Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Profetikja në artin e Lin Delisë

Shkruar nga: Ismail Kadare  
Botuar më: 15 vite më parë

Ismail Kadare
Profetikja në artin e Lin Delisë

Lin Delija, piktori që do të përshëndetej si një artist i rrallë në shumë vende, në Shqipëri, në atdheun e vet, ka qenë më i pavërejtur se një fantazmë. Kjo ndodhte për arsyen e njohur se në gjysmën e dytë të shekullit, prej Shqipërisë ishin larguar, ndër të tjera, shenjat e epërme të qiellores, të hyjnisë e të transhendentales. Të mbetura pa to, pëlhurat e piktorëve, ashtu si gjithë artet, do të shkretoheshin si rrallëkund.

Duke u arratisur nga Shqipëria, më 1948, për të kërkuar lirinë, në radhë të parë në art e pastaj në jetë, pikërisht në kohën kur i është dukur se ka lënë pas vetes gjithçka, e ka kuptuar se ka ndodhur e kundërta, ka marrë gjithçka e s’ka harruar asgjë.

Me Lin Delinë ndodhi ajo dukuri e njohur në botë, kur piktorët e ikur nga vendet e tyre, donin apo s’donin, merrnin me vete pamjet, dritat dhe hijet, dhe gjithçka që lidhej me artin e pikturës. Lin Delija, në vendet e huaja, kryesisht në Romë ku studioi, e më pas në Antrodoko, ku u vendos, kaloi nëpër këtë rrugëtim. Ajo që për piktorët e tjerë ishte më e thjeshtë, ngaqë shpesh kishte lidhje me nostalgjinë, për piktorin e mërguar shqiptar vetvetishëm merrte një ngarkesë dramatike. Bashkëkombësit e tij ishin të ndarë tragjikisht nga bota, ndaj, duke i sjellë ata në pëlhurat e tij, sidomos në ato me motive të shenjta, kishte iluzionin ndoshta se iu jepte lirinë e pamundur.

Lin Delija shkoi edhe më larg, duke kryer një nga ato mrekullitë që mund të ndodhin vetëm në art. Sepse vetëm në art mund të ndodhte që shqiptarët e tij, fytyrat, vallet, tirqet e xhamadanët e qëndisur, jo vetëm që çliroheshin nga vetmia, por qëllonte të gjendeshin befas midis ngjarjeve planetare, ato që kishin ndryshuar botën, si ajo që jepet në tablonë e famshme “Hyrja e Krishtit në Jeruzalem”.

Ngjante krejtësisht surrealiste, që njerëzit e pikturuar, të cilët jo vetëm s’mund të kishin qenë kurrë në atë ndodhi të moçme, por ndoshta nuk ekzistonin ende si popull, të buisnin befas rreth e qark, në pritjen e Birit të Zotit. Kështu duhej të ishte sipas logjikës së gjërave, por jo asaj të artit. Sipas Delisë ishte normale që pikërisht shqiptarët e tij, ata, vendi i të cilëve, i vetmi në kontinent, e kishte dëbuar Krishtin, ta prisnin tani si në dasmë.

Tabloja e krijuar më 1987 ishte profetike. E pabesueshmja do të ndodhte tre vite më pas.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama