Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bijt e Teutës

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Bijt e Teutës

Vërtet që Komuniteti ka thënë kështu, por unë them se edhe PD-ja ka të drejtën e saj. Kaq i duhesh Saliut që të dilte i larë para shqiptarëve dhe para të vetëve. Ja, edhe Europa po na jep të drejtë edhe neve. Dhe gjithçka mbetej atje ku ish. Qeveria në të sajën, Saliu në të tijën. Shkëmbeni tani emrin e Dorisit me të Svobodës dhe të Saliut me të Ramës dhe më thoni se çfarë ka ndryshuar. U ngrit Europa me Çaushogllunë në krye, erdhi e tha që opozita duhet të hyjë në Kuvend dhe, pa u ngrysur dita doli Svoboda e tha se s’duhet të hyjë.


Jam i bindur se nga gjithë kjo histori, shqiptarët janë ndier të kënaqur në sedrën e tyre. Sërish u është dukur se u tallën me Europën duke e detyruar të vijë këtu me delegacione, dërgata e kryetarë dhe t’i sjellim vërdallë pa mbaruar punë. Epo, xheç do jemi edhe ne, qëkurse i bëmë të vijnë këtu aq sa nuk kanë vajtur asgjëkundi tjatër – ka menduar secili shqiptar i lodhur nga hallet e ditës dhe i shushatur nga lajmet e darkës. Ashtu siç na u duk sikur qemë më të zgjuarit e dheut kur e bënim Dan Evertsin të fliste me vete te shkallët e Kryeministrisë, apo kur e detyronim Vranickin të mos e zinte gjumi nga sikleti hoteleve të Tiranës. Ashtu siç na është dukur vetja më të rëndësishmit e dheut, kur detyruam Europën të dërgojë 14 ushtri për të na paqtuar më ‘97-n. Ashtu siç na dukej vetja më trimat e dynjasë kur thoshim se do fitojmë jo vetëm kundër një armiku, por edhe kundër një koalicioni armiqsh, apo se do hedhim valle në gojë të ujkut. Ashtu siç na është dukur vetja më të drejtët e planetit, kur u tregonim sovjetikëve se ç’ishte sovjeti dhe se ku e kishin gabim ata. Ashtu siç na është dukur vetja më të pashmit e dheut kur na u mbush mendja se mbreti ynë do martohej me të bijën e mbretit të Italisë apo se Hitleri na paskësh në zemër si popull të veçantë. Ashtu siç na ish dukur vetja se ja hodhëm Europës, kur Haxhi Qamili thosh se “s’pyes për Nemcen (Perandoria Austro-Hungareze) sa të kem Tapizën”. Po e le me kaq këtë marrëzi kolektive tonën, që është shumë, shumë e vjetër, sa zë fill me Teutën që përzuri delegatët e Romës se i kërkonin të ndalonte piraterinë nëpër Adriatik (dhe pasi i përzuri edhe i vrau) dhe pastaj, kur erdhi Roma dhe e bëri Ilirikun shesh e lëndinë, thamë po këta ç’patën që merren me ne.

Në të gjithë këtë histori palo-shteti, që e fillon me Haxhi Qamilin dhe mbaron me Svobodën (mbaron për momentin, se jam i bindur që do vazhdojë), ka tri palë. Më nj’anë është Europa që, pas djersitjes së parë, shkon tutje duke qeshur me marrëzitë tona; është banda e kopukëve të radhës, që bëjnë gallatë me Europën në emër të shqiptarëve; dhe në fund janë shqiptarët vetë, që pasi karfosen për një ditë se ja hodhën Europës, ulen pastaj të hanë dhé me dhëmbë për dhjetë vjetët e ardhmë.

FATI I MADH

Më në fund marrëveshja u arrit, Berisha u takua me Ramën. Tani çdo gjë do marrë udhën e mirësisë e të përparimit, tani hallet tona mbaruan, tani edhe fukarenjtë do ngrysen zengjinë dhe të uriturit të nginjur. E gjitha kjo mirësi nuk lidhet aspak me takimin e dy të mëdhenjve, jo or jo gjetkë është e mira. Tani që dy të mëdhenjtë u takuan, shqiptarët do bien rehat e do u kthehen punëve të tyre, tani që kutitë u hapën edhe vetë kryetarët do kthehen e të bëjnë ndonjë lek punë për atë që janë votuar.

Tani me kuti të hapura, për shembull nuk thotë dot njeri se nuk rregullohet bulevardi pa u hapur kutitë. Ja, kutitë u hapën dhe do s’do Bashkia duhet të rregullojë bulevardin nga Qendra deri tek Stacioni i Trenit, që mban emrin prej sojlliu “Zogu I”, por që është katandisur si mos më keq o Zot.
Tani Bashkia nuk thotë dot që nuk rregullohet sheshi “Skënderbej” pa u hapur kutitë, por do detyrohet ta shtrojë sheshin. Ka vite që shitësit e makinave, kur ta jepnin makinën për ta provuar, të thonin “Shko bëj një xhiro te sheshi ‘Skënderbej’. Po u rezistuan amortizatorët atyre gropave, e ke hallall makinën”. Sa për kujtesë, nuk po kërkoj qiqra në hell, bie llafi të shtrohet ndonjë rrugë në Pukë apo sheshi i fshatit në Martanesh, por bash sheshi qendror i kryeqytetit, sheshi me emrin pompoz të Heroit Kombëtar.

Tani që u hapën kutitë, Bashkia i ka duart e lira të merret me semaforët e qytetit. Jo me të gjithë, se as që ekzistojnë, por me ata pak që ekzistojnë dhe që nuk punojnë.

Tani që u hapën kutitë, Bashkia i ka duart e lira të merret me përmirësimin e trafikut në qytet, me tregjet që janë për faqe të zezë, me rrugët e lagjeve, me sistemimin e Lanës, me ndërtimet pa leje që vazhdojnë të lulëzojnë brenda qytetit, me tërheqjen e plehrave që po na mbysin, me...

Tani që u hapën kutitë, edhe banorët e Saukut nuk do duan më të kalojnë nga administrimi i Tiranës nën atë të Komunës së Farkës, si deri më sot. Duket surreale, por është e vërtetë. Ma kanë thënë vetë ata kaq e kaq herë gjatë fushatës së fundit dhe halli i tyre ishte se Komuna e Farkës, që është kufi me ta, rrugët i ka të shtruara, me trotuare e drita, ndërsa rrugët e tyre në Sauk janë për faqe të zezë.
Tani që u hapën kutitë, Bashkia do gjejë kohë të merret edhe me varrezat e qytetit, se po varrosen njerëzit nëpër rrugicat e varreve e rrëzë mureve, ndërsa lopët bredhin mbi varre. E kuptoj që zgjidhja e madhe ndoshta gjendet në Strasburg, po varret duam s’duam duhet t’i rrethojmë me mur në Sharrë, se nuk i çojmë dot xhenazet në Strasburg, veç në u ngritshin lugat.

E shihni se sa të mira ka për Tiranën hapja e kutive, ndërsa kish nga ata trutharë që thonin se asgjë s’do ndryshonte u hapkan a s’u hapkan. Mirëpo për fat të keq, gjithë sa më sipër nuk është veç një ëndërr e bukur që s’u bë dot realitet. Dy të mëdhenjtë vërtet u takuan, por s’u muarën vesh, se nuk u takuan që të merreshin vesh, por që t’ia linin Topin njëri-tjetrit.

Ka vetëm një të mirë për qytetin, moshapja e kutive. Pa u hapur kutitë, nuk arrihet konsensusi pozitë-opozitë dhe për rrjedhojë nuk mblidhet dot KRRT-ja e Bashkisë. Dhe, për sheshet ku lozin fëmijët dhe për lulishtet ku prehen pleqtë, nuk ka mallkim më të madh se sa mbledhja me konsensus e KRRT-së.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama