Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A ka pasur ndonjëherë diktaturë te ne?

Shkruar nga: Pëllumb Kulla  
Botuar më: 19 vite më parë

Pëllumb Kulla
A ka pasur ndonjëherë diktaturë te ne?

Është një mori gazetash dhe kanalesh televizive, ku një tabor studiuesish faqepadirsur, merren me historinë e shtetit komunist duke kërkuar t’ua tregojnë se si ka qenë ajo, byroistëve të thinjur nga hallet, sigurimsëve fisnikë, hetuesve zemërdhembshur, policëve të devotshëm, dhe gjykatësve të drejtë e parimorë…


Nyrenbergu shqiptar
Aty nga fundi i vitit ‘90 lexoja ato që shkruheshin gjatë natës nëpër muret e Kavajës e Tiranës dhe drithëroja nga brohorimat e turmave, që më në fund dukej se do kalonin pa u ndëshkuar edhe pse shfaqnin urrejtje për Hoxhën duke e krahasuar atë me Hitlerin. E më pat shkuar disa here në mend gjyqi për krimet naziste që u zhvillua pas luftës në Nyrenberg të Gjermanisë. Isha i bindur se për diktaturën enveriane, për rrënimin shpirtëror të një populli të tërë, për prapambetjen e llahtarshme ekonomike, do të kishim edhe ne një Nyrenberg tonin. Dikush do të dilte para këtij gjyqi, të jepte llogari e të ndëshkohej…Tani shoh ideologët dhe zbatuesit e zellshëm të nazizmit tonë tek dalin në Nyrenbergun mediatik. Jo në kinema “17 Nëntori”, as në atë të brigadave, ku bëheshin më parë gjyqet me peshë politike, por në ca studio televizive dhe gjyqin ua bëjnë zakonisht ca gazetarë që të japin përshtypjen se kanë lindur të tërë më 21 shkurt ‘91, një ditë pasi u zvarrit Shtatorja e Madhe.
Dalin shend e verë para kamerave, Ramiz Alia, byroistë të tjerë, ministra, gjykatës, hetues dhe deri gardianë burgjesh. Gazetarët fytyrë ëmbël, që i presin në rolin e përzierë të avokatit, gjykatësit dhe prokurorit, duket që kanë vrapuar deri poshtë për t’u hapur dyert e veturave. Në vend të prangave ata kanë nxituar t’i çlirojnë të akuzuarit nga palltot e rënda dhe pasi i udhëheqin përballë kamerave, në vend të aktakuzave, u shtyjnë përpara mbi tavolinë, filxhanët avullues të ekspresëve. Pastaj Ramizi me të tijtë, rrëmbejnë penelët dhe bëjnë portretet e veta, në qetësi të plotë, pa bezditë e të vuajturve, pa dëshmitarë të përzishëm a të gjymtuar. Në stilin e tij paskomunist, delfini i Enver Hoxhës sqaron se shumë gënjeshtra të thëna në kohë, ka qenë i detyruar t’i jepte ashtu, pasiqë e tillë ishte koha dhe ai ish i merakosur se popullit do t’i bënte dëm e vërteta lakuriq. Dhe nuk na tregon, a ka ardhur koha tani, a jemi pjekur ne, që e vërteta e tij të mos na dëmtojë më.
Nëntorin e shkuar lexova një intervistë të Hekuran Isait, përfaqësuesit më emblematik të mostrës komuniste, ministrit të burgjeve, të kampeve të internimit dhe shfarosjes, kryekreut të Sigurimit të Shtetit. Duke folur për internimet dhe zhvendosjet masive të qindra-mijë shqiptarëve të pafajshëm- gazetari e pyeste: “a mund të na thoni mendimin tuaj në lidhje me atë fenomen të çuditshëm… nëse kanë qenë internimet ashtu siç pretendohet nga mbarë opinioni”?
. Nga një shtrimi i tillë i pyetjes u binda që për Nyrenbergun e Isait paskësh qenë zgjedhur tamam njeriu i përshtatshëm! Aty Hekurani, në pikturim e sipër të Hekuranit, për versionin historik që parapëlqen të ketë, ka kënaqësinë të bëjë edhe shaka!
- Për cilat familje po flet, për ato që i kemi marrë… dhe i kemi sjellë në Myzeqe? Ata … tani janë bërë pronarë tokash dhe unë, në të vërtetë, kam pritur të më faleënderojnë.
Qerrata ministër! Mjaft i prirur drejt humorit!...
Ish pikërisht ky Hekuran, që Gani Kodra, oficer i lartë i Ministrisë së Brendshme
ka shkruar se ndodhej gjithmonë i pranishëm në torturimin e Kadri Azbiut me shokë!
- Ju thoni se ka qenë e ndaluar tortura? – e pyet gazetari
- Po të të them që ishte e ndaluar me ligj, nuk do të më besosh, por kjo është një e
vërtetë që duhet të pranohet. Ka pasur raste që lejohej, për ekzemplarë të veçantë të ndaluarish, për ata që përbënin rrezik shoqëror. Në këto raste miratohej veprimi i torturës mbi ta.
- Ju, zoti Hekuran, … nuk keni asnjë faj? – pyet me frikën se mos e lëndojë gazetari.
- Fajet e mia i gjejnë të tjerët…. duke filluar që nga Ramiz Alia që pranoi të
futesha në burg për shtatë palë qejfe, (Hekurani qesh me lot). (Pyetjet dhe përgjigjet, duke përfshirë edhe ” qeshjen me lot” i kam shkëputur nga Panorama në dt 11 dhe 13 nëntor 2005.)
Në një kanal televiziv ish ftuar për Nyrenbergun e tij mediatik, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela. Në atë intervistim televiziv që e udhëhiqte dhe aty një gazetar, e pyesnin Aranitin famëmadh për mëkatet që i atribuohen dhe ky i çvari të gjitha torbat e përgjegjësive. Drejtuesi i emisionit nuk thërriste dot aty asnjë nga priftërinjtë katolikë të varrosur në ato gropat e përbashkëta, pas proceseve gjykatore të Çelës. Gazetari nuk merrte dot në studio asnjë nga ministrat e brendshëm të Hoxhës të dërguar rregullisht në botën tjetër me verdiktet e Aranitit. Djaloshi nuk sillte dot aty Feçor Shehun e torturuar, (kam parasysh filmimin bardhezi të gjyqit që kryesonte Aranit Çela me aksentin e tij lab). Gazetari pat ftuar Aranitin të na fliste për vetë Aranitin. Në një çast djaloshi i pasnëntëdhjetës e pyet: “Zoti Çela, po ju nuk keni asnjë brerjtje ndërgjegjeje?” Ish kryetari i Gjykatës së Lartë i përgjigjet: “ Aspak. Unë zbatoja ligjet e asaj kohe”
Ligjet e asaj kohe!.. Mbështetur mbi cilët ligje, mbi cilat prova i shpuri Aranit Çela para skuadrës së pushkatimit Beqir Ballukun, Feçor Shehun dhe të tjerët? Mbi cilat dëshmi? Mbi dëshmitë e Paranoiakut të Madh? Krimi i Çelës bëhet më i rëndë kur të gjithë e dine, se edhe ai është i të njëjtit opinion, që akuzat ndaj shokëve të tij të maleve partizane nuk kishin si të qëndronin më këmbë! Pale ato të katolikëve të shquar që nuk kishin këmbë fare! Ligjet e asaj kohe!.. Është një nga shfajësimet më tipike të dëgjuara në gjyqin e Nyrenbergut nga goja e kriminelëve nazistë gjermanë: “Zbatoja ligjet! Zbatoja urdhrat!” Alia, Çela dhe Isai fshihen pas ligjeve dhe askush nuk u kërkon llogari për pjesën e parë të tragjedisë, atë të bërjes së ligjeve! Ata ishin deputetë të Kuvendit Popullor, (asaj kovaçhanës që farkëtonte ligjet), që nga dita e parë e Kuvendit në dhjetor ‘45 e deri ditët e fundit - në dhjetor ‘90. Ata ishin anëtarë të Komitetit Qendror që kur u shpik e deri kur u fik ai komitet! E këta kryekrerë të regjimit i trajtojnë tani ligjet sikur ato t’i paskësh sjellë nga qielli një mesagjer i Zotit!
Le të buzëqeshim duke sjellë ndërmend frikën e tyre të ndëshkimit, e cila pati kulme dhe rënie, por ama vazhdoi mbi 40 vjet dhe vetëm kur hyri shekulli i ri u davarit. Ramiz Alia është mburrur me dhjetëra herë duke kërkuar Çmimin e Madh për ndërrimin e sistemeve dhe vendosjen e pluralizmit pa gjak. Por çdo me thënë “pa gjak”? Përse duhej që ndërrimi i sistemeve të kryhej me gjak?! Nuk e pat thënë njeri që duhej derdhur gjak për këtë. Mos vallë shoku Ramiz ka në këtë frazë një vlerësim të sinqertë për dënimin që meritonte ai dhe shokët e tij? Se nuk ka shpjegim tjetër. Vetëverdikti i Aranitit ishte gjaku. Pra kishin plotësisht të drejtë të trembeshin dhe ne duhet t’i urojmë ata për shpëtimin e gjakut të tyre, pavarësisht se gjaku i shqiptarëve vazhdon e po shkon rrëke!


Unë thjesht i përbuz për amoralitetin e tyre në shmangien e përgjegjësive. Por tani, pasi e shmangën Gjyqin e Madh, çfarë dreqin duan që janë hedhur në fushatën mjerane të pikturimit të peizazheve të gënjeshtërt edhe në bërjen e autoportreteve plot gaz e dritë?!
Ç’është kjo ndërmarrje masive ku të gjithë përshkruajnë veten, shokët eprorët? Përse gjellëbërës, peshkatarë, karrocierë e shoferë na tregojnë Byronë Politike e Komitetin Qendror, rreshtojnë virtytet e ca kriminelëve si Feçor e Mehmet Shehu, cilësitë e vyera të Petrit Dumes e Beqir Ballukut, e publikojnë ditare që bien erë bojë të freskët, të patharë?. Ç’janë këto media të mbushura me këto piktura e kujtime të përpunuara, perverse dhe amorale? Janë ngaqë i do tregu? Shumë redaktorë gazetash shfajësohen kështu. Po vallë tregu qenka kaq i gjithëpushtetshëm? Ka kode morale në medien tonë, apo ne nuk duhet të kemi më asnjë iluzion? Po të jetë se mediet tona udhëhiqen nga tregu, mua më lejohet të pyes: cili treg? Ai treg ku shkojnë e blejnë ushqimin e tyre përtypës nostalgjikët? Ka plot mallra të tjera që tregu i rinisë, e cila përbën shumicën, do t’i gllabëronte. Ka prodhime të pornografisë që në krahasim me llahtarën e kujtimeve të stisura të diktaturës janë njëqindfish më të moralshme! Pornot mund të jenë keqedukuese. Por njëqindfish më i dëmshëm është amoraliteti i kujtesës së shpërfytyruar të gjysmëshekullit më të turpshëm të historisë së shqiptarëve, të cilët të hutuar, të sulmuar nga e tërë kjo breshëri artilerish të propagandës po pyesin, atëherë ku është diktatura? Ku u tret ajo?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama