Dikur, në kohë të Komandantit, nuk kishim shumë ligje, se komandonte ai, por kishim Shqipërinë, ndërsa tani kemi ligje sa të duash, por Shqipëria po na shket ndër duar pa ndjerë. Për shembull, në kohë të Komandantit nuk kishim gjeneral aviacioni (komandanti i aviacionit arriti deri në gradën e kolonelit), por kishim aviacion ama, ndërsa sot kemi gjeneralë sa të duash, por as edhe një avion të vetëm për be.
Është një lloj tendence e përgjithshme e politikës kjo, për të ngritur vetëm fasada pas të cilave përpiqet të maskojë impotencën e saj për të bërë PUNE, punë të vërteta. Shpikja e fundit që kanë gjetur, është që të mos bëjnë asnjë punë, por vetëm të mbushin dollapët me ligje që i marrin të gatshme nga Europa dhe kështu t’i tregojnë asaj sesa përpara kanë ecur... letrat e ligjeve, se ne jemi atje ku na kanë lënë.
Para tri ditësh, në mes të Tiranës u shkatërrua shatërvani te lulishtja para Kuvendit (shih fotografinë e fundit mbetur prej tij). Sot përdorim terma të tillë të komplikuar, por dikur në vitet ‘20 kur u ndërtua, ajo quhej thjesht e bukur “Lulishtja Popullore”. Sot, një pjesë e asaj lulishtes së dikurshme po zihet me një pallat gjigant, pjesa tjetër e lulishtes është brenda rrethimit të Kuvendit, ndërsa popullit i ka mbetur vetëm kujtimi i saj. Ah jo, deri para disa ditësh kishte mbetur edhe një shatërvan me një basen të rrumbullakët në stil neoklasik. Para disa ditësh shatërvanin e shkatërruan fadromat. Ishte shatërvani më i vjetër në Tiranë (se mos janë më të shumtë edhe modernët) dhe, bashkë me shatërvanin në qendër të Durrësit, ishin të vetmit e mbetur nga e kaluara. Këtë të Tiranës e shkulën me fadroma dhe, për ca kohë, shatërvani i Durrësit do mbetet e vetmja shenjë në këtë vend që të dëshmojë se edhe përpara gjysmës së parë të shekullit XX jetonin njerëz. Pastaj edhe ajo dëshmi do të zhduket, pasi Bashkia e Durrësit ka shpallur një konkurs për të rinovuar sheshin qendror të qytetit. Meazallah se u shkon ndër mend të bëjnë një shesh të ri. Jo, patjetër duhet të shkatërrojnë atë që është. Do ta mbjellim me pemë, thonë. Të paaftë të shtojnë parqet e lulishtet, përpiqen të na trajtojnë si njerëz të egjër, që mezi presim të hipim nëpër pemë.
Të zësh sheshet me pemë, në një farë mënyre është kthim pas, ashtu si shekuj më parë, kur Perandoria Romake u shemb nën peshën e dyndjeve barbare dhe sheshet e mermerta të qyteteve për shekuj me radhë i mbuloi bari dhe ferrat. Në rastin e Romës, kishim barbarizim të shoqërisë nga poshtë, ndërsa në rastin tonë kemi tharje të jetës për shkak të barbarizimit të politikës nga lart. Sheshet e qyteteve kanë lindur si pika qendrore të polis-it, ku mblidheshin njerëzit, diskutonin, shkëmbenin idetë dhe madje edhe protestonin. Ky ka qenë e vazhdon të jetë në botën e qytetëruar roli i sheshit të qytetit. Të përpiqesh ta zësh me pemë, tregon që përveç se je impotent në krijimin e hapësirave të reja urbane, je edhe i lig e frikacak, se i trembesh grumbullimit të qytetarëve të tu. Mirë na e bëjnë, që kurse i mbajmë mbi kurriz!
Shatërvanët janë edhe një nga simbolet e qytetërimit të zhvilluar. Arsyeja është e thjeshtë. Për të bërë një shatërvan duhet të kesh një shesh, të bësh projektin, të kesh një skulptor a artist që t’i japë formën e një vepre arti, të sjellësh një burim uji që ta furnizojë paprerë, por pastaj pas ndërtimit edhe ta mirëmbash, se i gjithë impianti është delikat. Për më tepër, vlente kjo gjë dikur, kur uji duhej të vinte e të hidhej përpjetë me rënie të lirë e jo me sistem pompash. Vini re për shembull, asnjë nga shatërvanët e ngritur e ringritur në Tiranë në gjysmëshekullin e fundit nuk funksionon, ose janë shkatërruar. Ndërsa ai, shatërvani i vogël elegant atje te lulishtja, funksiononte ende, deri para 72 orësh, kur e shkatërruan, jo tërmeti apo barbarët, por institucionet e ngarkuara për ta ruajtur. Më jepni një arsye, që një historian në këtë pikë të mos shkruajë nesër se qytetërimi shqiptar bëri kështu edhe një hap pas.
Nejse, shkatërrimin e shatërvanit të Tiranës e kujtova edhe për një arsye tjetër. Ai shatërvan mbijetoi për gati 90 vjet, pa qenë i shpallur monument kulture. U kujdesën brezat, regjimet e njerëzit për të, thjesht nga dashuria për të bukurën. Pastaj, për t’u bërë si Europa, bëmë edhe ligje për të mbrojtur trashëgiminë dhe para pak vjetësh shatërvani u shpall monument dhe u fut në listat e Institutit të Monumenteve. Pikërisht në këtë moment ra edhe kambana e vdekjes për të. Tani vërtet kishim ligje për ta mbrojtur, por mungonin njerëzit që ta ndienin të bukurën. Dhe shatërvani u shkatërrua me fadromë.
Doni një shembull tjetër? Në kohën e Enverit, sheshi “Nënë Tereza” nuk ishte monument kulture, por për mbi tre çerek shekulli rresht ai u shtrua me pllaka, të cilat ndërroheshin me të reja sa herë prisheshin. Tani, në kohën e demokracisë e shpallëm monument kulture, por e prishëm duke e shtruar me asfalt. Aman Tano - më thosh një mik teksa bëja me të këto muhabete - edhe me bajga le ta shtrojë, veç ta shtrojë, se na çmendi dhe na shkatërroi makinat. Kjo është një tjetër shpikje perverse e politikës shqiptare: Lëri gjërat të venë keq e më keq, që kur të bësh ndonjë punë sa do të vogël, t’u duket njerëzve sikur ke bërë kushedi se çfarë. E kini vënë re se me sa ngadalë punohet në veprat publike në Shqipëri!?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Është një mënyrë për t’u dukur sikur punohet. Duke e zgjatur punën tërkuzë, e para krijohet një imazh sikur këtu vazhdimisht punohet; e dyta, edhe në qoftë se nuk i ke paratë e mjaftueshme, duke e zgjatur me vite të tëra, një ditë do t’i gjesh; dhe e treta, i jep elektoratit imazhin se po bën vepra të mëdha. Se, ç’vepër e madhe do të ish ajo që mbarohet më një muaj apo dy!?
Marrëzia e shkatërrimit të shatërvanit te lulishtja e Kuvendit është edhe më e madhe. Ai shatërvan që ishte ndërtuar që në vitin 1923 (në dokumentet e kohës, saktësohet se lulishtja ishte 2700 m2 dhe kushtoi 8000 franga) rezulton të ishte për rrjedhojë edhe më i vjetri në Shqipëri që kish mbetur ende më këmbë. Shkatërrimi i tij u bë në kuadër të restaurimit të zonës së mbrojtur historike të qytetit të Tiranës (!!!) me dijeni dhe miratim të Institutit të Monumenteve të Kulturës (!!!) dhe me një fond prej 2 milionë eurosh, të dhëna nga Komuniteti Europian, me destinacion “mbrojtja e trashëgimisë kulturore” !!! Nuk ka më vend as për pikëçuditëse.