Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bejme sikur bejme

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Bejme sikur bejme

Ne, vdekatarët e thjeshtë, nuk bëjmë dot punë të mëdha. Këto i bëjnë deputetët duke denoncuar njëri-tjetrin pa prajtun. Madje jo të gjithë deputetët, por vetëm ata të rinjtë mes tyre, se të tjerët merren me biznese. Ne të tjerët pastaj, merremi me vogëlsirat e kësaj bote, të shpëtojmë ndonjë shatërvan a kështjellë, të mbrojmë ndonjë park publik, a lulishte, a monument të rrezikuar.

Para ca ditësh më shkruante Ardian Klosi e më thosh pak a shumë kështu: “Nuk mund të vazhdojmë pa fund të harxhojmë energji për të mbrojtur e denoncuar raste të veçanta, por duhet t’ia dalim të godasim sistemin dhe të përpiqemi ta ndreqim atë”. E pra, si ka mundësi që e ka kuptuar këtë gjë Klosi që shkruan libra dhe nuk ia dalin ta kuptojnë deputetët që lexojnë komunikata! Arsyeja është shumë e thjeshtë. Të ngresh një sistem të pavarur drejtësie që lufton korrupsionin është shumë e rrezikshme, sepse sistemet e kolauduara kanë një huq të madh: ato pasi i vë në punë nuk ndalen më. Nëse sot të majtë e të djathtë recitojnë deklarata kundër njëri-tjetrit sipas parimit “unë do bëj sikur të bie, ti do bësh sikur të dhëmb”, me një prokurori të pavarur e të fuqizuar, ata do ta shihnin veten të detyruar që të provonin deri në fund ato që thonë. Kjo pastaj do bënte që edhe pala tjetër t’i shkonte punës deri në fund dhe ku dolëm pastaj: të gjithë do shkonin pas hekurave, apo më e pakta do t’u konfiskoheshin pasurirat që sot vetëm se ia kujtojnë njëri-tjetrit sa për të bërë pak teatër. Këtij teatri i përshtatet edhe prokuroria, duke thënë: “Ju bëni sikur i bini njëri-tjetrit, edhe unë po bëj sikur ju bie juve”.

Meqë të gjithë bëjnë sikur bëjnë, provoni edhe ju o lexonjës, që për një çast të bëni sikur jeni në ëndërr. Në këtë ëndërr Ina Rama do të ishte nënshtetase amerikane dhe që nuk do emërohej nga marrëveshja Rama-Berisha në Tiranë, por nga Obama në Uashington. E pra, po të qe e vërtetë kjo ëndërr, Dritan Prifti kur ta akuzonin se ka 2 milionë dollarë të padeklaruar, nuk do përgjigjej dot që Edi Rama merr drogë. As Albana Vokshi kur ta akuzonin për të tjera miliona dollarë të fshehur, nuk do përgjigjej se Rama bën pallate me Tan Leprin. Këtu ëndrra mbaron, pasi as në ëndërr nuk besoj se ka shqiptar që të imagjinojë Ina Ramën duke marrë për veshi Priftin, Ramën, Vokshin, Berishën apo Leprin. Edhe sikur të kish ndonjë ëndërrimtar me kaq fantazi, këtij kur t’i dilte gjumi, do shihte Berishën dhe Ramën që me nga një sms drejtuar grupeve përkatëse parlamentare, do ta shkarkonin Ina Ramën me një të ngritur të dorës në Kuvend. Dhe kësaj radhe jo në ëndërr, por në realitet.

Dhe një gjë tjetër. Është vërtet irrituese kjo puna e këtyre kokoroçëve të posapasuruar, që kujtojnë se me pará blihet jo vetëm fjala, por edhe mençuria. E dashur Albana, ka qenë një pararendësja jote, Shote Galica e thonin, që e nxori plumbin me plumb dhe ti, si pasardhëse e saj, kujton se mund t’i lash akuzat me të tjera akuza. Mirëpo mos harro, se llafet e popullit janë gjithmonë me nga një bisht pas. Se, është e vërtetë që “plumbi del me plumb”, por është po aq e vërtetë që “s’lahet m... me sh...”. E pra, laj një herë m.. që të ka mbuluar ty, pastaj fol për atë të tjetrit.

FINESA E FINIT

Ka muaj që Fini është në betejë të hapur me Berluskonin. Kohët e fundit, rivaliteti i tyre u pasurua me një element të ri. Finit i zbuluan një punë jo shumë të pastër. Dikur, nja dhjetë vjet të shkuara, një konteshë e kamur, i paskësh lënë në testament Partisë së Finit një vilë diku në Francë. Pasi vila u bë pronë e partisë, ajo u nxor në shitje nën vlerë dhe e bleu pa rënë shumë në sy një djalosh i panjohur, që tani na del se qenka i afërm i Finit. Pak a shumë kjo është historia. Mëndja më thotë që kjo gjë dihej brenda partisë edhe më parë, por mbahej e mbyllur për t’u përdorur kur duhej. Dhe tani që Fini doli armik, fap, afera u nxor nga rafti dhe u bë publike. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme dhe ngjan të jetë thjesht një nga ata shembujt që i pëlqejnë fort politikës në Shqipëri, për t’u treguar njerëzve se edhe bota njësoj e pisët është.

Mirëpo, përtej këtij mësimi, bie në sy edhe një tjetër finesë thelbësisht perëndimore. Megjithëse Fini ka boll armiq që tash duan ta kryqëzojnë, afera e vilës nuk u bë publike prej tyre, por me lezet iu ofrua shtypit dhe qenë gazetat ato që e bënë çështjen publike, po vazhdojnë investigimin dhe natyrisht po bëjnë edhe komentet e rastit. Njollë shumë e rëndë kjo për figurën e Finit, njollë të cilën televizionet dhe gazetat e porositura, kujdesen ta mbajnë vazhdimisht të freskët. Mirëpo deri tani, asnjë prej armiqve politikë të Finit, nuk ka bërë asnjë deklaratë rreth kësaj afere.

Ta sjellim rastin e Finit në Shqipëri dhe të themi ç’do të ndodhte këtu. Këtu, në konfliktin më të parë, do kish dalë një deputet në konferencë shtypi dhe do t’ia numëronte një për një të gjitha përpara kamerave, pastaj do dilte një tjetër që do thoshte deklarata krejtësisht të kundërta dhe do të akuzonte palën tjetër, pastaj prapë një tjetër i palës tjetër, e kështu me radhë. Në fund, kur pas ca kohësh do bëhej një marrëveshje midis Finit dhe kundërshtarëve të tij, të dy palët që s’i kishin lënë nënë e babë njëri-tjetrit, do të dilnin duke u puthur në televizor dhe do deklaronin marrëveshjen për të mirën e kombit, ndërsa punën e sharjeve dhe akuzave “hajdut kriminel, i korruptuar, bandit, mafioz”, do t’i harronin pa pikë turpi.

E pra ky është ndryshimi. Politika europiane mbështetet mbi faktin që mund ta akuzosh kundërshtarin për paaftësi, për qeverisje të keqe, për politikë të gabuar dhe këto prapë të lejojnë që të bësh marrëveshje me të. Por duhet të mendohesh mirë, kur e akuzon për korrupsion apo për hajdut, pasi me një kundërshtar të tillë nuk mund të bësh më marrëveshje. Ose duhet ta akuzosh për hajdut dhe ta çosh në prokurori, ose për asgjë në botë nuk mund të ulesh me të dhe të bësh marrëveshje pa cipë në faqe. Elektorati europian nuk do t’ia falte asnjë politikani që bën pazare të tilla politike, pasi ka bërë akuza direkte për korrupsion. Pikërisht për këtë arsye, politika perëndimore ia ofron skandalet shtypit, për t’i lënë vetes një shteg moral për marrëveshje të mëtejshme. Te ne politika nuk ka nevojë për një shteg të tillë, pasi shqiptarët me ç’duket s’e kanë për gjë ta quajnë normale që, pasi të shohin dy politikanë t’i thonë njëri-tjetrit edhe llafin e fundit, pastaj të ulen bashkë në një tryezë dhe të deklarojnë se u morën vesh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama