Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Njollat e territorit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Njollat e territorit

Google Earth është një rrjet lundrimi fort i njohur në internet, i cili paraqet në pamje satelitore të gjithë globin. Është një shpikje e madhe e kohëve moderne, në të cilin sa herë hyj të lundroj, aq herë sefte më vjen për të qeshur. Pse? Sepse kur kupton se me sa lehtësi mund shohësh çdo skaj të botës dhe se çfarë janë në gjendje të shohin e të zbulojnë satelitët, më zë gazi kur kujtoj që ka qenë një kohë kur ne bënim stërvitje ushtarake dhe mbuloheshim me degë e gjethe, që të mos na zbulonte armiku që s’erdhi asnjëherë. Më zë gazi me naivitetin tonë që vinim gjethe në kokë, me bindjen e verbër të atyre oficerëve që na mësonin e detyronin ta bënim atë punë dhe me dobiçllëkun e atyre në krye që, megjithëse e dinin se e gjithë kjo qe farsë, vazhdonin të na i impononin për t’i zgjatur ditët vetes. Ndërsa satelitët së larti vazhdonin të fotografonin gjithshka dhe, ata që analizonin fotot në Washington, thoshin të çuditur: “ore, se ç’janë ca të marrë aty buzë Adriatikut që vënë gjethe e degë në kokë, si të egjërit e fiseve të Afrikës!”.

Nejse, kaluan vite, satelitët janë prapë aty duke na fotografuar, ndërsa ne ndryshuam udhë dhe brënda natës u kthyem nga armiq në miq të atyre që komandojnë satelitët. Tani, që ta merrni vesh ju, Google Earth funksionon kështu. Satelitët i vijnë vërdallë Tokës dhe bëjnë fotografi të cilat pastaj lidhen me njëra-tjetrën dhe transmetohen në rrjet si një e tërë sipërfaqja e Globit. Pastaj, kur sateliti kalon sërish mbi të njëjtin vend, ka ca sensorë që nëse vënë re se në terren nuk ka ndryshime, kalojnë tej, ndërsa nëse vënë re ndryshime, e ri-fotografojnë vëndin dhe e hedhin në rrjet të rinovuar. Sensorët janë taruar të kapin ndryshime mbi 20 a 30 metroshe pra, nëse në terren është shtuar një shtëpi, a pallat, nëse është hapur një udhë e kështu me rradhë, tak sensori aktivizohet dhe shkrep foto. Është zgjedhur kjo madhësi me qëllim që sensorët të mos reagojnë edhe ndaj kamionëve që lëvizin në Tokë, se kështu do bënin foto pa prerë.

Sipas kësaj teknike të zgjuar, më thonë se vendi më i pa ri-fotografuar nga satelitët, rezulton të jetë Zvicra dhe Austria. Këto vënde janë fotografuar sefte nga satelitët që kur u zu kjo punë dhe që atëhere satelitët u kalojnë sipër rradhë pas rradhe por nuk shohin të ndryshojë gjë. Kjo sepse në këto vënde ç’ka qenë për të ndërtuar është ndërtuar, jashtë qendrave të banuara nuk preket gjë, kështu që edhe sensorët e satelitëve kur kalojnë sipër këtyre vëndeve të bekuara, nuk aktivizohen aq sa duket sikur janë të prishur.

Po sipas së njëjtës logjikë, rezulton që vëndi më i ri-fotografuar nga satelitët në Planet, aktualisht rezulton të jetë Shqipëria jonë e vockël. Kjo sepse sa herë që satelitët na kalojnë përsipër, sensorët e tyre lozin nga fiqiri. Ngado ata shohin vetëm ndryshime, lëvizje, njolla të reja etj. Nga një anë, kjo mund të duket si një gjë e mirë, demek si shenjë vitaliteti dhe gjallërie, mirëpo nga ana tjetër them se përtej kësaj pamjeje të parë, do shikuar aftësia jonë për të konsumuar resurset e vendit duke lënë pas vetëm njolla shfrytëzimi të tejskajshëm. Është realisht impresionues numri i njollave të zbërdhylta të shtuara mbi trup të atdheut, për shkak të guroreve të hapura vend e pa vend, karierave të fabrikave të çimentos, ndërtimeve absurde ngado e kështu me radhë.

Me ç’duket, aq shumë do ketë qenë i thellë ky proces ri-fotografimi, sa para ca javësh në Google Earth është ri-hedhur e ri-fotografuar nga e para gati e gjithë Shqipëria. Ajo që bie menjëherë në sy kur sheh hartën e ri-fotografuar, është shtimi i njollave të bardha dhe gri në të dhe pakësimi i ngjyrës së gjelbër. Edhe nëse zbret më poshtë, që të shohësh nga më afër qytetet, bie në sy i njëjti proces. Edhe qytetet tona në këtë ri-fotografim janë bërë më gri edhe në to, përtej dënglave e dokrrave të politikës, ngjyra e gjelbër ka vazhduar të pakësohet.

Ka qenë një anekdotë e qëmoçme, sipas së cilës, kur Zoti deshi të kthehej një herë në tokë për t’u çmallur, u mërzit se pa që njerëzit ia kishin ndërruar faqen planetit, pastaj u gëzua se më në fund gjeti edhe një vënd që kish mbetur siç Ai e kish krijuar dhe kjo ishte Shqipëria. Këtë anekdotë e kam lexuar në librat e udhëtarëve të huaj që u binte udha këtyre anëve në vitet e para të shekullit që shkoi. Me aftësinë tonë për të shkuar nga ekstremi në ekstrem, kjo anekdotë sot nuk ka më kuptim.

Nëse sot do të ishim sërish armiq të atyre që komandojnë satelitin atje lart, nuk do të na pinte më ujë maskimi i dikurshëm me degë e gjethe, pasi do dalloheshim menjëherë midis shkretisë gri dhe me plehra që kemi krijuar. Sot do të na duhej të maskoheshim duke u mbuluar me pluhur, qese plastmasi, goma makinash dhe bidonë koka kole të shtypur. Të maskuar kështu, s’do të kish bir nëne të na dallonte. E shikoni çfarë transformimi, që politika, për të mos u skuqur nga turpi, i ka vënë emrin “zhvillim”!

Miku im Alket Islami ka një pasion të pamasë për fotografitë ajrore. Ai fluturon me një deltaplan të vogël dhe shkrep sa mundet fotografi së larti. Me një pjesë të zgjedhur syresh, së fundi ka botuar edhe një album të qojtur “Shqipëria nga Lart”. Më thonë se ky album është ndër më të shiturit ndër të huajt, që e blejnë qoftë spontanisht, apo edhe kur u jepet si dhuratë nga institucione e ministrira në raste takimesh zyrtare. Arsyen ma thotë vetë Alketi. Në Shqipëri tashmë nuk bëhen dot më fotografi tokësore për të qenë, pasi ngado do të të dalin plehra, gërmadha, tela në ajër, kolona betoni të lëna përgjysëm, e kështu me rradhë. Ndërsa e parë nga shumë lart, këto gjëra nuk shquhen. Aftësia ime, thotë ai, kur fotografoj një monument, Kalanë e Beratit apo Sahatin e Tiranës për shembull, është të gjej lartësinë optimale të fotografimit, lartësi e cila nuk duhet të jetë shumë e madhe pasi nuk do shquhesh monumenti, por nuk duhet të jetë edhe shumë e vogël, pasi do të shquheshin edhe plehrat, telat e gërmadhat. Specializim i veçantë ky i Alketit, natyrisht i panevojshëm në një vend tjetër normal të dynjallëkut.

Për sa mund t’u duket e çuditshme, edhe politikanët gati të gjithë e njohin Alketin. Them “e çuditshme”, se atyre as që u bie ndër mënt të merren me fotografira, monumente e çikërrima të tjera kësodore. Ata e njohin Alketin për një tjetër gjë shumë më serioze sesa plagët e territorit të vëndit. Sa herë që bëhet miting në Tiranë, Alketi fluturon dhe filmon së larti mitingashët e partive. Papritur Alketi bëhet i rëndësishëm dhe, atë lavdi që s’e ka fituar dot për vite me rradhë duke fotografuar Shqipërinë, e fiton në një ditë duke fotografuar mitingashët. Të gjithë, politikanë, ministra, gazetarë, analistë e marrin në telefon për të marrë vesh numrin ekzakt të mitingashëve. Edhe në këtë zanat, Alketi është bërë usta. Vetëm një herë gaboi, në këtë mitingun e fundit politik të Çiljetës, ai nuk e llogariti mirë numrin e pjesëmarrësve, pasi për shkak se ishte diell i fortë, një pjesë e mitingashëve ishin futur poshtë kolonave dhe hijeve dhe nuk shiheshin së larti. Megjithatë edhe kjo është eksperiencë, pasi do t’i duhet që në të ardhmen, përllogaritjes së numrit të mitingashëve, t’i fusë edhe një koeficent korrektimi për efekt dielli. Perversitet politik që ia ka dalë të krijojë edhe matematikë perverse.

Më duket se dola nga tema. Le që ç’rëndësi ka kjo. Dalkam a ndënjkam në temë unë, Shqipëria njësoj do vazhdojë të mbushet me njolla gri në hartë, njollat e gjelbra njësoj do vazhdojnë të firasen nga qytetet tona, Alketi njësoj do vazhdojë të fotografojë gjithnjë nga ajo lartësia precize prej nga duken bukuritë e nuk shquhen shëmtitë, politika njësoj do vazhdojë ta marrë në telefon jo për njollat e Shqipërisë, por për njollën e mitingashëve në bulevard, unë njësoj do vazhdoj t’i bie këtij avazi dhe ju njësoj do vazhdoni të mjaftoheni me nga një mesazh në celular: “Tano sa mir ja kishe bo!”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama