Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kosova-Shqiperia e Dyte

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 15 vite më parë

Arjan Konomi
Kosova-Shqiperia e Dyte

Shqipëria është i vetmi vend në botë që kufizohet me veten e saj. E thënë ndryshe ajo kufizohet me territore historikisht shqiptare, pjesa më e madhe e të cilave popullohet më shumicë dërrmuese ende sot nga shqiptarët. Tërësia e kësaj hapësire gjeografike e ndodhur jashtë kufijve administrativë të Republikës së Shqipërisë mund të konsiderohet si një "Shqipëri e Dytë", nga Ulqini deri në Manastir.

Ta emërtosh këtë vend në këtë mënyrë do të thotë që t’i largohesh edhe termit Shqipërisë së Madhe, që gjithmonë ka shqetësuar jo vetëm fqinjët, studiuesit si dhe të politikën ndërkombëtare. Ka qenë pikërisht kjo shprehje që kundërshtarët jo vetëm të lirisë së Kosovës, por edhe ata të cilët kanë ndjekur një politikë kundër ndërhyrjes ushatarake të Natos, janë përpjekur të japin argumenta kundra. Dhe kjo propagandë ka patur edhe efekte negative duke bërë zgjatjen në kohë të zgjidhjeve në favor të popullsisë shqiptare. Mbiemri “e Madhe” është përdorur gjatë historisë për shtetet që kanë dashur ta shtrijnë në emër të historisë së largët ekspansionin e territorit të tyre pothuajse gjithmonë në kurriz të popujve të tjerë. Por asnjëherë nuk thuhej se ajo që ekzistonte në realitet ishte një Serbi e Madhe që kërkohej të mbahej në këmbë duke shtypur dhe ushtruar dhunë mbi popullsinë shqiptare në emër të miteve mesjetare, të betejave të humbura të së shkuarës, në emër të fesë dhe objekteve të kultit, duke vepruar në prag të shekullit të 21 ashtu si në mesjetë.

Nga ana tjetër, vetë shqiptarët, nuk e kanë përdorur asnjëherë konceptin e Shqipërisë së Madhe. Ajo që më shumë i mëshohet, jo aq në sensin politik sesa në atë nacional patriotik, është Shqipëria Etnike që nënkupton jo realitete territoriale historike sesa një realitet prezent të ekzistencës së shqiptarëve në shumicë dërrmuese. Ka qenë shumë i fortë edhe komponenti historik, sidomos në atë krijimtari intelektuale shqiptare, e cila është përpjekur të sjellë argumenta sa më shumë në dobi të lirisë e pavarësisë së Kosovës, pra të shkëputjes së saj nga Serbia. Origjina ilire e shqiptarëve, autoktonia e tyre në këto territore, dyndjet e popullsisë sllave nga shekulli VII e më pas, mite dhe beteja, me logjikën se këto janë argumenta bindëse të së drejtës së kombit tonë, duke moskuptuar që në këtë mënyrë arsyetimi çështja shqiptare vetëm dëmtohej, duke i dhënë dëshmi botës së një mentaliteti të prapambetur shqiptar.

Për politikën e sotme ndërkombëtare që diktoi tërë zhvillimet e dhjetë viteve të fundit në Kosovë nuk kishte rëndësi asnjë element historik. As kush kishte banuar më parë dhe as kush kishte më shumë objekte qofshin të kultit apo edhe të tjera, me të cilën të dy palët si ajo serbe dhe ajo shqiptare kërkonin të kapeshin në vërtetim të së drejtës së tyre. Nuk ekziston një e drejtë historike, por ekziston një e drejtë e vetme, që është ajo që nuk lejon shtypjen dhe dhunën e një popullsie ndaj një tjetre. Këtë e kuptuan mirë luftëtarët e UÇK-së, lufta propagandistike e të cilëve ishte shumë më efikase se ajo e armëve. Ata ditën të shfrytëzonin me efikasitet surprizues zhvillimin e internetit dhe të teknologjisë.

Me pavarësinë e Kosovës kemi lindjen për herë të parë në histori të një shteti të dytë të shqiptarëve dhe duke e ngushtuar gjeografikisht termin që përdora në fillim të këtij artikulli mund të themi se sot Shqipëria e Dytë është Kosova. Pas festës dhe euforisë së pavarësisë shqiptarët e atjeshëm do fillojnë ta ndiejnë gjithmonë e më shumë faktin që ata edhe pse historia bashkëkohore punoi në favor të tyre, nuk bëjnë pjesë në shtetin që quhet Shqipëri. Ashtu si sot e tutje ata do të quhen shtetas kosovarë të kombësisë shqiptare, një fjalë kjo që e ka etimologjinë e saj në gjuhën serbe. Flamurin e ri të tyre do ta shohim vetëm në takime diplomatike apo evenimente politike shtetërore, sepse padyshim që shqiptarët e Shqipërisë së Dytë do të vazhdojnë të mbajnë e të tundin në duart e tyre flamurin me shqiponjë po aq të tyre sa dhe e shqiptarëve brenda kufijve të shqiptarëve të Shqipërisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama