Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Punet e moralit

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Punet e moralit

Maksi shkroi dy romane të rinj, ku ka hedhur kujtimet e jetës së tij pas hekurave të burgut. Velo i ka kaluar të shtatëdhjetat. Sa shqiptarë të asaj moshe janë në gjendje të bëjnë ende romane, po që njëkohësisht edhe të pikturojnë? Po që përveçse të pikturojnë edhe të projektojnë e të jenë aktivë në arkitekturë e në urbanistikë. Po që përveç këtyre të ndjekë se ç’ndodh me qendrën e Korçës apo me ndërtimet mbi monumente në Tiranë a Durrës? Dhe, të gjitha këto, t’i bëjë pas 15 vjetëve burgim, persekutim dhe shkatërrim të veprave, që pësoi ai prej Enver Hoxhës.

Nejse, që të kthehem te romanet e reja të Maksit. Promovimi i romaneve u bë, ka pak ditë, në ambjentet e një hoteli përballë shtëpisë ku dikur banonte e komandonte Enver Hoxha. E pabesueshme, apo jo! Në vijë ajrore, dritarja ku ishte mbështetur Maksi mbrëmjen e promovimit, ishte jo më larg se 20 metra nga dritarja ku dikur rrinte mbështetur Enver Hoxha. Absurde të tillë krijohen vetëm në vende ku përmbysjet janë të zakonshme, ndaj Enverit i duhej ta kishte parashikuar edhe këtë, kur mburret në shënimet e veta se ai tani (në vitin 1946) shkelte në qilimat që kishin pas qenë të Shefqet Vërlacit. Gjithë këtë filozofi, populli që i ka kaluar në kurriz të gjitha, e përmbledh me fjalët “si tua bësh do të ta bëjnë”. Enveri, këtë mësim të stërprovuar në shekuj, nuk deshi t’i vërë mënt.

Në konfliktin e përjetshëm midis mendimit dhe diktatit, betejat zakonisht i fiton diktati por luftrat i fiton mendimi. Edhe në rastin e Maksit, betejën fizike midis të dyve e fitoi Enveri që mbeti tek dritarja e tij, ndërsa Maksi përfundoi në galeritë e Spaçit, ndërsa luftën në fund e fitoi Maksi, që sot është tek dritarja përballë, ndërsa Enverit i ka humbur emri. Kaq për punë të dritareve.

Midis dy dritareve, asaj të dikurshme të Enverit dhe kësaj të sotmes ku rrinte Maksi, kalon një rrugë që dikur ishte rruga më e mbrojtur dhe e fshehtë e Bllokut. Shqiptarët e thjeshtë, as që e dinin që egzistonte. Tiranasit e thjeshtë e dinin që egzistonte, por as që e kishin parë ndonjëherë. Bllokmenët e thjeshtë e kishin parë ndonjëherë, por as që kishin kurajë t’i afroheshin pa qenë e domosdoshme. Kaluan vite që atëhere, diktatura u shemb, i festuam edhe 20-vjetorin e rënies, por ajo rrugë është sërisht e bllokuar. Në vend të ushtarëve të dikurshëm që rrinin në krye e në fund të saj, sot janë instaluar ca cilindra të pajisur me pistona që ngrihen e ulen sa herë që duhet të hyjnë brenda saj banorët e përzgjedhur të asaj rrugëze. Mbërrin një fuoristradë, shtyp një buton me valë, pistonat ulen, makina kalon, pistonat ngrihen sërisht. Diktaturat ideologjike qeverisin me mitraloza, ndërsa diktaturat ekonomike qeverisin me butona. Këtë lloj diktature të parasë, Enveri nuk e kuptoi dot asnjëherë, e madje as që e dinte se si funksiononte. Po ta kish ditur, bën vaki ta kish aplikuar dhe sot do ta kishim ende mbi kokë, siç do të kemi për shumë e shumë kohë mbi kokë diktaturën e sotme të parasë.

Maksit kjo nuk i intereson. Ai e pagoi pjesën e tij nën diktaturë dhe e fitoi luftën e tij kundër diktaturës. I takon brezit tjetër të sakrifikojë kundër diktaturës moderne të butonave. Kaq edhe për punë të rrugës.

Romanet e Maksit, i botoi shtëpia botonjëse e një personi mjaft të diskutueshëm. Për etikë s’po ia shënoj emrin, megjithëse ai s’ka patur asnjëherë etikë kur në gazetën e tij më ka sharë mbarë e prapë pa hesap. Askush s’del dot nga lëkura e vet. Edhe librat e një tjetër bashkëvojtësi të Maksit, at Zef Pllumit, i ka botuar i njëjti njeri. Ndoshta me këtë gjest lan gjynahet që ka bërë në jetë. Ndoshta kjo është mënyra që ka gjetur i Plotfuqishmi për ta bërë të lajë mëkatet.

Edhe gjynahtarët nuk janë të gjithë njësoj. Dantja i ndante në nëntë rrathë të ferrit, sipas fajeve që kishin bërë mbi dhé, ndërsa unë dua t’i ndaj vetëm në dy kategori, në ata që lajnë gjynahe pa dashur t’i lajnë dhe në ata që i lajnë gjynahet me ndërgjegje. Ka njerëz që pasi e kanë kaluar jetën në zvetënim, papritur një ditë kthejnë rrugë dhe fillojnë të bëjnë të mira. Ka të tjerë, të cilëve Zoti ua merr hakën edhe jashtë vullnetit të tyre. Ndoshta ky botonjësi gjynahtar, bën pjesë tek kjo kategoria e dytë. Kujtimet e Maksit bën vaki të na mbeteshin të panjohura, po të mos qe ky botonjësi gjynahmadh.

Një nga kishëzat më të bukura të Padovës, e afreskuar në fillim të shek. XIV nga Xhoto (Giotto), u financua fund e majë nga një familje fajdexhinjsh të qytetit, familja Skrovenji (Scrovegni) i thoshin. Për krishtërimin, fajdeja ishte mëkat i rëndë që të çonte direkt në ferr, ndaj mënyra e vetme e gjetur nga fajdexhiu i pasuruar për të shpëtuar shpirtin, ishte të ndërtonte një kishë dhe ta pikturonte me artistin më të dëgjuar të kohës. Nuk di të them nëse fajdexhiu i shpëtoi ferrit me veprën e bërë, por di të them se po të kish qenë i përkortë në jetë, nuk do ish pasuruar dhe për rrjedhojë as do kishte patur vrasje ndërgjegjeje, e as do kish pará të financonte kryeveprën e Xhotos.

Si për ta ngatërruar punën edhe më keq, kujtoj këtu se Dantja babain e këtij Skrovenjit e kishte degdisur me emër e mbiemër drejt e në rrethin e shtatë të ferrit. Fjala e Dantes nuk ia kish dalë ta trembte Skrovenjin bir për të mos u pasuruar me fajde, por mjaftoi që ta bënte ta vriste ndërgjegjja për të shpenzuar para që të shpëtonte shpirtin në pleqëri. Ashtu sikundër tash, 700 vjet më pas, fjala e Maksit nuk i mjaftoi dikur të paudhit që të mos bënte gjithë ç’ka bërë, por të paktën po vlen tani për ta bërë të harxhojë pará duke ia botuar veprat. Punë dreqi këto punët e moralit, se të fusin në hulli nga të cilat është e vështirë të dalësh. Lum të padijshmit, se janë rehat.

Këto e të tjera si këto më shkonin ndër mënt, i zhytur në butësinë e tingujve të muzikës që shoqëronte në sfond promovimin e Librave të Maksit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama