BARRIERAT E NJEREZVE
E patë para disa ditësh nëpër lajme Kryeministrin tek kapërcente gardhin rrethues të Kryeministrisë dhe të zbriste shkallët për të takuar një grup të rinjsh?
Nuk është problemi te punonjësit e shërbimit, që nuk qenë në gjendje as të gjenin butonat që komandonin uljen e atyre kangjellave (ato janë të pajisur me një sistem elektrik, që i ul ato në rast nevoje). Nuk është problemi as te fakti që nuk është aspak e hijshme pamja e një shtetari që kapërcen kangjellat. Nuk më bëri përshtypje pozitive, as forma e shkëlqyer fizike e një gjashtëdhjetë e ca vjeçari që kapërcen pengesat si kaproll.
Tjetër gjë është ajo që më bëri përshtypje dhe më trembi dhe kjo është NATYRSHMËRIA me të cilën e kapërceu gardhin Kryeministri im. Doli nga porta kryesore e godinës, në të dy anët e së cilës qëndrojnë gatitu dy roje me uniformë ceremoniale dhe sipër së cilës valon flamuri kombëtar, kaloi sheshin e vogël midis portës dhe gardhit, duke parë dhe përshëndetur grupin e njerëzve që e priste poshtë në trotuar, eci me hapa të mëdhenj pa ulur aspak kokën, dhe, duke vazhduar me duar të përshëndeste njerëzit, me një mega-hap kapërceu kangjellat dhe vazhdoi të zbriste shkallët drejt grupit që e përshëndeste. Çdo njeri i rritur në qytet dhe që e ka humbur kontaktin fizik me pengesat e natyrës së hapur, minimalisht do të kishte ndaluar për një çast përpara kangjellave, do të ishte menduar: a është mirë t‘i kaloj apo jo dhe nëse i kaloj dot apo jo, do të kishte mbështetur duart mbi hekura për të ndihmuar veten gjatë kapërcimit dhe ndoshta, edhe pasi të kalonte përtej tyre, do të kthente kokën pas për të parë veprën që posa kishte realizuar. Ndërsa Kryeministri ynë nuk përjetoi asnjë prej këtyre momenteve. Shenjë kjo e qartë e njeriut të ardhur nga mali dhe për të cilin barrierat ende ndahen në pengesa që mund të kalohen dhe në pengesa që nuk mund të kalohen. Ndërsa për njeriun e qytetërimit të zhvilluar, pengesat ndahen në pengesa që lejohet të kalohen dhe në pengesa që nuk lejohet të kalohen. Duket si lojë fjalësh, por në diferencën midis tyre qëndrojnë 5000 vjet marshim drejt qytetërimit.
Për të qenë më i qartë, më lini t‘i bie pak gjatë. Dikur, njerëzit sa herë donin të bënin të ditur një vullnet të caktuar ndalues, përdornin pengesa fizike. Për shembull, për të ndaluar hyrjen në një vend, ai rrethohej me gardhe të larta e me hekura me majë. Apo, për të ndaluar kalimin në një rrugë, ajo mbyllej me një zinxhirë të fortë a me trarë të shëndoshë, të cilët nuk çaheshin as me forcë. Hap pas hapi që shoqëria avanconte dhe që mbi të vepronte efekti zbutës i qytetarisë, këto pengesa tentuan të kthehen në simbole që zëvendësonin vetë objektin. Tashmë nuk është më e nevojshme të mbyllësh një rrugë me tra apo me zinxhir, por mjaftohen të vënë një tabelë në hyrje të saj, ku thuhet se ndalohet kalimi apo, në rastin ekstrem, rruga mbyllet me shirit plastik, i cili shërben jo për të penguar fizikisht kalimin, por për të treguar se aty nuk kalohet. Edhe parqet apo lulishtet, nuk është më nevoja të rrethohen me gardhe, mure e copa xhami sipër mureve, por mjafton një kangjellatë e ulët, që shërben si simbol për të treguar se aty nuk duhet kaluar. Qyteti modern është i mbushur me simbole barrierash që funksionojnë pa qenë prezente vetë barriera reale. Nuk është e nevojshme të rrethosh me kanal apo me blloqe betoni një vend parkimi, por mjafton vizatimi në asfalt i një vije të verdhë.
I gjithë ky sistem barrierash virtuale, ka ardhur si rezultat i jetës në bashkësi dhe i vendosjes së kodeve të bashkëjetesës qytetare. Mirëpo, i gjithë ky sistem nuk vlen dhe është i pamjaftë në momentin që i duhet të përballet me njeriun e rritur jashtë këtij sistemi simbolesh dhe i cili vjen nga epoka apo vendi kur pengesa është e tillë vetëm kur ekziston realisht në terren dhe kur është aq e madhe sa nuk kapërcehet dot me forcën e muskujve. Një djalë i ri fshati, do të ecte drejt nëpër një terren të thyer, pa i vënë re gardhet, ferrat, brigjet apo kanalet, që do t‘i duhej të kalonte, ndërsa po ta provojë këtë cilido prej jush, që pa u nisur do shihnit më parë sesa pengesa ka, nëse i kapërceni dot, nëse gardhi ka ndonjë derë nga mund të kalohet pa e kapërcyer, apo nëse kanali ka ndonjë urë me dërrasa. Apo, imagjinoni më ‘20-n se si do kenë mbetur gojëhapur italianët që kishin rrethuar Vlorën me tela me gjemba, për të treguar që andej ndalohej kalimi, kur kanë parë lebërit që vazhduan të kalonin natyrshëm, thjesht duke hedhur gunat mbi tela!
Problemi ynë nuk është që kemi një Kryeministër që ka fuqi të kapërcejë gardhet, problemi është që kemi një Kryeministër që i kapërcen gardhet me natyrshmëri.
BARRIERAT E GODINAVE
Deri vonë në mesjetë, çdo njeri që ja kishte ngenë nga xhepi, e rrethonte banesën e tij me mure dhe, dëshmi për këtë, është numri i madh i banesave të fortifikuara, shatóve, sarajeve e kështjellave që gjenden anekënd Evropës. Mure të trashë e të lartë, me bedena sipër e me kanale me ujë përpara, brenda të cilëve gjendeshin godinat e banimit. E gjithë kjo vinte si rezultat i pafuqisë organizative të shoqërisë dhe i përplasjes së egër midis atyre që kishin dhe atyre që nuk kishin. Sa më tepër shtetet mesjetare fillojnë të marrin formën e shteteve të organizuara, aq më tepër frika nga sulmi i papritur ulet, derisa arrijmë në shekujt XVII-XVIII, kur pallatet ndërtohen midis parqeve të hapura dhe pa sisteme të fortifikuara. Kujtoni pallatet e aristokracisë angleze, franceze apo italiane të kësaj periudhe, njerëz që jetojnë tashmë në pallate me dritare të mëdha që në katin përdhes, me porta xhami pa kangjella, e me godina të tjera të kësaj kategorie. Të njëjtin drejtim të zhveshjes nga fortifikimet e barrierat, ndoqën edhe godinat me funksione publike dhe shtetërore.
Pak a shumë të njëjtën linjë ndoqi edhe arkitektura jonë, për të arritur në ndërtimet masive publike të viteve ‘30-‘40, të cilat janë shumë të hapura dhe të pambrojtura ndaj sulmeve fizike, pasi janë konceptuar për një shoqëri të qytetëruar. Sa për të dhënë shembuj, Kompleksi i Ministrive në Tiranë i ka dritaret pa kangjella, apo godina e Kryeministrisë është me dritare shumë të mëdha dhe pa asnjë lloj rrethimi përreth. Logjika është e thjeshtë: Shteti modern nuk mbrohet me mure e hekura, por me ligje e rregulla.
Por papritur në vitin 2003 (!!!) shoqëria shqiptare i rikthehet modelit të vjetër, atij mesjetar e paramesjetar, të rrethimit me pengesa fizike. Kryeministria, pas tre sulmeve djegëse, u rrethua me hekura me majë. Ajo godinë moderne e shekullit XX, që nuk e prekën as konfliktet e Luftës Botërore, e as luftimet e Çlirimit të qytetit më 1944, as italianët e as gjermanët, u detyrua t‘u drejtohet veglave të mesjetës pikërisht në agim të mijëvjeçarit të ri. I vetmi element modern në këtë lëvizje mesjetare, qëndron në faktin që sistemi i ulje-ngritjes së kangjellave është elektrik dhe jo me çikrik e litarë si në urat e kështjellave të qëmoçme.