Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shansi i humbur i nje ministri

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Shansi i humbur i nje ministri

Lul Basha e humbi shansin të tregohej i ndryshëm nga ustai i tij. E pati këtë rast kur u thirr të dëshmonte përpara Komisionit Hetimor të ngritur nga shokët e vet për të hetuar shokët e tyre. Nuk kam ndër mend të bëj analizën e Komisionit Parlamentar të Puçit, por po e marr të gjithin për të vërtetë e për serioz, punë e vështirë kjo po të nisesh se kush e urdhëroi të ngrihet, e ca më e vështirë po të shohësh se kush merr pjesë në të, e ca më keq akoma se kush e drejton. Megjithatë, edhe përpara një të këtilli Komision, secili i thirrur ia doli të tregojë veten, karakterin dhe se sa i ka justifikuar paratë që shqiptarët kanë shpenzuar për të ngritur e mbajtur institucionet që atyre u ka rënë për pjesë të drejtojnë.

Folën drejtpërdrejt apo indirekt Kryeprokurorja, Kryetari i SHISH-t, përfaqësues të Presidencës dhe vetë Kryeministri. Pas tyre zunë radhën për të recituar edhe një sërë funksionarësh, komandantë e drejtorë, e nuk di kush tjetër. Tashmë Komisioni është bërë si sfilatë bukurie, ku të gjithë mundohen t’i ngjajnë Saliut, duke qenë të bindur që Saliu është i bukur.

Në këtë sfilatë i erdhi radha edhe Lulzim Bashës të flasë para Komisionit, në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Mirëpo, Lul Basha nuk është vetëm ministër i Brendshëm, si llafi që bie Esat Pasha, Musa Juka, Koçi Xoxe apo Hekuran Isai në kohë të tyre. Lul Basha është edhe një prej fytyrave të reja (të paktën në moshë) të Partisë Demokratike dhe, ca më tej, edhe kandidat i përfolur për Bashkinë e Tiranës nga partia e tij.

Asnjë shqiptar normal nuk e beson kompllotin puçist të ngritur nga Sali Berisha për të rrëzuar Sali Berishën. Të majtët nuk e besojnë se kanë bërë, të djathtët nuk e besojnë se e njohin Salinë, ndërsa të paanshmit nuk e besojnë se nuk bëhet puçi me çadra. Mirëpo të gjithë këta, sidoqoftë ndën zë të paktën pranojnë që Saliu të flasë siç flet, se s’ka ç’të bëjë tjetër dhe se kjo është e vetmja gjuhë që di. Bash për këtë arsye, askush nuk u çudit kur Saliu, pasi e thirri veten për t’u pyetur në Komision, foli çapraz për kompllotin dhe, kjo i lejohet jo vetëm për arsyet që thashë më sipër, por se për shkak të një karriere politike 20- vjeçare, tashmë e dimë që edhe kur shan e mallkon, nuk do marrë shumë seriozisht, se në fund apo të nesërmen i fut një të qeshur dhe i harron ato që tha. Por me Salinë mbaron edhe lejimi që ta quash “kompllot” atë historinë e çizmeve me helm.

Mirëpo, kur në tavolinën e Komisionit u ul Lul Basha, duhet të ishte menduar mirë para se të hapte gojë. Ishte rasti i parë i madh i tij, për t’u treguar qytetarëve të Tiranës se ai vërtet ishte gjetje e Sali Berishës por, si djalë i ri i kënduar në Perëndim, do dinte të ishte ndryshe. Por Basha foli njësoj si të fliste Saliu. Foli për grusht shteti, çadra e stilolapsa, komandantë e kompllotistë, banditë e komitë. Dhe përpos të tërave, këto i foli gjithë seriozitet, duke na vënë në dilemën që, ose i beson vërtet ato që thotë, gjë që s’bën vaki po të jesh sagllam nga mendtë; ose nuk i beson por luan pjesën dhe në këtë rast është aktor shumë i rrezikshëm, pasi mund të na gënjyeka pa iu dridhur qerpiku. Unë nuk pres që Basha para Komisionit t’i binte hashá Saliut, apo të deklaronte që s’ka pasur puç, se s’ka arsye që t’i jepte fund karrierës vetëm për të na thënë një gjë që e dimë, por edhe të flasë me letër kopjative pa ndryshuar germë, edhe kjo është e tepruar.

Me atë se si foli para Komisionit, Basha mund të ketë fituar ca pikë para Saliut, që mund t’i ketë thënë më pas “bravo të qoftë Lul”. Mund t’u ketë pëlqyer edhe fanatikëve të partisë e të Bathores, por atij nuk janë këta që do t’i duhen nesër në betejën për Tiranën. Këta i ka në xhep që në nisje dhe do ta votojnë si t’i komandojë Saliu. Në këtë betejë, që po e kemi në prag, atij do t’i duhet të fitojë zemrat e qytetarëve të Tiranës, të atyre dhjetëra mijërave të paangazhuar politikisht dhe që presin që qyteti të qeveriset realisht, që në krye të bashkisë të shohin dikë që as flet për puçe imagjinare, e as vetëm për vizione, por që zgjidh hallet e stivosura të qytetit.

Bashës do t’i duhet të fitojë zemrat e njerëzve normalë, që nga një anë u ka ardhur në majë të hundës me qytetin që nuk qeveriset, por nga ana tjetër kanë tmerr e neveri për Saliun. Dhe për të fituar votën e këtyre, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: duhet të thuash se ç’duhet bërë për qytetin dhe si garanci për këtë duhet të jesh i ndryshëm nga mënyra se si nuk qeveriset bashkia e se si qeveriset qeveria. Mjafton të flasësh me gjuhën e njërit prej këtyre dhe e ke të humbur davanë. E pra Basha pikërisht këtë bëri, foli me gjuhën e Berishës, duke u treguar bashkëqytetarëve të mi se nuk ia del dot të ndahet nga gjuha e tij. Halli im nuk është fati politik i Lul Bashës, ndaj nuk dua të më kuptojnë sikur më vjen keq për shansin e humbur të tij. Halli im është qyteti ku jetoj dhe që e dua fort, aq fort sa, për të mirën e tij, jam gati të sakrifikoj edhe politikën. Dhe si unë janë me dhjetëra mijë të tjerë që jetojnë në këtë qytet ku ka vend për t’u bërë çdo gjë, por ka disa vjet ku nuk ndodh më gati asgjë.

Saliu është mësuar që, ata që ka nën vete t’i thonë “si urdhëron” edhe kur thotë se fluturon gomari. Nga ana e tyre, policët edhe këta janë mësuar të thonë “si urdhëron” po u tha shefi se fluturon gomari, se kështu ua do zanati. Mes këtyre dy kategorive u gjend Lul Basha në cilësinë e ministrit, si vartës i Saliut dhe shef i policëve. Por Basha është ende ministër i Brendshëm, por tashmë duhet ta shihte këtë karrige thjesht si një shkallare pushteti. Kur foli para Komisionit Hetimor, nuk i duhej të harronte se nuk do ta dëgjonte vetëm Saliu dhe policët, por edhe i gjithë qyteti që nesër mund ta ketë kandidat. Dhe qytetaria e Tiranës nuk beson kollaj se fluturon gomari.

CIKLI 800 VJETËSH

Dokumentet thonë se për herë të parë ekzistenca e gjuhës shqipe u dëshmuakësh nga një dokument gjyqi i ndodhur në arkivat e Raguzës (Dubrovniku i sotëm). Në këtë dokument, një dëshmitar i thirrur në gjyq për ca bagëti të vjedhura, dëshmon se: “dëgjova zëra nga mali që thërrisnin në gjuhën shqipe etj., etj”. Kjo do t’i ketë mjaftuar gjykatësit të shekullit XIII që të vendosë se hajdutët ishin shqiptarë dhe, nga ana tjetër, na shërben neve të shekullit XXI për të dëshmuar ekzistencën e shqipes në atë kohë, paçka se në gojë hajdutësh mali.

S’ka ca kohë kur gazetat folën për një vjedhje të ndodhur në Greqi, ku një prej dëshmitarëve deklaronte në gjyq se “Dëgjova që, një nga personat që po largoheshin me makinë, po fliste shqip”.

Ka rrjedhur uji i 800 vjetëve midis këtyre dy ngjarjeve, janë ndërruar tri sisteme, bota kaloi nga feudalizma në kapitalizmë, në komunizmë dhe u kthye prapë në kapitalizmë, u bë revolucioni francez dhe dy luftëra botërore, u bënë kryqëzata dhe u krijuan shtete, erdhi dhe iku Perandoria e Osmanëve nga Ballkani, gjenia njerëzore vajti në Hënë dhe në pole, ndërsa ne mbetëm po këtu majë maleve me të njëjtin avaz, herë duke vjedhur dhi e herë makina.

Nuk vë në dyshim se, në një kohë me ata shqiptarët e dhive apo me këta të makinës, kanë qenë edhe shumë shqiptarë të tjerë, burra të urtë e punëtorë të mirë, mirëpo historia është tekanjoze e madhe dhe s’i vë dot njeri komandë se kë të fiksojë e kë jo, ndër faqet e librit të madh të saj.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama