Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ka edhe më!

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Ka edhe më!

Kishe zënë kokën me duar Maks Velo kur shkruaje e denoncoje ndërtimin te sheshi “Italia” para stadiumit “Qemal Stafa”, bash midis Tiranës. Maks, jo për ty, por për të sqaruar qytetarët, përpara se të vazhdoj më lejo ta them me dy fjalë thelbin e gjësë.

Në lulishten përpara stadiumit “Qemal Stafa”, në qershor 2002, Bashkia e Tiranës ka dhënë një leje ndërtimi. Kjo leje ndërtimi, pak muaj më pas, u kundërshtua dhe u anulua nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës, i drejtuar nga Fatos Nano. Subjekti hodhi në gjyq këtë vendim të KRRTRSH-së dhe e ndoqi gjyq më gjyq, pa u ndier për 4 vjet rresht. Në fund e fitoi me gjyq, pra leja u quajt e ligjshme dhe subjekti filloi ndërtimin. Në këtë moment, kur godina filloi të marrë formë midis sheshit, me të drejtë Maksi ndërhyn i skandalizuar dhe shkruan siç do të shkruante kushdo që ka mundësi ta bëjë, se si mund të lejohet të ndërtohet në atë vend.

Maks, pa dashur të të trishtoj edhe më shumë, jam i detyruar të të them se e vërteta është edhe më e thellë, edhe më e turpshme nga sa e paraqet ti në shkrimin tënd. Maks, ty të duket skandaloze që i është kthyer prona pronarit aty në mes të sheshit, por jo është edhe më e rëndë. Ajo tokë ishte e shpronësuar me pará një herë nga italianët më 1940-n (që ne u themi pushtonjës) dhe ata ndërtuan aty lulishten, kështu që s’kish si të ishte me pronarë. Mirëpo për turp e faqe të zezë, Komisioni i Kthimit të Pronave, diku nga viti 1994 apo ‘95, me atë lulishte kompensoi një pronar tjetër, që kush e di se ku e kishte pronën. Veprim më i paligjshëm, më i turpshëm dhe i papërgjegjshëm s’ka ku të vejë, mirëpo ja që ata e bënë dhe gjemb s’u hyri në këmbë, veçse dolën burra të mirë me pronarin e sapopronuar.

Vazhdojmë më tej. Bashkia e Tiranës në vitin 2002 kur ka dhënë lejen e ndërtimit, ka shkelur haptazi ligjin e Urbanistikës dhe Planin Urbanistik në fuqi, të cilat e parashikojnë atë sipërfaqe me destinacion “lulishte”. Edhe atyre që dhanë lejen nuk u hyri gjemb në këmbë, përveçse dolën burra të mirë me atë që do ndërtonte aty.

Hallka tjetër që mund ta bllokonte këtë marrëzi, ishte Instituti i Monumenteve. I gjithë kompleksi i atij sheshi ishte shpallur dy vjet më parë, në vitin 2000, “Ansambël Monumental” dhe si i tillë ndaloheshin ndërhyrjet dhe ndërtimet e reja. Mirëpo, as ky institucion nuk e bëri detyrën, jo vetëm duke mos e zbatuar ligjin por edhe duke e shkelur atë haptazi, por as atyre nuk u hyri gjemb në këmbë, veçse edhe këta dolën burra të mirë me pronarin.

I vetmi që zbatoi ligjin në këtë dava, ishte “hajduti” Fatos Nano, i cili e anuloi këtë leje ndërtimi, mirëpo siç e do historia që, për të këqijtë nuk flitet mirë, edhe unë s’po flas më tej. Fatos Nano u doli në shteg gjithë kopukëve të këtij vëndi, si dikur Esat pasha dhe u kthye në një farë “rifugium peccatorum” e të gjitha të ligave të këtij vëndi që i paska bërë ai, ndërsa gjithë të tjerët kanë qenë burra të mirë e të ndershëm.

Megjithëse ndërtuesi e çoi vendimin e Fatos Nanos në gjyq, gjykatat nuk i dhanë dot të drejtë, aq e paligjshme dhe e dukshme ishte shkelja e ligjeve. Mirëpo gjyqin që se fitoi dot për vite me radhë as në Fakt, as në Apel e as në Gjykatë të Lartë, e fitoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila në mes të gjithë padrejtësive që bëhen në Shqipëri, gjeti kohë të merrej me lulishten e Tiranës dhe... anuloi të gjitha vendimet e gjykatave të tjera bashkë edhe vendimin e Fatos Nanos dhe i dha të drejtë ndërtimit (!!!). Do të duhej një ushtri juristësh që të shpjegojë se ç’punë ka Gjykata Kushtetuese me këtë davá dhe si dreqin ia gjeti anën që s’ia kishin gjetur dot tri gjykata para saj, por fakti është fakt. Natyrisht që Gjykatën Kushtetonjëse nuk e gjykojmë dot ne vdekatarët e thjeshtë, ndaj le t’ia lëmë Perëndisë në Qiell t’u kërkojë hesap një ditë se si e bëjnë këtë punë, ndërsa edhe ata dolën burra të mirë me ndërtuesin e radhës.

Të shkojmë më tej. Si fitoi të gjitha gjyqet, ndërtonjësi vajti prapë në Bashki dhe para ca muajsh mori leje për të rifilluar punimet. Pra, si të mos mjaftonte turpi i vitit 2002, prapë i dhanë lejen për të rifilluar punimet, kështu që edhe këta dolën burra të mirë me ndërtuesin. Mirëpo pikërisht këtu diçka shkoi ters. Pas shkrimit tënd Maks, u interesova dhe e hetova punën në Bashki dhe ma treguan se çfarë kishte shkuar ters, por s’është vendi këtu ta them, për më tepër që në këtë mesele përzihen pa vetëdije edhe njerëz që s’kanë të bëjnë fare me të.

Në këtë pikë mbërrite ti Maks me shkrimin tënd. Maks, ke të drejtë nga germa e parë tek e fundit, por mjaft më, nuk mund të mbyllen më gjërat me një shkrim gazete. Mjaft më, se kemi hyrë në mijëvjeçarin e tretë të Qytetërimit Perëndimor dhe s’mund të mbyllen më sytë kështu. Dikush duhet të japë llogari përpara se të themi që ajo godinë duhet shembur. Nga tufa e madhe e të liqve, dikujt duhet t’i ngecë xhybja nëpër ferra më në fund, se letrat e dokumentet janë të gjitha: kush e ktheu nga pronë publike në pronë private, kush e dha lejen e ndërtimit, kush firmosi që të ndërtohej në një zonë monument kulture, si e justifikuan me gjykatë, kush e dha sërish lejen për të rifilluar punimet. E sheh sa shumë janë? Unë jam i prirur të mos e kërkoj të keqen te sipërmarrësi privat, por tek administratori publik. Është e drejtë e çdo sipërmarrësi privat që të shfrytëzojë çdo hapësirë të mundshme dhe çdo të çarë të sistemit, se në fund të fundit, ai as ka bërë betim për ndershmëri dhe as po rrezikon paratë tona, por të tijat. Përkundër, është detyrë e çdo administratori publik që të mbrojë pronën dhe interesat e publikut, pasi pikërisht për këtë arsye e paguajmë ne publiku nga paratë tona dhe, për këtë punë edhe është betuar ta kryejë, duke vënë dorën ku mbi Kushtetutë e ku mbi Flamur.

Ajo godinë ndoshta vërtet duhet prishur, por vetëm pasi ndërtuesi të dëmshpërblehet deri në qindarkën e fundit për paratë që ka hedhur për ta ndërtuar dhe për paratë që ka hedhur për të blerë truallin. Vetëm kështu ne do të bëhemi të ndërgjegjshëm që këto para dalin nga xhepat tanë dhe që dikush duhet të japë llogari se përse ato u harxhuan për të dëmshpërblyer një person dhe jo për të ndërtuar një kopsht a shkollë.

Maks, ti ke parë shumë në jetë, shumë më tepër se unë, madje ke parë edhe errësirën e qelisë që, për fat, unë dhe shumica e shqiptarëve të rinj nuk e njohëm. Por ajo që ti s’e kishe imagjinuar kurrë, është zvetënimi dhe fëlliqja morale ku u zhytën shqiptarët e rinj, pikërisht në epokën që i thamë Demokraci.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama