Me Ledin kisha ditë që shkëmbeja email-e dhe telefona. I është futur studimit të toponimisë së zonës së Kepit të Rodonit, një nga cepat më kuriozë e enigmatikë të bregut tonë. Atyre anëve është kështjella e Rodonit, e vetmja kështjellë e ndërtuar nga Skënderbeu. Asaj ane është edhe Kisha e Shn’Andoit, në manastir të së cilës thuhet të ketë qëndruar Mamica e Kastriotëve. Në muret e asaj kishe, gjatë restaurimit të bërë pak vjet më parë, u gjet afresku i një shqiponje dykrerëshe. Është e vetmja stemë heraldike e afreskuar që ka mbijetuar në Shqipëri. Krah saj u gjetën të pikturuara disa kallama që japin idenë e një kënete dhe midis tyre tre figura shpendësh dhe një femër kalorëse.
Ledi në studimin e saj mbërrin në disa zbulime interesante, shumë interesante, të cilat kish bërë ndër mënt t’i botonte më datë 24 prill. Pse pikërisht në atë datë e ç’janë këto zbulime, unë nuk kam asnjë të drejtë t’ua them para kohe, se i takon asaj lumturia t’ua bëjë të ditura shqiptarëve.
Mesazhi i fundit që mora prej saj më datë 29 prill, qe ky: “Tano, do t’nis me mail foton e nji monedhe plumbi me kojrril n’te. E kam gjet n’nji botim t’vjetër. Shife i her e m’thuj gjith ç’mund t’m’thush”. Ledit i pëlqen të shkruajë gegënisht, ndërsa mua, hera-herës në toskërishte. Ajo asht geg e un tosk, natyrisht pasi të jemi shqiptarë. Të nesërmen ëndrra e saj me stema, zogj e Kastriotë, u la mënjanë. Ledi u mbyll bashkë me shumë të tjerë në grevë të urisë, ku gjendet ende sot që flasim. Greva bëhet për kauza që bota i ka mbyllur prej kohësh në muzeun e historisë, ndërsa ne duhet t’i përballim ende si pjesë të jetës sonë të sëmurë shoqërore, kështu që edhe Ledi, në vend që të studiojë historinë, duhet ta jetojë ende në vetë të parë.
Kohë absurde të një vendi absurd. Kemi ngelur në një ngërç të madh mes dy Shqipërive, njërës që dëshiron e përpiqet të ndryshojë, të zhvillohet, të ëndërrojë, të flasë për internet e koncerte, për libra e studime dhe nga ana tjetër një Shqipëri e zymtë, e mbushur me politikë shterpë e me të shkuar, me kulisa klanesh e hilera zgjedhjesh. Janë pikërisht njerëzit e kësaj Shqipërisë së dytë, që na kanë zënë për këmbe e s’na lëshojnë të dalim në dritën asaj Shqipërisë së parë, Shqipërisë normale.
Jam i bindur se edhe atje brenda, mes zhurmës, vapës, mungesave dhe fjalimeve, Ledi e ka kokën prapë tek shkrimet dhe studimet, ndoshta ndaj edhe s’bie shumë në sy të kamerave e s’u qaset mikrofonëve.
DOKTORI
Të shtunën u mbajt në Durrës një konferencë për gjendjen mjedisore alarmante në vend. Me ç’po ndodh këto ditë, të merresh me punë të tjera e me punë mjedisi, duket marrëzi, po s’ke ç’i bën. Për të tilla raste do ta ketë nxjerrë populli atë shprehjen “kur zbrazen topat, s’i dëgjon njeri dyfekët”. Unë top s’kam, ndaj dyfekun tim do vazhdoj ta zbraz, paçka se në kohë të çmendura shkon huq. Meqë do përgatisja një ndërhyrje timen në Konferencë, të premten paradite shkoj të takoj dy miq të mi që merren me çështje mjedisi. I takoj në një klub diku te Blloku, të ulur në një tryezë me plot të njohur të tjerë të majtë e të djathtë, me parti e pa parti.
Anipse kisha shkuar të flisja për punë mjedisi e territori, qe gati e pamundur, se të gjitha bisedat shkonin tek greva që bëhej as treqind metra më tej. Dëgjova të flitej edhe me shpoti për të ngujuarit, dikush bënte batuta se si hanë, dikush tjetër të qeshte me ta. Dukej një ambient të painteresuarish, që flisnin sikur të bëhej fjalë për një ngjarje të nja njëqind vjetëve të shkuar, apo që ndodhte larg tyre diku në Azi. Nuk ia vlente të përpiqesha të ndërhyja. Unë vetë kam marrë pjesë në një grevë urie 19 vjet më parë, në fakt e para grevë urie e kohëve tona dhe, e di mirë se ç’do me thënë. Ndërkaq mbërrin një mik i përbashkët me profesion mjek. Kish qenë në mjediset e grevës, kish qenë vazhdimisht në kontakte telefonike me ta dhe ndërsa na fliste në tavolinë, vazhdonte të shkëmbente mesazhe e telefona me ata brenda, herë me një e herë me tjetrin: Sa e ke tani tensionin, po rrahjet e zemrës, mos pi shumë ujë njëherësh, ku të dhemb koka, a të janë mpirë duart, mos u ngri vrik nga shtrati, mate edhe një herë tensionin, mos rri shumë në diell, tret pak kripë në ujë, e plot të tjera të llojit.
Shpjegimet e tij dhe telefonatat i hodhën ujë të akullt tryezës sonë. Ishte sikur papritur ata njerëz u transportuan papritur që aty nga tavolina me pije, drejt e në fushën e një beteje plot tym, krisma e gropa predhash. Doktori vazhdonte të fliste për rreziqet e secilit, për minën me sahat (kështu e quajti ai) të Blend Klosit që vuante edhe nga diabeti, për krizat e dhembjes së fortë të kokës të Ben Ahmetajt apo për tensionin shumë të ulur të Besnik Barajt. Por ka edhe më keq, vazhdonte të fliste mjeku për rrezikun e jetës që u kërcënohej femrave të përfshira në grevë, nëse do të kishin ciklin menstrual në një gjendje të tillë.
Femra, kjo krijesë e butë, që Zoti e di pse ia ka dhënë edhe këtë vuajtje të përmuajshme, duhet ta kalojë në qetësi e mundësisht edhe me praninë e të dashurit të zemrës, që ta lehtësojë, ndërsa në ato kushte ... Me rregull feje, gratë që i zë Muaji i Ramazanit në ditët e ciklit, për ato ditë nuk mbajnë agjërim. Feja prej mijëvjeçarësh ia ka gjetur zgjidhjen kësaj përplasjeje midis rrugës së natyrës dhe vullnetit të njeriut. Ndërsa ne, njerëzit e shekullit të arsyes, përplasemi pa shpresë për t’u marrë vesh.
Në fillim heshtën të gjithë, pastaj kokë ulur njëri pas tjetrit, kush me një sebep e kush me një tjetër u ngritën dhe ikën. Në fund mbeta vetëm me doktorin që nuk i pushonte celulari dhe me mikun tim që po përgatitej për Konferencën e Mjedisit.
SISTEMI
Njerëzia, që prej kohëve që u larguan prej pyjeve e maleve dhe filluan të jetojnë bashkë, u gjendën përpara problemit të zgjidhjes së konflikteve midis tyre. Sa rronin të veçuar një këtu e një atje, rrallë u ndodhte të përplaseshin me njëri-tjetrin dhe, kur kjo ndodhte, ndahej gjithmonë me forcë e me kopaçe. Por, qëkurse zunë rrugën e qytetarisë e të zhvillimit, dalëngadalë e hap pas hapi, filluan të ngrehin lloj-lloj mekanizmash gjithnjë e më të komplikuara e të sofistikuara, për të mos i zgjidhur konfliktet e mosmarrëveshjet me dhunë e muskuj, por me mënt e drejtësi.
Shkruan ligje e shpikën gjykata, pastaj ngritën partira e parlamente ku bëhen debate e gjendet udha më e mirë. Pastaj formuan komisione e institucione, gjykata e prokurori, fushata zgjedhore e komisione zgjedhjesh, kushtetuta e gjykata kushtetuese, e plot të tjera. Pastaj për t’i ngatërruar edhe më shumë, me qëllim që gjitha këto jo vetëm të zgjidhin konfliktet, por edhe për t’i ruajtur që të mos bien në dorë të një njeriu të vetëm, u shpikën të tjera marifete. Pagesa të larta, zgjedhje të anëtarëve të tyre me mandate e me kohë të ndryshme, ca i emëron një trupë e ca një trupë tjetër. Një pjesë e këtyre strukturave, me gjithë koston e lartë të mbajtjes, përdoren shumë rrallë, vetëm kur paraqitet ndonjë krizë a konflikt, megjithatë pikërisht për këtë e justifikojnë qenien e tyre. Vit pas viti e vend pas vendi, gjithë kjo mori institucionesh që përbëjnë sistemin modern të qeverisjes, e ka provuar veten në shumicën e vendeve të qytetëruara dhe ia ka dalë me sukses të bëjë që ato të mbijetojnë.
Të gjithë këtë sistem të ndërlikuar, prej njëzet vjetësh e kemi marrë edhe ne dhe kemi harxhuar shumë që ta vëmë në punë e t’i japim jetë. Kemi gjykata në tri nivele dhe sipër tyre edhe Gjykatë Kushtetuese, me mandat të gjatë dhe me anëtarë që zgjidhen me një sistem të koklavitur. Kemi prokurori e Kryeprokuror, polici e shërbime të fshehta, kemi Kushtetutë e ligje, kemi parti politike me kongrese e statute, kemi Parlament me debate e komisione, bëjmë zgjedhje e kemi Komision të Zgjedhjeve, kemi ministrira e institucione, mirëpo....
Në këta njëzet vjet demokraci, asnjë krizë e brendshme në këtë vend nuk është zgjidhur e nuk i ka dhënë udhë sistemi i qeverisjes, i cili gjithmonë ka dështuar copë pas cope, e në fund edhe në total, për të zgjidhur krizat. Në këto njëzet vjet, të gjitha krizat midis palëve janë rënduar e mahisur derisa kanë shkuar në përplasje dhe, vetëm atëherë, ose janë marrë vesh midis tyre dy të mëdhenjtë e radhës, ose kanë ndërhyrë ndërkombëtarët për t’i dhënë udhë me urdhër.
Edhe kriza e fundit dhe kërkimi i zgjidhjes së saj vetëm përmes muskujve, tregon që edhe kësaj radhe, sistemi nuk funksionoi dhe, meqenëse në fund të fundit ngritja e sistemit është detyra numër një e ekzistencës së klasës politike, shpalosja e dyanshme e muskujve tregon dështimin total në këtë vend të politikës për të ngritur një sistem funksional.