Trekëndëshi i Bermudeve, i thirrur ndryshe edhe Trekëndëshi i Djallit, është një hapësirë e gjerë uji (më shumë se një milion kilometra katrorë) mes Floridës, ishullit të Bermudeve dhe Porto Rikos. Tregimet për ndodhi të habitshme që kanë ndodhur nëpër kohë në këtë hapësirë të pamasë, janë në kufijtë e së besueshmes dhe së pabesueshmes, mes fenomeneve të besueshëm natyralë dhe atyre paranormalë apo mbinatyralë. Në këtë hapësirë janë zhdukur pa lënë gjurmë dhjetëra e dhjetëra anije, karvanë, avionë të llojeve e përmasave të ndryshme e deri te flotilje. Flitet se pikërisht në këtë hapësirë, zbuluesi i Kontinentit të ri, Kolombi, humbi nga anijet e veta. Duke u nisur nga fakti se nuk u gjend asnjë mbeturinë prej tyre, Kolombi u akuzua për mashtrim dhe kontrabandë dhe u dërgua në burg. Ata që kanë mundur të dalin nga ky trekëndësh tregojnë ndodhi të pabesueshme. Flasin për hije. Për forca të verbra tërheqëse. Për vrima të zeza thithëse. Për humbje të fushës magnetike, njësim të Veriut me Jugun, për të sapozhdukur që plaken me shpejtësi dhe për kufoma shekullore që duket sikur janë zhytur vetëm dje në ujë. Për piratë që jetojnë ende të lumtur në marrëzinë e tyre kriminale…
Të futesh në darë. Të rrethohesh nga kundërshtari dhe të asgjësohesh copë-copë. Ose ta asgjësosh copa-copa. Të gjesh shtigje dhe të zgjerosh rrethin e mbështetësve përmes gjenerimit të ideve dhe aftësisë bashkëpunuese… Janë sigurisht shprehje që vijnë nga lufta dhe që aplikohen edhe në të ashtuquajturën "luftë politike".
Përveç të tjerash, (siç janë programi politik, kualiteti i drejtuesve, funksionimi i strukturave, etj.), krijimi i aleancave politike, forcimi dhe zgjerimi i tyre janë një nga kushtet e fitores në çdo ndeshje politike. Shpesh na mësojnë ata që merren me analizë politike, më shumë se sa e vërteta e fuqisë reale të atyre që bashkohen, është imazhi i bashkimit ai që i afron votuesit. Krejt e kundërta ndodh në rastet e përçarjes. Kjo u verifikua edhe në zgjedhjet e fundit, ku humbi Partia Socialiste. Nën drejtimin e Ramës, pa nxjerrë asnjë mësim nga ajo që ndodhi më 2005, Partia Socialiste u fut me tre kundërshtarë të mëdhenj përballë: Sali Berishën, Ilir Metën dhe Fatos Nanon, ndërsa pritej një përballje vetëm me Berishën.
Po si ndodhi që Rama u gjend në këtë trekëndësh Bermudesh?
Në fillim të herës, kur sapo vendosej në krye të Partisë Socialiste, të gjithë e kujtojmë se si Edi Rama, në emër të ndryshimit dhe modernitetit, aktin e parë që bëri ishte t‘u kërkonte ndjesë shqiptarëve për qeverisjen e keqe të tetë vjetëve që socialistët kishin qenë në pushtet. Për ata që kishin veshë nuk ishte e vështirë të kuptohej se pas kësaj dukjeje ndryshimi fshiheshin të paktën tri qëllime: I pari ishte distancimi i vetes nga qeverisja socialiste, edhe pse vetë kishte plot shtatë vjet nga tetë në poste të rëndësishme drejtuese (ministër Kulture dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës). I dyti ishte legjitimi i ardhjes në pushtet të Sali Berishës dhe i spastrimeve të administratës që do të bënte më pas Berisha. Përkthyer në një gjuhë më të drejtpërdrejtë, kjo kërkesë ndjese donte të thoshte: përderisa unë kërkoj ndjesë, do të thotë se e kemi merituar opozitën. I treti ishte krijimi i iluzionit se një shkëputjeje dhe ndryshimi radikal - fjalë e përdorur deri në shpërdorim nga Rama - po ndodhte në Partinë Socialiste.
Në të vërtetë të tria këto ishin të lidhura me distancimin nga aktiviteti dhe trashëgimia e Nanos në krye të kësaj partie. Distancim i cili, sipas një këndvështrimi të sipërfaqshëm, do ta çlironte pushtetin e tij nga hija e së kaluarës dhe do të hapte dyert e një të ardhmeje vetëm të Ramës (një paradoks ky në demokraci). Edhe pse kishin kaluar vite nga koha kur ai e homologonte Fatos Nanon si Robert Çimçakizin e një filmi të realizmit socialist, edhe pse në dukje marrëdhëniet mes Nanos dhe Ramës ishin rikthyer në normale deri në zgjedhjet e vitit 2005, nuk ishte e vështirë të hetohej se konkurrimi mes tyre kishte filluar kohë përpara se ai të shpallte zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar në kongresin e vitit 2003. Shumëkush që ka qenë pranë zhvillimeve politike të kësaj partie, nuk ka se si të mos kujtojë se pikërisht gjatë fushatës elektorale të vitit 2005, Rama nuk i kurseu energjitë për t‘i futur stërkëmbësha një fitoreje tjetër të mundshme të Partisë Socialiste me Nanon në krye. Rama, me ftohtësinë kriminale që ta ofron me ç‘duket vetëm etja politike për pushtet të pakufishëm vetanak, e kuptonte se një fitore tjetër e Partisë Socialiste ia zbehte mundësitë për t‘u vënë në krye të Partisë, parti e cila nuk kishte kontribuar pak në karrierën e tij politike. Gjesti publik i mbështetjes së një kandidati të një partie tjetër kundër sekretarit organizativ të PS në fushatën e asaj kohe, ishte vetëm maja e ajsbergut të kësaj veprimtarie në dukje të parë kontraversale, por të pafajshme e më së shumti tekanjoze.
Gjithsesi gjatë gjithë kohës, në vijim të një projekti që ishte vetëm i tiji, ai asnjëherë nuk u ndesh haptazi me pararendësin e tij. Një nënqeshje të cilën mund ta merrje si të doje ishte përgjigjja e vetme që ai i vinte në dispozicion pyetjeve në lidhje me të ardhmen politike të Nanos. Madje më shumë se kaq: pa asnjë qibër ai i përdorte sipas rastit dhe interesave të çastit të gjithë ata që përbënin deri dje anturazhin më të afërt të Fatos Nanos dhe në prezencë të tyre vazhdonte të kërkonte ndjesë për "qeverisjen e keqe", në të vërtetë të atyre që e rrethonin. Mosangazhimi i Nanos, si dhe bashkimi i përkohshëm me Metën - për interesat e Ramës, kuptohet - në një kuptim ia lehtësoi vënien nën kontroll të të gjitha strukturave të Partisë Socialiste. Shumëkush pati mundësinë që të ngushëllohej pikërisht me këtë bashkim. Me mbylljen e procesit zgjedhor lokal të vitit 2007, kur figura e Ramës pësoi pa asnjë dyshim goditjen e parë të rëndë publike, si rob i idesë fikse për pushtet vetanak të pakufishëm (të pandashëm me askënd), Rama ndërmori një sërë veprimesh që mbështesnin pikërisht këtë projekt. U nda nga Meta dhe u rimbështoll nga figurat tradicionale të së majtës. Vendet bosh i mbushi me shpejtësi nga njerëz pa identitet publik ose pjesë e përfolur e të ashtuquajturit kartel ndërtimi të Ramës. Falë marrëveshjeve me Berishën - marrëveshje të cilat në të vërtetë i shërbyen vetëm Berishës, Berishës si Kryeministër i asaj kohe, por edhe Berishës si Kryeministër që sapo u inaugurua dje - ai vazhdonte me këmbëngulje të shtronte rrugën e një pushteti personal të dimensioneve të rrezikshme për demokracinë e nesërme. Ndarja mes së ashtuquajturës "politikë e re" dhe politikë e vjetër u bë një gardh të cilin Rama e lëvizte me lehtësinë e interesit të çastit. Vetëm se në mënyrë të pashmangshme në krahun e së ashtuquajturës politikë e vjetër, numri i personave publikë dhe me reputacion politik sa vinte e shtohej. Si në atë shprehjen popullore që dëshmon përkeqësim të gjendjes, ai u ngjante atyre personave që, në mënyrë autofshikulluese shprehen: shesim qen, blemë këlyshë. Ndërkaq zërave racionalë që kërkonin bashkim kontributesh dhe vlerash, ai iu përgjigjej me heshtje dhe me veprime të pashpjeguara. Strukturat e partisë, sidomos pas së ashtuquajturës reformë elektorale dhe votime sipas parimit: "një anëtar, një votë", u bënë inekzistente.
Dhe ja ku mbërritëm pas zgjedhjeve kur ai, në dhimbjen e papërballueshme të humbjes, artikuloi edhe cepin e tretë të trekëndëshit të Bermudeve, domethënë emrin e Fatos Nanos, i cili në të vërtetë, në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht kritikave ndaj Ramës, kishte bërë thirrje publike për bashkim, deri te tavolina e thirrur nga Meta vetëm një javë para zgjedhjeve.
Sjellja paszgjedhore e Ramës flet për një hidhërim të madh vetjak. Tani shpirtkëputur, ai nuk kursen të shpallë armiq të rinj dhe të bëjë gjeste që vetëm dëshpërimi t‘i këshillon. Pasi shpërfilli rezultatin zgjedhor të certifikuar edhe nga komisionerët e vet (militantë) deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi anashkaloi nenin që vetë e kishte shkruar në statutin e partisë dhe rikandidoi, pasi bëhet gati të përzërë pesë deputetë nga grupi i tij parlamentar, ai shpërfilli edhe raportin përfundimtar të institucionit të vetëm ndërkombëtar që monitoron zgjedhjet në botën e civilizuar. Karshillëku fëmijëror i ditës së djeshme, kur pas braktisjes së Kuvendit ai gjykoi të shkojë në Pezë - nën një simbolikë populizmi démodé,- është vetëm shprehje e këtij hidhërimi të thellë që i ngjan një shumëkëndëshi hidhërimi.
… Tregojnë se ata që arrijnë të dalin gjallë nga Trekëndëshi i Bermudeve, kanë nevojë për një trajtim të gjatë dhe zakonisht nuk dalin nga gjendja e habisë melankolike. Ata nuk dinë të shpjegojnë ç‘kanë parë dhe përgjithësisht e kanë të pamundur të ndajnë realen nga iluzioni.