Po ti ore, nuk je vërtitur më parë të lypësh nga këto anë? Ç’kërkon këtej?- Kam rregulluar një vend të mirë, tek shkallët e Ministrisë.- Po atje sikur ka pasë qenë një lypës tjetër më parë, ëh?- Aha, e hoqëm atë. Ishte me PS-në ai. Tani qeveris PD-ja. Jemi në fuqi ne, lypësat e PD-së, nashi!
Kërkoj ndjesë për pasaktësitë e citimit dhe përgëzoj atë që e ka shkruar. Jap dyfishin e përgëzimeve, nëse këtë dialog të mrekullueshëm e kanë qëlluar aktorët vetë! Ca për faj të shkrimeve të shenjta, ca për faj të përrallave idealiste, varfëria nuk është përshkruar kurrë, si një nga të këqijat më të mëdha shoqërore. Nganjëherë gabimisht ajo, varfëria, është quajtur si një rrethanë ndihmëse për prova të karakterit dhe të ndershmërisë. Kështu edhe sot, qerosët që ruajnë lopët e flenë në ahur me to, hirushet dhe jetimët e veshur me rrecka, pikturohen ngrohtësisht, aq sa të të vijë keq të mos jesh si ata dhe të shkosh në gjurmët e tyre. Nuk thuhet, por lihet të nënkuptohet gjerësisht, se të qenit i pasur, të kesh të hash mirë e të vishesh siç duhet, janë parakushtet e fatkeqësisë që të mos arrish dot të marrësh edukatë të saktë, e të mos formohesh si karakter i shëndetshëm, ashtu si formohesh në kushtet e varfërisë dhe mungesave. Parë kështu, është vërtetë mbarësi, që tek ne këtë fatkeqësinë e të qënurit të pasur, e ka veç një numër i kufizuar bashkatdhetarësh, që janë marrë me administrimin e punëve të shtetit. Të mirat e varfërisë pra, na i gëzon populli mbarë… Natyrisht, përtej ironisë, nuk ia vlen të rreshtosh këtu, se kush kanë qenë dhe kush janë të interesuarit, që të mos e ngrenë alarmin për varfërinë e popujve. Varfëria që po mban nën zgjedhë shqiptarët në viset e Ballkanit Perëndimor, përgjatë pjesës më të madhe të shekullit që shkoi dhe nuk jep aspak shenja se po tërhiqet në fillimet e këtij shekulli, është një katastrofë. Ajo ka qenë për ne, nëna e gjithë të zezave. Ajo ka gjeneruar prostitucionin në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, ku prostitucioni seksual është më i pakti.
Varfëria ka pjellë pabesinë, mashtrimin, diktaturën, spiunimin, krimin, servilizmin, padrejtësinë e flligështitë e tjera të panumërta. Varfëria e shqiptarëve ka qenë aleati më i afërt i Enver Hoxhës dhe vazhdon të jetë aleati më i sigurt i atyre që luftojnë kundër demokracisë. Varfëria të thyen, të nënshtron! E çfarë mund të bëjnë pensionistët, kur paga mujore që marrin me librezën e tyre të pleqërisë, nuk mund t’i mbajë me frymë as një javë! Të lypin? Të vjedhin? Të vrasin? E çfarë mund të bëjnë mësuesit, njerëzit më të kërkuar për të bashkuar fjalë e vepra, në procesin e madh të edukimit, kur rroga e tyre është e mjerë dhe ngasja për të bërë lëshime, tundimi për t’i shitur notat e provimit dhe kalimet e klasës, i përndjek natë edhe ditë?! “E ardhmja është në duart e mësuesit të shkollës”, vazhdon të thotë prej afro 200 vjetësh, pareshtur,Viktor Hygo. E çfarë gjeneratash të ardhme presim, kur fëmijët shohin para syve mësuesit e tyre, tek nisin e rezistojnë e pastaj thyhen, pranojnë ryshfet, pranojnë dhurata e bien përmbys para favoreve që i ofrohen?! Si mundet t’i bësh ballë, padrejtësisë së ministrit tënd, atij që i dha fund varfërisë e papunësisë tënde, e të mori pranë vetes?! Si mund të dalësh kundër grupit tënd parlamentar e të kundërshtosh një ligj të padrejtë, kur kjo gjë do të të flakë mënjanë, e do të të rikthejë në jetën tënde të varfër. Mbrojtja e të drejtës, e ka koston shumë të madhe në Shqipëri dhe varfëria të këshillon të jesh në anën e padrejtë. Si mund të zerë shkeljet padallim polici, i cili kish tetë vjet larguar nga repartet e rendit, që kur e shkurtuan, atëherë, kur u ndërruan partitë në krye të vendit?! Në një vend të varfëruar, policia vetvetiu do të jetë me qeverinë, shërbimet sekrete gjithashtu dhe po ashtu hallka të rëndësishme të gjyqësorit. Ose, së paku, mos prit që gjatë zgjedhjeve ata të jenë indiferentë, kur llogaria bëhet në dritë të diellit: Po të fitojë partia që ka qeverinë, unë do të vazhdoj ta mbaj këtë punë e të ushqehem, teksa po të humbë qeveria, mua do të më të largojnë, se të papunët e asaj partisë tjetër mezi po presin! Varfëria, është ndër armiqtë e parë të demokracisë.
Njerëzit lindin të mirë e të pandotur. Njeriu do që të jetojë e të mbetet ashtu, por rrethanat, varfëria, e shtyjnë përherë drejt prostituimit. Një binjak-hije, që jeton me të e brenda tij, i ve në dyshim çdo gjë të moralshme dhe i pëshpërit në vesh pyetjen mizore: Ç’është morali?! Bukën e gojës ai e dëshiron që ta fitojë në mënyrë të ndershme, por binjaku-hije ia ka gati pyetjen e pamëshirshme: Ç’është nderi dhe, a po e ruajnë nderin si ty, të tjerët?! Varfëria, në punishtet e saj të panumërta, prodhon ditë e natë prostitucion. Prostitucioni i qeverisë duket si më i fismi, meqë e ka emrin politikë, por ama, është politikë prostitucionale ajo e të ndenjurit në pushtet, duke shitur interesat e kombit. (Binjaku i zi nuk pushon së pyeturi: Çfarë do të thotë komb?!). Qeveritë shqiptare, pas përmbysjes së diktaturës, fajësohen për shumë e shumë bëma me efekte shkatërrimtare. Por, një mëkat i përmbledh të gjitha e ky mëkat kriminal, është braktisja e popullit në një varfëri të skajshme dhe rendja për parajsën e begatinë personale. Vërtet vendi u trashëgua i rrënuar, i nëpërkëmbur dhe me vlerat morale të shkelura rëndë, por politika e papastër (ç’do të thotë pastërti?!) e favorizimeve për pasurim të më të fortëve, është një krim i përbashkët i atyre që morën përsipër të drejtojnë vendin. Sikur njerëzit të mos ishin katandisur në këtë varfëri, të krahasueshme vetëm me atë të ca vendeve afrikane, shumë mekanizma do të viheshin në lëvizje vetë: emigracionit do t’i shterej rrjedha, trafiqet nuk do kishin atë jetë që kanë dhe do të bëheshin zap, më pak vajza do nusëronin trotuareve të Europës, e më pak djem të rinj do të mbulonin kokën me çorape të zeza. Teksa shqiptarët do të ndihmonin më shumë njëri-tjetrin... Në një gjendje të pranueshme ekonomike, nuk do të ndodhte rrjedha e llahtarshme drejt Greqisë. Po të mos nxitej dhe shtrëngohej kjo rrjedhë, zyrat shtetërore, gjykatat e gjendjet civile, nuk do ta kishin thuajse të zyrtarizuar falsifikimin masiv të certifikatave, lidhjeve martesore, dhënien e dëftesave dhe diplomave. Por, shteti shqiptar dhe prostitutat politike që e kanë drejtuar atë, e dëmtuan rëndë infrastrukturën e atdhetarisë, siç do të qe një privatizim më i ndershëm i pronës të përbashkët, kthimi i pronave të vjetra, terrene, ndërtesa e toka buke.
Vetë administrata servile shqiptare do t’u lejonte grekëve njërën pas tjetrës: shalimin e ortodoksisë shqiptare, e fryrjen e saj të panatyrshme, kërkesën e gjatë e këmbëngulëse të hapjes së shkollave greke, dhënien e pronave minoritarëve, që nuk i kanë patur kurrë, deklarimin e kombësisë më të leverdisshme, rrogat joshëse të mësuesve, pensionet, e të tjera. Prostitutat që kanë kryesuar qeveritë tona, janë bërë të vetëdijshme, se duke mos fituar dot dashurinë e popullit të vet të lënë në varfëri, për të qëndruar në pushtet e për të përfituar nga ai në këto kohë të arta, u duhej me doemos “dora e ngrohtë” e Athinës. Dhe që ende pa u përmbysur komunizmi, kanë bërë e bëjnë vetëm politikën e saj. Vendimi i fundit i qeverisë greke, për dhënien e nënshtetësisë masive shqiptarëve, që varfëria e tejzgjatur i pat shpënë e do t’i shpjerë akoma në dyert e fshatrave e qyteteve greke, teksa çliron shumë ankthe dhe gëzon me të qindra-mijëra vetë, përbën një moment dramatik nga më të dhimbshmit në historinë e popullit tonë. Kjo, në Athinë u gatua dalëngadalë dhe me hapa të studiuara mirë, që gjetën jo paditurinë e shtetarëve tanë, por bashkëpunimin e plotë dhe të ndërgjegjshëm të tyre. E, më vret Zoti, e druaj shumë që të rri e të fajësoj ndonjë shqiptar, me prejardhje muhamedane e emër arbëror, sot grek me të tëra vulat, me emër, mbiemër e kryq në qafë, ta qortoj për këtë ndryshim që atij e familjes së tij i vete për mbarë! Nuk e qortoj dot përse ndërroi fenë, nuk e përbuz pse falsifikoi prejardhjen, mohoi të parët, braktisi gjuhën shqipe e shtypi brenda vetes krenarinë… E, këtu mitralozi me pyetje i binjakut-hije, do të bëjë kërdinë: Çfarë dëmi na pësokan tani, të parët?! Ç’do të thotë fis, prejardhje, fe?! Ç’do të thotë gjuhë shqipe?! Dhe kush dreqin na e ka shpikur e na kujton krenarinë?!