Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ikni

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Ikni

Ka tri ditë që sërish Tirana është mbuluar me çarçafë blu. Kësaj radhe çarçafët nuk flasin për 100-vjetorin e Nënë Terezës nën kujdesin e Kryeministrit, as për hyrjen në NATO të një vendi pa ushtri, as për “Koha për ndryshim” që e thotë një njeri që ka 20 vjet që nuk ndryshon, e as për ndonjë koncert politiko-artistik të Çiljetës.

Kësaj radhe çarçafët blu rrekin të na tregojnë se duke filluar që dje, Vjena na qenka një orë e gjysmë larg, Zyrihu 2 orë larg, Parisi 2 orë, e kështu me radhë gjithë kryeqytetet e tjera të Europës. Si të mos mjaftonte kjo, vijoi edhe një ofertë e Ministrisë së Brendshme, e cila premtonte që për një pagesë ekstra të ta japë pasaportën brenda dy ditësh. Ofertë e turpshme kjo, që më ngjet me ato ofertat e supermarkatave të llojit: “paghi due prendi tre”.

Kjo e jona është qeveria e parë në botë që u tregon shtetasve të vet ikjen si rrugëzgjidhje të halleve të tyre. Është e para midis qeverive, por me thënë të drejtën shqiptarët nuk është e para herë në historinë e tyre që e kërkojnë shpëtimin duke parë jashtë kufijve. Duke marrë jashtë udhët e Italisë, e kërkuam shpëtimin edhe në shekullin XV. Duke ikur e bërë karrierë në Stamboll, e kërkuan udhën e mirëqenies për katër shekuj rresht krerët e këtij vendi në kohë të Turqisë. Për gjysmë shekulli të Enver Hoxhës, sërish duke ikur u përpoqën shqiptarët të rregullojnë jetët e tyre dhe u përpoqën aq shumë, sa Komandanti e ruante kufirin jo nga ata që donin të hynin, por nga ata që donin t’ia mbathnin. Duke ikur u përpoqëm të ndreqim hallet tona edhe në korrik të ‘90-s, edhe në mars të ‘91-shit. Madje edhe në ‘97-n, duke ikur u përpoqëm të gjejmë karar edhe ne që donim të shpëtonim nga Berisha, por edhe Berisha që donte të shpëtonte nga ne. Duke ikur e kërkuan zgjidhjen e hallit të tyre edhe kosovarët dy vjet më pas më ‘99-n dhe duke ikur po vazhdojmë edhe ne në këto ditë nëntori të shekullit XXI. Ndryshimi i vetëm është se kësaj radhe, për herë të parë në historinë tonë, ikja si rrugë shpëtimi po na ofrohet edhe zyrtarisht, dhe për më tepër nga vetë qeveria jonë. Në fakt, popujt mblidhen e i zgjedhin qeveritë që kjo pastaj të na tregojë udhën se si të ndreqim jetën tonë këtu, e jo të na tregojë udhën se si shpëtohet nga hallet duke ikur.

John Keggan thotë se ndryshimi mes popujve të Lindjes dhe atyre të Perëndimit është se perëndimorët përpiqen t’i kalojnë sfidat duke i përballur, ndërsa popujt lindorë duke i shmangur. Ka shkruar një libër të tërë për këtë punë, “Historia e luftës”, ku e shpjegon gjerë e gjatë këtë sjellje themelore që, sipas tij, shërben si vijë ndarëse mes qytetërimeve, ndaj s’është vendi këtu që të përpiqem të përmbledh me pak radhë atë që ai e shtjellon në 400 faqe. Kjo teori e Keggan-it do dilte huq në rastin tonë, se ne i themi vetes perëndimorë, por edhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë fare. E cila teori politike, sociale, ekonomike a ushtarake, nuk ka dalë huq kur janë përpjekur ta zbatojnë në Shqipëri?

Kutuzovi, strategu që mundi Napoleonin, thoshte: “Një armiku në ikje, i do ndërtuar një urë argjendi”. Po kështu i bie të kemi një qeveri që e trajton popullin e vet si armik që do ndihmuar t’ia mbathë! Të tilla arsyetime si këto dhe të tjera edhe më të hidhura, më shkonin ndër mënt ndërsa kundroja çarçafët blu që u tregonin shqiptarëve të kamur a të varfër qofshin, se sa pak orë udhëtimi me avion larg është shpëtimi nga qeveria e tyre. Po a do vijë dita që ta kuptojnë shqiptarët e mi, se shpëtimi vjen duke ikur qeveria dhe jo ata vetë?

Është e kotë që në ditë dehjeje si kjo e sotmja, t’u kërkosh njerëzve të arsyetojnë. Të gjithë po i zë ethja të matin distancat nëpër harta, numërojnë orët, presin bileta, prenotojnë avionët, lidhen në telefona me kushërinjtë e periferive të qyteteve të Europës, bëjnë gati valixhet, shesin apartamentet dhe bibliotekat e gjyshërve dhe duan të ikin, të ikin, një orë e më parë. Në fund do të na mbetet në veshë zëri tragjik i Kadri Roshit, tek thërret ndën gunën e Plakut Mere: “Ikni, ikni dhe ju pas të madhit dhe le të këndojë qyqja mbi këtë gërmadhë”.

YLBERI I GJYNAHEVE

Sajmiri, deputeti i partisë sime, doli në konferencë shtypi dhe na kumtoi se edhe Inspektorati i Kontrollit të Pasurive e kishte gjobitur Albana Vokshin dhe Majlinda Bregun për fshehje të pasurisë. Mirë deri këtu, mirëpo ai Inspektorati, kur i rreshtoi të gjobiturit, rreshtoi të parin Dritan Priftin si të tillë.

Po si more Saimir, zure në gojë gjobën për Albanën e Majlindën dhe harrove Dritanin?! Po a e kupton se cili është mesazhi që mori çdo shqiptar nga kjo punë? Bashkohuni me ne që t’u lahen gjynahet. Pikërisht ky është mesazhi të cilin shqiptarët deri tani ia kanë veshur politikës së vjetër të Sali Berishës, ndërsa tani u del edhe në krahun tjetër.

Të njëjtën gjë bëri edhe miku tjetër i imi, Shalësi, i cili i kërkoi Sali Berishës që të shkarkojë ministrin Vasili se qenka i korruptuar. E besoj Shalsin, se s’ia fut kot, por pa më thoni ku është më i keq Vasili nga Ndoka, i cilin qe i korruptuar deri ditën që ishte kundër nesh dhe u bë kampion i demokracisë ditën që u bë me ne?

Shqiptarët dhe socialistët duan nga partia ime tjetër mesazh. Duan mesazhin që “ejani me ne, se tek ne s’kanë vend të korruptuarit”, ndërsa ju u dhatë mesazhin “ejani me ne që t’u lajmë gjynahet”. A mos vallë Partia, që dikur në kohë të Komandantit ishte diell i jetës sonë, tashmë është kthyer në ylber i gjynaheve tona?

Miq të mitë, a jeni të përzierë në punët e atyre që zura ngoje më sipër? Jo, nuk jeni dhe e them me bindje këtë. Po në kulisat e ustallarëve të partisë tuaj e times bashkë, a jeni? Prapë nuk jeni. Atëherë ç’dreqin keni që bëheni vegël që pa hyrë akoma mirë në udhën e gjatë të politikës. Është e vërtetë që pisllëqet fshihen me leckë të pastër, por pas kësaj lecka bëhet pis ama.

Mos harroni se të paktën disa mijëra shqiptarë do t’i lexojnë këto radhë dhe, edhe nëse nuk u kish vajtur mëndja vetë te këto pyetje, tani që jua çova unë duan një përgjigje për këtë punë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama