Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Manuali i konferencave

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Manuali i konferencave

Të moçmit thonë se dikur kanë ekzistuar emisione lajmesh në të cilat nuk kishte asnjë konferencë, por kjo duhet të jetë ngjarje e kohëve të lashta, pasi sot shpalosja nëpër media e lloj-lloj konferencave, që prej atyre që mund të kenë ndonjë vlerë, të paktën teorike, e deri tek ato që nuk i hyjnë në punë as dreqit, është e pashmangshme. Për të ndihmuar njerëzit që, të bombarduar me zhvillime konferencash që zënë njëra-tjetrën, s‘ia dalin t‘u peshojnë vlerën, më lejoni të jap disa mendime të miat rreth tyre, mendime që nuk pretendoj të jenë doemos gjithmonë të sakta.

Sa më anglo-amerikan të jetë emri i konferencës dhe sa më shumë terma nga informatika të ketë, aq më pa bukë është. Për këtë, që në titull duhet të përmbajë terma të llojit: workshop, strategji, perspektivë, mijëvjeçar (ne që nuk zgjidhim dot hallin e vitit!!!), sfidë, impakt, integrim, stimulim, orientim etj.

Nëse në konferencë janë të ftuar dhe marrin pjesë ambasadori amerikan, Kryeministri, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, ambasadori i OSBE-së, ai i Komunitetit Europian, si edhe ndonjë tjetër i llojit, dijeni se konferenca është organizuar vetëm që amerikani ose europiani të thotë një sentencë dhe, pas dhjetë minutave të para, kur ikin kamerat, ose pas seancës së parë, kur ikin të ftuarit e rëndësishëm, do ia mbathin një nga një edhe të gjithë ata që ndërkaq nuk i ka zënë gjumi.

Nëse konferenca mblidhet në sallën e hotel "Sheratonit", hotel "Tiranës" dhe hotel "Rognerit", ajo është e organizuar sa për të rënë në sy e për t‘u dukur, si edhe që të ftuarit të mos lodhen duke ecur gjatë më këmbë, por të lëvizin vetëm nga dera e makinës e deri te porta e hotelit. Shto pastaj edhe faktin që shumica e të ftuarve të huaj jetojnë në një nga këto tri hotele. Shto pastaj edhe tjetrën, që shumica e politikanëve të ftuar gjenden ndërkaq në klubin e hotelit dhe komoditeti kthehet në maksimal. Kështu, e gjithë jeta shqiptare për ta përmblidhet në trekëndëshin "dhoma e hotelit - klubi i hotelit - salla e hotelit".

Që konferenca të ketë impakt maksimal përpara komunitetit ndërkombëtar, ajo duhet të ketë një temë sa më pranë problemeve të të huajve dhe, për rrjedhojë, sa më larg halleve tona reale. Për shembull, të preferuara janë temat për trajtimin e pakicave seksuale, kur ne kemi plagë trajtimin e të tjera pakicave; tema për kushtet e jetës në burgje (mungesa e celularëve dhe televizorëve), në një kohë që ne kemi problem real azilet e pleqve dhe shtëpitë e fëmijës; tema për ndalimin e duhanit në qendrat e votimit, kur ne kemi hall vetë kryerjen e procesit të votimit; tema për shkollimin e fëmijëve të 10 familjeve rome të Bregut të Lumit, kur ne kemi hallin e shkollimit të qindra fëmijëve të ngujuar për gjakmarrje, e kështu me radhë.

Konferencat që organizohen nga institucionet shtetërore në bashkëpunim me ndonjë organizëm ndërkombëtare, kanë të keqen e madhe që bëhen sa për t‘u dukur para të huajve, sikur demek e kemi marrë seriozisht atë shakanë e integrimit. Pas konferencës pastaj, në qeverisje, ministri a administratë, nuk ndryshon as edhe një qime e vetme, por konferenca doli mirë ama. Nga ana tjetër, shumica e konferencave të zhvilluara nga ndonjë OJQ e jona në bashkëpunim me ndonjë OJQ a organizëm të huaj, kanë pak a shumë të njëjtën të keqe brenda. Ose OJQ-ja jonë është krijuar që në themel sa për të marrë një donacion që e ka zbuluar në internet dhe, pas konferencës do shkrihet për fare; ose, edhe në mbijetoftë, do ta bëjë sa për të peshkuar ndonjë donacion tjetër. Që t‘u bjerë në sy sa më mirë donatorëve, do kujdeset që të bëjë një pankartë sa më të madhe të konferencës, si edhe ta filmojë për së gjëri e për së gjati.

Kur, në vitet ‘90 në Shqipëri vërshuan lloj-lloj sektesh fetare, fillimisht shqipot u vajtën pas nëpër takime e mitingje turma-turma e i dëgjonin gojëhapur. Pas një farë kohe, kur dëgjonjësit filluan të rrallohen e të shohin punët e tyre, predikonjësit filluan të shpikin lloj-lloj kurthesh për t‘i mbajtur pas vetes. Kështu për shembull, kur bënin lajmërimet, shtonin se pas predikimit do kishte shpërndarje dhuratash apo drekë falas. Të zeztë njerëz, duronin nja dy orë predikata për botën e përtejme apo pse kjo fe qenkësh më e mirë se ajo e predikuesit të sallës tjetër, vetëm e vetëm nga shpresa e dhuratës apo pjatës së supës në fund. Pak a shumë, të njëjtën gjë e vërej edhe nëpër konferencat e sotme, duke futur nga një koktejl pas seancës së parë të gjumit (më falni, të konferencës). Kështu veprojnë konferencaxhinjtë amatorë, se ata me eksperiencë e kanë rafinuar kurthin. Nëpër ftesa thuhet se pas seancës së parë do ketë koktejl, dhe pastaj as që e ndërpresin fare konferencën deri në fund, që njerëzit të mos kenë mundësi që, nëpërmjet tërheqjes strategjike t‘ia mbathin nga salla.

Më thoshte një profesor italian që merret me restaurime, se këtu po shihte që konferencat shkonin së prapi. Në të gjithë botën ku ai kish shëtitur e referuar, në seancën e parë, që ishte edhe ajo e pjesës formale dhe të përshëndetjeve, sallat ishin gati bosh dhe pastaj, në seancat e tjera, ku diskutoheshin çështjet reale, sallat mbusheshin nga të interesuarit, ndërsa këtu po i ndodhte e kundërta. Në seancën e parë (sa ishin autoritetet dhe kamerat) salla ishte plot, ndërsa kur fillonin referimet shkencore, për të cilat ishte mbledhur konferenca, salla zbrazej. Nuk ia vlente t‘i shpjegoja profesorit se kjo gjë më qetësonte, pasi në Shqipëri çdo gjë ndodh në të kundërt të gjithë dynjasë dhe do më merakoste fakti sikur për konferencat të ndodhte ndryshe.

Zakoni e do që, pasi dhashë kaq shumë shëmbëlla të liq, të jap edhe një të mirë. Ja për shembull, u mblodhën s‘ka ca ditë në një konferencë gazetarët për punë të etikës në media, problem i shkaktuar kohët e fundit jo vetëm nga harbutllëku i politikës, por edhe nga krisma që ka marrë brenda vetes edhe vetë bota e gazetarëve profesionistë. E pashë lajmin pak nëpër emisione lajmesh e pak nëpër gazeta dhe vura re shumë shenja që më tregonin se gazetarët qenë mbledhur për të zgjidhur një problem real të tyrin që sa vjen e rëndohet, e jo për të bërë reklamë apo për të dalë në televizor. Ishte bërë sebep të mblidheshin Aleksandër Çipa, njëri syresh, ishin mbledhur në një sallë të vogël që ua kish lënë pa qira Remzi Lani, edhe ky njëri syresh, rreth një tavoline që nuk linte vend për shumë kamera, në ballë të murit nuk kishte një pankartë të madhe me emrin e konferencës, në sallë s‘kishte kravata dhe asnjë ambasador që jepte direktivat.

E them me bindje se, organizimi i aktiviteteve të tilla, është shenja më e sigurt se shqipot po arrijnë pikën e trajtimit të problemeve që ju interesojnë realisht vetë atyre dhe po heqin dorë nga trajtimi i problemeve që të huajt mendojnë se i kemi, apo që një OJQ vendos se duhet t‘i kemi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama