Nuk besoj se ka ndonjë të djathtë normal që nuk ka qeshur me vete këto ditë kur sheh njoftimin e përditshëm: “Shkon në aq e kaq numri i intelektualëve që shprehen kundër grevës së urisë”. Kishte kohë, ndonjë çerek shekulli, që nuk dëgjonim të rreshtoheshin kështu intelektualët për të mbështetur nismat e Partisë.
Nuk besoj se ka ndonjë të majtë normal që nuk ka qeshur me vete këto ditë, kur dëgjonte Avokatin që nga tribuna ju jepte porosi artistëve të rinj të fillonin nga kompozimi i këngës së lirisë. Kishte kohë, ndonjë çerek shekulli, që nuk dëgjonim shokun Enver t’u jepte direktiva intelektualëve se ç’duhej të shkruanin, si të kompozonin a qysh të pikturonin.
Që të merremi vesht, nuk kam ndër mend t’i hyj debatit se kush është autoriteti që të shpall intelektual, çfarë duhet të bësh për t’u quajtur intelektual, dhe çfarë duhet të bësh që të mos jesh më intelektual. Nuk po i hyj këtij debati, jo se është shumë i koklavitur, por përkundër është shumë i thjeshtë dhe i zgjidhur tashmë. Autoriteti i ligjshëm për të të shpallur intelektual, është partia politike, për ta merituar këtë titull mjafton të mbështetësh një parti, ndërsa për ta humbur titullin mjafton të shash partinë tjetër. Për shembull, Toskanini ishte dirigjenti më i madh italian deri në ditën që i quajti palaçollëqe ceremonitë fashiste. Pas asaj dite ai u quajt plak i rrjedhur dhe madje, në mes të La Skalës hëngri edhe një shpullë nga një federal fashist.
Apo Ajnshtajni, ishte një shkencëtar i madh deri ditën që u zbulua se ishte hebre dhe pas asaj dite ishte thjesht një derr çifut. Në kohë të Komandantit, nuk ishte e rrallë të shikoje salla të mbushura me profesorë, artistë e shkencëtarë, që mbanin shënime nga fjala e ndonjë anëtari të Byrosë Politike që kish qenë karrocier, teneqexhi apo kooperativist i dalluar. Po të vijmë më afër në kohë, intelektuali Nard Ndoka, sa ishte ministër, ishte një administrator i aftë për njërën palë dhe një hajdut i rëndomtë për palën tjetër. Pasi ju prish pazari i votave, u shndërrua në tradhtar injorant për palën e parë dhe, në luftëtar i votës së lirë për palën e dytë.
Të tilla shëmbëlla mund të sjellim sa të duam dhe do t’ju lodhja t’u mbush mendjen për një gjë që duket ashiqare, për atë që edhe kësaj radhe partitë ia dolën jo vetëm të ruajnë tagrin për të dhënë titullin “intelektual”, por edhe t’u mbushin mendjen se si duhet të duartrokasin, atyre që tashmë e kanë fituar këtë titull. Ndërsa e vërteta dhe e drejta, për fatin tonë të keq, edhe kësaj radhe gjendet si gjithmonë në cepin e kundërt të asaj që bëjmë ne. Intelektual nuk është ai që duartroket partitë dhe marrëzitë e tyre, por ai që ia del t’i bëjë partitë të heshtin kur flet, pa edhe në mos ia daltë t’i bëjë të heshtin e ta dëgjojnë, vazhdon të flasë e t’ua përplasë në fytyrë marrëzinë e tyre.
Në fakt, ka edhe një tjatër mënyrë për t’u qojtur intelektual dhe kjo është ajo më e sigurta fare. Mjaft të jesh këngëtar ahengjesh, a futbollist që rreh arbitrat, a të hysh në “Big Bradhër”. Kini parë ndonjë parti që të shajë ndonjë të këtillë edhe në ju shprehtë kundër? As që bëhet llaf, se do rrezikonte të humbiste një lumë mbështetësish që durojnë fukarallëkun dhe maskarallëkun e partive, por jo që t’u kritikosh të këtillë idhuj.
Albert Speri, arkitekti i Hitlerit, në qetësinë e burgut ku e shpunë aleatët pas Lufte, shkruante se i vinte turp kur kujtonte dalldinë e madhe të turmave gjermane, ndaj lloj-lloj mediokërve e injorantëve me pushtet, që asokohe edhe atij vetë i dukeshin si kulmi i diturisë. Mirëpo ishte vonë. Për t’i dalë dehja atij dhe atyre gjermanëve që mbetën, u deshën 60 milionë të vdekur dhe shkretimi i botës mbarë. Perëndia, me të madh të saj, na ka bërë vetëm 3 milionë këtu brenda kufijve, kështu që me marrëzitë tona mund t’i bëjmë dëm vetëm vetes e jo tjetërkujt.
Ndërsa unë po i falem Perëndisë për këtë mençuri të sajën, lista e gjatë e intelektualëve që solidarizohen kundër grevës së urisë do vazhdojë të zgjatet nëpër gazeta.
HAXHI SALIU
Lajmi ekonomik që më së shumti i çuditi shqiptarët kësaj jave, na erdhi nga larg: Europa paskësh llogaritur se niveli i mirëqenies së shqiptarëve në raport me nivelin e Europës, në vitin 2010 është i njëjtë me atë të vitit 1910. Pra, në këta njëqind vjet s’paskemi lojtur nga istikami as edhe një gisht. Do goxha punë e mund që të mbash një istikam të tillë se, sado, edhe jashtë vullnetit tonë, në botë ndodhin shumë shpikje e zhvillime të cilat të çojnë përpara edhe pa dashje dhe politikanëve tanë në këta njëqind vjet u është dashur të derdhin djersë pa prajtur për të na mbajtur te gropa e ‘910-ës.
Mua më pëlqen që herë pas here t’u sjell këndonjësve të mij shëmbëlla nga historia jonë, po kësaj radhe ma morën llafin nga goja burokratët e Brukselit. Kështu që më lini që përmes një tjetër shëmbëlli historik, t’u shpjegoj pse ka ndodhur kjo punë.
Sejfi Vllamasi, në kujtimet e tija, na sjell një historizë të jashtëzakonshme të Shqipërisë karnavaleske të vitit 1914. Ndodhi atë mot që udhëheqësi i madh vizionar e popullor Haxhi Qamili, të ulej e të pinte me ca të tjerë myteberë si puna e vet, diku në fshatrat e Tiranës. Në mes të natës vijnë e i thonë: ngrihuni oburra të ikim, se po vijnë nemcet.
Në të folmen e Shqipërisë së Mesme, “nemce” u thonin austriakëve dhe në përgjithësi trupave ndërkombëtare, të cilët në atë periudhë gjendeshin në Shqipëri për të paqtuar shqiptarët mes vedit. E dini përgjigjen e Xhikes? “Sa të kem Kavajën dhe Tapizën nuk pys për nemce unë!”. 95 vjet më pas, Xhikja i radhës, që tani është bërë kryeministër i Shqipërisë, për të treguar se nuk i trembet syri nga kriza politike, ndoqi të njëjtën formulë, shkoi para ca ditësh në Kamëz për të inauguruar rrugën e Tapizës.
Edhe pas njëqind vjetësh, nuk u shkulëm dot nga Tapiza për t’i treguar botës se sa të fortë jemi!!! Sa për Kavajën, është e kotë të shtoj se edhe ajo vazhdon të jetë si njëqind vjet të shkuara bastion, aso kohe i dum babistëve të Haxhiut dhe sot i demokracisë së Saliut.
Dhe juve ju vjen inat pastaj se pse na thotë Europa që në 2010-ën jemi në nivelin e 1910-ës.a