Pashë shumë duar të çuditshme të çoheshin e të votonin pro bërjes me dyer të mbyllura të Kongresit të Socialistëve. Pashë për shembull të ngritur dorën e një zonje të nderuar që, për mbi 15 vjet përmes shoqërisë civile dhe Komitetit të Helsinkit ka luftuar pikërisht për fjalën e lirë. Ndërsa tani në një minutë i vuri ferrën asaj ç‘ka kish bërë për 15 vjet. Pashë të ngritur dorën e një socialisti të vjetër, i cili ka qenë edhe Kryeministër.
Dhe a e dini se si iu hap rruga për t‘u bërë Kryeministër? Sepse KPD-ja e famshme u bë e hapur për mediat, gjë që bëri që të rrëzohej Kryeministri që ishte, që sot po bën qeveri me Berishën dhe kështu ai u bë Kryeministër. Dhe tani në një çast i vuri ferrën gjithë asaj që kish predikuar brenda partisë në kaq e kaq vjet. Pashë të ngritur edhe dorën e një mikes sime, shkencëtare e gjuhësisë. Të paktën gjuhësia është ndër ato shkenca që bazohet te fjala dhe kulti i transmetimit publik të mendimit. Megjithatë, edhe ajo i ktheu kurrizin shkencës që i kish kushtuar jetën dhe votoi kundër fjalës.
Pashë të ngrinte dorën edhe një tjetër miku im, babai i të cilit hyri në histori vetëm pse ia doli që, në mes të luftës, të mblidhte bashkë miq e armiq dhe të flisnin hapur për bashkim. Edhe ky i vuri një gur sipër veprës tashmë të panevojshme të të atit. Pashë të ngrihej edhe dora e një vajze, që studimet i ka mbaruar në Amerikë, atje ku i gjithë sistemi është i bazuar mbi fjalën e lirë e të hapur. E megjithatë, dorën e ngriti si për të dëshmuar se mësimet e Amerikës janë një gjë, ndërsa kulisat e Tiranës janë tjetër.
Historiani nuk bëhet dot politikan. Nuk bëhet dot, pasi duke njohur teatrot e dramat e luajtura gjatë historisë, e ka të vështirë të luajë të njëjtat skena pa iu skuqur faqja. Nuk e merrni dot me mend se sa herë në këta 60 vjet, shqiptarët janë gjendur në kushte ku iu është dashur që brenda një salle të vendosin të flasin apo të heshtin, të ngrenë dorën apo ta ulin. Nuk e merrni dot me mend se sa herë kanë zgjedhur të mos flasin, të mos komprometohen, të konformohen; se sa herë të tjera me zjarr e hov janë hedhur të mbrojnë udhëheqësin e radhës, herë me pathos real, e herë për t‘i bërë qefin. E pra po aq herë pastaj, tehu i satërit të politikës ka arritur një ditë edhe tek ata, por kur e kanë parë veten të shtrihen në altar, kanë ardhur të tjerë të rinj që ua kanë bërë siç kishin bërë ata dikur.
Sa herë dëgjoj deklarata patetike, apo shoh duar që ngrihen me urdhër dhe gojë që mbyllen me celular, më kujtohen radhë-radhë, Qemal Stafa e Naxhije Dumi, Nako Spiru e Ramize Gjebrea, Sejfulla Malëshova e Tuk Jakova, Liri Belishova e Ramadan Çitaku e Bedri Spahiu, shumica fare të rinj, por që të gjithë, fillimisht të konsumuar për të ngritur kultin e Komandantit e më pas të sakrifikuar, për ta çimentuar atë.
Të gjithë këta e shumë të tjerë si këta, të gjithë ata të ditës së Kongresit dhe shumë të tjerë si ata, me histori të gjata familjare a personale, u vunë ferrën të gjithave, dreqi e di mbi bazën e çfarë mekanizmi misterioz që vepron në vende në të cilat demokracia dhe fjala nuk janë gjëra të lindura, por të mësuara. Me ç‘duket po arrijmë në fazën më të lartë të fasadës së demokracisë, që është ajo e kufizimit të demokracisë me demokraci.
Bota po shkon në Mars, ndërsa ne ende merremi me lirinë, bota po zgjidh tumorin, ngrohjen globale, të drejtat e kafshëve, ndërsa ne ende s‘ia dalim të besojmë njëri-tjetrin dhe të biem dakord për rregullat e lojës, e lëre më pastaj për vetë lojën.
DY PERËNDITË
Anila është gazetare, madje kryeredaktore. Banon në një apartament në kodrat e Tiranës, atje ku nuk duhej të kish pallate por pemë. Pallati është i ri, por uji më shumë s‘i vjen se i vjen. Kështu që Anila ka vënë një rregull. Kur ka të ftuar në shtëpi, ata lejohen të shkojnë në banjë dhe të përdorin galexhanitin, vetëm po u bënë tre veta bashkë. Vetëm pasi bëhen tre, ata me radhë mund të shkojnë në banjë i pari, i dyti dhe pastaj, i treti ka të drejtë të shtypë butonin magjik të galexhantit. Kështu edhe njerëzia mbarojnë punë, edhe e zonja e shtëpisë nderohet, edhe uji kursehet. Pastaj Anila duhet të ulet e të shkruajë për gazetën, të ndjekë e analizojë ngjarjet politike të ditës dhe trendin e zhvillimeve të ardhshme në vend për t‘ia servirur njerëzisë në gazetë.
Kleer-i është danez. Punon në një organizatë ndërkombëtare në Tiranë dhe jeton në një apartament me qira në Tiranë. Apartamenti është në një pallat nga ata me shumë kate, por ujin e ka me orar ama. Kur vjen uji në shtëpi, Kleeri është në zyrë, ndaj është detyruar të vendosë një tjetër depozitë në tarracë. Sqima do e ketë bërë të mos i duket e udhës të përdorë mënyrën e Anilës për të kursyer ujin, ndaj pasi ka vrarë mendjen danezçe, e gjeti zgjidhjen ndryshe. Brenda kutisë së galexhantit, ka vendosur dy gjysma tulle, të cilat, duke zënë një pjesë të volumit, bëjnë që depozita e tij të mbushet me më pak ujë. Sistemi është shumë rentabël dhe funksionon për bukuri ndërsa pasi e ka përdorur, Kleeri ulet të shkruajë raporte për avancimin e procesit të asocim-integrimit të Shqipërisë dhe për përmbushjen e kushteve për pranimin në BE.
Monda punon tek Alitalia. Rastin e saj e kam përmendur edhe një herë tjetër, kur i ftuar për darkë familjarisht, pasi çova vajzën në banjë, dëgjoj të më bërtasë nga pas për të mos përdorur galexhantin. E pyes se si e kishin ata "rregullin" e përdorimit dhe më thotë se "Ne e kemi tre sh.. një m... Pra, vetëm pasi shkojnë tre veta që urinojnë dhe një që bën të madhen, e zbrazim galexhantin. Përndryshe depozita lart në tarracë zbrazet tak-fak". Pas kësaj, gjatë ditës Monda merret me kombinimin e biletave nëpër gjithë agjencitë përqark Europës, me koordinimin e një morie procesesh e procedurash elektronike që shkojnë nga Vjena e Londra e deri në Tokio apo Uashington, si edhe me integrimin e itinerareve të atyre në duan të vijnë a ikin nga Shqipëria me pjesën tjetër të botës.
Jeta e këtyre tre njerëzve në këtë vend, rrjedh midis dy perëndive: Perëndisë Kompjuter të intelektit dhe Perëndisë Galexhant të nevojës. Të dyja janë perëndi të sjella nga Perëndimi, nuk i kemi shpikur ne këtu. Perëndinë Kompjuter, që për gjithë botën është edhe më e vështira, nuk e kemi më problem, e zotërojmë bindshëm, ndërsa Perëndia Galexhant, që bota as që e nderon më, këtu ndër ne mbretëron ende fuqiplotë. Shqiptarët janë fetarisht indiferentë, aq sa edhe Krishterimi mbeti për dymijë vjet fare sipërfaqësor ndër ta, apo e braktisën e ndërruan fetë njërën pas tjetrës, sa herë ju doli me leverdi kjo gjë. E pra, atë që s‘ua bëri dot Perëndia e Jerusalemit në dymijë vjet, po ua bën dymijë vjet më pas Perëndia Galexhant.
Dhe pastaj çuditemi e na vjen inat me Europën pse s‘na qas në derë !!!.