Turizmi për vendin tonë mund të ishte një nga shtyllat kryesore për të zhvilluar ekonominë shqiptare. Një vijë e gjatë bregdetare, lumenj, liqene, male e lugina, me bukuri të rralla natyrore, të vendosura në një sipërfaqe fare të vogël si është ajo e Shqipërisë, janë elementë që do ta bënin shumë më të suksesshëm këtë sektor.
Po të shtojmë klimën e ngrohtë mesdhetare, numrin e pafund të ditëve me diell dhe trashëgiminë tonë historiko kulturore, turizmi duhej jo vetëm të ishte zhvilluar shumë por t’i siguronte ekonomisë të ardhura të konsiderueshme. Aq më tepër që ne nuk jemi një vend që dallohemi për prodhime në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Por që të zhvillohet turizmi duhen dy baza kryesore.
Mundësitë e infrastrukturës dhe marketingut. Shteti ynë, nëpërmjet Ministrisë së Turizmit, bën një politikë embrionale marketingu. Merr pjesë në panaire të mëdha turizmi, me një stendë ku shfaqen bukuritë dhe veçoritë e Shqipërisë, vendos broshura me pamje natyrale e veshje popullore por nuk ka pothuajse asnjë të dhënë se ku shkohet, ku rrihet e sa paguhet dhe çfarë komoditetesh ofrohen.
Para disa vitesh u trumbetua nga qeveria realizimi i një spoti publicitar, i cili kushtoi disa qindra mijëra euro që do të përmirësonte imazhin e vendit tonë, si dhe do të shtonte numrin e turistëve të huaj. Ky spot i kushtueshëm u transmetua vetëm tre herë në CNN dhe aty përfundoi historia e tij.
Kush mund ta besonte se tre transmetime prej 30 sekondash do të bënin që të vërshonin turistë nga e gjithë bota drejt nesh? As dhe më naivët. Ndaj e parë me objektivitet ky spot ishte një harxhim parash. Por pse duhej të zgjidhej një kanal televiziv kaq shumë i shtrenjtë?
Dhe sikur të kishte efekt nuk do kishin asnjë mundësi për t’i pritur turistët, të cilët do të prenotonin për të kaluar pushimet te ne. Dhe nëse këta do të ishin të shumtë ku duhet të prenotonin? Askund, sepse nuk ka asnjë mundësi përveçse të kërkosh në internet e të aventurosh nëpër linjat ajrore që mbërrijnë në të vetmin aeroport që kemi.
Por nuk është vetëm ky problemi. Fushatat publicitare, edhe nëse janë zhvilluar në vende të rajonit, janë bërë në muajt maj, qershor, shumë vonë po të kemi parasysh se europianët i planifikojnë pushimet dhe buxhetet e tyre shumë më shpejt në kohë. Buxheti shtetëror për marketing edhe pse rritet nga viti në vit është më i ulët se ai i vendeve të tjera të rajonit.
Nga ana tjetër nuk ka patur deri më sot asnjë iniciativë qoftë dhe minimale nga ana e qeverive për të mbështetur zhvillimin e turizmit. Heqja e ligjit për klasifikimin me yje të hoteleve shkakton një mungesë informacioni që të çorienton, e bën të aventurohesh hoteleve shqiptare. Nuk ka patur asnjë politikë fiskale për sektorin e turizmit, përkundrazi operatorët turistikë vuajnë nga taksat ekstremisht të larta, përfshirë edhe atë të fjetjes.
Gjithçka që ekziston deri më sot është vetëm pasojë e iniciativave individuale, e përpjekjeve të privatëve e kuptohet se ajo çfarë ata ofrojnë në struktura dhe shërbime është larg asaj që mund të quhet turizëm i vërtetë.
Nëse qeveria nuk do të bëjë lehtësime fiskale, nëse nuk do t’u krijojë kushte operatorëve të huaj turistikë, qoftë dhe atyre të vegjël e të panjohur, asgjë nuk ka për të ndryshuar, përveç ndonjë dhome shtesë të fshatarit të Velipojës ose të Dhërmiut.
Jo vetëm lehtësime fiskale por edhe mundësi e forma kredie për projekte private turistike, me interesa të ulëta dhe afatgjatë që do të ndikonin shumë në këtë drejtim.
Ne shpesh kapemi pas ndonjë kalaje të rrënuar, apo një cope plazhi me ujë dhe rërë të pastër, por harrojmë se këto nuk janë asgjë për të patur turizëm, për të siguruar të ardhura materiale, e për të zhvilluar ekonominë.
E nëse po bëhen njëzet vjet nga krijimi i tregut të lirë, kur mendonim se duheshin pak vite që Shqipëria të kthehej në një vend me turizëm të zhvilluar dhe të preferuar nga të huajt, të dhënat tregojnë se do të duhen edhe njëzet vite të tjera që të mund të shohim vendin tonë si një destinacion turistik mesdhetar.