Muajt që kaluan shënuan një nga momentet më të vështira të politikës shqiptare që prej rënies së komunizmit duke përjashtuar kaosin e vitit 1997. Partia Socialiste bashkë me disa aleatë të saj, që janë në opozitë organizoi një grevë urie ku morën pjesë deputetë e militantë.
Gjithçka u organizua në mënyrën më demonstrative të mundshme. U krijua një kamp me çadra në mes të bulevardit kryesor të kryeqytetit, përballë zyrës së kryeministrit. Aty u vendosën dhjetëra shtretër, një zonë që kryente funksionet mjekësore si dhe të tjera për shërbimet higjenike. Zgjati rreth tre javë duke shkaktuar dëme në shëndetin e tyre.
Nuk doja ta shkruaja këtë artikull gjatë kohës së grevës së urisë për respekt të zgjedhjes që vendosën të bëjnë, pavarësisht se sa dakord mund të jesh me të. Është një sakrificë e madhe e atyre që besojnë në një qëllim dhe duan jo vetëm ta mbrojnë, por edhe ta realizojnë atë.
Lind pyetja sa e drejtë është të bësh një grevë urie për arritjen e një qëllimi politik? A e justifikon mjeti qëllimin?
Historia, jo vetëm e jona, por edhe e vendeve të tjera njeh shumë raste të kryerjes së një greve urie nga një person i vetëm apo nga një grup personash. Pothuajse të gjitha rastet kanë të bëjnë me shkelje të rënda të të drejtave që prekin drejtpërdrejtë interesat e njerëzve që marrin pjesë në të. Interesi mund të jetë jetik, i shpërfillur apo i mohuar, i lidhur ngushtë me një kërkesë personale apo të një grupi që i bashkon realizimi i saj.
Kemi të bëjmë me një egoizëm personal që kërkon me çdo kusht realizimin nëpërmjet grevës së urisë. Në rastin tonë greva e urisë u bë me një qëllim politik. Derisa është i tillë, mendoj se nuk është një qëllim i drejtë për ta kërkuar atë duke hyrë në grevë urie. Për më shumë që nuk është fjala për rrëzimin politik të një regjimi, për dënime politike, por për hapjen e kutive të votimit dhe numërimin e votave.
Por a është greva e urisë mjeti i duhur?
Duke nisur nga efekti i këtij veprimi që është ai i sensibilizimit të opinionit publik mendoj se nuk është mjeti i duhur. Njerëzit janë të ndjeshëm ndaj dhembjes apo një padrejtësie personale e jo kolektive. Nuk krijon efekt dhembshurie fakti i urisë se sa problemi jetik apo njerëzor për të cilin është ndërmarrë ky veprim. Mos hapja e kutive, përsa mund të nervozojë e të revoltojë një pjesë të mirë të opinionit publik, nuk shkakton tek këta efekt emotiv apo emocional.
Aspekti tjetër i grevës së urisë është se ka formën dhe përmbajtjen e një shantazhi.
Shantazhi, moralisht një nga veprimet më të ulëta të qenies njerëzore, është një formë manipulimi që rëndom përdoret në marrdhëniet interpersonale dhe që iu kundërvihet ndjenjave dhe qëllimeve të dikujt, për ta detyruar atë të veprojë kundër vullnetit apo dëshirës më të thellë të tij.
Në këtë arsyetim greva e urisë, pavarësisht se nuk përmban të njëjtin konotacion morali, është një shantazh që i bëhet jo vetëm politikës por edhe një qytetari të thjeshtë, i cili e mendon ndryshe. Pra nuk është dakord me qëllimin që duhet të arrihet. Uria, sëmundja apo dëmtimi i shëndetit duke prekur anën njerëzore të gjithkujt na bën të gjithëve që të ndihemi në faj, në detyrim dhe përgjegjës për këtë anë çnjerëzore siç është uria.
Nga ky këndvështrim është e lehtë të kuptosh sa i qartë është dënimi që bëhet nga një palë, duke shtyrë palën tjetër të kompromentohet e si pasojë të pranojë atë çfarë nuk beson dhe nuk dëshiron ta mbrojë.
E nëse kjo nuk ndodh ata që janë kundër veprimit të urisë mund të duken egoistë, çnjerëzorë, indiferentë po të mos pranohet kushti që iu është kërkuar, sepse kanë në dorë jetën e një apo disa personave që kanë zgjedhur grevën e urisë për realizimin e qëllimit. Ndaj dhe ndërkombëtarët nuk pranuan të negocionin në kushtet e një greve të tillë.
Ja pra pse është një formë shantazhi. Greva e urisë kërkon të ndikojë në ndërgjegjen e të tjerëve pavarësisht mendimit të tyre, por e paraqitur me një mënyrë veprimi ndryshe, me një tjetër stil, duke etiketuar ‘viktimën’ dhe ‘shkaktarin’.
Është një dinamikë që i bën kundërshtarët të kthehen të ‘burgosur’ të nevojave psikologjike të tjetrit, duke shkaktuar humbjen e aftësisë për t’i analizuar problemet dhe për t’i zgjidhur ato në mënyrën më të mirë ashtu si politika e kërkon.