Ç’DO LEMË PAS
Ditën e parë, Topi takon Berishën dhe Ramën. Ditën e dytë Topi takon Berishën dhe Topi takon Ramën (veç e veç). Pastaj Topi takohet me Montobion dhe me Lohanin. Ditën tjetër Montobio dhe Lohani takohen me Topin. Ditën tjetër Montobio takon Lohanin (sikur s’kishin qënë gjithë kohën bashkë si Coli me Lolin). Të gjithë ia hedhin Topin njëri-tjetrit dhe pastaj në darkë takohen mçeftas pa Topin. Kryetari i qeverisë flet me Kryeministrin e Belgjikës, por jo me kryetarin e opozitës së vet. Kryetari i Tiranës, me konferencë shtypi, uron përvjetorin e dytë të Pavarësisë së Kosovës, por nuk gjen kohë të urojë qytetarët e vet për 90-vjetorin e Kryeqytetit. Meqë s’mjaftojnë këta, ku të gjithë flasin me të gjithë përveçse me atë me të cilin duhet të flasin, po mbërrijnë edhe ca Delegatë të tjerë nga Evropa për të folur dhe, fol të flasim fillon nga fillimi. Delegatët takohen me Ramën. Berisha takon delegatët. Delegatët takohen me Montobion dhe Lohanin. Lohani, Montobio dhe Delegatët takohen me Topin. Pastaj avazi rifillon nga fillimi fare: Topi takohet me Ramën dhe Berishën.
Ndërkaq Shqipëria vazhdon të na shkojë për shalësh. Përditë vithiset nga një fshat a një grup shtëpish për shkak të shirave e të shpyllëzimit barbar. Në Berat e Vlorë u shkatërruan edhe ujësjellësat, nga ky shkak edhe kanë ditë edhe pa ujë. Përditë vdesin shqiptarë nëpër rrugët që, çdo gjë janë, po rrugë s’janë. Lumenjtë dalin nga shtretërit e përmbytin ç’mundin. Malet vazhdojnë të plagosen nga guroret e lumenjtë nga gërryerjet. Saliu thotë se do e privatizojë gjithë Shqipërinë, ndaj o burra në rradhë për ankand. Çmimet vazhdojnë të shkojnë përpjetë javash javash dhe pa u ndjerë. Një hokatar Shkodre që merret me tregti, më thosh si pa gjë të keqe: “Leni Tan, ma mir t’mos e gjejn fjalën e t’qesin syt, se ndryshe do merren me na tuj na marr taksa e tatime”. Ngado ndërtohet pa leje edhe më shumë se kur s’kish ligj që i ndalonte. I kini vënë re se si janë shtuar betonierat udhëve të Tiranës? Kronika e zezë vazhdon të nxiroset me mjete gjithnjë e më të frikshme: e hodhi në pus, i ra me sqepar, i preu kokën me sëpatë, i nguli kazmën, e dogji me benzinë. Në një vend ku ka ende 200 mijë armë pa leje dhe njerëzit i zgjidhin konfliktet me sqepar, ka diçka që nuk shkon.
Pardje u lajmërua se në Elbasan rrezikon të vithiset kisha mesjetare Shelcanit, ndërsa dje u lajmërua se edhe Apollonia ka filluar të vithiset. Ne sot, pas 20 shekujsh, nuk e dimë se ç’debate politike bënte qeveritari i Apolonisë me kryetarin e opozitës, neve na mbërriti vetëm qyteti antik të cilin s’po jemi në gjendje ta mbajmë. E shkuara na përcolli veprat dhe i treti ndër shekuj llafet e të mëdhenjve, ndërsa ne po zhdukim veprat dhe po lëmë pas vetëm sherret e tyre të fiksuara në shirit e letër.
Merreni me mënt kur të ulen të hedhin në letër historinë ata që do t’u bjerë kjo barrë pas 100 vjetësh dhe të shkruajnë: “Pyjet, kishat dhe Apolloninë nuk i trashëguam dot, por ama hapëm kutitë”.
GAJDJA E KUTIVE
“Bjeri gajdes” qe fraza e fundit që kish mësuar ime bijë në klub. Ajo nuk pi, por meqenëse s’ka park lodrash ku të shkojë, shoqet e shokët e vet i takon vetëm kur mami ose babi shkon në klub. Megjithatë, do thënë gjene mirë, se mund të kish dëgjuar edhe ndonjë “mos më çaj gajden”, po nejse.
Për t’ia bërë të qartë se kjo ishte një frazë e shëmtuar, u ula t’i shpjegoja sefte se ç’ishte gajdja, që gajdja ishte një instrument muzikor, që bëhej duke i hequr lëkurën deles pa e çarë dhe pastaj fryhej dhe pastaj me anë të një fyelli të lidhur në një nga daljet e kacekut, prodhohej një muzikë e ëmbël, etj., etj. Për t’i hequr edhe imazhin e tmerrshëm të deles së rrjepur pa mëshirë, e mora në prehër para kompjuterit dhe në “YouTube” u përpoqa të gjej një muzikë gajdeje. Kënga e parë që më erdhi ndër mënd dhe që s’ka shqiptar të mos e dijë, ishte e famshmja “Bjeri gajdes gajdexhi”. Shtypa në tastierë gërmat e këtij titulli dhe në “YouTube” m’u rreshtuan nja dhjetë variante të kësaj kënge, por për besë, asnjëri i përkëtej kufirit, por të gjithë nga Kosova. Me ç’dukej, në Shqipëri gajdja, ky instrument i jashtëzakonshëm i traditës, na kish lënë shëndenë. Me një farë mërzie kontrollova shpejt e shpejt variantet kosovare dhe mërzia m’u kthye në trishtim, pasi asnjëri syresh nuk qe me gajde, pasi kjo ishte zëvendësuar me organo elektrike. Do zanat e mjeshtëri gajdja, do zanat për ta prodhuar e mirëmbajtur e mjeshtëri për të mësuar t’i biesh. Këndej kufirit ka humbur edhe kënga edhe instrumenti, ndërsa andej kufirit kishte mbijetuar kënga, por jo instrumenti. Megjithatë, kur u përpoqa të zgjedh njërin nga variantet e gajdexhiut të “YouTube”-s për ta parë dhe dëgjuar ime bijë, kjo qe moralisht e pamundur. Mund t’i shihja vetëm unë e të kënaqesha sa të doja, pasi ishin plot shalë të zhveshura, vetura të stërshtrenjta ku hipnin bukuroshe shalëgjata, tryeza kumari ku përkuleshin të tjera bukuroshe gjimëdha, ndërsa i shoqëronte kolona zanore e deformuar me “bjeri gajdes gajdegji” etj., etj.
Ta kish parë Berluskoni vallë këtë klip, para takimit me Berishën? S’di ç’të them? Hoqa dorë nga gajdexheshat e kolme dhe u vura të kërkoja nëpër “YouTube” ndër të tjera vise. E gjeta gajden e vërtetë, atë të traditës, ndër këngë serbe, e gjeta në këngë maqedonase, madje edhe në greke e bullgare, ku kumbonte bukur ndër duar mjeshtrash vëndës të mbathur hijshëm me veshje popullore nga të vëndit të tyre. E gjeta më tej në Skoci e në Britani, në Irlandë e deri nëpër ceremoni udhëve të Washingtonit. E gjeta traditën të rronte e shëndetshme në të gjitha vëndet e përparuara e moderne, por nuk e gjeta atë në vendin traditëmadh që e thonë Shqipëri.
Ehuu, ku e keni hallin ju, e ku e kam unë. Ju keni hallin e kutive, e unë merrem me punë gajdesh. Ndjemëni, por ime bijë është ende e vogël, nuk e kupton dot punën e kutive, ndaj s’ia shpjegoj dot. Apo mos është më mirë që, për të qenë në një hap me kohën, t’i shpjegoj asaj punën e gajdes së kutive.