik, dikur i përbashkët i imi dhe i Ramës, është një nga strategjitë e viktimizimit, si armë e Politikës së Re, - i Edi Ramës anekënd anashrrugëve, messhesheve, qendërekraneve (thënë ndryshe të atyre kutive të televizioneve që vetë ai i shan ditë e natë nëpër mitingje).

Berisha. O Zot, dy dekada me të në krye! E patë reklamën, teksa udhëton me avion mbi rrugën patriotike: njëlloj si Enveri kur shkonte në Moskë… Kohë, kohë! E tha edhe x analist… Po ai, more ti, mik i dashur, ai ia di gjuhën mirë këtij populli. Pastaj edhe punë ka bërë, që të themi të vërtetën! Ka edhe shpërdorime, por punë ka bërë. Ama edhe Rama punon. Ja shikojeni, ditë e natë nëpër Shqipëri! S‘la skërkë e brinjë pa shkelur… Sa është dobësuar! Dëgjomëni mua, të dy kanë të mirat e të këqijat e tyre, mos u bëni kategorikë dhe përjashtues…

E, kështu sillen e përsillen muhabetet në një mënyrë të tillë, që kur ngrihesh nga tavolina (ose del nga kutia e televizionit) nuk je në gjendje të kuptosh nëse personi me të cilin po bisedoje, po qe se nuk është publikisht i rreshtuar në një aradhë politike, është mbështetës i Ramës apo i Berishës. Dhe, pasi ndahesh, seç të kap një dëshirë e marrë prej naivi që të kthehesh e ta pyesësh: po ti, mor trim i mençur, ç‘mendim ke? Për kë do të votosh. E mendon por nuk e bën. Vetëpërmbahesh. Respekton "privacinë", ka dalë një shprehje, dhe, kushedi pse, "fshehtësinë" e votës(!!??). Pastaj ke edhe drojën se zhgënjehesh…. Më mirë të mos e dish! Por edhe sikur të duash nuk ke për ta marrë vesh. Sepse njerëzit kanë frikë. Procesi i ringritjes së frikës kolektive në një shoqëri postdiktatoriale është gjëja më e parë që dëshmon se shoqëria ende jeton në tranzicion, shënojnë librat.

Dhe kjo gjendje frike nuk është e vështirë të hetohet gjithandej. Arsyeja: ndëshkimi partiak. Është një ndëshkim që lidhet me kafshatën e gojës. Se vërtet ankohet Ndoka për lirimin nga detyra në mënyrë të padrejtë të militantëve të partisë së vet, por nuk ka sqaruar se mbi ç‘kritere - përpos atyre klanore dhe të afilacionit politik, - i ka pas emëruar njerëzit në ato poste. E njëjta gjë ndodh edhe në Ministrinë e Punës. Në ndërmarrje ujësjellësish. Në bashkira. Në zyrat që qelben era duhan të komunave. Në biznesin privat madje…

Ndërkaq ndodh një habi tjetër e madhe: sa më shumë e fshehin bindjen e tyre individët, po aq "transparente" janë mediat në mbështetjen e tyre ndaj njërit krah apo tjetrit. Nuk ke se si të mos e lidhësh këtë me faktin se, për shumë çështje të hapura, për të cilat njerëzit diskutojnë ditë e natë, nuk merr përgjigje as nga mediat. Puna ka shkuar deri atje saqë as etika minimale profesionale nuk respektohet. Kështu, nëse njëra media përcjell me bujë lajmin se në lista ka edhe plaka 159-vjeçare, të duhet të ndjekësh një tjetër media (kundërshtare??!!) që ta marrësh vesh se kemi të bëjmë thjesht me një gabim shkrimi. Nëse merr vesh në një media se X është hajdut, duhet të ndjekësh mediat e tjera që të të thonë të kundërtën. Pastaj, mbi bazën e dy lajmeve të kundërta të duhet të ngresh një laborator tëndin që të tregojë se cila është e vërteta. Besueshmëria e të ashtuquajturve institucione të pavarura - komisione, organizata joqeveritare, përfshirë edhe prokurorinë, - është në minimumin e vet. Të ashtuquajturit "debate" janë bërë sherre, në të cilët bëhet kujdes vetëm për një gjë: të mbrohet me të gjitha mënyrat figura e "liderit" respektiv. Jo rastësisht shumë media i kanë mbyllur dyert e mendimit të lirë dhe u shmangen debateve. Po këndove në mitingjet e Saliut, rrezikon të pushohesh nga puna në një media tjetër, që nuk e mbështet Saliun. E anasjella është po aq e vërtetë. Secila është pozicionuar tashmë. Madje edhe vetë Presidenti u shpreh se është e drejta e popullit të informohet dhe se shkalla e lirisë së informimit është në të vërtetë prova e vërtetë e funksionimit të limitit fundor të demokracisë. Kur thashë Presidenti, e pata fjalën për Presidentin italian Napolitano, i cili në mbështetje të një shqetësimi popullor në lidhje me kontrollin e medias (së fundmi, përveç kontrollit të frikshëm të Berluskonit mbi disa media, edhe RAI nuk pranoi që Çelentano të fillonte në atë ekran një shou të vetin kësaj vjeshte??!!).

Nejse, tjetër gjë kjo puna e mediave dhe sigurisht që meriton një analizë ku e ku më të thellë, nëse do të ketë ndonjëherë hapësirë, kuptohet. Le të kthehemi te njerëzit. Nuk është tashmë një gjë dhe aq e rrallë që nëse ndesh në rrugë një person, i cili është haptazi në kampin "kundërshtar", ai të shtiret sikur nuk të shikon. Nëse të qëllon përballë, bën sikur do të lidhë këpucën, apo sikur i ra befas zilja e celularit. Një tjetër shtiret sikur e ka zënë shurra papritur dhe fshihet e tretet fytyrëverdhë pas ferrave në anërrugë…

Epo, ky është karakteri ynë, do të më thoshte me këtë rast një miku im i vjetër, profesori që mendon se të përpiqesh ta shpjegosh jetën shqiptare përmes sistemeve është njëlloj sikur t‘i veshësh qenit brekë. Pastaj do të tentonte të ma shpjegonte këtë me faktin se për shumë shekuj paskemi qenë të pushtuar, se mercenarizmi ka qenë e vetmja mënyrë për të ngrënë bukë e për të rritur kalamaj, e të tjera e të tjera si këto. Jo se nuk ka të drejtë, por shpjegimet historike nuk mund të mbulojnë faktin se në dy dekada ne nuk arritëm as t‘u jepnim lirinë e duhur njerëzve.

Arsyet? Janë të thjeshta: administrata publike - ende burimi kryesor i jetesës për më shumë se 100 mijë familje shqiptare, - është thellësisht në varësi të politikës dhe të pushtetit politik. Pas këtyre vijnë tenderët politikë, policia financiare "politike", policia bashkiake "politike" (a nuk është një nga kandidatët e PS-së ish-drejtori i policisë bashkiake të Tiranës?) Ja ku marrin jetë dhe ushqehen rrënjët e frikës popullore, të po asaj frike që ne patëm kujtuar se e përzumë nga mesi ynë në të hyrë të viteve nëntëdhjetë. Ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor ishin thjesht një dorë pleh më shumë në kultivimin e kësaj të keqeje, që i merr frymën çdo lloj parademokracie dhe që është totalisht e papranueshme me normalitetin e jetës.

Prandaj, dhe në asnjë media nuk gjen dot një analizë të biografisë së kandidatëve për deputetë. Ç‘na duhet ne, - të thonë, - ku e dimë ne se ç‘bëhen ata nesër e të marrin frymën. Më mirë flasim për sportin….

Një kujtesë në vend të mbylljes

Kush nga ne nuk ka pasur rastin të udhëtojë nëpër kompatrimentet e trenave? Uleshe përballë një fytyre të panjohur. Dyshues. Përshëndeteshe. Zakonisht shkëmbeje edhe ndonjë cigare apo çapë buke që kishe marrë me vete.

-Nga të kemi, or shok?

Ia thoshe. Ta thoshte. Korrektë.

-Si ka qenë moti nga anët tuaja? - pyesje pas nja njëzet minutash udhëtimi të sikletshëm.

Atëhere fillonte një bisedë "e sinqertë dhe miqësore" në lidhje me grurin, shirat, rrufetë, breshrin (të gjitha fenomenet atmosferike që kishe mësuar në shkollë). Pastaj për mbarsjen e lopëve dhe futbollin, nëse rrugëtimi ishte i gjatë dhe tema e përparshme kishte mbaruar.

A po i kthehemi sërish kësaj tradite?

Le ta mendojmë një herë sa nuk është vonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama