Si sot java Qyteti im mbushi të 90-in vit të shpalljes Kryeqytet. I mbushi në heshtje, se asnjeri nuk u kujtua për këtë. Është kollaj të themi “s’u kujtua njeri se të gjithë e kishim mendjen te takimi i tre të mëdhenjve” në një sallë të këtij qyteti, përfshirë këtu edhe Kryetarin tim. As që “nuk bëri festime Tirana, se Kryetari po bënte Luftën e Madhe për të shpëtuar kutitë” nuk e themi dot. Kryetarët e mëdhenj (shteti, bashkish, a ushtrish qofshin) dallohen kur ia dalin të ndërtojnë sisteme që funksionojnë edhe kur ata merren me punë të tjera. Ja për shembull, ta zëmë se Tirana do e kish festuar me shkëlqim e me muzikë, me shfaqje e me gumëzhimë 90-vjetorin, e merr dot me mënt se si do mblidhej grusht Saliu atje në takimin për kutitë. Sikur jashtë sallës së Takimit të Kutive, qyteti të shkëlqente nga dritat, parqet të ishin shtuar e shumuar, trotuaret e rrugët të ndrisnin nga mirëmbajtja e pastërtia, muzetë, bibliotekat, theatrot, kinematë të gëlonin nga zërat e shfaqjet, e merr dot me mënt se si do dukej i vockël Saliu atje në tryezën e bisedimeve. Mirëpo Saliu e ka ngritur zënë, pikërisht se qyteti pak ose aspak kish ç’të festonte në 90-vjetorin e vet.
Mirëpo qysh të festonim, kur ky qytet nuk ka ende teatër të vetin (flas të vetin, se ai që është pranë Bashkisë është “kombëtar” dhe e mban shteti); se dua të kujtoj se nuk ka ende një Bibliotekë të Qytetit, apo një Galeri Artesh të Qytetit (se ato që janë, janë kombëtare dhe i mban shteti). Për të mos shkuar më tej e të themi se Tirana nuk ka një muze të vetin (nuk po themi pesë a gjashtë, po një, njëckë të vetëm).
Dhe të mos harrojmë, se këto që thashë më sipër e ca të tjera akoma, i kanë e i financojnë shumë qytete të tjera që nuk janë si e sa Tirana, që nuk kanë një kryetar si ai i Tiranës, e që mbi të gjitha nuk janë as kryeqytet siç është Tirana. Apo më tej, se e vetmja trupë e cirkut që ekziston në vend, është në ditët e saj më të zeza diku mes plehrave dhe gërmadhave prapa ca pallateve; se edhe ajo e shkretë trupë e estradës që ende e kishte një sallë të sajën, e nxorën jashtë ish-pronarët dhe u harrua sikur të mos kish qenë kurrë, pas gjysmë shekulli që ata aktorë kishin qenë mes nesh.
Saliu bën sot si luani në sallën e takimit të kutive, se nuk sheh përballë luanë. Më kujtohet kryetari im, se sa u gëzua ai, luani i kopshtit zoologjik, kur dhjetë vjet më parë Ti u bëre kryetar dhe e quajte atë “luani dydimensional” aq i pangrënë ishte. Mendoi katrani se i erdhi fundi urisë kronike ku e kishin lënë ata që qenë para teje, bashkë me ariun e vetëm në botë që ushqehet me bukë dhe jo me mish që ia vidhnin dhe ia shisnin në dyqan. Ditët kaluan e u bënë vite, vitet u bënë dekadë dhe nuk ndryshuan as dimensionet e luanit dhe as menyja e ariut. Por ta hajë dreqi, kur ai kopsht zoologjik me të cilin jemi rritur të gjithë (natyrisht duke qëndruar jashtë), është i vetmi në Republikë, të gjithë kemi përgjegjësi ta shpëtojmë dhe Ti ca me shumë, se të kemi vënë në krye të të gjithë neve. Sikur sot luani i kopshtit zoologjik të ulërinte nga mirëqenia e shëndeti dhe të zbaviste kalamajtë e qytetit tim, Saliu s’do kish dot zë as sa një kone atje në sallën e takimit të kutive.
Janë ditë të vështira këto që po kalojmë, por nuk mjafton kjo për t’u justifikuar pse nuk i përkujtojmë datat e mëdha. Shumë dekada më parë, më 1919-n, kur Vlora vuante nën okupatën italiane, megjithatë e festoi me sa mundi përvjetorin e Pavarësisë atë 28 Nëntor. Dhe qe pikërisht ky përkujtim që u mbushi zëmrat vlonjatëve dhe i bëri të ngrihen pak muaj më pas e t’i hedhin italianët në det.
Edhe Lushnja që Lushnjë është, pa ndonjë histori kushedi se çfarë, e ngriti kokën dhe e festoi një muaj më parë 90-vjetorin e Kongresit që mban emrin e atij qyteti. Po pastaj, se historia nuk mbaroi aty? E pra, pasi u mbyll Kongresi i të mënçurve në Lushnjë, ata u ngritën të gjithë bashkë, erdhën në Tiranë dhe i vunë emrin e madh Kryeqytet, emër që ne s’qemë në gjendje ta festojmë se kishim hallin e kutive.
Po mirë, le të merrej Kryetari me takimin e madh të kutive, ndërsa ne të tjerët jashtë të festonim 90-vjetorin për inat të Saliut. Të festonim për shembull nëpër lulishtet e reja të qytetit, ku të gëzonin kalamajtë, të dashuronin djemtë, e të rehatonin pleqtë. As që ëndërroj të shtojmë ndonjë lulishte të re, po të paktën të ruanim e ndreqnim ato që kishim. Mos më gjykoni rëndë pa i numëruar, se po s’i numëruat ju, ua kujtoj unë. Një lulishte trashëguam nga zemra e Tiranës së Vjetër, që nga Koha e Turqisë dhe që, kur qeveria i dha emrin Tiranës Kryeqytet, i dha edhe Lulishtes emrin Popullore. E pra kjo lulishte para Selisë së Partisë së Doktorit, tani, në 90-vjetorin e Kryeqytetit, u zu e tëra fund e krye me ndërtim. Fusha tek “Ali Demi” po zihet edhe ajo me ndërtime. Parku te stadiumi “Dinamo” filloi të rrethohet me llamarina e të kafshohet nga ndërtimet pikërisht këto ditë. Fusha te stadiumi “Qemal Stafa” edhe ajo u zu përgjysmë nga një kullë pikërisht këto ditë. Lulishtja..., mjaft, po e lë me kaq që të mos rëndoj dorën. Sikur këto lulishte të mos qenë zënë, por në to të cicërinin kalamajtë, as Saliu nuk do cicërinte dot sot në Tryezën e Kutive, se do i nxirrnin sytë nënat e atyre kalamajve.
E mbyti Shkodrën Saliu, ndaj me të drejtë Kryetar vajte në Shkodër t’u tregoje shkodranëve se ku qe katandisur qyteti i tyre dhe ua tregove, por Shkodra e ka një godinë teatri për t’u pasur zili, ndërsa Tirana jo. As për kinema Tirana s’ia merr Shkodrës, dalin një me një, por edhe këto private dhe jo të Bashkisë. Por ku dreq m’u kujtuan kinematë se kjo më sjell në mend atë që s’është më: të famshmen kinema “17 Nëntori”. Ndërtesën elegante dhe ultra moderne të viteve ’30, vepër e arkitektit tonë në zë Skënder Luarasi, të cilit kur mundohem t’i gjej një vepër që është ende në këmbë me vështirësohet puna, se furtunë pas furtune nuk kemi lënë gjë në këmbë. Sërish edhe këto i duam nga ty Kryetar, se pala tjetër e pamë ç’qe në gjendje të bënte, kur u zhdukën të gjitha kinematë apo shfaqeshin vetëm filma “asisoj”. I ka mbetur vërtet shumë pak kujtesë këtij qyteti, aq pak sa ç’do gjë që i heqim, lë pas një zgafellë që nuk mbushet dot me pallate, se zgafellet në tru nuk mbushen me llaç e beton. Dhe kujtesa e këtij qyteti do vendin e vet ku t’u shfaqet brezave, vend që duhet ta gjesh ti, se pala tjetër na e ka dëshmuar se s’është për këto punë.
Pesë vjet më parë shkrojta një shkrim me të njëjtin titull si ky i sotmi, por me ndryshimin e vetëm që atëherë të uroja 85-vjetorin ndërsa sot 90-vjetorin. Tek ai shkrim i para pesë vjetëve, flisja për time bijë, që atëherë ishte 2 vjeçe dhe që kisha filluar të mendoja me vete se si do t’i përgjigjem kur të rritet e të më pyesë se ku rrinte qeveria kur erdhi në Tiranë, apo ku e kishte shtëpinë mbreti (se kalamajtë mendojnë që mbreti ka një pallat gjithë pasqyra), apo ç’gjurmë i kanë mbetur këtij qyteti nga 300 vjetët e tij të para si qytet, apo se ku janë parqet e lulishtet që e vinin dikur Tiranën në vendin e parë në Europë për sipërfaqe të gjelbër, apo shumë e shumë pyetje të tjera, përgjigjet e të cilave ne po i mbulojmë nën beton. Kaluan 5 vjet, ime bijë tani është 7 vjeç e shkon në klasë të parë, por kam frikë që jo vetëm se përgjigjja e pyetjeve të saja nuk më është lehtësuar, por më është vështirësuar ku e ku më shumë. Se vetëm kryetari i Bashkisë mund t’i bëjë këto punë që nuk janë punë të qeverisë, por të tijat dhe vetëm Ti mund t’i bësh këto punë që pala tjetër e dimë mirë që as i ka pasur në mënd t’i bëjë.
Pesë vjet më parë, kur bëra shkrimin e parë, kishe pesë vjet Kryetar. Tani po bëhen dhjetë. Dhe dhjetë në nëntëdhjetë nuk janë pak, se i thonë që më çdo nëntë vjet të historisë së kryeqytetit, një e ka kaluar nën qeverimin tënd. Pak a shumë po kaq ka edhe Saliu në krye të vëndit po t’ia mbledhësh. Dua Kryetari im, që të mos të të zemëroj me ç’të numërova më sipër, por të të vë në lëvizje (me sa mundem) për t’ia dhënë qytetit tim ato ç’ka i mungojnë, se halli im ta thashë edhe më sipër, është që kur të më pyesë ime bijë, t’i them se ky qytet është kryeqytet jo vetëm se kështu e quajtën ca burra të mënçur 90 vjet më parë, por edhe për ca gjëra të tjera që u bënë në kohën e Kryetarit që qëndroi më gjatë në krye të tij.