Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Bakllava e hidhur

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Bakllava e hidhur

Ishin ditët e fundit të vitit që shkoi. Të gjithë e kishim mendjen te gjeli i pjekur dhe bakllavaja, ndaj çfarëdo lajmesh që të merrnim s’do na mbetej në mendje. Mirëpo, tani që sherbeti i bakllavasë shkoj e vate, na kthehet thartira. Kësaj radhe na i hodhën dhe u tallën me ne të gjithë. Se, jemi mësuar të tallen me ne, një herë njëri e pastaj pushon ky dhe zë e tallet tjetri. Por, kësaj radhe, jo vetëm që u tallën njëherësh të dy, por u bënë tre, se u tall me ne edhe ajo që duhej të mos i linte të talleshin, prokuroria.

Dy ditë para Vitit të Ri doli serbes para mikrofonave zëdhënësi i prokurorisë dhe deklaroi se pas hetimeve të thelluara, nuk ishte gjetur asnjë element korrupsioni në akuzat e Vokshit të PD-së për ndërtimet që do bëhen nga Liqeni dhe, nga ana tjetër nuk ishte gjetur asnjë element korrupsioni në akuzat e PS-së për koncesionet naftës. Ç’kish bërë prokuroria, sipas vetë deklaratës së saj! Me seriozitetin e ustait të vjetër, që ja di radhën zanatit, që do ta pjekë mishin pa djegur hellin, vajti e pyeti njërën palë: “a keni bërë ju korrupsion me ndërtimet, siç ju akuzon PD-ja?”. Pastaj shkoi te pala tjetër dhe i pyeti: “po ju, a keni bërë korrupsion me koncesionet e naftës, siç ju akuzon PS-ja?”. Të pyeturit, fillimisht do i kenë parë prokurorët në sy, për të kuptuar nëse janë budallenj apo të rrjedhur nga mendtë, pastaj e kanë kuptuar lojën dhe janë përgjigjur: “Jooo, nuk jemi të korruptuar”. Prokurorët kanë marrë shënim deklaratat, kanë mbushur dosjen dhe dolën e deklaruan mes frazash të studiuara me kujdes, se pasi pyetën të akuzuarit, këta ju thanë se nuk janë të korruptuar, ndaj prokuroria i deklaron çështjet të mbyllura si të pavërteta. Çfarë talljeje!

Jo më kot thashë më sipër se prokuroria është bërë tashmë usta i vjetër, që s’ia ha qeni shkopin (atë të shkretë shkop, që ne ja kemi dhënë të na mbrojë nga qentë). Po të bënte këtë palo hetimin për njërën palë e ta deklaronte publikisht të mbyllur, rrezikonte që të gjendej nën sulmin e palës tjetër. Ndaj, për të mos u vënë nën bateritë e sulmeve, prokuroria u kujdes që deklaratën për llagarësinë e të dy palëve, ta bënte njëkohësisht për të dy. Dhe në fakt, pas kësaj nuk pati asnjë deklaratë kundër prokurorisë. Tallja e prokurorisë mbaroi këtu, për të vazhduar edhe me një seancë supe tashmë të bërë bajate. Zëdhënësit respektivë vrapuan tek foltoret dhe deklaruan se, siç doli edhe nga hetimet, prokuroria vërtetoi se akuza e kundërshtarit kishte qenë e pavërtetë. Natyrisht që zëdhënësit nuk thanë edhe pjesën e dytë, që kështu jo vetëm akuza që u ishte bërë nga kundërshtari dilte e pavërtetë, por edhe akuza që i kishin bërë kundërshtarit dilte e rreme. Po kjo pjesë e dytë s’ka shumë rëndësi, se mileti e mbylli me kaq, se e kishin mendjen te ajo, bakllavaja e pas dy ditëve.

Po ja ta zëmë për një moment se do kish lojtur nga mendtë prokurori dhe do i kish vënë para përgjegjësisë realisht palët. Asgjë nuk do ndryshonte. Çështja do shkonte në gjykatë dhe natyrshëm do mbyllej atje. Po ja ta zëmë se do kish lojtur nga fiqiri edhe Gjykata e Faktit dhe do jepte dënim. Prapë, ka edhe më lart, pa ka edhe Gjykatë të Apelit, pa ka edhe Gjykatë të Lartë dhe, është ca si e vështirë që të lozin nga mendtë të gjithë njëherësh dhe me një ditë. Prokurori, me zellin e tij të pavend, thjesht do rriste pazarin në gjykatë, por natyrisht që më pas zellin do e paguante duke fluturuar nga karrigia dhe s’do ja dinte njeri për nder. Shqiptarët i kanë nxjerrë këngë Haxhi Qamilit apo Rrapush Xhaferrit, por jo kurrë ndokujt që bën drejtësi.

Për mostrat prej betoni që do të ndërtohen tek Liqeni janë paguar studiot e arkitektëve të huaj që kanë bërë projektet, janë blerë me miliona dollarë prona, janë bërë e ndryshuar me dhjetëra vendime kthimi pronash e janë bërë me qindra tratativa me ish-pronarë të rinj, të vjetër e të sajuar, si t’i duash, janë investuar gjithë ata biznesmenë e kanë bërë mes tyre pakte e marrëveshje, janë përzierë në të funksionarë e kryetarë, ministra e kryeministra, për t’i ndërruar destinacionin asaj zone, për të ndryshuar planin rregullues e për t’i miratuar studimin. Sa për kuriozitet, di rastin e një ish-funksionari të lartë që u arrestua për korrupsion dhe, edhe në burg vazhdonte të firmoste marrëveshjet për blerje pronash te Liqeni në funksion të këtij studimit të famshëm. Burgu burg, po biznesi vazhdon ama! Pastaj? Pastaj doli nga burgu dhe u bë prapë funksionar i lartë. E pra, të gjithë këtë ngrehinë gjigande, do vinte një prokuror dhe do ta shembte! Ha, ha, ha, sa naivë që jeni!

Vini re edhe një gjë: Vokshi asnjëherë nuk e akuzoi Kryetarin se po lejon të ndërtohet tek Liqeni, por se po merr 20 % për ndërtimet. Unë, jo se e kam kryetar, por se jam i bindur, them se Kryetari nuk ka dorë në pazar parash. Por, bashkëqytetarëve të mi nuk është kjo që ju intereson. Mua vetë, banorëve të asaj zone dhe besoj se edhe të gjithë kryeqytetasve, ajo që ju intereson, nuk është se kush e mori 20 përqindëshin, po që tek Liqeni do të ndërtohet. E pra, për këtë fakt askush nuk flet, se të gjithë janë marrë vesh që atje do të ndërtohet, të majtë e të djathtë, ballistë e zogistë. Të gjithë ata që i kanë gjërat në dorë, se njerëzia që s’ka gjë në dorë, shpreson që atje të mbeteshin impiante sportive për rininë e fusha lojërash për fëmijët, që aq shumë i mungojnë qytetit, që ajo të mbetet zonë e gjelbër, e po qe e mundur, edhe të shtohet, e jo të mbushet me një morí njëzet e kusur katëshesh prej betoni. Por, mileti si gjithmonë s’ka gjë në dorë e s’e pyet njeri. Shyqyr që e gjitha kjo ndodhi vetëm dy ditë para bakllavasë së Vitit të Ri dhe, qofshim sërish me bakllava në dorë, të paktën ditën që do fillojë të ngrihen kullat e betonta atje, ku çdo gjë mund të duam, por veç beton, jo.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama