Si sot java shkrojta për gjendjen e ca prej monumenteve, të cilave u kërcënohet qënia, ca nga pleqëria e natyrshme, ca nga pakujdesja e ca nga dhuna e njerëzve. Shkrojta për Murin e Demës dhe guroret e Tomorrit, për urën e Kurt pashës në Velabisht dhe kalanë e Sulejman pashës në Tiranë. Shkrojta dhe prita. Prita që mblidhëshin në Ministri të Kulturës dhe, ose të ndërmerrnin ndonjë masë për të ndrequr punë, ose të më ktheheshin e të më bënin qepaze mua, duke më thënë se gënjej dhe se monumentet qënkëshin më të shëndosha se asnjëherë. Prej këtyre asgjë nuk ndodhi, por ajo që bëri vaki ish për të lënë mëntë. Qeveria çoi xhandarët në Pezë dhe desh të nxjerrë Dashin nga shtëpia.
Dua të më kuptoni mirë, nuk po përpiqem të mbroj Dashin, por t’i mbroj shtëpinë, se kështu përpiqem të mbroj shtëpinë time dhe tënden bashkë, nga kjo marrëzi dhe përdhunë e të fundmes llogore personale. Kanuni ka një kapitull të tërë për paprekshmërinë e kullës, se në kohë të kullës është hartuar. Jam i bindur që po të na kishin lënë gjë të shkrojtur njerëzit e shpellave, do na kishin lënë ndonjë ligj të shkrojtur në lëkurë, ku të flitësh për paprekshmërinë e shpellës. E pra, as në atë nivel s’po dijmë të shfaqemi ne sot në kohën e quajtur të shtetit ligjor.
Shtëpia është mburoja e fundme personale e qënies njerëzore. Luftojnë shtete e mbretëria, pushtohen e dorëzohen vënde e ushtrira, bien kalara e qytete, por në fund ka një pikë ku edhe hasmi ndalet dhe kjo është porta e shtëpisë. Është i fundmi vënd, prapa portës së të cilës çdokush ndihet i sigurtë ku mund të tërhiqet në instancë të fundit, ku edhe në s’i pëlqeftë e gjithë bota mbarë, mund të mbyllet brënda katër mureve të veta dhe të rrojë e të bëjë si të dojë. Është barriera e fundit ku ende ligjet e qytetërimit nuk kanë mbërritur. Kemi bërë ligje se si organizohet një vënd apo një qytet, si ecet në rrugë, si sillet në shoqëri, por të gjitha këto ndalen tek porta e shtëpisë, përtej saj çdokush është mbret më vete. Përtej saj kemi mbi tremijë vjet që bëjmë ligje vetëm se si nuk mund të dhunohet. Madje në këtë pikë, ligjet janë bërë gjithnjë e më të koklavitura për ta vështirësuar sa më shumë prekjen e saj. Edhe në daltë që shtëpia s’është e jotja, mbetet prapë fakti që ajo është banesë dhe për të ta marrë duhet një vandak gjyqe e stërgjyqe, afate e ankime, shpallje e vendime, paralajmërime e përmbarime. I them të gjitha këto për të kuptuar se sa e rëndë është ajo që ndodhi në Pezë, kur i gjithi ky shtresëzim e stërhollim i qytetërimit, befas zhduket pa të keq dhe zëvendësohet me policët te dera që të thonë “merr plaçkat e dil jashtë”.
Do bëhesha i mërzitshëm të përsëris atë që kësaj radhe u duk bajate, që Berisha e ndërmori këtë punë thjesht se atë moment i duhej diç për të tërhequr vëmendjen. Kjo është punë e tija dhe në politikë të tilla manevra edhe bëhen. Ajo që më trishtoi qe pikërisht thyerja pa pikë droje e një tabuje bazë të qytetërimit, që është banesa. Megjithatë, i do dhënë haku, se Berisha kësaj radhe u tërhoq shpejt. U tërhoq nga ajo që po bënte, vetëm për një arsye: me nuhatjen e të ligut, kuptoi që kësaj radhe diversioni i tij, jo vetëm që nuk ngjiti, por krijoi edhe reaksion, pasi bëri që në mendjen e secilit njeri normal, të binte një sinjal alarmi, se kushdo papritur mund të gjendej me xhandarët te dera që i thonë “mblidh plaçkat e dil jashtë”. Bash kjo e bëri Berishën të ndalej e të kalonte tutje sikur të mos dinte gjë, duke lënë ia lënë Xhaferrit barrën e pahir të dilte para kamerave e të thosh marrëzira. Dhe unë që prisja që këta të bëheshin merak për kalanë e Tiranës a për Urën e pashait të Beratit. Hane Shan hane Bagdat! Kështu lashë monumentet më nj’anë dhe vendosa të shkruaj për rrezikun ku mund të gjendemi papritur të gjithë, pa patur kohë as të marrim vesh se nga po na vjen e keqja, apo se ç’kemi bërë për ta merituar atë.
I ra gomari me shqelm luanit dhe ky nga inati nxori ferman e shpalli që gjithë veshgjatëve t’u pritëshin hallatet. Zunë vrapin gjithë gomarët, zu vrapin edhe lepuri të fshihej. Po ti pse fshihesh, i thanë, ti s’je gomar. Po, vërtet që s’jam gomar, po jam veshgjatë dhe, sa ta marrë vesh luani që s’jam gomar, vanë hallatet e mija. Është e vjetër shumë kjo anekdotë, ndaj një popull, anekdodat e të cilit janë njësoj të vlefshme më 1500-ën, më 1700-ën, më 1900-ën dhe 2000-ën, duhet të kuptojë që ka një problem me veten, ndaj duhet t’i thërresë mëndjes në s’do që edhe pas njëqind vjetësh të jetë duke ruajtur hallatet nga dhëmbët e luanit të radhës.
GËZUAR 1 QERSHORIN
Erdhi e shkoi edhe 1 qershori. Kalamajtë u gëzuan, ca duke lypur te Ura e Lanës, ca duke ruajtur lopën në mal, ca duke lozur me kompjuter dhe ngrënë patatina, e ca duke lozur luftash nga një dhomë në tjetrën të shtëpisë. Kalamajtë e pallatit tim, e kam thënë edhe herë tjetër që lozin futboll në bodrumin e pallatit, që është i vetmi vend i lirë që ka mbetur midis dy pallateve.
Fëmijët e tjerë, ata që nuk patën një nga fatet e mësipërme, u ndanë në tri pjesë. Ca i mblodhi Presidenti në Presidencë, duke ju uruar që të kenë më shumë fusha për të lozur. Ca të tjerë i mblodhi Kryeministri në Kryeministrí, duke u thënë se ata duhet të kenë më shumë lulishte për të lozur. Ca të tjerë i mblodhi Kryetari i Bashkisë për të stër’inauguruar të stër’inauguruarën, Lulishten tek Presidenca.
E dini sa herë është inauguruar ajo lulishte në këta 80 vjetët e fundit? Jua them unë. Sefte ai vënd u lirua nga ferrat e shkurret, as më pak e as më shumë po në kohë të Zogut dhe atje filluan të lozin kalamajtë, por me ca siklet, pasi përmes kalonte ende një përrua i vockël që i thonin përroi i Stanit të Gogëve.
Pastaj, pak vjet më pas, kur italianët erdhën si pushtonjës por e kaluan kohën duke ndërtuar rrugë e godina, e futën përroin nën tokë, fushën e thanë dhe e sistemuan duke e kthyer në fushë futbolli për kalamajtë ende jo të shumtë të familjeve që kishin filluar të vendoseshin në Tiranën e Re. Edhe në planin e tyre rregullues, fushën nuk e kishin harruar por e kishin destinuar për lulishte.
Pastaj, pleqtë kujtojnë se englezët që e kishin misionin aty ku është sot Pallati i Kongreseve, organizonin ndeshje futbolli te kjo fushë, deri sa Komandanti i përzuri më ’46-ën, duke lënë sërish kalamajtë zotër të pa tundur të saj.
Pastaj, vetëm një vit më pas, u hartua dhe zbatua një projekt lulishteje, duke u mbështetur kryesisht tek projekti i mëparshëm italian.
Pastaj, pak vjet më pas, u zbatua një projekt tjetër, sipas stilit sovjetik, siç qe moda në ato vite. Diagonal saj kalonte një rrugicë (që është ende) që niste nga ca këmbë shkallë (që janë ende) dhe në mes kishte një shesh të vockël (që është ende), përreth të cilit ishte një pjergullatë e madhe me bimë kacavjerrëse.
Pastaj, në fillim të viteve ’80, lulishtja u ribë sipas një projekti të modës antisovjetike. Për këtë u hoqën stolat e vjetër të drurit dhe u zëvendësuan me stola betoni dhe u prish pjergullata që ishte kalbur nga mosha.
Pastaj erdhi demokracia dhe një pjesë e lulishtes u zu me kjoska, siç qe moda e re e kohës. Pastaj erdhi Brojka që u përpoq të kaurdisej me atë copëz të lulishtes që kish mbetur, pastaj kioskat u prishën dhe Lulishtja u pastrua dhe u rregullua. Pastaj vërtet ikën kioskat, por në vend të tyre në njërën anë të Lulishtes u ndërtua një pallat i madh dhe, meqë ishte shumë i madh, i duhej edhe ca gjelbërim që të dukej më i pranueshëm, kështu që ata të pallatit u kujdesën edhe për lulishten. Pastaj Lulishtja u inaugurua prapë gjithë pompë e bujë, kur në të u vendos busti i Qemal Stafës, që e kishin hequr nga atje ku ish më parë. Pastaj Lulishtja u inaugurua prapë kur në të u vendosën ca lodra për fëmijë, pastaj prapë kur u mor nisma për të rregulluar lulishtet që ishin (se të reja s’bëhet llaf të bëjmë), pastaj prapë para një jave për këtë 1 qershor! Uf, se mu mor fryma, i numëroni dot se sa herë është inauguruar e njëjta gjë?
S’do mënt që ata që merren me këto punë, s’ia kishin thënë këto gjëra Kryetarit, se po t’i dinte natyrisht që nuk do shkonte prapë, e prapë, e prapë atje. Kalamajtë janë vetëm përkohësisht kalamaj dhe ndërrohen vazhdimisht me të tjerë kalamaj, kështu që ajo lulishte do të vazhdojë të inaugurohet sa herë që një brez i ri do të vijë në jetë dhe politika të ketë nevojë për buzëqeshjen e tyre.